“Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit” (Al Imran, 3/133)
Feja jonë e dashur na ka ngarkuar disa përgjegjësi dhe ç’ka pritet prej nesh është që ato të zbatohen shëndetshëm në maksimumin e mundshëm. Këto përgjegjësi i japin jetës sonë një drejtim të caktuar, duke na orientuar kah mirësitë. Në momentin që këto përgjegjësi kryhen në formën e duhur, atëherë gjejmë lumturi, por kur ato anashkalohen ose neglizhohen, atëherë mos në këtë botë, në botën tjetër do na dalin përpara si mangësi dhe ndoshta edhe do të ndëshkohemi për këtë. Fundja çdo gjë është në dorë të vullnetit të gjithsecilit prej nesh dhe në shumicën e rasteve jeta ecën edhe me neglizhime.
Jemi të qartë që çdo përgjegjësi apo detyrë ka vështirësinë e saj. Të marrësh abdes pesë herë në ditë, të falësh namazin, të agjërosh në ditët e gjata dhe të nxehta të verës nga mëngjesi gjer në mbrëmje, të ndash me të tjerët prej asaj që ke fituar me djersën e ballit, t’ua plotësosh të gjitha të drejtat prindërve pa iu ankuar atyre qoftë edhe njëherë të vetme janë të gjitha punë që po t’i shohësh mirë, secila prej tyre ka vështirësitë e veta shumë të mëdha. E megjithatë, mes të vështirave gjejmë edhe më të vështirat, të cilat në një fjalë të urtë që i atribuohet Aliut (r.a), janë radhitur kështu: إِنَّ أَصْعَبَ الْأَعْمَالِ أَرْبَعُ خِصَالٍ: اَلْعَفْوُ عِنْدَ الْغَضَبِ، وَالْجُودُ فِي الْعُسْرَةِ، وَالْعِفَّةُ فِي الْخَلْوَةِ، وَقَوْلُ الْحَقِّ لِمَنْ يَخَافُهُ أَوْ يَرْجُوهُ “Këto janë katër cilësitë që janë më të vështirat për t’u arritur: (1) të falësh kur je i nevrikosur, (2) të tregosh bujari edhe në kohët kur je ngushtë, (3) ta ruash nderin edhe teksa je vetëm për vetëm me mëkatin dhe (4) t’ia thuash të vërtetën ashtu siç është edhe njeriut të cilit i frikësohesh apo je i lidhur në interesa me të.”
- Të falësh kur je i nevrikosur
“Të falësh kur je i nevrikosur”, të mundësh zemërimin dhe të falësh tjetrin në ato çaste kur nevrikosja dhe zemërimi shkumëzojnë si magmë është me të vërtetë shumë e vështirë, por një punë e fisshme. Kur’ani e ka trajtuar gjerësisht këtë çështje dhe në suren Al Imran pasi Allahu i Madhëruar ka thënë: وَسَارِعُوا إِلَى مَغْفِرَةٍ مِنْ رَبِّكُمْ وَجَنَّةٍ عَرْضُهَا السَّمَاوَاتُ وَالْأَرْضُ أُعِدَّتْ لِلْمُتَّقِينَ “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe Xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit” (Al Imran, 3/133), Cilët janë këta të devotshëm? Përgjigjja e kësaj pyetjeje vjen në ajetin në vijim: الَّذِينَ يُنْفِقُونَ فِي السَّرَّاءِ وَالضَّرَّاءِ وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ وَاللَّهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِين “Ata të devotshëm, që shpenzojnë për Allahun, si në kamje, si në kohët kur ndihen ngushtë; që edhe kur janë të nevrikosur (megjithëse kanë forcë për t’u hakmarrë) e shtypin zemërimin dhe i falin të tjerët (njerëzit).” (Al Imran, 3/134)
Për një njeri të qetë, që nuk shqetësohet lehtë prej çka i ndodh përreth, që njerëzit e duan dhe e vlerësojnë, është shumë e lehtë që të jetë falës. Arritje e vërtetë është kur dikush shqetësohet prej dikujt, i bëhet ndonjë padrejtësi prej tij, nevrikoset ku s’ka më, por, prapëseprapë nuk e humb, përkundrazi e përdor siç duhet vullnetin e tij dhe, në vend që të përgjigjet me të njëjtën monedhë, tregohet falës, duke u mbështetur kështu në atributin “Afuv/Falës” të Mëshirëplotit.
- Të tregohesh bujar edhe në kohët kur ndihesh ngushtë
Së dyti, fjala “të tregosh bujari edhe në kohët kur je ngushtë”, na tregon vështirësinë dhe rëndësinë njëherësh, të sjelljes prej bujari edhe në kohët kur të ka pllakosur nevoja dhe ndihesh ngushtë edhe për vete. Bujaria e njeriut të pasur, të cilit nuk i pakësohet asgjë prej stokut apo pasurisë nga ajo që u fal të tjerëve është e lehtë. E çfarë humbet nëse jep një monedhë të vetme dikush që zotëron mijëra të tilla?! Ashtu si falja në çastet e zemërimit i bën thirrje emrit “Afuv/Falës” të Allahut (xh.sh.), edhe bujaria e treguar në kohë të vështira i bën thirrje emrit “Xheuuad/paskajshmërisht Bujar” të Tij.
