Çështja e globalizimit në pesëmbëdhjetë vitet e fundit ka formuar një bosht themelor për një numër të madh të takimeve e konferencave intelektuale e kulturore si dhe të dhjetëra veprave, studimeve e hulumtimeve shkencore. Ajo çka ka rezultuar prej tyre është se globalizimi paraqet një sfidë të madhe të shekullit aktual pa marrë parasysh dallimet në pikënisjet, këndvështrimet dhe pikat e përqendrimit sidomos lidhur me vendet në zhvillim e sipër dhe me popujt që mburren me vlerat e tyre kulturore dhe qytetërimore të nxjerra nga burimet shpirtërore universale, siç janë popujt muslimanë. Fjala “el-‘avlemeh” është një term i ri në gjuhën arabe si përkthim për termin anglezGlobalization dhe atij frëng Globalisation, që të dy me prejardhje latine nga fjala Glob që do të thotë “rruzull tokësor”.
Marrë në përgjithësi ky term nuk është paraqitur para viteve ’60 të shekullit të kaluar dhe në fillim ka shënuar në formë objektive disa dukuri që fillimisht kanë pasur karakter lokal e kombëtar e që pastaj fitojnë karakter botëror. Mirëpo aty kah vitet ’80 dhe ’90 ky term merr një kuptim ekonomik që u bë i pashmangshëm në analizën financiare dhe ekonomike. Kur termi “avlemeh” fillon të përhapet në gjuhën arabe, ai fiton një përdorim aq të madh, të cilin nuk e kishin arritur dot as termat e tjerë si “kozmopolitizmi”, “internacionalizmi” dhe “universalizmi”, që të gjithë nënkuptonin ‘globalizimin’.
Përgjithësisht, globalizimi është një proces kompleks dhe gjithëpërfshirës i cili në vete ngërthen një grup të gërshetuar elementesh të ndryshme ekonomike, politike, sociale, ushtarake, intelektuale dhe kulturore, të cilat veprojnë e ndikojnë në realizimin e globalizimit në një mënyrë thuajse të përnjëhershme. Edhe pse ndonjëra prej tyre është më e theksuar, mirëpo kjo nuk e përjashton veprimin e elementeve të tjera mbi këtë lëvizje. Globalizimi është një proces shndërrimi e transformimi që po zhvillohet tani edhe pse ka filluar qysh para afro tri dekadash. Që këndej, ajo është një gjendje vazhdimisht e ndryshueshme të cilën njeriu e jeton de facto. Këtë transformim para së gjithash e diktojnë kërkesat në rritje në fushën e ekonomisë botërore. Meqë globalizimi është një lëvizje e pakontestueshme dhe e vazhdueshme, ai mëton të ndërtojë një rend të ri botëror që do ta zëvendësojë rendin botëror që ka sunduar në kohën e “luftës së ftohtë” dhe përmban integrimin e ashpër të tregjeve, të shteteve e popujve, ndërsa nga aspekti kulturor ai është një përhapje dhe shtrirje e amerikanizimit, edhe pse fotografia nuk është e plotë. Ndërkaq sa i përket globalizimit liberal bota është ndarë në mbështetës aktivë e të zhurmshëm të tij si dhe në kundërshtues të formave të ndryshme. Ky globalizim nuk paraqitet ndaras nga një prodhim intelektual i cili do ta justifikonte atë. Kështu qysh para afro tri dekadave janë paraqitur idetë bazë që e mbështesnin dhe e theksonin globalizimin liberal, ide këto që njiheshin me emrin “ideologjia neoliberale” (neoliberalizmi) me ç’rast fuqitë financiare botërore bashkë me neoliberalizmin e paralajmëruan procesin e globalizimit.
Elementet bazë më të theksueshme të neoliberalizmit janë: 1. konkurrenca, 2. lirimi i çmimeve të mallrave, 3. privatizimi, dhe 4. rishikimi i rolit të shtetit.
Forcat më të theksuara të tij janë: 1. korporatat shumënacionale ose transkontinentale, 2. institucionet e mëdha ekonomike botërore, 3. qeveritë, dhe 4. lëvizjet shoqërore.
Ndërkaq instrumentet e tij janë: 1. marrëveshjet e tregtisë së lirë, 2. zonat e lira dhe 3. programet e ristrukturimit.
Rezultatet më të dukshme të globalizimit janë: 1. zhvillimi pa punësim, 2. varfërimi, 3. krizat financiare, 4. shkatërrimi i mjedisit dhe 5. militarizimi.
Autor: Dr. Halef Muhammed el-Xherrad**
Nga arabishtja: mr. Rejhan Neziri
___________________
* Titulli origjinal, الاسلام وتحديات العولمة. Marrë nga revista e përmuajshme kulturore en-Nebe’ , nr. 75, shkurt 2005.
** Doktor në filozofi dhe kryeredaktor i së përditshmes siriane Tishrin. Është autor i veprave në vijim: الإسلام والمسيحية من التنافس والتصادم إلى الحوار والتفاهم(Islami dhe krishterimi nga rivaliteti e përplasja drejt dialogut dhe mirëkuptimit) ; ثقافة السريان في العصور الوسطى(Kultura siriake në shekujt e mesjetës);الفلسفة اليابانية المعاصرة(Filozofia bashkëkohore japoneze);اليزيدية واليزيديون(Sekti jezidij dhe jeziditët);الأبعاد الفكريّة والعلميّة-التقنية للصراع العربي-الصهيوني (Dimensionet ideore dhe shkencore-teknologjike të konfliktit arabo-cionist) ; مُعضلات التجزئة والتأخّر وآفاق التكامل والتطـوّر (Dilemat rreth përçarjes e ngecjes dhe horizontet e integrimit e zhvillimit).