Fenomeni Abazoviq është model europian i kërkuar me dekada nga ndërkombëtarët për Ballkan. Por, Perëndimi investonte dhe priste që ky fenomen të ndodhë me klasën politike serbe, por shih paradokset e Ballkanit: doli nga populli me traditën më të pakët demokratike në Ballkan (shqiptarët) dhe atë në vendin ku janë komuniteti më i vogël (Mal të Zi).
Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë
Në Budvë të Malit të Zi, para 7-8 vitesh, ndodheshim në një dialog joformal me zyrtarët e Serbisë. Nga Kosova ishim unë, Ardian Gjini, Ilir Deda, Azem Vllasi, Peter Faith e Samuel Zhbogar. Ashtu siç ishim të ulur të 6-tit, para se të fillonte tryeza, një djalosh plot energji, mori leje dhe afroi një karrige që të ulej mes meje e AzemVllasit. Më bëri përshtypje kurajoja e tij për t’u ulur pranë AzemVllasit pa asnjë teklif, kur pjesëmarrësit e tjerë ishin të ndrojtur që t’i afroheshin, thjesht për shkak të moshës, reputacionit dhe funksioneve që kishte pasur në të kaluarën AzemVllasi. Ky djalosh u fut në mes sikur të ishim miq të vjetër, por që e kishim harruar njëri-tjetrin. Nxori vizitkartat nga xhepi dhe na afroi neve që ishim pran. Në vizitkartë shkruante: Dritan Abazović.
E pyeta për studimet se ku i kishte mbaruar (shkencat politike në Sarajevë) dhe se me çka po merrej aktualisht. Derisa po më tregonte për projektin e tij politik tejet ambicioz, AzemVllasit i shkonte buza në gaz në kuptimin se çfarë naivi na qenkësh ky kaçurrel kur vëllazërim-bashkimi ka vdekur së bashku me Titon dhe se tani politika në Ballkan funksionon vetëm në baza etnike.
Azem Vllasi e kishte harruar fare Dritanin kur disa vite më vonë Dritani doli në skenën politike të Malit të Zi. Për më tepër, tani që forca politike e Dritanit kishte fituar 4 deputetë në Parlamentin prej 81 deputetësh, Dritani po i futej një loje politike akoma edhe më riskante. Po i paraqitej mundësia të bëhej kryeministër, por ai nuk pranon t’i thyejë parimet e normat morale. Ai pranon të bëjë koalicion me forcat proserbe në Mal të Zi dhe ta bëjë kryeministër Zdravko Krivokapiqin, duke ndalur për vete vetëm postin e ministrit të Brendshëm e zëvendëskryeministrit. Veproi mu ashtu si Ahmet Zogu në Kongresin e Lushnjës, ku edhe pse e kishte situatën tërësisht në duart e vet,a nuk nxitohej të bëhej vet kryeministër, por e bëri kryeministër një politikan të moshuar: Sulejman Delvinën. Njëjtë pat vepruar edhe Xhafer Deva më 1943, kur u bë vetëm ministër i Brendshëm , kurse kryeministër e bëri Rexhep Mitrovicën.
Pra, Dritani po ndiqte hapat e dy nga politikanëve më të zotë në historinë e shtetit shqiptar: Ahmet Zogut e Xhafer Devës. Por, rrezikun që po e merrte mbi vete ishte qindra fish më i madh sesa në rastin e Ahmet Zogut ose Xhafer Devës. Sidomos në Kosovë, sharjet e mallkimet për Dritanin nuk pushuan derisa Dritani i dogji keq forcat prserbe në Mal të Zi dhe u bë kryeministër.
Në ndërkohë, përmes këtyre forcave proserbe në Mal të Zi, Dritani po bënte spastrimet e duhura në institucionet e korruptuara të Malit të Zi. Pasi e pastroi mirë e mirë terrenin, iu kthye koalicionit me Gjukanoviqin, por tashmë në një situatë të ndryshuar shumë më të favorshme për Dritanin dhe partinë e tij. Pra, bëri të njëjtën gjë sikur edhe Ahmet Zogu, kur përmes klikës antigegë të Eshref Frashërit i eliminoi rivalët veriorë e më pas shkatërroi edhe vetë klikën që e solli në pushtet e u bë vetë mbret.
