“Një popull që voton të korruptuarit, mashtrues, hajdutë dhe tradhëtarë, ai popull nuk është viktimë, por bashkëpuntor i tyre”
-GEORGE ORWEL-
Të nderuar lexues e dua pa kufi Ulqinin, e pa mundur është mos ta duash nëse jeton dhe punon aty? Ulqinin e dua nga gjenesa e saj, ja dua gjuhën e pastër shqipe, natyrën e bukur, doket dhe zakonet e buta e të urta, dasmat e këngët e vjetra qytetare, kulturën urbane kombëtare e fetare, sinqeritetin e jo gënjeshtrën, gëzimet, vuajtjet, historinë dhe bujarinë e banorëve të saj.
Nga gjiri i qytetarëve fisnikë të Ulqinit përherë kanë dalë tregime, gojëdhëna e legjenda të ëmbla, të bukura, të mençura dhe kuptimplotë. Megjithatë, për ta dashur këtë qytet nuk mjafton vetëm kaq, me plot kuptimin e fjalës, duhet të dish ta menaxhojshë dhe ta mbash këtë qytet të lashtë. Ulqini duhet të mbahet me moral, edukatë e sjellje reciproke, me punë e përgjegjësi, me arsim e kulturë, fisnikëri e bujari, me urimet dhe gëzimet e lindjeve, me hidhërimet dhe ngushllimet e vdekjeve.
Ulqinin sot e kanë kapluar ethet e fushatës parazgjedhore, egoizmave, vetëpëlqimeve, interesave personale, nga disa rrapacak politikë, që me shkollimet e tyre të vonshme, të ndërprera e të arnuara janë bërë pothuajse njerëzit e parë të udhëheqjes politike dhe kulturore Ulqinake. Duhet theksuar se Ulqini për shumëçka është edhe pasqyrë ku shihet fytyra e vërtetë e shqiptarëve të Malit të Zi. Dhe duke qenë i tillë atë shumë kush gjatë historisë ka tentuar ta sundojë e drejtojë, duke e ditur se kështu e drejton dhe e sundon popullin shqiptar në Mal të Zi. Njësoj siç don sot DPS-i nëpërmjet makinerisë së fuqishme propaganduese, shantazheve, kushtëzimeve dhe kërcënimeve me të gjitha strukturat e pushtetit, që nëpërmjet kandidatëve të vet shqiptar që kanë barkun plot por kokat bosh, dhe pa vetëdije kombëtare, të mbuluar me parullën e konceptit qytetar, ta sundoj e ta drejtojë këtë “kryeqendër” të shqiptarëve të Malit të Zi.
Të nderuar qytetar ora e zgjedhjeve lokala në komunën e Ulqinit numëron tik-taket e fundit. Dhe se për disa parti politike ka kohë që ka filluar të numërojë mbrashtë. Gjithçka është në lojë, përveç moralit, etikës dhe frymës demokratike. Ajo që bën përshtypje në këtë fushatë parazgjedhore është tendenca e partisë që për tri dekada është në pushtet qendror dhe partnerit të saj me koncept qytetar që të tërheqin sa më tepër votues shqiptar, duke u ofruar pazarllëqe nga më të ulëtat.Por kush e ka menduar që do të vijë kjo ditë që udhëheqësit e disa partive shqiptare që i kanë të gjitha karakteristikat e grupeve të interesit, në mungesë të programeve, platformave të bëjnë thirje publike dhe tërë strategjinë e fushates parazgjedhore ta bazajnë në kërkesën e votës shqiptare pasi ato janë më afër DPS-it, dhe se ata do të jenë në pushtetin lokal. Nga kjo dukuri e shëmtuar po shihet qartë se funksionimi i tillë i kahmotshëm e i sotshëm, në formë sekrete apo publike të këtyre partive politike shqiptare ka prodhuar që shqiptarët e këtushëm të fitojnë vetëm një gjë; institucionalizmin e vasalizmit si mënyrë e të mbijetuarit dhe të vepruarit politik të këtyre partive politike shqiptare, duke haruar apomosditur se po u afrohet fundi i turpshëm i tyre. Pra ka kohë që këto parti politike kanë kultivuar vetëdijen politike se realizimi i kërkesave shqiptare nuk varet nga potenciali i tyre politik, por vetëm nga vullneti i pushtetit.
