Ulqin, 06. 06. 2015 – Defteri i Regjistrimit Kadastral të Sanxhakut të Shkodrës, për vitin 1485 [1], përmban emrat e kryefamiljarëve të Krajës (si fshat), Mërkotit, dhe të Nahisë së Maleve të Shestanit: Gjon Braka, Sëvaça (Seoça), Mokrili, Shënmri Magalen, etj. Në kuadrin e kësaj nahije, përfshiheshin edhe disa fshatra të Anës së Malit: Dramosh, Gorica, Bardon, Muriqan, Valza, Vidhikar e Unfrasfnil (Fraskanjel), fshatra të cilat në Defterin e vitit 1582, përfshiheshin në Nahinë e Zabojanës ose të Tejbunës, ku në këtë të fundit përmenden fshatrat: Kravad i Sipërm, Kravad i Poshtëm, Reç, Shëngjergj, Breja, Miza, Shtuf, Gjonza, Kosiq, Këroq, Pendëtar, Mjekërmaz, Krusa, Manes, Bukmir i Vogël, Lisna, Shiroka, Klishan, Koprijova, Selita, Zogan i Madh, Pistull, Shën-Todor, Kolomsa, Shënkoll, Muriqani, Binkoda, Oblik, Vidhikar, Fraskin, Shur, Kalitza, Dramosh, Brajska, Dragina, Sojmir, Kamsha dhe Valiza[2]. Në defterin e vitit 1582, Kraja nuk përmendet më si fshat, por si Krahinë, me 18 fshatra e me 623 familje, kryesisht ortodokse, ose 927 familje bashkë me fshatrat e Shestanit[3]. Nahija Mrkodlar (Mërkot) përmbante në vete të gjitha lagjet duke bërë pjesë në “Bregun e Përtejmë” të Sanxhakbeut të Shkodrës[4].
Sipas vetë Defterit[5], regjistrimi i tokave në Sanxhakun e Shkodrës, të krijuar si njësi administrative më vete pas rënies së Kështjellës së Rozafatit, në vitin 1479, u krye nga emini i quajtur Mustafa Seraxheldin dhe nga shkruesi Sulejman Abdullahu[6]. Të ardhuarat e Shestanit Anamalit e, të Krajnës, ishin përfshirë në regjistrin e feudit më të madh të Sanxhakut që ishte Hasi i Sanxhakbeut Nasuh Beu. Në to përfshiheshin gjithsejt 161 fshatra dhe kishte 389.912 akçe të ardhura[7]. Nahija e Krajnës (f.128-130) bënte pjesë në zonat e vendosura nën sistemin e Timarit, ndërsa Nahija e Maleve të Shestanit (dhe Anamalit), me fshatrat Fshas, Gorica, Bardon, Muriqan, Unfrasfnil, Vazla, bënin pjesë në zonat që e jepnin renten në format që ishin para pushtimit Osman[8]. Një sasi jo e vogël e banorëve të këtyre anëve, mbanin emra të sferës ortodokse që ishin të përbashëta si për popullatën shqiptare, ashtu edhe për atë sllave: Nikolla,. Andrea, Lazar, Gjorgji, Dimitër, Peter, Mihal, etj. Një pjesë e saj mbanin emra sllave, përkatësisht ortodokse: Bozhidar, Stepan, Milosh, Dabzhiv, Vuk, Tihomir, Radosllav, Mladen, Zhivko, etj. Por kishte edhe prej atyre familjeve që identifikoheshin si shqiptare, por mbanin edhe emra sllavë, siç bie fjala në Mërkod: Nikashi i biri i Llazrit, Dabza i biri i Gjonit, etj. Numri i banorëve me antroponimi joshqiptare ishte i dukshëm në Krajë, Shestan, Mërkod e Anamal, por lidhjet farefisnore që mund të hetohen japin dëshmi të mjaftushme se edhe ato ishin thjeshtë shqiptare. Në nahijën e Mërkodit, fshati Mërkojeviq, gjysma e banorëve ruanin emra shqiptar ose emra sllavë përshtatur shqipes[9]. Aty vihej re edhe një tip tjetër sllavizimi antroponimik, që tashmë është i dukshëm për të gjithë studjuesit e mirfilltë. Në rrethana të krijuara, për emrin Lekë përdorej Lekaç, Lakoç, Lekashin; për Nikë – Nikashiza; për Dedë – Dedaç, Dedaq; për Gjokë – Gjokaç, Gjokoviq, etj.
Edhe vetë fakti se ky vend ishte e lidhur me administratën Kishtare, të patriarkanës ortodokse të Pejës, dëshmon se banorët e regjistruar që mbanin antroponimi të përzier sllave ose sllavo – shqiptare, ishin vetëm shqiptarë të besimit ortodoks. Pra, prania e banorëve me emra sllave, ose antroponimi shqiptaro – sllave, në zonat ku banorët në shumicën dërmuese të tyre mbanin antroponimi thjeshtë shqiptare, siç ishte rasti në Krajë, nuk don të thotë se këto ishin sllav të ardhur ose vendas. Lidhjet farefisnore që bien ne sy, midis banorëve ortodoks me antroponimi thjeshtë shqiptare, ose mbajtja e një onomastike të përzier shqiptaro – sllave, madje brënda përbrënda një familjeje janë argument që të bindin se banorët e një pjese të Krajës ishin shqiptarë të besimit ortodoks. Atëbotë, në Krajë kisha ortodokse kishte qendrën dhe prona të rëndësishme të manastireve, arsye e fortë kjo që të besohet se procesi i kthimit të elementit katolik në fenë ortodokse dhe rrjedhimisht ndikimi i antroponimisë sllave ka qenë zhvilluar më shumë në zonat e brëndshme prendimore zonat e atëhershme të kontakteve midis dy popullsive[10].
