Të Fundit
Shkaqet e shkatërrimit të popujve

Shkaqet e shkatërrimit të popujve

Kurani Famëlartë, në shumë nga ajetet e tij, ka theksuar se popujt nuk ngrihen apo zhduken rastësisht, por sipas ligjeve të pandryshueshme hyjnore. Ai u ka tërhequr vëmendjen njerëzve të mençur mbi shkaqet që çojnë në shkatërrimin dhe zhdukjen e popujve, edhe nëse këto popuj janë të zhvilluara. Disa nga këto shkaqe janë:

1 – Mohimi i argumenteve të Allahut dhe kundërshtimi i të dërguarve të Tij.

2 – Ndjekja e urdhrave të tiranëve dhe atyre që përhapin korrupsion në tokë, siç vepruan Adi dhe Themudi.

3 – Krenaria me dijen materiale dhe shpërfillja e shpalljes hyjnore, siç përmendet në fund të sures Gafir.

4 – Mashtrimi me forcën materiale dhe pasurinë financiare, dhe pakujdesia ndaj dënimit të Allahut, siç bënë Faraoni dhe Karuni.

5 – Padrejtësia dhe shkelja pa të drejtë, veçanërisht ndaj të varfërve dhe të shtypurve, siç vepruan banorët e Medjenit, populli i Shuajbit.

6 – Kryerja e imoralitetit dhe ndjekja e epsheve, siç vepruan njerëzit e Lutit.

7 – Përhapja e së keqes në tokë, shfaqja e hapur e mëkateve dhe mospengimi i njëri-tjetrit nga të këqijat, siç bënë Benu Israilët: “Ata nuk e ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që bënin”[1]

8 – Mohimi i mirësive të Allahut dhe mosfalënderimi për to, madje përdorimi i tyre në mëkate:
“Ata mohuan dhuntitë e Allahut, prandaj Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën për shkak të asaj që vepruan”[2]

9 – Jetesa në luks dhe mendjemadhësia: “Sa shumë qytete kemi shkatërruar, banorët e të cilave ishin të shfrenuar në jetesën e tyre”[3]

Çdonjëra nga këto mëkate është e mjaftueshme për të sjellë ndëshkimin e Allahut, që nuk i shmanget popujve të këqij.

Po çfarë ndodh kur disa prej tyre bashkohen në një popull apo shoqëri?

Kush vështron civilizimin që mbizotëron sot në botë, e sheh se ai ka marrë një pjesë të madhe apo të vogël, nga qytetërimet e mëparshme të shkatërruara dhe devijimet e tyre në besim, ideologji dhe sjellje. Prandaj, nuk është për t’u çuditur që ajo të frikësohet nga një ndëshkim i ngjashëm si ai që i ka goditur ata më parë, siç thotë Allahu: “Dhe ju u vendosët në shtëpitë e atyre që i bënë padrejtësi vetes, dhe ju është bërë e qartë se si vepruam me ta, dhe Ne ju dhamë shembuj. Ata kurdisën kurthet e tyre, por kurthi i tyre është i njohur për Allahun, edhe nëse do të ishte aq i fuqishëm sa të lëkundte malet.”[4]

Autor: Jusuf Kardavi

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Maide: 79.

[2] – Sure Nahl: 112.

[3] – Sure Kasas: 58.

[4] – Sure Ibrahim: 45 – 46.