Viktima e përdhunimit është e ekspozuar ndaj përballjes së dhunshme me një ose më shumë persona, të cilët manifestojnë instinkt kafshëror të papërmbajtshëm. Sa hap e mbyll sytë ajo e sheh veten në duart e tyre, krejt e pafuqishme për të rezistuar dhe për ti thënë jo këtij akti makabër. Ajo mund edhe të kërcënohet me armë, me mbyllje të gojës dhe me lidhje të gjymtyrëve. Ndoshta, autorët mund edhe ta kërcënojnë me vrasje. Akti i përdhunimit mund të kryhet nga disa persona, akt i cili mund të përfundojë me vrasje, për të mbuluar gjurmët e krimit.
Që këtu, themi që viktima e përdhunimit përjeton momente paniku dhe tmerri, të cilat ia tronditin gjendjen psikologjike të saj, duke i shkaktuar pështjellim të madh. Ajo ka parë vdekjen me sy dhe sapo ka humbur nderin dhe i është shkelur me këmbë dinjiteti.
Këtë përshkrim e bëjmë që në fillim, me qëllim që ta perceptojmë drejt vuajtjen e viktimës së përdhunimit, e për rrjedhojë ta kemi të qartë çfarë përkujdesi psikologjik, social, fetar dhe shpirtëror i lipset. Në rreshtat në vazhdim, do të orvatemi ti qasemi një rasti përdhunimi, duke ndjekur hapat që nga fillimi.
Gjendja psikologjike e një viktime përdhunimi
Menjëherë pas aktit të përdhunimit, tek viktima vihen re disa shenja të cilat përmbledhin vuajtjen e saj të rëndë.
Pas krimit të përdhunimit, ajo është në një gjendje pështjellimi, shpërqendrimi dhe hutimi.
Ndoshta nuk ka mundësi as të flasë në mënyrë të organizuar, thjesht nxjerr ca fjalë të shkëputura, të turbullta dhe pa kuptim.
Pasi të qetësohet disi, përfshihet nga ndjenja turpi, përdhosje dhe stresi.
Ndonjëherë, përfshihet nga valë nervozizmi, mandej qetësohet dhe ndonjëherë kalon kriza qarje, mund të orvatet edhe të vetëvritet.
I sheh njerëzit përreth me dyshim dhe frikë, e nëse sytë i takohen me ndonjë të afërm të dashur, e sheh për disa çaste, pastaj i hidhet në krahë, duke kërkuar siguri dhe falje.
Kur bëhet më e vetëdijshme, fillon të ndihet fajtore për atë që i ndodhi.
Ajo pyet nëse ka qenë pjesëmarrëse në këtë krim, duke heshtur, duke mos rezistuar mjaftueshëm, duke e joshur autorin e krimit, duke u gjendur në një vend ku nuk duhej të ishte, ose sepse Zoti po e ndëshkon për gjynahe që ka vepruar më parë.
Për shkak të këtyre çrregullimeve emocionale të shumta, viktima është gjatë gjithë kohës e rraskapitur, vuan nga pagjumësia, mungesa e oreksit dhe është e shpërqendruar.
Në periudha afatgjata, viktima e përdhunimit vuan nga stresi post traumatik. Tek ajo formohet memoria patologjike e ngjarjes, e cila ndikon në jetën shpirtërore të saj. Panorama e ngjarjes i paraqitet herë pas here si në gjumë ashtu dhe në gjendje të zgjuar.
Sa herë që sheh, dëgjon ose përjeton diçka që i kujton përdhunimin, ajo përfshihet nga gjendje stresi të fortë, frikë, rrahje të shpeshta të zemrës dhe djersitje. Për këtë, ajo përpiqet me mish e me shpirt të evitojë çdo gjë që i kujton ngjarjen e dhimbshme, apo që ka lidhje me të.
Si pasojë e kësaj gjendjeje, mund të kemi dhe një lloj depresioni të mesëm, apo dhe të thellë, të shoqëruar me sindroma stresi, vesvese (sidomos rreth pastërtisë) gjë e cila e pengon viktimën të bëjë një jetë normale.
Akti i përdhunimit, madje edhe thjesht ngacmimi, ndikon në këndvështrimin e viktimës për seksin tjetër. Ajo e sheh burrin si një egërsirë që do ta shqyejë trupin e saj, ashtu siç e sheh aktin seksual si një akt kafshëror, agresiv dhe të fëlliqtë.