Për këtë arsye duke u mbështetur në numrin e madh të toponimeve sllave në Krajë, Shestan, Anë të Malit, Tivarë e Ulqin, një varg studjuesish serb e kanë përdorur si dëshmi se popullsia e kësaj ane në shekujt e hershëm, ka qenë popullsi sllave. Duke u referuar në punimet e këtyre studjuesve sllavë, edhe disa nga studjuesit e huaj kanë dhënë të njëjtat konkluzione. Sipas këtyre studjuesve elementi shqiptar në krahinat e Shqipërisë Veriore, ka depërtua në shekullin XV-të, kryesisht në zonat malore. Kjo (sipas tyre) ngjau pas pushtimit osman, kur shqiptarët si popullsi blegtorësh u dynden prej kahinave të brendshme të Shqipërisë në zonat perëndimore si Tivarë, Ulqin, etj. e deri në zonat lindore në Kosovë[11].
Me baza më të sakta shkencore, janë pikëpamjet e medievistëve të shquar si: M. Shufflay dhe K. Jeriçek të cilët u përpoqën për një trajtim objektiv të të dhënave ekzistuese lidhur me përhapjen e shqipëtarëve në mesjetë. Duke përjashtuar kriterin toponimik, por vetëm nga burimet historike, ata arrijnë në përfundim se shqiptarët në Mesjetë, popullonin të gjitha krahinat midis katërkëndëshit Tivarë – Prizren – Ohër – Vlorë[12]. Mirëpo, përballë korrupsionit total të kishës katolike dhe tejet të shtypur e të rrezikuar nga kisha ortodokse që tentonte asimilimin e tyre, ato duhej të gjenin një mënyrë mbijetese.
Pas kërkesës që i kishte bërë Venedikut, për shpërnguljen e qytetit të Tivarit në bregdetë, letra e shkruar nga Venediku më 18 Tetor 1494 dëshmon se qyteti i Tivarit duhej të fortifikohet dhe se për një gjë të tillë do të duheshin 4000 dukatë. Qyteti aktual gjendej ndër kufij dhe në mbrendi të tokës, që për 40 mile piqej (me tokën) e Shkodrës… 5 milje larg nga qyteti, gjendej një abaci (manastir i madh me zotërime pronash tokësore) pothuaj e tëra në një ishull dhe vetëm për tetë hapa lidhej me sterenë[13].
Përshkrimet mesjetare venedike, pikturojnë Ulqinin me lisa, aha, shkozëbardha, frashër, Bredh, bërshen, dhe vidh, poashtu si edhe shelgje e plepa deri në brigjet e ulëta të liqenit të shkodrës[14]. Qytetin e Ulqinit e mbronin pyjet e gjëra ‘soura el fiume de la Boyana’ që e mbronin me gjelozi[15]. Porti shumë i vogël për të pranue anije të mëdha. Ishte më shumë një vend ankorimi për mjete bregdetare lundrimi[16], në largësi 5 km prej qytetit të mirfilltë shumë i rrezikuar nga erërat pingule. Aty kishte të ndërtuar një kishë me gurë të bukur, ne stilin roman-gotik me një çati druri, me stolira përgjatë mureve, afreske dhe me një varr princërorë, pas gjitha gjasave i motrës së mbretëreshës Helenë dhe i familjes Balsha me mbishkrimin: “Hic iacet Zorzi Balschi et sui eredes…” Kjo, ndoshta ishte katedralja e njohur e Shën Merisë së Ulqinit. Një shtëpi e madhe e drejtuar për nga deti me arkada në katin përdhesë dhe me 2-3 kate të tjera që shërbente si seli për funksionet e qytetarisë, ose si oborr princor, por e ndërtuar gjithsesi para ardhjes venedike, sipas modeleve të pallateve të Ankonës. Balshajt në oborrin e tyre të vogël e kishin në një kullë, e sipas të gjitha gjasave edhe në një ngrehinë të madhe, që sot quhet Pallati i Balshajve (Kulla e Balshajve) me etapat e fundit ndërtimore të periudhës venedike dhe osmane[17]. Nga privilegjimi i Balshajve, konsujt venedikas filluan të përfaqësojnë interesat e vendasve të tyre, kundër komunës dhe zotërve të vendit, duke njoftuar senation për gjithëçka arbërore. Në vitin 1380, thuhet se venedikasit ishin të shumtë në Ulqin[18].
Në token e varfër të Tivarit e Ulqinit rriteshin hardhi e dru ulliri. Ajo edhe e përcaktonte pejsazhin e vendit. Në ullishtat e Tivarit numroheshin mijëra rrënjë ulliri[19]. Qarku i Ulqinit ishte i mbushur me vreshta. Në vitin 1433, ulqinakët dërgonin letër në Venedik, në të cilën shkruanin se jetonin vetëm nga vreshtëritë[20].
Tivari nuk hynte në radhën e përshtatëshme të tregëtisë së madhe në Adriatik. Giustiniani madje nuk e përshkruan fare si port, por si një “breg”[21]. Anijet Arbëre prej Tivarit e Ulqinit lundronin deri në Raguzë e në portet e Puljes[22]. Prej Tivarit mund mund të zgjedheshin tri rrugëkalime: Ose merrje rrugen që i binte përqark Liqenit të Shkodrës, ose të përshkoje përmes Liqenit me një varkë, Ose të merrje rrugën e bregut nëpër Dobra Vodë, deri në Ulqin… Në variantin e fundit, përshkoje token moçalore të Zogajve dhe Shasin (Suacium), kaloje nëpër Krahinënb e Anamalit, për anë Taraboshit e mbërrije në Shkodër[23]. Pjesa më e madhe e qarkullimit në tokë që përbëhej patjeter prej fshatarësh, barinjsh e tregtarësh të vegjël, kalonte nga shtigjet bregdetare prej Ulqinit, nëpër Dobra Vodë (Ujmirë), në Tivarë , nëpër Suterman që lidhte me tokë Adriatikun me Liqenin e Shkodrës, në rrugët e Koplikut, Balezos dhe Drishtit për në Shkodës, e sidomos prej Shëngjergjit në Shkodër[24].
