Shkelzen Marevci
1
Ajo ditë ishte nga ditët me acar vërtetë të tmerrshëm. Bora dhe akulli kishin mbuluar tërë vendin. Frynte një erë e cila e ashpërsonte akoma më shumë motin. Bora trazohej e sillej nga një shakullin e fortë, sikur të ishte ndonjë ciklon. I ftohti kishte arritur temperatura rekorde. Akujt ishin zgjatur nga kulmet e shtëpive deri në tokë. Nga pamja, të krijohej përshtypja se, e tërë bota ka ngrirë.
Isha fëmija i vetëm dhe ende nuk i kisha mbushur gjashtë vjet në kohën kur nëna ishte sëmur. Një ditë janari nënën e kishin kapluar dhimbje të tmerrshme në stomak. Babai mori veturën e xhaxhait tim dhe së bashku me nënën u nisën për në spital. Mua më lanë tek xhaxhai. Xhaxhai im kishte katër fëmijë, dy më të vegjël sesa unë dhe dy më të mëdhenj.
Mbase nga gjëmimet e nënës natën e mbrëmshme, që i shkaktoheshin nga dhimbjet e forta, por atë ditë mëngjesi më kishte mbërthyer një ndjenjë e fortë pikëllimi për nënën. Ajo ecte e kërrusur dhe duke e mbajtur barkun e saj me të dyja duart. Babai e mbante të kapur për njërin krah dhe së bashku ecnin në drejtim të veturës së xhaxhait. Fishkëllimat dhe bora e trazuar nga erëra të forta më krijonin pengesa në shikim. Unë i shikoja babanë dhe nënën nga ballkoni i shtëpisë së xhaxhait me sy të picërruar. Ngaqë e dija seç kishte hequr nëna nga dhimbjet e mëdha natën e mbrëmshme dhe ngaqë e shihja dhe e dija se kishte akoma dhimbje, e shikoja me pikëllim të thellë derisa ecte në drejtim të veturës e kërrusur dhe e mbajtur nga babai.
-Po vij edhe unë me ju, vëlla?
-Jo vëlla. Nuk ki pse vjen. Asht kohë e keqe, e rri ti ka shtëpia.
-Ani, ani, veç banë kujdes me kerr, se nuk i ka gumat edhe aq t’mira.
-Mos u banë merak, nuk ngutna.
Xhaxhai dëshironte të shkonte me babanë dhe me nënën, por babai nuk e lejoji, duke i thënë që të rrinte në shtëpi ai.
Nëna, para se të futej në veturë u kthye nga unë për të më shikuar. Ashtu me sy të picërruar nga era dhe fjollat e borës, nuk i shquaja tiparet e fytyrës së saj, por ama fytyrën si tërësi e pash. E dija se dëshira e saj ishte që të më puthe, sepse kështu e kishte zakon. Sa herë që ndaheshim, bie fjala kur unë dilja të luaja me shokët, apo kur nëna shkonte ndokund, ndodhte deri në tre herë të ktheheshim tek njëri-tjetri për tu përqafuar. Ajo më donte shumë, por edhe unë e doja aq shumë.
-Prit!
Kam lëshuar një zë dhe jam nisur këmbëzbathur e me vrap në drejtim të nënës.
-Oh, shpirti nanës!
-Nanë, mos u vonin shumë, loçka jem.
As acari i asaj dite nuk na ndalonte së përqafuari me nënën. Ajo më shtrëngoi për trupin e saj, duke më përqafuar dhe ashtu me dhimbje të forta në stomak më barti në krah nga frika se mos do të ftohem po të vazhdoja të qëndroja këmbëzbathur në borë, deri në ballkon dhe kërkoi nga unë që të hyja brenda.
Iu luta nënës të mos vonohej, ngase gruaja e xhaxhait ishte një grua shumë hijerëndë. Fytyra e saj nuk dinte se ç’është e qeshura. Me të ishin në telashe xhaxhai dhe fëmijët e saj, madje jo vetëm. Në telashe me gruan e xhaxhait ishin edhe fqinjët tanë. Vërtetë ishte njeri i pashpirt, siç thotë populli. Dashuria dhe buzëqeshja si nocione, nuk ekzistonin në mendjen e saj. Ajo dinte vetëm të zihej duke sharë e bërtitur.