Diçka e tillë mund të ndikojë në vendimin e saj për martesë, duke refuzuar të martohet nga frika prej marrëdhënieve seksuale të cilat i ka përjetuar në mënyrë të frikshme. Nëse martohet, ajo mund të përballet me probleme lidhur me aktin seksual me të shoqin, për të njëjtin shkak.
Përkujdesi i ngutshëm
viktimës ofrohet përkujdesi i shpejtë në momentet e para të zbulimit të përdhunimit, atëherë kur e tregon vetë viktima, ose kur identifikohet.
Duhet që viktima të ndihet e sigurt dhe të gëzojë përkujdesin shëndetësor dhe psikologjik. Fajësimi, kritika dhe presioni ndaj saj, të çdo forme qofshin, duhen evituar me çdo kusht.
Terapistja apo terapisti duhet ta mbështesë dhe të ketë sjellje pozitive me viktimën, duke shmangur çdo qëndrim vlerësues ndaj saj.
Viktima duhet të qetësohet dhe ti ofrohen të gjitha shanset e trajtimit dhe përkujdesjes. Asaj i duhet dhënë e drejta për të marrë të drejtën e saj ligjore dhe të orientohet tek qendrat përkatëse ku i ofrohet përkujdesi i plotë.
Garantimi i të drejtave
Duhen vënë në dijeni menjëherë organet policore me qëllim që të ruhen të gjitha faktet që vërtetojnë krimin. Në këto raste, policia ka një mjek i cili merret drejtpërdrejt me rastin.
Ruajtja e kampioneve të flokëve, gjakut, rrobave dhe çfarëdo lëngu tjetër që mund të gjenden mbi trupin e viktimës, pasi nëpërmjet tyre identifikohet autori i krimit. Një ndër gafat e përhapura është se njerëzit që e rrethojnë viktimën i kërkojnë viktimës të ndryshojë rrobat dhe të bëjë një dush për të hequr shenjat e përdhunimit. Me këtë, ata synojnë ta qetësojnë të paktën fizikisht viktimën, por që kështu zhdukin çdo gjurmë të krimit.
Mjekët e porsa diplomuar dhe ata që presin viktima të tilla në spitale, duhet të jenë të vëmendshëm dhe të mësojnë si të sillen me raste të tilla, si nga ana mjekësore ashtu dhe nga ana ligjore.
Nëse mjeku nuk ka përvojën e duhur rreth këtij profesioni, në një rast të tillë, duhet të kontaktojë menjëherë me dikë që ka përvojë nga ekipi i mjekëve dhe administrata e spitalit.
Është mirë që me rastin e përdhunimit të merret një mjeke dhe psikoterapiste, pasi viktima mund të mos e përballojë dot faktin që një doktor mashkull ti afrohet dhe ta pyesë mbi gjëra që cenojnë feminitetin e saj. Aq më tepër që në ato çaste, ajo sapo ka dalë nga një eksperiencë e dhimbshme me një mashkull, i cili i ka rrezikuar dhe jetën.
Nëse nuk gjendet një mjeke femër për ti ofruar viktimës përkujdesin e duhur, të paktën të sigurohet një infermiere që të ndihet më e qetë me një të njëjtit seks.
Mjekja bën vlerësimin e gjendjes së përgjithshme të viktimës, si të asaj fizike ashtu dhe të gjendjes psikologjike, sipas ligjeve të njohura të mjekësisë.
Ky vlerësim duhet të bëhet në një vend të qetë, privat dhe komfort. Viktimës i duhet dhënë shansi të kontaktojë me të afërmit dhe avokatin e saj.
Është e domosdoshme mbledhja e sa më shumë informacioneve, detajeve dhe rrethanave të krimit, të cilat duhen ruajtur në një dosje të veçantë të viktimës.
Nëse viktima nuk mund ti japë të gjitha detajet në seancën e parë, nuk ka përse të rëndohet më shumë. Marrja në pyetje duhet shtyrë për pak kohë. Ndoshta i duhen më shumë se një seancë për vlerësimin mjekësor dhe psikologjik, që pasohet nga seancat e trajtimit psikologjik dhe mbështetës.