Arqipeshkvia e Tivarit, engriotur më 1089, pasqyronte mëvetësinë e rajonit, ajo numronte sufraganët e veta, Ulqinin, Suaciumin (Shasin), Shkodrën, Drishtin, dhe Polatiumin (Pultin), në Veri Kotorrin, dhe së fundi trevat e Serbisë dhe Bosnjës, që ishin më në largësi prej papatit[25].
Edhe muret mesjetare të Tivarit, përbëheshin prej gurësh thuase të papërpunuar të serënditur njëri mbi tjetrin në përputhje me terenin shkëmborë…[26]. Muratorët përdornin gurin vendas gërqeror, gri e të kuqrremtë më rrallë rreshpen ose gurin e bardhë, gërqeror prej Korçule[27]. Tulla ishte e bardhë dhe duhej të sillej nga Raguza… Kështu Gjergji i II-të Balsha, në vitin 1397, mori 6000 copë tulla. Ishte me namë guri i kuqrremtë që nxirrej pranë Tivarit dhe çohej deri në Raguzë. Çatitë rëbdomë mbuloheshin me shkubla ose kashtë, ishin shumë të shtrenjta tjergullat që duhej të silleshin prej Raguze[28]. Në Tivarë, ndërmjet shtëpive zakonisht ruhej një distancë 30-60 cm[29]. Mirëpo shtesat ilegale e të rrëzikshme shtonin rrezikun e shpërthimeve të zjarrit. Ndërtimet e reja të shtëpive shfrytëzonin nganjëherë rrugët dhe rrugicat. Zakonisht balli i gjërë i shtëpive binte nga rruga, ku qëndronte hyrja me qemere. Përpara kishave po edhe shtëpive të fisnikëve, liheshin sheshe[30].
Në Ulqin e Tivarë janë dëshmue shtëpi disakatëshe nga Mesjeta qëndrore dhe më vonë, përmes zbulimeve arkeologjike. Në Tivarë, shtëpitë i ndërtonin me dy hyrje në katin përdhesë. Një hyrje të shpinte në punishte ose në shtallë që ishte kati përdhesë. Tjetra hyrje të shpinte tek shkallët, nëpër të cilat ngjiteshe lart në katin e dytë, ku ishte kuzhina dhe vatra. Më pas, me një të dalë përpara, filluan të ndërtojnë nevojtore prej guri. Dyshemetë dhe shkallët ishin prej druri[31]. Shumica e vendbanimeve, nevojen e ujit e zgjidhnin përmes ujrave të rrjedhshme,, puseve e rezervoareve. Në Ulqin, në Mesjetë kishte tri të tilla[32] . Tivari, ujin e vet e merrte nga përroi i bunarit dhe nga burimet e efërta. Në Mesjetën e vonë u ngitën dy cisterna, ndërsa për derdhjen e ujrave të zeza (kanalizimit) u ngriten vetëm në periudhën osmane[33].
Tivari më 1406 donte të tërhiqte 1000 familje, pra rreth 4000 vetë, nëpërmjet ndërtimit të një kulle mbrojtëse, në territorin e vet, një numër ky që duhet marrë me rezervë. Atëherë Tivari duhej të kishte 2500 – 3000 banorë[34]. Për gjithë qarkun, në vitin 1449 kishte 5000 banorë. Guistiani më 1553, në Ulqin numroi 1600 vetë [35]. Tivari nuk ishte gjithaq në gjendje të favorshme. Aty nuk prodhohej as kripë as drithë, por vetëm vaj e verë që gjendej me shumicë në gjithë Shqipërinë. Tokat e kultivueshme të Tivarit ishin të vogla dhe si të tilla objekt grindjesh midis qytetarëve dhe banorëve të krahinës. Vetëm GURI I KUQ I FAMSHEM i cili nxirrej nga gurorët pranë qytetit, dhe që i bëri mjaft të njohur gurëgdhendësit e Tivarit gjente interesimin e blerësve sidomos në Raguzë[36].
Një unazë e ngjeshur provincash të vogla, rrethonte Liqenin e Shkodrës duke filluar me ‘prapratnën’ midis Ulqinit e Tivarit, një zonë plot pyjesh lisash e shkurresh gjithmonë të gjelbërta me ullishta dhe vreshta, e cila së bashku me Krajinën, në bregun prendimorë të Liqenit të Shkodrës[37], përbënte hambarin e drithit për Tivarin[38].
Për Arbërinë Venedike ishte sidomos e rëndësishme Zabojana – (përtej Bunës) midis Ulqinit e Tivarit. Ajo kufizohej me Detin Adriatik, Qafen e Sutormanit kreshtën malore drejt Krajnës dhe Liqenin e Shkodrës si dhe me vetë Bunën[39]. Këtu ndodheshin Kuvendet e SHEN NIKOLLES ne grykëderdhjen dhe SHEN MERISE SE ROTEZOS[40]. Përkundruadh saj, në Bregun e Majtë të Bunës, ndodhej Fusha Velipojë si dhe Malësia e Meduas (Shën Gjini)… tokat pjellore nëpër të cilat përshkonin Kiri, Drini e Buna, ishin vërtetë dobiprurëse[41].
Në qytete, sidomos në Shkodër, gjithsesi kanë jetuar edhe musliman, për çka qartë dëshmojnë emërtimet e fshatrave TURKI dhe SARACINOPOLI, që flasin qartë për ndikimin musliman[42].
Tri orë e gjysëm në këmbë – thoshte relatori – në veriprendim të Shkodrës, në krahinë ndodhej një vend pelegrinazhi: “Preciska Krajinska” i cili krahasohej me Rotezon. Këtu janë admiruar deri në kohët moderne relikët e Shën Vladimirit, princit të dioklesë, sidomos kryqi i tij, “ditët e rrëshajëve”, çdo vit shtegtonin si muhamedanë, ashtu edhe të krishterë të ritit grek e latin, bashkë me këtë kryq mbi malin e Rumijës, heret në mëngjesin e agimit, në mënyrë që dielli në të lindur të kaptëte vargonin në majë, prej nga të shpalosej një panoramë e madhërishme mbi Liqenin e Shkodrës, Malësitë e Malit të Zi, dhe të Shqipërisë së Veriut, si dhe bregdetin midis Kotorrit e Durrësit[43].