Vetura doli nga oborri i shtëpisë së xhaxhait. Nëna në vazhdimësi e mbante kokën kthyer nga unë. U futëm brenda në dhomën e pritjes në shtëpinë e xhaxhait. Leutrimi, djali i madh i xhaxhait, i cili ishte njëmbëdhjetë vjeçar, filloi të fliste me mua. Ai ishte një djalë shumë i dashur. Unë, para se të flisja me të e shikova gruan e xhaxhait, ngase kisha frikë nga ajo. Fytyra e mprehtë, hunda me grep dhe e gjatë, ngjyra e verdh si dylli e fytyrës së saj ma futeshin frikën në palcë vetëm kur e shikoja. Derisa Leutrimi fliste, unë vazhdoja të lutesha që sa më parë të ktheheshin nëna dhe babai, sesa që e dëgjoja Leutrmin se çfarë thoshte.
-Hajde, dilni n’dhomën tjetër. Mos më bani zhurmë.
-Është ftohtë, nanë.
Gruaja e xhaxhait kërkoi nga Leutrimi që të na merrte të gjithë ne fëmijëve dhe të dilnim në dhomën tjetër, ngase ajo nuk mund ta duronte zhurmën që, gjaja e shkaktonim ne. Në fakt, ne flisnim, por vërtetë flisnim me zë të ulët.
Në dhomën tjetër, kishim filluar të luanim së bashku. Mirëpo, mua për asnjë çast nuk më ishin ndaluar lutjet që nëna dhe babai të ktheheshin sa më parë dhe të shkoja në shtëpinë time, ngaqë bënte ftohtë dhe ne fëmijët mërdhinim në atë dhomë pa ngrohje. Aty qëndruam rreth një orë e tridhjetë minuta. Një zhurmë e një veture u dëgjua në oborrin e xhaxhait. Unë dola me vrap për ta përqafuar nënën dhe babanë. Xhaxhai bisedonte me njërin nga dy policët që dolën nga vetura e policisë. Unë i vështroja i zhgënjyer nga ballkoni, ngase prisja të ishin prindërit e mi. Pas një bisede të shkurtër të xhaxhait me policët, xhaxhai me të dyja duart kapi kokën dhe e mbante ashtu duke e sjell sa në të majtë e sa në të djathë. Unë as që e dija se për çfarë bëhej fjalë. Policët hynë brenda në veturën e tyre, ndërsa xhaxhai erdhi me të shpejt brenda dhe mori pallton dhe pastaj me të shpejt hipi në veturën e policisë dhe shkuan. Unë vazhdoja lutjet e mia që të ktheheshin sa më parë nëna dhe babai, madje tashmë akoma më shumë, ngase kishte mbetur vetëm gruaja e xhaxhait me ne, kjo ma fuste tmerrin. U ktheva dhe u futa në dhomën e pritjes. Dhëmbët më kërcisnin e trupi më dridhej nga i ftohti. Gruaja e xhaxhait ishte e shtrirë dhe flinte e mbështjell me batanije. Fëmijët e xhaxhait ishin rrethuar afër stufës së ndezur dhe ngroheshin në qetësi absolute. Unë, pasi që u ngroha pak ca, u shtriva në tokë për të pushuar dhe nga i nxehti i dhomës më kishte nxënë gjumi.
-Luli, Luli, qu zemër.
-Babë, nanë… ku jeni?
-Luli, xhaxhi jam, ngrihu.
Xhaxhai më fliste dhe kërkonte nga unë që të zgjohesha nga gjumi. Mua më dukej se më fliste babai. U ngrita në këmbë dhe e pyeta xhaxhain se ku ishin prindërit e mi.
-Xhaxhi, ku asht nana dhe babi. Hala nuk kanë ardh a?
Xhaxhai më mbështolli e më shtrëngoi me krahët e tij për gjoksi duke ia plasë të qarës me dënes. Unë mbeta i ngrirë dhe nuk dija se çfarë kishte ndodhur. Ende nuk isha kthjellur nga përgjumja. E shikoja xhaxhain derisa ai qante, ndërsa unë idenë nuk e kisha se përse ai qante ashtu.
