I.
Ka thënë Imam Es Sujutiu: “Nëse të rriturit do t’i posedonin pesë cilësi të cilat i posedojnë fëmijët, do të bëheshin evlija.”
Fëmijët i posedojnë pesë cilësitë e mëposhtme:
1 • Nuk brengosen shumë për furnizimin,
2 • Nuk ankohen tek Krijuesi kur janë të sëmurë,
3 • Ushqehen bashkërisht,
4 • Kur të frikësohen, qajnë, dhe
5 • Kur grinden, shikojnë që të pajtohen sa më shpejt që të jetë e mundur.
II.
Halifi emevit Omer ibn Abdulazizi, i njohur më mirë si halifi e pestë i drejtë i muslimanëve, ia dërgoi Hasan el-Basriut një letër me këtë përmbajtje:
“Nga halifi Omer bin Abdulazizi, tek Hasan el-Basriu! Kërkoj nga ti që ta përmbledhësh dhe të ma përshkruash esencën e kësaj bote dhe të botës tjetër.”
Hasan el-Basriu, në përgjigjen e tij për halifin, shkroi:
“Kjo botë është ëndërr, ahireti është zhgjëndërr, kurse vdekja është gjendja në mes të ëndrrës dhe zhgjëndrrës. Ne jemi në ëndrra të ngatërruara, kush e bën llogari vetveten ka shpëtuar, ndërsa kush është i pakujdesshëm ndaj vetvetes është shkatërruar. Kush shikon në pasojat e veprave ka shpëtuar, ndërsa kush ju bindet pasioneve të tij është mashtruar. Kush mendon është në fitim, kush frikësohet (nga dënimi i Allahut) është i sigurt, kush reflekton (mëson) do të ketë njohuri, kush ka njohuri do të kuptojë, kush kupton, ai edhe di, ndërsa kush di, ai edhe vepron sipas asaj që di. Kur të rrëshqasësh (kur të bësh mëkat) kthehu, kur të pendohesh hiq dorë nga mëkati, kur nuk di pyet, kur të zemërohesh përmbahu.”
III.
Tri vepra, për shkak të madhësisë dhe rëndësisë së tyre, në Ditën e Gjykimit që do të jenë të shpërblyera pa llogari. Ato janë:
1. Falja e njerëzve
Për këtë vepër të mirë shpërblimi është i pakufishëm dhe Allahu për të jep shpërblim të veçantë, siç thuhet në ajet: “Dënimi i së keqes është gjegjës me atë të keqe, e kush falë dhe pajton, shpërblimi i tij është te Allahu. Ai, në të vërtetë, nuk i don zullumqarët.” (esh-Shura, 40)
2. Durimi (sabri)
Allahu i Plotfuqishëm në Kuran ka shpallur: “Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë.” (ez-Zumer, 10)
3. Agjërimi
Pejgamberi (savs) ka thënë: Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo punë e birit të Ademit është për të përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” { Muslimi me nr. 1151}.
Prandaj, le t’ua falim njerëzve, le të jemi të durueshëm dhe le të agjërojmë, në mënyrë që në botën tjetër të shpërblehemi pa masë.
Përktheu: Miftar Ajdini
(Islampress)