Pjesëtarët e familjes së viktimës duhet të njoftohen sa më shpejt të jetë e mundur, me qëllim që ti qëndrojnë pranë, ta qetësojnë dhe ta bëjnë të ndihet e sigurt. Edhe ata vetë do të kenë nevojë për përkujdes dhe vëmendje nga ekipi mjekësor dhe psikologjik.
Ekipi i përkujdesjes mjekësore dhe psikologjike, në përgjithësi përbëhet nga psikiatre dhe një infermiere, plus ndonjë specializim tjetër mjekësor i cili i lipset viktimës, në rast të dëmtimeve fizike si plagë, thyerje, mavijosje etj… nëse ekzistojnë.
Viktima nuk duhet rënduar me pyetje dhe sqarime të shumta pa pasur nevojë, pasi ajo ka shumë nevojë për tu qetësuar. Ajo duhet pyetur vetëm për gjëra të domosdoshme. Por nëse ajo dëshiron të flasë dhe të tregojë, duhet të ndihmohet me qëllim që ta shkarkojë atë ngarkesë emocionale e cila ka ardhur pas aktit të rëndë.
Kur vjen policia për tu njohur me rastin dhe për të lokalizuar shenjat e krimit, duhet të kihet parasysh që viktimës ti afrohet me mirësjellje. Nëse është e mundur prezenca e një policeje femër, kjo do të ishte më mirë për viktimën, pasi e ka më të lehtë që të shprehet para një femre, sesa para një mashkulli. E nëse kjo nuk është e mundur, bashkë me policin mashkull, duhet të gjendet dhe një infermiere femër, si dhe një psikologe.
Mjeku ligjor merr kampione flokësh, gjaku dhe lëngjesh të tjerë nga trupi dhe rrobat e viktimës, ndoshta fotografon dhe vendet ku janë shkaktuar dëmtime në trup, për të lehtësuar identifikimin e autorit dhe ndëshkimin e tij. Kjo është diçka e rëndësishme për të arritur deri tek autori dhe çuarjen e tij para ligjit, gjë e cila e lehtëson psikologjikisht vetë viktimën.
Përkujdesi i mëvonshëm:
Viktima duhet të gëzojë përkujdes edhe pasi të ketë dalë nga spitali, apo pas kapërcimit të fazës së parë të krizës. Asaj nuk duhet ti mungojë përkujdesi për një vit të paktën. Përkujdesi psikologjik, social dhe shpirtëror në këtë fazë duhet të bëhet në një nga qendrat e specializuara, paralelisht me përkujdesin që duhet të gëzojë në familje. Më poshtë do të cek disa vërejtje dhe kritere që duhet të plotësohen nga qendrat terapeutike:
Këto qendra duhet të kenë një staf me specialitete të ndryshme, si psikiatër, psikolog, sociolog, klerik fetar dhe konsulent ligjor.
Për trajtimin e stresit post traumatik, ekipi ka si qëllim ta ndihmojë viktimën që ti kthehet jetës normale, pas mbylljes së plagëve psikologjike.
Mjetet e ndihmës në qendrat e specializuara janë në formë seancash psikologjike individuale, në grup, ose të dyja. Kjo, përveç këshillimit psikologjik me viktimën dhe familjen e saj.
Qendra të tilla ndonjëherë kanë dhe grupe vetëndihme, të cilat janë grupe të cilat përmbajnë viktima të mëparshme të përdhunimit. Ato i ofrojnë viktimës përvojën e tyre në kapërcimin e kësaj sfide. Të gjitha mbështesin dhe ndihmojnë njëra-tjetrën. Viktima më e re, në mesin e tyre ndjen se nuk është e vetmja që është ekspozuar ndaj kësaj fatkeqësie.
Cilido qoftë mjeti terapeutik, mënyra më e mirë është që viktimës ti jepet shansi të shprehë përvojën e saj pa frikë dhe pa turp para terapistit. Kështu, ajo e përjeton ngjarjen në kushte sigurie, e përtyp dhe e absorbon atë më mirë.
Pak e nga pak, e përdhunuara fillon e i përvidhet memories traumatike që është formuar tek ajo në momentin e ngjarjes. Thënë ndryshe, ajo fillon e shërohet nga stresi post traumatik.
Viktima mund të marrë pjesë në qendër apo në forume të ndryshme në internet, për tu ofruar mbështetje dhe përkujdes viktimave më të fundit të përdhunimit.