Në njëfarë mënyre, prej nesh kërkohet që të pajisemi me ndjenjën “të menduarit për të tjerët para vetes”. Por shembujt tanë më të mirë, me veprat e tyre, përsëri na treguan që edhe më e vështira është e realizueshme. Kur mekasit emigruan në Medinë, gjetën ndihmë dhe mbështetje morale e materiale nga vendasit dhe në këtë formë një pjesë u quajt Muhaxhir e tjetra Ensar. Dhe kjo sjellje mes tyre u kurorëzua me vlerësimin hyjnor, të cilin Allahu xhel’le ue Ale e ka skalitur në Kur’an me fjalët: وَالَّذِينَ تَبَوَّءُوا الدَّارَ وَالْإِيمَانَ مِنْ قَبْلِهِمْ يُحِبُّونَ مَنْ هَاجَرَ إِلَيْهِمْ وَلَا يَجِدُونَ فِي صُدُورِهِمْ حَاجَةً مِمَّا أُوتُوا وَيُؤْثِرُونَ عَلَى أَنْفُسِهِمْ وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ وَمَنْ يُوقَ شُحَّ نَفْسِهِ فَأُولَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُون“Ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë, që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues.” (Hashr, 59/9)
- Ta ruash nderin edhe kur gjendesh fare pranë mëkatit
Pikë së treti thuhet: “ta ruash nderin edhe teksa je vetëm për vetëm me mëkatin”. Në një hadith të Tij i Dërguari i Allahut (pqmT) thotë se në ditën e Kiametit, kur nuk do të ketë askund hije, janë shtatë grupe njerëzish, të cilëve do t’u bëhet hije mbi krye dhe pjesëtarët e njërës prej tyre do të jenë ata njerëz, të cilëve edhe pse femra të bukura dhe të pasura do t’i kenë thirrur në mëkat, ata do të refuzojnë menjëherë duke thënë: “Jo, unë i frikësohem Allahut!”[1]
Në njëfarë kuptimi, të dukesh i ndershëm në prani të njerëzve është diçka e lehtë. Sepse, në një ambient kur sytë e njerëzve janë aty dhe ju i shikoni të tjerëve është e vështirë të hyhet në mëkat. Kurse një njeri që e gjen veten të mbërthyer prej kurthit të mëkatit, ku personi tjetër përpiqet ta nxjerrë nga binarët, e ka shumë më të vështirë që t’i durojë tundimit, sepse në një çast të tillë mëkati mund të të lërë pa mend dhe mund të ta errësojë shikimin. E këtu të fituarit janë përsëri ata që ndjekin shembullin profetik të Jusufit (a.s). Kur’ani na tregon: وَرَاوَدَتْهُ الَّتِي هُوَ فِي بَيْتِهَا عَنْ نَفْسِهِ وَغَلَّقَتِ الْأَبْوَابَ وَقَالَتْ هَيْتَ لَكَ قَالَ مَعَاذَ اللَّهِ إِنَّهُ رَبِّي أَحْسَنَ مَثْوَايَ إِنَّهُ لَا يُفْلِحُ الظَّالِمُونَ “Por ajo, në shtëpinë e së cilës gjendej ai, nisi ta joshë në kundërshtim me dëshirën e tij. Ajo ia mbylli të gjitha dyert dhe tha: “Jam e gatshme për ty!” Kurse ai tha: “Allahu më ruajt! Me të vërtetë, Zoti im ka treguar kujdes për mua dhe, pa dyshim, keqbërësit nuk do të shpëtojnë kurrë”. (Jusuf, 12/23) Qëndrimi i palëkundur, me ngurtësinë dhe qëndrueshmërinë në të tilla pozita, është diçka që kërkon një vullnet të çeliktë. E, nuk ka dyshim që ai që arrin t’i bëjë ballë një vështirësie të këtillë po aq të madh ka për të pasur edhe shpërblimin.
- Të thuash të vërtetën edhe në çastet më të vështira
Dhe së fundmi, Aliu (r.a) na tregon që vepra e katërt më e vështirë është “t’ia thuash të vërtetën ashtu siç është edhe njeriut të cilit i frikësohesh apo je i lidhur në interesa me të”. Ky është një fenomen mëse i përhapur, ku frika dhe interesi ndaj dikujt, bëjnë që ndonjëherë personi të heshtë përballë padrejtësisë, ndonjëherë thjesht të fshehë të vërtetën, dhe ndonjëherë tjetër bën që t’i bashkohet karvanit të mëkatarëve, duke fryrë edhe më tepër gënjeshtrën dhe mashtrimin. E kështu, vjen një kohë, ku tashmë ai jeton mbi shtratin e gënjeshtrave, dhe e vërteta apo e drejta, në këtë moment, nuk kanë më rëndësi. Pikërisht këtu, jeta e tij është kthyer në një gënjeshtër totale dhe në momentin që shpërthen e katapulton atë vendin që meriton. Zot na ruaj nga të tilla mëkate, që me shprehjen e Profetit (s.a.s) të kthejnë në një shejtan pa gjuhë.
Shpërblimi dhe të mirat e punëve jepen ndryshe sipas kohës dhe hapësirës në të cilën ato kryhen. E shkak i mirëfilltë për shumëfishimin e shpërblimit të punëve, që bëhen me më shumë mundime dhe vështirësi, mund të jetë veçse ruajtja e të njëjtit sinqeritet përherë, pa u përfshirë në kurrfarë ankimesh të drejtpërdrejta qofshin, apo të tërthorta. /vizionislam.com/
[1] Buhari, zekat, 16; Muslim, zekat, 91.