2
Acari desh na mbyti të gjithëve. Ishin mbledhur nga të gjitha anët e farefisit tonë atë ditë në shtëpinë e xhaxhait, sepse në shtëpinë time qëndronin grat. Shtëpinë time dhe të xhaxhait i ndante vetëm muri i oborrit. Mua të gjithë të pranishmit më thërrisnin të iu qëndroja pranë. Xhaxhai sorollatej sa andej-këtej. Shkonte te shtëpia ime e kthehej në shtëpinë e tij vetëtimthi dhe këtë gjë e përsëriste shpeshherë. Sa herë kthehej mua më përqafonte dhe më thoshte ‘’e ki xhaxhin ti, mos ta ninë për kurrgjë’’. Unë e shikoja i çuditur dhe herë-herë ia përsërisja pyetjen e vetme ‘’kur kthehet nana dhe babi’’. Ai i rrudhte buzët e krahët dhe ia plaste të qarës çdoherë pasi ia bëja këtë pyetje. Doja të shkoja tek shtëpia ime, por nuk më linin, më thoshin se është e mbushur me gra dhe ti duhet të qëndrosh me burra.
-Xhaxhi, e nana a asht te grat? E babi pse nuk është këtu me neve, te burrat?
-Jo zemra xhaxhit, nuk është nana te grat dhe babi nuk është këtu, se janë në spital. Po ti mos u gajlo, se e ki xhaxhin.
Fjalët që mi thoshte xhaxhi, më habisnin, sepse ai qante sa herë më fliste e më afrohej mua.
Gjithsesi, insistova me ngulm të shkoja në shtëpinë time. Më në fund u pajtua edhe xhaxhai. U futëm në korridorin e shtëpisë. Gratë e farefisit gëlonin në katër anët e shtëpisë. Të gjitha mbanin shamia mbi kokë. Porsa më panë në korridor, të gjitha gratë që ishin në korridor u kthyen nga unë dhe u afruan afër meje duke më përqafuar e lëmuar kokën. Por, edhe aty më çuditën lotët e tyre. Vazhdova në drejtim të dhomës së pritjes. Edhe dhoma e pritjes ishte e stërmbushur me gra, por që dallonte nga të gjitha ambientet e tjera të shtëpisë, ngase në mes të dhomës qëndronin dy trupa të shtrirë e të mbuluar me çarçafë të bardh. Në atë çast, ngriva pak ca dhe më filloi një dyshim.
-Xhaxhi, ku është nëna?
Pas kësaj pyetje, heshtjen e kureshtjes e thyen rënkimet e të pranishmëve. Xhaxhai më kapi në krah dhe me lot në sy më tha:
-Zemra e xhaxhit, nana dhe baba janë të shtrirë në tokë, se janë ba gati me shku në nji vend ma të mirin.
-Këta dy trupa janë të nanës e babit aaa?
-Po!
Xhaxhi i plasi të qarës me dënesë pas asaj po-je të mekur.
U nisa në drejtim të trupave të shtrirë. Së pari e shikova nënën e pastaj dhe babanë. Fytyra e nënës ishte fytyrë engjëlli. Të linte përshtypjen se nëna flinte. Ndërsa fytyra e babait ishte më e nxirë, ngase në të dyja anët e fytyrës kishte hematome. Aty e kuptova se nëna dhe babai kishin vdekur.
Një ligështim ndjeva mbi stomak. Xhaxhai më rrinte afër trupit tim. Ngrita kokën dhe me një shikim të shpejt i shikova të gjitha gratë që ishin prezent. Të gjitha qanin. Ula kokën dhe fillova t’i shikoja fytyrat e prindërve të mi, engjëjve të mi. Loti më filloi edhe mua. Afrova buzët tek faqet zverdhura të nënës. E putha mallëngjyeshëm. Puthja ime vazhdonte sy mbyllur, por jo ngaqë frikohesha, por ngaqë ishte kombinuar me nuhatje dhe doja ta ndjeja atë puthje dhe aromën e nënës. Ia lëmova ballin lehtas dhe e putha në ballë. Ia mbulova fytyrën me shaminë e bardh. Dola nga krahu tjetër dhe të njëjtën gjë e përsërita me babanë. U ngrita në këmbë dhe të gjithë filluan të më flisnin fjalë nga më të ndryshmet, por që të gjitha lidheshin me bie fjala, ‘’ata kanë me shku me nji vend shumë të mirë’’, ‘ti na ki neve’’, ‘’shumëve iu kanë ndodh gjana të tilla, ama sot janë ma të mirët’’ e shumë e shumë të tjera.