Një përmbledhje e një relacioni për Dalmatinë, diku rreth vitit 1500, përshkruan Ulqinin të ndërtuar mbi një shkëmb të gjallë, dhe nga të tri anët i rrahur prej detit kurse ana e katërt e lidhur me tokë (rreth afër 662 hapa). Nga kjo anë, një kështjellë e vjetër, me mure të larta e të vjetra, por me një rëndësi të paktë, me dy male përsipër. Në lindje të qytetit, një “pellg ku arrijnë anijet”, por i pasigurtë për shkak të erërave (shiroku, jugu dhe jugprendimi).. Toka e pëlleshme prodhuese e grurit, të mjaftueshëm për shtatë muaj në vit, dhe aq sasi vere dhe vaji sa, përveç nevojave të banorëve, merrnin edhe shumë të jashtëm. Tivari – thotë më tutje relacioni, dy mile nga deti, me një tokë prej 800 hapash, i vendosur “mbi brijën e një kodrine” pranë maleve. Muret të vjetra e të dobëta. Sheshi i rrethuar prej shtëpishë e kopshtesh. Në anë të detit një fushë shumë të bukur, prodhuese e grurit për gjashtë muaj, shumë verë e vajra shumë të zgjedhur, nga të cilët, siç thonë, prodhojnë më shumë se 600 fuçi në vit. Rrethi, shumë i populluar. Dikur kishte aty 20 fshatra. Nga lindja Markoviqasit, të nënshtruar turqëve. Në qytet e në varosh ka 1624 banorë “të aftë për luftë”, tregëtar dhe bujqër[44].
M. Sanudo, në ditarët e tij, ka vendosur letrën e. Kont-kapedan të Ulqinit, dërguar Sinjorisë më 26 Shkurt 1504, për çështjen e kufijve, që sipas Feris Beut (Sanxhakbe i Shkodrës) do të liheshin aty ku i kishte vendosur Skender Pasha, sipas së cilës, qytetit të Ulqinit nuk do ti takonte asnjë fshat, por edhe do të mbeste i rrethuar e pa fushë[45].
Pas vitit 1551, sindiku Anton Diedo, e përshkruan Ulqinin si një qytet të vendosur në krye të Shqipërisë dhe në fund të Dalmacisë, me një rreth prej 630 hapash. Nga ana e detit ishte çelësi i gjirit të Drinit, kurse nga ana e tokës, kufi me vendin e turqëve. I gjithë territori, jo më i gjatë se 6 milje dhe më i gjërë se dy, numronte 2200 frymë me 450 burra arme. Krahinë e vogël, por shumë pjellore, që nxirte drithë për gjashtë muajt e vitit për qytetin dhe për dy fshatrat e vetme që i kishin mbetur. Prodhonte verëra me sasi të mjaftueshme për gjithë vitin, dhe një sasi vaji shumë të zgjedhur, burime këto ku qëndronte mbështetja e të ardhurave të ulqinakëve. Nga dogana e verës, nxirreshin 120 dukatë vjetore,të caktuara për rrogën e kontit. Në qytet, 1760 dukatë në vit dërgoheshin prej Venediku, për të paguar 18 këmbësor të caktuar për rojen e qytett nën komandën kapedan Onjibenit nga Padova; një kështjellarë në Kështjellë, dy bombardier dhe 24 martalloz, kreu i të cilëve ishte Bardh Hoti. Si njerëz shumë të egjër, bënin përleshje me nga një dukat në muaj shpenzim… Sipas sindikut Diedo, Tivari, që tani ishte qyteti i fundit i Dalmacisë, dikurë kishte qenë qyteti i Shqipërisë, sepse në kohën e lashtë, që nga grykat e Kotorrit e tutje quhej Shqipëri dhe këndej Dalmaci. Me një rreth prej gjysmë miljeje, i vendosur mbi brinjën e një kodre të lartë, Tivari kishte një pozicion shumë të fortë, me një Bastion të quajtur Gavodolla anën e prendimit, por i pasigurtë në mungesë të murit, sepse pa vështërsi mund të rrethohej prej armiqve. Një fushë të këndshme e pjellore, sa nxjerrte drithë për tre muaj në vit, dhe aq shumë verë, sa vetëm 2/3 mjaftonte për përdorimin e tyre. Aty bëheshin 400 fuçi me vaj në vit, që e shitëshin nëpër Serbi, në Raguzë e në Kastelnovë, bashkë me verën. Dhoma financiare nxirrte 1000 dukate në vit, e po aq shpenzime kishte. Venediku dërgonte 3072 dukate, për të paguar 70 këmbësor, 50 në kompanin e kapedanit Breshian Prosper Sala dhe 20 (në kompanin) e Zuan Soave. Në kështjellë ishin 5 të rroguar vendkalimi, dy bombardierë dhe 20 stratiot nën (komandën e) Dhimitër Snatit…[46]. Vaji i Ulqinit dhe i Tivarit ishte i njohur në tregjet shqiptare[47]. Cilësia e këti vaji mbeti me rëndësi ekonomike për vendin deri në kohën e Rilindjes Kombëtare. Në vitin 1848 Shkodra eksportonte vajin e Ulqinit dhe të Tivarit me çmim prej 6 grosh okën. Në këtë vit u eksportuan në Austri 92125 okë dhe u përfituan 67.000 frënga[48].
