Ne nuk e ndjejmë mirësinë e shikimit për aq kohë sa shikojmë, nuk e ndjejmë mirësinë e dëgjimit për aq kohë sa veshët janë në rregull, po ashtu nuk e ndjejmë mirësiën e lëvizjes përd aq kohë sa vazhdojmë të ecim. Mirëpo, nëse ne humbim qoftë edhe vetëm njërën prej shqisave, atëherë e kuptojmë rëndësinë dhe vlerën e mirësisë që posedojmë.
Mirësitë që na rrethojnë nga të gjitha anët janë aq të shumta saqë nuk mund të numërohen, mirëpo për fat të keq ne nuk i shfrytëzojmë ato, nuk ia dimë rëndësinë dhe nuk jemi aq mirënjohës sa duhet ndaj tyre.
Më lejoni t’ju tregoj për një mirësi shumë të shtrenjtë, që e posedon shumica prej nesh. Ajo është mirësia e prezencës së baballarëve dhe nënave në mesin tonë.Është për të ardhur keq, por ne i konsiderojmë ata si njerëz të zakonshëm – si gjithë të tjerët -, jemi të shkujdesur ndaj tyre, i bëjmë ata që të zemërohen me ne, ndonjëherë shmangemi prej tyre, ndërsa herë të tjera edhe i harrojmë fare ata.
Fëmijët – pasi martohen – caktojnë një ditë të veçantë për të vizituar prindërit e tyre, kurse përsa i përket ditëve të tjera ata janë larg njerëzve, të cilët i duan më shumë se kushdo tjetër. Më e keqja është, se këta njerëz (fëmijët) konsiderohen të bindur ndaj prindërve dhe që i mbajnë lidhjet me ta.
O të shkujdesur! Zgjohuni! Prindërit sot janë me ju, por nesër…
Mundësia për ta shfrytëzuar të mirën e tyre vazhdon të jetë në duart tuaja. Profeti (a.s) thotë: “Mallkuar qoftë ai, i cili ka njërin apo të dy prindërit gjallë dhe nuk futet në Xhenet (për shkak se nuk sillet mirë me ta)”([1]).
Xheneti është shpërblimi i atij që sillet mirë me prindërit, është plaçka e luftës për këdo që përpiqet të fitojë kënaqësinë e tyre, që fut lumturinë në zemrat e tyre, që i jep të pijë ujë të ftohtë nënës dhe babit të tij në ditën e nxehtë të verës, apo i gëzon ata me ndonjë dhuratë.
Xheneti është dhurata e atij, i cili me net të tëra nuk fle gjumë për t’i shërbyer atyre në pleqëri apo kur janë të sëmurë. Xheneti është dhurata e kujtdo, i cili nxiton që t’ua plotësojë prindërve të tij nevojat që kanë. Xheneti është dhurata e buzëqeshjes së ngrohtë, kur ti i takon ata dhe kur bën durim ndaj tyre.
Kurse ata që nuk interesohen për gjendjen e prindërve të tyre, i trajtojnë ata si të gjithë të tjerët, i vizitojnë rrallë, i shkëpusin lidhjet me ta, i japin përparësi fëmijëve dhe grave përpara tyre, sillen ashpër me ta e gjëra të tjera të ngjashme. Këta persona do të pendohen vetëm pasi ata (prindërit e tyre) të jenë larguar nga kjo botë.
Të mirën duhet ta kthejmë me të mirë. Ashtu sikurse ata u kujdesën për ne, kur ishim të vegjël dhe nuk kishim mundësi që të lëviznim, po ashtu edhe ne duhet të kujdesimi për ta, sidomos në kohën kur ata plaken dhe kanë më shumë nevojë për ne. Në këtë botë ne duhet të sillemi me ta mirë, butësisht dhe dashamirësi, ashtu siç janë sjellë ata me ne, pa kërkuar ndonjë shpërblim për këtë. Njeriu korr atë që mbjell. Nëse mbjell grurë, grurë ka për të korrur, por nëse mbjell barishte, barishte ka për të korrur.
Kush i ka humbur njerëzit më të shtrenjtë (prindërit) dhe është treguar neglizhent ndaj tyre, kur ata kanë qenë gjallë, duhet t’i kërkojë falje Allahut të Lartësuar ditë e natë për këtë mëkat të madh. Sidoqoftë ka përsëri shpresë për këtë njeri, sepse ai ka mundësi që t`i lutet Allahut të Lartësuar për prindërit e tij.
Nëna ime! Ti më ke mbajtur 9 muaj në bark, duke qenë e lumtur për mua me gjithë vuajtet e shtatzënisë që ke përjetuar. Kushedi sa net ke qenë zgjuar, vetëm që unë të jem në rehati, rininë tënde ma dhurove mua dhe me shëndetin tënd u kujdese për mua, derisa të erdhi pleqëria dhe mirësia jote ndaj meje është e pashtershme.
Babai im! Je kujdesur për mua, më ke ushqyer, më ke veshur, më ke arsimuar, më ke orientuar gjithmonë për tek e mira, më ke këshilluar që të largohem nga rruga e shtrembër, ma ke bërë të dashur të mirën dhe më ke bërë që ta urrej të keqen. Më ke dhënë gjithçka që është e mirë për mua në këtë botë dhe në botën tjetër.
Prindër! Ju kërkojmë falje për të gjitha shqetësimet që ju kemi sjellë. Dëshira jonë e vetme është, që ju të jeni të kënaqur e të lumtur me ne
Prindërit e mi! Lutja ime për ju është e sinqertë dhe do të kujdesem maksimalisht, që të mirën t’ua kthej me të mirë dhe që ju të keni të kënaqur me mua. Allahu i Lartësuar na urdhëron në Kuranin Fisnik: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd përveç Tij dhe që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj as “uh”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më edukuan mua, kur isha i vogël”([2]).
Umejme Xhabir
http://ardhmeriaonline.com
[1] – Buhariu
[2] – Sure Isra: 23-24.