Ditët e të pamës kaluan shpejt, por jo dhe pikëllimi im për nënën e babanë.
3
Tashmë unë rrija te xhaxhai. Gruaja e tij vazhdonte të ishte ajo që ishte në të vërtetë, djall. Fill pas vdekjes së prindërve të mi ajo sillej me mua siç është më e keqja.
-Këtë djalë nuk du me ta pa kohë të gjatë në shtëpi.
-Çka je tu thanë bre! A je bre normal ti?! Harroje e mos e përsërit ma këtë muhabet se, pasha Zotin e madh t’i thej kamë e durë. Pisja e keqe! Para të qes ty përjashta sesa që e qes Agimin.
Një ditë, ende pa kaluar as dyzet ditë nga dita e varrimit të prindërve, djalli me fytyrë njeriu, gruaja e xhaxhait, kërkonte nga ai të më largoj nga shtëpia. Në një mëngjes të ftohtë, derisa vishja rrobat, dera e dhomës në të cilën flinim të gjithë fëmijët së bashku, ishte pak ca e hapur dhe dëgjoja gruan e xhaxhait duke ia thënë fjalët për largimin tim nga ajo shtëpi. Një damar mu duk se më ishte thar. Në duar mbaja pantallonat. Këmbët më lëshuan dhe për një kohë mbeta i ulur në cep të shtratit. Trupi mu duk se m’u këput. Nuk mundesha ta mbaja trupin tim. Ligështia më fundosi thellë në tokë. Më ranë pantallonat nga duart. Lotët më filluan të më rridhnin. Para syve të mi mu duk se u shfaq fytyra e nënës sime. Ngrita duart nga qielli e me lot në sy i lutesha Zotit që mos të më largonin nga shtëpia. Një frikë ma kishte mbërthyer tërë trupin. Dridhesha pak nga të ftohtit e pak nga frika.
-Unë fëmitë e mi nuk po muj mi rrit, e p’e rriti Agimin.
-Oj pelë, a po ta nin kryt çka je tu thanë!? Po Agimi nuk i ka mush hala gjashtë vjet. Ai asht sabi. More mshile atë gojë se po t’nin djali e t’myti.
O Zot, sa frikohesha se mos po i mbushej mendja xhaxhait të më largoj nga shtëpia. Ata ziheshin në korridor, e unë lutesha me lot që mos t’i mbushej mendja xhaxhait të më përzë nga shtëpia.
Po në atë mëngjes, ishim ulur të gjithë për të ngrënë bukë. Xhaxhai dhe gruaja e tij nuk e dinin se unë i kisha dëgjuar bisedat e tyre për mua. Edhe pse fytyrat e të dyve ishin të ngrysura si kurrë më parë, xhaxhai kërkoi nga unë që të ulesha afër tij. Në fakt, gjithnjë xhaxhai më trajtonte më mirë sesa i trajtonte fëmijët e tij. Mbase dhe kjo mund të ishte një arsye më shumë që gruaja e tij të kërkonte nga ai që të më largonte na shtëpia.
-Hajde bir afër meje. Ti gjithmonë afër meje e ki vendin.
-Mirë jam xhaxhi edhe këtu.
-Hajde këtu, hajde.
Në njërën anë nuk doja të afrohesha afër xhaxhait, ngase kisha frikë se do të provokoja ndonjë situatë të palakueshme ndërmjet tyre. Mirëpo, frikën dhe drojën që e kisha se, mos ndoshta do t’i mbushej mendja xhaxhait për të më larguar nga shtëpia, në atë çast disi e vërtetova se nuk do të ndodhte kjo gjë. Xhaxhai ishte i prerë me fjalët e tij edhe në korridor, por gjesti i tij në sofër më dha një siguri më të madhe.