Përafërsisht, ngjajshëm me Diedon, Ulqinin e përshkruan edhe shkou i tij Gjon B. Xhulistiano, nëRelacionin pas vitit 1551. Si qytet në fundin e Dalmacisë dhe në krye të Shqipërisë ishte i nozulluar keq për të gjitha gjërat e nevojshme[49].
Në vitin 1559, sindikët Mikel Bon dhe Gaspare Erico (Erizzo), e përshkruajn Ulqinin me një rreth prej 662 hapash, të mbuluar nga ana e tokës me një kështjellë të lashtë, me mure të larta dhe të vjetra, por i dobët nga vendosja, sepse mund të rrihej nga dy male që kishte mbi kokë. Nga ana e detit shumë i fortë, sepse ishte i vendosur në një vend të ngritur, por një pjesë e mureve ishte në rrezik të rrënohej. Në lindje të qytetit, një ultësirë ku arrinin anijet, por jo i sigurtë, nga erërat jugprendimore. Nën vete, në kuadër të Sinjorisë i kishin mbetur vetëm tri fshtara dhe krahina, me 5 milje gjatësi dhe 2 gjërësi, nga 12 që kishte më parë. Prodhonte grurë për plotësimin e nevojave shtatmujore, por verë e vaj, kishte edhe për eksportim. Aty jetonin 1348 frymë, 336 të aftë për luftë. Shumica e tyre ishin të varfër e merrehin me lundrim. Në tri fshatrat që i kishin mbetur, kishte 595 frymë, 152 të aftë për luftë…
Tivari, me një rreth prej 800 hapash, i vendosur në brinjën e një kodrine, mbi të cilën qëndronin malet. Muret i kishte të ligështa dhe të vjetra. Nga ana e detit një fushë shumë e bukur, që prodhonte grurë për gjashtë muaj, verëra me shumicë dhe shumë të zgjedhura (600 fuçi në vit). Teritori i gjatë 12 milje dhe gjashtë i gjërë, por jo i banuar siç duhej, sepse në të kaluarën, kur ishte kufi me territorin e Shkodrës, kishte 70 fshatra nga të cilat kisin mbetur vetëm katër. Qyteti me varosh kishin 1624 frymë me 440 veta të aftë për luftë. Roja i qytetit ishte kapedani Nikollë Tarsia, shërbëtor i mirë i kthjelltësisë, me 25 këmbësorë, që vuann nga vonesa e pagave. Markoviqasit që ishin shtetas turq, në lindje, ishin 800 burra arme, ndërsa për kryetar mbanin priftin Stefan, që “Këshilli i të Dhjetëve” e kishte dëbuar. Në katër fshatrat, duke numruar edhe Shpiçin, ishin 1387 frymëme 368 veta të aftë për luftë[50].
Relacioni anonim i vitit 1570, njëjtë e përshkruan Tivarin në fundin e Dalmacisë dhe Ulqinin fillimi i Shqipërisë. Sipas këti relacioni, nga Tivari deri në Istria (veç shqipes) flitej gjuha sllave dhe prej Ulqinit deri në Vlorë e rrethe përdorej edhe gjuha greke. Në gjithë tokën e Shqipërisë, vetëm Ulqini ishte i të krishterëve (nën Venedikun). Qyteti ishte i vendosur përmbi një shkëmb, pjesërisht në detë e pjesërisht në tokë… me një kalim të ngushtë dhe e gjithë pjesa tjeter e qytetit është lartë mbi gërxhe të pa arritshme nga të cilat, njerëzit që janë brënda mund t’a bombardonin flotën nga çdo anë, pa u dëmtuar vetë… “Të gjitha flotat turke që në ditët tona kanë hyrë në gjirin e Venedikut (Adriatik), i kanë kaluar pranë (Ulqinit) dhe në hatër të Zotit gjithnjë mbahet nën zotrimin e fortë të kthjellët…” Buna – thotë relatori – del prej liqenit që quhet i Shkodrës, me një rrugë vetëm prej 24 milesh (derdhet) në detë. Gryka e këti lumi është ndërmjet Ulqinit dhe Lezhës. Prej qytetit të Ulqinit është larg vetëm 12 milje. Ka grykën (e thellë) gjashtë, shtatë, tetë këmbë ujë dhe sidomos verës dhe shtrati i këti lumi është shumë i thellë, në mënyrë që hyjnë aty anije të mëdha, dhe në të kaluarën galerat venedike shkonin pranë Shkodrës te një fshat që quhej Shirq, sepse prej andej deri në Shkodër ujrat e këti lumi që ndahen në shumë rrjella janë të cekëta dhe aty shkohet vetëm me lundra të bëra prej një druri, apo me barka që duan ujë pak. Ky vend që shtrihet prej Ulqinit deri në Shkodër – dhe këto dy vende janë larg nga njëri tjetri vetëm 24 milje, është një vend jashtzakonisht i bukur dhe pjellor për çdo gjë. Dhe bën sasi të madhe gruri e meli, jo vetëm për (nevojat) e vendit, por (drithërat) nxirren jasht me anë të detit, me një numër të madh starash, megjithëqë kjo bëhet fshehurazi dhe kundër vullnetit të turqëve…[51].