Por, të gjitha këto Dritani i arriti në një vend ku komuniteti i tij etnik është një pakicë e papërfillshme. Për më tepër, komuniteti shumicë në Mal të Zi ka ushqyer një urrejtje shekullore ndaj komunitetit etnik të cilit i takon Dritani. Ky fakt e bënë suksesin politik të Dritanit akoma më brilant. Sigurisht, këtë sukses ia kanë mundësuar inteligjenca, retorika elokuente, karizma, arsimimi i mirë, energjia e madhe dhe, mbi të gjitha, guximi i pashoq.
Ajo çfarë është akoma më impresionuese është se fenomeni Abazoviq është model europian i kërkuar me dekada nga ndërkombëtarët për Ballkan. Por, Perëndimi investonte dhe priste që ky fenomen të ndodhë me klasën politike serbe, por shih paradokset e Ballkanit: doli nga populli me traditën më të pakët demokratike në Ballkan (shqiptarët) dhe atë në vendin ku janë komuniteti më i vogël (Mal të Zi).
Që të dominosh Ballkanin kushti i parë është të sundosh serbët. E këtë e kanë bërë vetëm ata që kanë luajtur rol botëror: Hitleri e Tito. Hitleri, duke i poshtëruar përmes forcës brutale të armëve më moderne, ndërsa Tito duke u bërë bartës i politikës serbe me traditë njëshekullore.
Dritan Abazoviqi i mundi serbët jo me forcën brutale të armëve si Hitleri, e as duke u bërë bartës i politikës së tyre si Tito, por duke e sfiduar politikën serbe me mjeshtri diplomatike.
Për të finalizuar suksesin e tij, Dritanit i duhet vetëm edhe një hap: qeverisja e suksesshme në Mal të Zi. Në politikën e jashtme ai ka dyert e hapura për vetë qasjen e tij programatike, por edhe për shkak se Mali i Zi si vend, tradicionalisht, ka bërë politikë të jashtme të suksesshme. Në politikën e brendshme i duhet zhvillim ekonomik, kulturor, arsimor e shëndetësor dhe pa afera korruptive. Nëse e arrin këtë, atëherë ai do të jetë model për krejt Ballkanin dhe pjesët e tjera të botës.
Për Shqipërinë, Kosovën e Maqedoninë e Veriiut fenomeni Dritan Abazoviq ka karakter emancipues. Sapo u zgjodh kryeministër dhe atë kryeministër i një vendi të krishterë ortodoks, shkoi me u fal në xhami për Bajram. Me ketë ai i poshtëroi të gjithë politikanët e Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë së Veriut, që nuk e kanë një guxim të tillë, edhe pse votuesit e tyre janë shumicë absolute myslimane. U tregoi se nuk bëhet kiameti nëse kryeministri shkon me u falë në xhami për Bajram. Natyrisht, problemi i vajtjes në xhami të politikanëve shqiptarë as nuk është i vetmi e as më i madhi, por tregon se çfarë tabush banale kanë klasat politike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë të Veriut.
Dritan Abazoviq është emancipues sidomos për klasën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku integrimi dhe krijimi i raporteve të mira me popullsinë maqedone është një domosdoshmëri për zhvillim e mirëqenie.
Lidershipi politik i Shqipërisë e, veçmas, ai i Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm në raport me Dritanin për pozicionin e tij politik akoma delikat në Mal të Zi. Nuk është interes kombëtar as i Shqipërisë e as i Kosovës që të dëmtohet në çfarëdo forme pozicioni politik i Dritan Abazoviqit. Por, kjo gjë edhe mund të ndodhë, jo për interes kombëtar të Shqipërisë ose për interes kombëtar të Kosovës, por thjesht për shkak të xhelozive personale të liderëve politikë të vendeve tona. /shenja/mesazhi/