Buka nuk më hahej. Arsyet ishin të ditura tashmë. Në njërën anë pikëllimi për nënën e babanë e në tjetrën dëshira e gruas së xhaxhait për të më larguar nga shtëpia.
-Merre xhaxhit djathin. Pse nuk po hanë? Duhesh me hangër shumë bukë, se ti je t’u rritë, zemër.
-Nuk po më hahet. Nuk jam untë.
Në fakt, porsa ngrita dorën për ta marr një copë djathi, e cila kishte mbetur e fundit në pjatë, gruaja e xhaxhait e mori dhe ia dha Lindit të vogël, edhe pse Lindi e kishte një copë tjetër para vetës.
Atë ditë, sikur thuajse pjesën dërmuese të ditëve, u ngrita nga sofra i uritur. Në atë shtëpi më donin vetëm xhaxhai dhe Leutrimi, ndërsa tre fëmijët e tjerë të xhaxhait nuk dëshironin të më shihnin me sy. Leutrimi fshehtas më puthte dhe qante ndonjëherë për mua. Ai e urrente nënën e tij, por nuk guxonte t’ia shfaqte, ngase ajo i rrihte shumë, më rrihte edhe mua sa herë që nuk ishte xhaxhai në shtëpi.
Ishte ditë korriku dhe unë isha duke luajtur me shokët e lagjes. Edhe pse rrobat e mia i pastronte xhaxhai, po atë ditë, duke luajtur me top në lagje jam rrëzuar dhe pantallonat i kisha bërë pis.
-Ku u bane pis te kama e pantallonave?
Më ishte drejtuar gruaja e xhaxhait me zë të fort dhe me atë fytyrën e djallit.
-Ti po mendon se na ka tepruar detergjenti? Tash ta kallxoj qejfin unë ty. Shpejt brenda.
I frikuar në palcë e me kokë ulur u futa brenda pa guxuar të nxirrja asnjë shkronjë nga goja. Sytë e saj të skuqur sikur domate e pjekur ma futën tmerrin. E dija se çfarë më priste brenda. E mori një rrip lëkure të xhaxhait dhe filloi të godiste mbi trupin tim të njom e të vogël me sa forcë që kishte. Rripi fishkëllente sikur stuhi acari. Jo vetëm lëkura, por edhe shpirti më digjte nga të goditurat e pashpirt. Lotët nuk më ndaleshin, por zë nuk guxoja të nxirrja. E dija që po nxora zë do të më godiste akoma më fortë. Xhaxhai ishte në punë atë ditë. Leutrimi tentoi njëherë të më nxirrte nga kthetrat e asaj bishe të egër, por e rrahu edhe atë. Mirëpo, në tentativën e dytë, Leutrimi u futë në dhomë dhe ia kapi të dyja duart dhe i lutej në gjunjë duke qarë me rënkime ‘’më rrih mua, mjaftë e rrehe Agimin, të lutem, nanën’’. Dajaku u ndal vetëm pasi ishte lodhur. Doli nga dhoma duke më thënë: ‘’edhe njëherë banu pis edhe ma zi ka me ta ba, dreq’’, unë mbeta duke qarë kokë me kokë me Leutrimin.
Ndoshta nga rrahja e traumat e tmerrshme që pësova, por atë natë më ishte ngritur temperatura aq lartë saqë tërë natën nuk futa gjumë në sy. Dhembjet në trup i ndija shumë. Por, tashmë dhembje jo vetëm nga goditjet me rrip, por edhe nga temperatura e lartë më dhembnin edhe muskujt e eshtrat. Të gjithë flinin, ndërsa unë tërë natën qëndrova zgjuar së bashku me dhembjet e trupit tim të njom. O Zot, thosha me vete, sikur ta kisha nënën apo babanë gjallë. Sa më mungonin ledhatimet e nënës mbi ballin tim në ato çaste. Nuk guxoja të shkoja në dhomën e xhaxhait për t’ia kërkuar ndonjë shurup apo tabletë kundër temperaturës. Ashtu durova deri në mëngjes. Pastaj, në mëngjes, xhaxhai më pa të skuqur në fytyrë e të dërmuar në trup dhe më dërgoi tek mjeku për tu kuruar.