Bunë, Buna; në kohët e lashta njihej me emrin Barbana. Kështu përshembull Tit Livi (ab urbe condita XLIV, 31, 3), kur flet për Shkodrën thotë se “rrethohet prej dy lumenjsh, prej Klausalit (Kirit) që rrjedh nga ana lindore prej qytetit dhe në prendim prej Barbana-s, lum që buron nga Liqeni Labeat”[52]. Vetëm në shekullin XV-të (1406), dëshmohet në trajtën Buen-a[53], trajtë kjo që del edhe te Bogdani[54]: “…qi e ndiqnë gjithë natënë mb’urë të Buenësë e të Drinazit…”
Studjuesi Kroat Katiçiq, emrin e Buenës (nga Barbana) e rendit midis atyre toponimeve të lashta të Shqipërisë që në krahasim me trajtat e vjetra të dokumentuara mund të spjegohen “vetë me dorëshkrimet tingëllore të shqipes”[55]. Gjithsesi emri Buena nuk spjegohet dot me ndërmjetësin e sllavishtes Bojana siç bën përshembull Popoviqi, vetëm nëse dhunohen rrethanat gjuhësore të sërbokroatishtes[56], që do të parakuptonte rënijen e “j” dhe krijimin e togut zanorë “oa” të cilën gjë e kundërshton Jokli duke shtuar se ka shumë mundësi që edhe fjala Bojana ta ketë prejardhjen ngaBarbana. Jokli thotë se trajta e sotme Bunë, Buenë, Bun – është përfituar benda shqipes nëpërmjet disa zhvillimesh fonetike nga Barbana e kohës së lashtë permes evolocionit: Barbana ~ Bau(a)na ~ Baunna ~ Buenë ~ Bun(ë) [57]. Çabej, duke u larguar nga mendimi i Joklit, vë në dukje se emri i këti lumi e ka burimin tek emri i përgjithshëm Buen ~ “Vështrim ujrash”. Cabej vështron: “Në këtë çështje çon peshë fakti i pa vënë re gjer më sot, që në gjuhën shqipe, pranë emrit të lumit (në një këngë popullore të Krajës: “C’i ra mjegulla Bujens) rron edhe apelativi përkatës… duke patur para qyshë karakterin e këti lumi i cili vërshon dhe përmbytë gjithë viset për rreth gojës së tij…”[58].
Ura mbi Bunë ishte nyja që lidhte Shkodrën me pjesën tjetër të botës. Nuk dihet me saktësi se kur është ndërtue, as vendi ku u ndërtue e para urë mbi lumin Bunë. Siç shihet në vetë dokumentin, “Otomanët për ta shtrimë sundimin edhe në bregun e djathtë të lumit Bunë, Bali Vojvoda mblodhi 4000 myslimanë e kristianë dhe përgatiti një numur të madh trupash për të ndërtue këtë urë. Po në këto rrethana qe sheshue edhe rruga prej Shkodre drejt Ulqinit e Tivarit, në marrëveshje me markoviqasit“. Megjithëse këtu nuk caktohet vendi se ku ishte e ndërtueme ura, nga studimi ynë rezulton se ura në fjalë të ketë qenë te Suka përballë Fabrikës së Portland Çimentos. Së pari nga trajtesa e sipërme e dokumentit, nënkuptohet se, mbasi me këtë rast qe sheshue edhe rruga Ulqin-Tivar, e cila në atë epokë ishte një arterie e trafikut që e lidhte me Shkodrën, edhe Ura e Bunës duhej të ishte ndërtue aty. Historia turke tue përshkrue luftën turko-venete të vitit 1474 kundër Shkodrës, ndër tjera shkruen: “Më 1474 Sulejman Pasha në krye të një ushtrie e nisur për në Shkodër kundër venecianëve. Më atë 17 maj pararojet e asaj ushtrie duken përballë Shkodre. 18 copë anije lufte veneciane kanë lëshue hekur në ujnat e Bunës dhe të liqenit. Një filo tjetër anijesh kishte zanë vend në Liqenin e Shasit dhe në Shirq. Ushtria osmane kurdisi shtabin ushtarak ndër dy anë të lumit Bunë. Mbi këtë lumë ushtria ndërtoi një urë”. Sasia e ujit në lumin Bunë ishte më e pakët, kishte ujë vetëm sa mund të lundronin anijet e luftës. Në vitin 1899 Ura e Bunës është rindërtue me inisiativën e Qazim Pashës – guvernator i Shkodrës. Me rastin e inaugurimit … piramidë rezervohet në oborrin e Muzeut të Rrethit. Mbishkrimi i gurit i kushtohej Qazim Pashës, i cili pat vullnetin e mirë për këtë riparim të urës, ai bashkëpunoi me kryetarin e bashkisë, Bejtashag Kazazin, dhe me inxhinierin Ali bej, si dhe me shefin e kabinetit të valiut të quejtunin Haki. Ura e Bunës mbas daljes së turqëve prej Shkodre, dy herë pësoi ndëprerje: e para kur ushtria austro-hungareze po bëhej gadi për të lirue qytetin, e ndjekun nga ushtria aleate në vitin 1919, e minoi urën tue e shkatërrue pjesërisht. Të dytën herë që u minue nga nazistët gjermane në vitin 1944, kur ata ishin due u largue nga Shkodra[59].
Në përshkrimin e Ulqinit, një autor i panjohur, të shkruar diku para vitit 1571, thotë:: “Ulqini (Dulcigno Citta) është i ndërtuar mbi një kep, rrethuar me mure ashtu siç e kërkon pozita, mbi një shkëmb të gjallë, i cili me honet e tjera krijon siguri, për vetë kështjellen e qytetin. Në pjesën më të ulët të qytetit gjendet pyrgu i Shën Mërisë – vend shumë i fortë, dhe Shën Deda (San Domenico) duke përfunduar mbi detë në një vend të pa afrueshëm…Ka rëndësi shumë të madhe e të çmueshme për zotërimin e Shqipërisë e cila është ende e banuar prej atyre popujve të vjetër e ende e panënshtruar mirë, që nuk u bindën turqëve (osmanëve) deri në ditën e sotit.., Qyteti ka 30 zjarre me më shumë se 1600 banorë dhe në mesin e tyre 300 burra të zot për armë. Banorët e tij janë ndarë në bujarë, qytetarë e punëtorë. Dy shtresat e para duke qenë së bashku ushtrojnë njësoj ato pakëz zyre që i kanë, përveç pleqërisë e cila është e rezervuar për bujarët. Shtresa e tretë jeton duke punuar tokat, me mbjelljen e arave dhe me kultivimin e vreshtave dhe ullishtave. Banorët (e Ulqinit) kanë zakone barbare, flasin gjuhën shqipe që ndryshon krejtësiset nga ajo e Dalmacisë, por janë për t’u çmuar për besnikërinë e madhe ndaj princit të vet. Në mesin e tyre nuk ekzistojnë persekutime (ndjekje) ekstreme e urrejtje të brëndshme, por megjithatë zemrohen shumë shpejt e janë të zëshëm kur flasin nëpër sheshe… [60]. Dokumenti bën fjalë edhe më gjërësisht, për mungesën e mullinjve ne Ulqin, si shkak të vuajtjes së banorëve për bukë. Aty përmenden edhe disa familje të ardhura nga Shkodra, Lezha e Durrësi (Bruni, Palmaleta, Bruti) që merreshin me tregëti. Thotë gjithashtu se banorët e Ulqinit nuk i duan të huajt e i shikojnë me sy të keq, duke e lidhur këtë me legjenden mbi Jasonin e Medeën, përkatësisht me themeluesit kolkidas të cilët duke i ndjekur këta të fundit për t’u hakmarrë për padrejtësi, u ndalën këtu dhe themeluan këtë qytet. Duke mbetur plot zemrim e mëri urrenin jo vetëm Jasonin e argonautët, por edhe gjithë të huajt. Pamvarësisht se sa e njihte autori Ulqinin dhe historinë e këti qyteti, dokumenti ka rëndësi të madhe historike.