Viktima mund ta kapërcejë sprovën e saj, duke e flakur tutje ndjesinë e viktimës për të ofruar një kontribut pozitiv dhe përkujdes të veçantë ndaj viktimave të radhës. Ajo mund të ndërmarrë role madhorë në nivel komunitar në luftën kundër krimit të përdhunimit dhe krimeve të kësaj natyre si ngacmimi seksual.
Suksesi i viktimës në luajtjen e një roli pozitiv, e ndihmon maksimalisht atë për kapërcimin e problemit të saj, e bën të triumfojë ndaj ndjesisë se është e pavlerë, e pafuqishme dhe se nuk mund ti kontrollojë mendimet negative që janë krijuar nga momenti i përdhunimit.
Me ndihmën e qendrës terapeutike të specializuar, familja e ndihmon viktimën e përdhunimit ti kthehet aktiviteteve dhe marrëdhënieve normale si në familje ashtu dhe në shoqëri, sa më shpejt. Ajo duhet ti kthehet punës dhe aktivitetit të saj, ushtrimit të hobeve dhe aktiviteteve fetare.
Është e rëndësishme që viktima bashkë me familjen të vazhdojnë përpjekjet në rang ligjor për të arritur tek autori i krimit dhe çuarjen e tij para drejtësisë. Këto përpjekje e bëjnë viktimën të ndihet më e qetë dhe pozitive. Dënimi i autorit i fal asaj qetësi psikologjike dhe e ndihmon ti mbyllë plagët shpirtërore dhe sociale.
Nëse gjatë një periudhe viktima përjeton stres dhe depresion, apo i shfaqen shenjat e stresit postraumatik të fortë, trajtimi psikologjik duhet shoqëruar me medikamente si ato të çrregullimeve nervore.
Terapia fetare ka një rëndësi të veçantë për raste të tilla, e cila mund të bëhet nga një psikolog apo psikiatër, i cili ka edhe njohuri fetare të shëndosha. Atë mund ta kryejë edhe një klerik që ka përvojën e duhur në çështjet mendore dhe psikologjike.
Trajtimi fetar mund të bëhet pjesë e trajtimit konjitiv bihejvioral, i cili e ndihmon viktimën ta kuptojë traumën, ta rishikojë me objektivizëm dhe ta vendosë në hartën konjitive për ta parë si të mundshme nga aparati psikologjik.
Linja qw do të ndjekë rasti
Nëse viktima ka pasur personalitet para përdhunimit dhe i ofrohet mbështetja e duhur pas tij, mund të shërohet pothuajse plotësisht gjatë një viti nga ngjarja, duke iu kthyer jetës normale si çdo femër tjetër. Ajo mund të ketë aktivitetin e saj seksual krejt normal me të shoqin.
Në disa raste, tek viktima ekziston frika e përkohshme nga marrëdhëniet seksuale, duke arritur gjer në fobi. Kjo mund të shoqërohet me kontraktime vaginale që e vështirësojnë aktin seksual në fillim të martesës. Mund të vërehet dhe një lloj ftohje seksuale. Por këto mund të trajtohen në kohën e tyre, prandaj është i domosdoshëm trajtimi i viktimës menjëherë pas përdhunimit, pasi shmang pasoja të tilla.
Linja dhe drejtimi që do të marrë rasti, varet shumë nga personaliteti i viktimës para përdhunimit, shkalla e kanosjes, dhuna që ka përjetuar gjatë përdhunimit, rezistenca e saj ndaj krimit dhe përkujdesit që do i ofrohet pas ngjarjes.
Është vërtetuar se shumë nga pasojat negative të përdhunimit, mund të mënjanohen nëpërmjet ofrimit të përkujdesit të përshtatshëm dhe të ngutshëm si psikologjik ashtu dhe social. Ajo duhet të stimulohet që ta shkarkojë atë që ka brenda, duke ia shprehur ndonjërit nga të afërmit më të dashur dhe më të kuptueshëm të saj. Asaj i lipset mbështetja e një ekipi mjekësor dhe psikologjik që solidarizohet me të. Ashtu siç i duhet ndihma ligjore nëpërmjet avokatit apo qendrës së konsulencave ligjore, për të marrë të drejtat e saj. Orientimi dhe udhëzimet fetare e ndihmojnë ta pranojë ngjarjen si një sprovë, gjë e cila i fal ndjesinë se Zotin e ka pranë.
Dr Muhamed El-mehdij
Përktheu: Elmaz Fida