Urim i një mësueseje për nxënësit
E cili individ në jetë ndjehet i palidhur me fillimin shkollor? Askush! Kjo është një e madhja pasuri e mendjes, shpirtit dhe etjes njerëzore. Të gjithë kujtojmë ditën e parë të shkollimit tonë, kujtojmë ditën e parë të viteve shkollore e, në fakt unë do ta quaja dita e artë. Një ar i pastër, i kulluar, ari i ëndrrës, vullnetit, ari i shkrirë te libri, ari i mendimit që dashuron studimin, ari që kurrë në jetë nuk rresht. Sot është dita e parë e shkollës, nxënësit shqiptarë janë të lumtur dhe në fakt ka mënyra të ndryshme si e provojnë këtë lumturi. Pavarësisht asaj çka shprehet, gjithsecili përpiqet ta provojë më mirë se një vit më parë, pse jo?
Mësuesit të pushtuar nga kjo ngrohtësi në përkushtim të dijes, brezit, pasurisë mendore, mbartin energjinë e jetës që rend në ngritje. Dhe në fakt sot çdo moshë përjeton, përjeton vlerën që nis aty, zhvillohet aty, krijon bërthamën dhe shtresën e fortë të një evoluimi jetësor. Sot kushdo në çfarëdo lloj pozicioni ndjen njësoj, pjesë e politikës apo jo, pjesë e zhvillimit social, moral, ekonomik, pjesë në pritje të diçkaje. Fillimviti shkollor jep energji, dija është më e madhja vlerë, është forca e shpresës për çdo risi. Ndaj me problematikën që na rrethon, me idealet dhe ëndrrën më të mirë të së nesërmes shumëpërfshirëse të jetës, fillimvitit shkollor, studimit, le t’i japim shumë më tepër vlerë!
Të dashur nxënës, unë jam një mësuese, një mësuese që uroj ju, që në çdo ditë të këtij viti shkollor, të keni një pozicionim, synim, dëshirë dhe arritje që t’u zbukurojë shumë herë më tepër mendimin, rrugën tuaj, ëndrrën, atë që ju mbartni! Të jesh nxënës, të ndihesh nxënës, përbën arritje kur shquhesh si i tillë, shquhesh si nxënës në fushat e ndryshme të studimit dhe edukimit. Dashurojeni më tepër librin, kohën kur studioni potencialisht, orën e mësimit dhe fuqinë e saj, ndihuni të lumtur me cilësinë e provës, vlerësimit, sepse nuk ka më të madhe pasuri! Bekim për ju le të jetë pikërisht ky: Fillimi i vitit shkollor është tek unë pjesa e pandalshme e një zhvillimi, të cilit unë do t’i jem një pjesë edhe më e madhe! Do ta bëj!
Mimoza Konomi
{shekulli}