O Zot, sa e sa herë ishin përsëritur situata të tilla gjatë jetës sime! Kam duruar aq shumë. Ndonjëherë më duket vetja se, më shumë kam duruar unë sesa gjarpri ndër gur, siç thotë fjala e popullit.
4
Dita e parë e klasës së parë. Xhaxhain nuk e kishte liruar shefi i tij që xhaxhai të më dërgonte në shkollë. Leutrimi gjithashtu e kishte thyer këmbën duke luajtur dhe nuk kishte asnjë mundësi të më dërgonte në shkollë. Xhaxhai iu lut gruas së tij që ajo të më dërgonte në shkollë atë ditë. Unë fare nuk dëshiroja që të shkoja me atë djall, por prapë se prapë nuk guxoja ta refuzoja. Megjithatë, gjysmë ore para se të nisesha për në shkollë, gruaja e xhaxhait më tha të shkoja i vetëm, sepse ajo përtonte. Me thënë të vërtetën u gëzova pak ca, por edhe i pikëlluar po se po, ngase më shkoi mendja tek nëna dhe babai. Ishte një ditë që padyshim ata do të gëzoheshin shumë për djalin e tyre që fillonte shkollën.
Rrobat atë ditë i kisha të pastra, ngase xhaxhai m’i kishte pastruar. Nisa të ecja nëpër sokak në drejtim të shkollës. Shkollën nuk e kishim dhe aq larg. Rrugës shihja plotë fëmijë të gëzuar për fillimin shkollës. Që të gjithë ecnin me ndonjë prind për dore. Unë ecja i vetëm. Vështroja fytyra nënash të buzëqeshura dhe pyesja vetën, athua vallë do të buzëqeshnin nëna dhe babai im nga gëzimi për fillimin e shkollës së fëmijës së tyre të vetëm? Ecja dhe herë-herë dhe qaja. Ah sa më kishte marr malli për nënën e babanë!
Arrita në oborrin e shkollës. Fëmijë e prindër të gëzuar kudo për rreth. Isha veçuar në një qoshe dhe vështroja nga larg të gjithë. Edhe aty më rrodhi loti, ngase vështroja një nënë sesi qeshte e e puthte djalin e saj. Mua mu kujtuan puthjet e nënës që aq shumë më mungonin, aq shumë më kishte marr malli që t’i ndjeja buzët e saj të njoma në faqet e mia. E vështroja një baba i cili bënte garë në vrapim me të birin e tij, derisa të hapeshin dyert e shkollës për tu futur brenda. Në atë çast mu kujtua babai, i cili luante me mua çdo lojë që unë ia kërkoja.
Erdhi koha për tu futur brenda. Dyert e shkollës u hapën. Të gjithë e dinim se tek cila mësuese jemi të regjistruar. Rreshtat për dy u bënë. U futëm në klasë dhe u ulëm të gjithë nëpër banka. Unë u ula në bankën e fundit, ngase të gjithë ishin me prindër dhe patën mundësi të uleshin ku të donin. Bëra përpjekje dy herë të ulesha në bankat e para, por një grua me të birin e saj më tha se këtu do të ulem unë. Ishte normale të ishin prezent prindërit ditën e parë të fillimit të shkollës, sepse ajo ditë ishte vetëm sa për t’u njoftuar me mësuesen. Megjithatë, pasi u rehatuam pak ca, mësuesja kërkoi nga prindërit që ta lironin klasën dhe të vazhdonim ne nxënësit një orë vetëm me mësuesen. Të gjithë prindërit përqafuan fëmijët e tyre dhe dolën përjashta. Mësuesja më vërejti që unë isha vetëm dhe mu afrua.
-Zemër, si e ke emrin?
-Agim.
-Ku i ke prindërit?
-Nuk i kam.
-Si nuk i ke? Ku janë ata?
-Më kanë vdekur.
Mësuesja u step dhe ngriu në këmbë pas asaj që ia thash.
-Oh, sa i bukur qenke! Më afro pak faqen.