Po në këtë kohë, për Ulqinin kemi edhe një përshkrim tjeter të ngjajshëm, por pak më të gjërë, gjithashtu nga një autor i panjohur. Ky e përshkruan Ulqinin të ndërtuar mbi një kodër të shkëputur nga kodrinat e tjera që kishte për-rreth, me dy pjesë të saj, që futej në detë duke e lënë pjesën e tretë në stere. Ishte i rrethuar me mure, aq sa i duheshin, sepse si një shkëmb deti, mbi një gurë të gjallë, bashkë me shkëmbinj të tjerë, e siguronte veten. Nga verilindja, kështjella qëndronte përballë kodrave, që nga krahu i tokës u rrinte përballë kodrave tjera të afërta, duke patur përmbrapa qyetetin që e mbronin ato kodra. Ndërmjet këtyre (kodrave) dhe kështjellës, futej një luginë e ulët… Për Venedikun ishte një qytet me rëndësi të madhe, sepse përmes Ulqinit, ushqime të mëdha nxirreshin nga Shqipëria për Venedik, që mund të quhej një hambarë i begatshëm i Republikës… Me një klimë mesdhetare kishte ajër shumë të butë… Rrethas matej me 622 hapa, ku kishte 300 zjarre me 1600 frymë. Ndër to 300 burra – arme. Prej aty nxirreshin 1000 e më shumë voza verë në vit, që mjaftonte për vetë qytetin dhe rrethin e tij. Por, meqë nuk kishte mullinj, qyteti vuante shumë për bukë. (Banorët) me zakone të huaja, flisnin gjuhën shqipe, krejt të ndryshme prej asaj të Dalmacisë, por të denjë për tu lavdëruar, pa grindje midis tyre as pa mërira të brendshme, por të gatshëm për t’u hidhëruar pazarit me fjalë. Nuk i donin të huajt, bile kundër të gjithëve mbanin qëndrim përbuzës, që thuhej se buronte nga grabitja e Medesë, sepse zbrisnin prej Absirtit dhe Kolilidit të cilët, duke ndjekut Jazonin dhe Medenë për t’u hakmarrë për turpin që ishte bërë, qëndruan këtu dhe themeluan kët qytet ku zunë vend të mbushur me inatë e furi… Në Kishën episkopale të Ulqinit, ishte një ikon shumë e devotshme e Shën Mërisë së virgjër që paraqiste ngritjen e saj në qiell, e cila thuhej se ishte një prej atyre që bëri Shën Lluka ungjilltar me dorën e vet … pastaj e stolisur me xhevahire kaq shumë të pasura sa mund të barabitet me më të devotshmet, me më të bukurat dhe me më të pasurat ikona që mund të kishte në cilindo qytet fisnik dhe me famë. Qyteti me një varosh 50 shtëpishë jasht vendbanimit të vet, kishte dy fshatra, njërin në Braticë që është nga veriu dhe fillonte te Markoviqasit, e tjetri nga jugu – Biran, nga jugu, i vendosur në breg të detit, shumë i begatshëm prej natyre, me burime shumë të freskëta e të kulluara, kullota erëkëndshme, pyje të dendura dhe liqenin me ujë të ëmbël… Në këto dy fshatra dhe në varosh, ishin 600 banorë, me 150 burra arme…
Relatori përmend Bunën, 12 milje larg nga Ulqini, me thellësi prej 6 deri në 9 këmbë, me gjatësi 18 milje deri në skelen e Shirqit, dhe me 6 milje të tjera deri në Shkodër, ku fillon lumi prej Liqenit (të Shkodrës) i gjatë 60 milje, dhe i gjërë 18, me famë për shkak të peshkut që posedonte. Tutje – thotë relatori: “(Nga Kruja) duke u sjedhur drejt veriut, shihet Lezha, krahina e Shkodrës, qyteti i Ulqinit që zbret në detë përbadhë Krajës, shihet mali përmbi Tivar dhe ai i Kotorrit. Përsa i përket, pastaj detit që hetohet dhe që shihet i shtrirë për së gjati deri në fundin e ti… Në atë krahinë (të Ulqinit) ka qenë një qytet shumë i lashtë i quajtur Shas. Edhe sot shihen, 15 milje larg prej Ulqinit, gjurmët dhe themelet e 360 kishave e kishëzave të këti qyteti, i cili qe strehimi i parë i të dëbuarës Medea, pas vdekjes së shëmtuar që u shkaktoi fëmijëve të vet. Pranë këti qyteti ka liqene, shpella, burime të kripura dhe është mali i Lisnjës shumë i ashpër, i mbushur me barëra të farmakosura dhe me banesa grashë (femrash) magjistare. (Eshtë) muri i këti (qyteti) me portën ku duke luftuar trimërisht kundër pompejasve, vdiq një kapedan i madh i Cezarit. (Muret) janë edhe sot që të gjitha të plota dhe, ajo që është më e çuditshme është se, hendeku nuk është mbushur ende dhe kaq shumë ujëra përrenjsh dhe… tash sa kohë nuk kanë mundur ta mbushin me dhe.. [61].