Vota nuk është mall këmbimi, as monedhë tregtie. Ajo është përgjegjësi dhe çelës i dyerve për ndryshime. Fakti që partia politike që ushtroi pushtetin qendror për tri dekada në këtë shtet ndërtoi piramida dhe metropole në shum vende të Malit të Zi, por edhe më gjërë dhe anashkaloi vendbanimet shqiptare duke i lërë shkretërira, duke shkatruar gjithçka me vlerë, duke detyruar rrinin shqiptare të braktis vendëlindjen e tyrenuk ka të drejt politike e më pak morale të kërkojë votën shqiptare. Kjo parti politike duke qenë në pushtet për tri dekada manipuloj me kërkesat shqiptare. Edhe sot pas 27 viteve të pluralizmit dhe të demokracisë vazhdon diskriminimi i thellë i shqiptarëve në të gjitha fushat e jetës shoqërore dhe politike. Diskriminimi buxhetor dhe ekonomik, mungojnë investimet kapitale publike dhe private në trojet shqiptare e me këtë edhe në Ulqin, si vend me një potencial mahnitës turistik, diskriminimi i thellë në sferën e arsimit, kulturës dhe injorimi i plotë karakterit multietnik dhe multikulturor.
Të nderuar bashkëqytetar shqiptar është fakt i pamohueshëm se partitë politike shqiptare në Mal të Zi kanë shumë mëkate dhe defekte të manifestuara. Dobësitë e tyre nuk mund të shihen të shkëputura nga dobësitë e elektoratit shqiptar, që i ka zgjedhur ato, as nga dobësitë e klasës intelektuale dhe e qytetarëve shqiptarë në Mal të Zi dhe se kjo ka ndikuar në masë të madhe në mosrealizimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve, por nuk mund të zgjidhen kurrsesi nga partia që për tri dekada ushtroi pushtetin shtetëror duke i konsideruar shqiptarët si qytetar të rendit të dytë, kjo parti politikediskriminoj, manipuloi dhe shfrytzoi shqiptarët për interesat e ngushta personale dhe partiake dhe për mbijetesë në pushtet.
Votuesit shqiptarë Ulqinak duhet ta kenë të qartë se duke votuar DPS-i dhe disa parti të tjera të ashtutëquajtura qytetare që janë në pushtet heqin dorë vullnetarishtë nga Ulqini, nga të drejtat kombëtare dhe nga identiteti i tyre kombëtar. Ata vetë humbasin të drejtën morale të kërkojnë trajtim të barabart dhe zhvillim të qytetit të tyre. Andaj edhe deklaratat e udhehëqësve të DPS-it se ka ardhë kohe që ta marrin ekzekutivin e komunës së Ulqinit nuk është asgjë tjetër përpos një thirrje dhe tentativë që ta“plaçkisë, përçajë dhe gjunjëzoj” Ulqinin.
Fenomeni negativ i derdhjes së votave shqiptare në partitë malazeze është një fenomen, i cili po të tolerohet e të neglizhohet, mund të ketë pasoja të rënda për të drejtat kombëtare dhe statusin e popullit shqiptar në Mal të Zi. Vota shqiptara duhet imponuar nëpërmjet faktorit politik shqiptar qeverive dhe partive në pushtet se vetëm kështu do të ketë peshë në realizimin e kërkesave dhe aspiratave të popullit shqiptar. Avancimi i statusit kombëtar të popullit shqiptar në Mal të Zi, do të sjellë përmisimin e statusit të tyre qytetar dhe jo e kundërta. Vota është e shqiptarëve dhe duhet të mbes te partitë politike shqiptare.
Si do qoftë, gjithçka varet nga votuesit shqiptar Ulqinak. Dhe më shkurt, ata do duhet në këto zgjedhje lokala të përgjigjen, se a janë pro vetëvetes, apo pro atyre që duan ta “asgjesojnë dhe ta kolonizojnë indin politik dhe kombëtar të shqiptarëve”të Malit të Zi. Andaj edhe duhet thënë qartë e shqip; të votosh për partitë politike shqiptare nuk është vetëm përcaktim partiak, politik e kombëtar, por edhe legjitimim qytetar e civilizues. Pra, ky është përcaktim që të rreshton mes kundërshtarëve të mendësisë vasale, të disa shqipfolësve si dhe, kundër bindjes së drejtuesve të pushtetit (DPS-it) se kultura politike e shqiptarëve të Ulqinit nuk dallon shumë nga ajo e popujve endacak që don të thotë: gjithmon t’i nënshtrohesh më të fortit, e të pushtetshmit! Që kur gjatë historisë nuk ka qenë veti e këtij populli trim, fisnik dhe bujar./ul-info/
QANI OSMANI