U ngrita në këmbë dhe afrova faqen afër mësueses së kërrusur. Ajo më kapi për tëmtha dhe puthi butësisht të dyja faqet e mia. O Zot, sesi mu dukën ato buzë. Po t’i kisha sytë mbyllur, jam më se i bindur se, kisha menduar se ishin buzët e nënës. Sa më kishte marr malli për puthjet e saja! Kishin kaluar muaj pa u puthur faqet e mia nga buzë gruaje, se buzë burri po, ato ishin të xhaxhait. Ai më përqafonte gjithnjë.
-Eja me mua.
Duke më tërhequr lehtas për dore, mësuesja më uli në bankën e parë. Dhe që nga ajo ditë, kurrë nuk kam mbetur pa puthjet që i ngjasonin puthjeve të nënës.
5
I rrahur, i përbuzur, i ofenduar e poshtëruar jetova në shtëpinë e xhaxhait derisa mbusha njëzetenjë vjet. Përpos jetës sime edhe xhaxhait ia shkatërrova jetën. Asnjë ditë të vetme nuk ka kaluar pa përleshje, sharje, fyerje ndërmjet tij dhe gruas së tij. Leutrimi, fatkeqësisht ishte bërë narkoman. Isha i tmerruar kur mora lajmin për këtë gjë. Ai ishte njeriu më i mirë për mua pas xhaxhait. Djellëza ishte bërë punëtore e kafeneve të natës. Lindi, po ashtu më shumë qëndronte nëpër burgje, sesa në liri. Ai ishte bërë hajdut ordiner. Vajza e vogël e tyre, që tashmë i kishte mbushur të shtatëmbëdhjetat, më shumë flinte me njerëz të panjohur, sesa në shtëpinë e xhaxhait. Unë isha martuar dhe punoja. Edhe gruaja ime punonte. Jeta ime ishte bërë një jetë e lakmueshme për xhaxhain dhe gruan e tij. Jetën bashkëshortore e kishim të mbushur dashuri. Kuptimin e vërtetë të jetës me dashuri e kuptova vetëm pasi që isha martuar.
Xhaxhai ishte diagnostikuar me kancer. Gruaja e tij vuante nga diabeti dhe nga hipertensioni. Më dhimbsej në shpirt xhaxhai. Bëja krejt çka mundesha për të. Porsa kthehesha nga puna, gjënë e parë që e bëja, ishte vizita tek xhaxhai. E dërgoja në kontrolle mjekësore sa herë që ai kishte nevojë të shkonte. Sëmundja e kishte lodhur tej mase, andaj edhe pse shtëpitë i kishim thuajse të puthitura njërën për tjetrën, këmbëngula me insistim të pakontestueshëm që ta merrja në shtëpinë time. Ai nuk dëshironte që të vinte, ngase i vinte keq ta linte gruan e tij vetëm. Kur kërkova nga ai të vinte në shtëpinë time për përkujdesje, ai refuzoi duke thënë se nuk mundem ta lë vetëm gruan, por unë doja t’i merrja që të dy në shtëpinë time dhe të përkujdesesha për ta sikur për prindërit e mi.
-Edhe gruja jem?!
-Po, xhaxhi. Edhe atë du me marr në përkujdesje.
Xhaxhai filloi të qajë. Më kujtonte ditët se ç’më kishte bërë ajo. Më fliste për të. Më thoshte se, ajo nuk e meriton përkujdesjen tënde.
-Ajo për ty u kanë njeri ma i keq në botë, e tij po donë mu kujdes për ta!?
-Po, bre xhaxhi. Unë nuk bahem me mentë e tjetërkujt. Ajo ka ba çka ka ba, e pastë vetën në qaf.
I treguam edhe gruas së xhaxhait. Ajo për herë të parë filloi të më kërkonte falje. Kokën e mbante me shikim nga toka dhe lotët i piknin rrëke. Ashtu vazhdoi për rreth dy minuta.
-Ahaaa… nuk po iu ditka jetës! Mos bani çka t’ju vjen në kuti.
E penduar e e turpëruar u detyrua të vinte nën kujdesin tim.
Derisa kanë vdekur, jam kujdesur sikur për prindërit e mi. Shpeshherë më thoshin pse kujdesesh për njeriun që ta nxiu jetën, ndërsa unë iu përgjigjesha, ngase i mirë është ai që e kthen të keqen me të mirë e jo ai që hakmerret.
(Islampress)