Legjenda e themelimit të Ulqinit prej Kolkëve është e lashtë. Shkrimtari romak Plini[62] thotë: “…Ulqini, më parë i quajtur Kolkin, sepse u themelua prej kolkëve”. Sipas një hipoteze, emri më i hershëmColchinium ka të bëjë me kolkët apo kolhët nga Azia si themelues të këti qyteti në mbështetje të të dhënave mbi poetin helen Apolonin nga Rodosi, i cili kur këndon për argonautët thotë se Kolkët janë vendosur në trevat ilire. Mirëpo, kolkët ishin edhe një fis ilir, për të cilët Plini i vjetër thotë se kishin themeluar qytetin Orik. Tit Livi qytetin e përmend si Olcinium kurse banorët Olciniatas. Udhëpërshkruesi i famshëm arab El Idrisi (shek.XII) banorët e Ulqinit i quante Labiqis. Klaud Ptolomeu në: “Geographia” (lib.II, 16,3) Ulqinin e quan Ulkinion. Kalorësi gjerman Arnold fon Harf-i në vitin 1496 shkruante per Ulqinin kur e kishte vizituar dhe e quante Dulcina. Gjatë mesjetës, siç dihet, emrin e Ulqinit e takojmë si:Licinium (v.746), Ulcinium (1022), Dulcinium (1288), Dulcignum, etj[63]. Emrat e Ulqinit që duken në këtë dokument nuk hasen gjetiu. Car Konstandin Porfirogeni në vitin 734 e përmend si Helcynio. Në shekullin XI përmendet si Ulcini, Ulcignum dhe Dulcignum në vitin 1089, kurse në vitin 1216 përmendet si Lcinj dhe Ocinj[64].
Tek Plini Plak, në “Natyralis Historie” Ulqinin antik e takojmë me emrin Olcinium, por përmendë se më parë është quajtur Colchinium. Tit Livi e përmendë si Olcinium. Ulqini mesjetar përmendet si Cleninium, Dulcinium, Dulcignum, Olchinium, Licinium[65]. Dorëshkrimi i një autori të panjohur (para vitit 1571) e përmendë si Coleninium, Collellium dhe Colesis[66]. Në gravurat e shekullit XVI-XVII përmendet me emrin Dulcigno dhe Dolcigno. Porfirogenti e përmend me emrin Helcynio [67]. Sa i përket banorëve, të dhënat arkeologjike dokumentojnë se në Ulqin me rrethina jetonte fisi ilir i labeatëve. Udhëpërshkruesi arab El-Idrisi ka mesi i shekullit XII, banorët e Ulqinit i quante (Dulugina) Labiqis[68]. Tit Livi i quan Olciniatitas[69], ishte historiani me i rendesishem e kohes se Augustit. Autor i historise se Romës nga themelimi i qytetit. I ka kushtuar ne kete veper nje rendesi te madhe luftrave iliro-romake.
Pas vitit 1577, një relacion tjeter përshkruan qytetin e Tivarit, të vendosur në Epir, katër milje prej detit, kryepeshkopatë dhe Primat i Serbisë, larg prej Shkodrës 50 milje[70].
Në vitin 1575/1576, ambasadori venedikas Jak Soranco mbasi bëri një udhëtim nëpër Shqipëri, shënoi një relacion në të cilën përshkruan malësorët zadrimorë. “Këta burra – shkruan ai – ishin të zeshkët, me kokën e mjekrrën e rruar, me përjashtim të musteqeve. Këmishën e kishin të zezë (të papastër H.M) ishin të veshur shumë keq dhe dukeshin se po dilnin nga ferri i tyre. Ishin të egjër e të hatashëm për t’u parë. Harqet i kishin prej druri dhe harqet (i mbanin) pranë shpatave të ndryshkura me mille (këllefe) të drunjta. Në kokë mbanin një kësulë (qeleshe) si një berret të kuq (nga papastërtia H.M) krejt i yndyrosur dhe i shëmtuar. (Këta njerëz) duke zbritur prej maleve lëshonin të tilla britma që jo zëra njerëzish, por na dukej se po dëgjonim dema duke pëllitur. Gratë të zeza të forta e të shëndosha (të gjalla) më shumë se burrat, mbanin nga tre rreshta asprash në gushë dhe ndër mëngë. Këto aspra ishin (me vlerë) 60 për një zekin, sepse janë monedha argjendi. Këto gra na sillnin ushqimin aty ku vendoseshim me çadrat (shatorret) tona dhe dukej si një treg (pazar), kaq shumë gra vinin aty. Ato ishin të krishtera[71].
Tivari, në dokumentet e shkruara historike përmendet së pari herë në shekullin IX-të. Eshtë njohur me shumë emra: Antibareos, Antibaris, Antibarum, Tivari, Antivari, Bar, etj. Ka gjasa që themelet e qytetit t’i kenë vënë bizantinët, madje synohet që po në ato themele të ketë qenë edhe kështjellë romake. Gjatë periudhave të herëshme hsitorike, Tivarin e kanë përshkuar mbretër e qeveri të shumëta. Në fundin e shekullit X-të dhe në gjysmën e parë të shekullit XI-të, ka qenë nën qeverisjen bizantine. Kurse, prej vitit 1042, bie nën qeverisjen Dukleane të mbretit Mihailo, që në vitin 1077 fitoi kurorën mbretërore[72]. Pak më vonë, mbreti Bodin Ipeshkvinë Dukleane të Tivarit, e ngriti në rangun e Arqipeshkvisë..
Hajrudin Muja