Të Fundit
Urrejtja

Urrejtja

Të urresh një person të caktuar nuk është nga tiparet e besimtarit, ashtu siç nuk përkon me natyrën e pastër të njeriut. Në fakt, urrejtja e orientuar tek një person është një sëmundje e zemrës. Thotë profeti Muhamed a.s:”Bëni kujdes me urrejtjen, sepse ajo është brisk. Nuk është brisk që rruan flokët, por është brisk që rruan fenë.”

Origjina dhe baza e emocioneve njerëzore e cila është obligim për çdo besimtar, është dashuria. Po, dashuri për të gjithë, pavarësisht pamjes, ngjyrës, racës, fesë dhe besimit. Çdo njeri jeton falë asaj fryrjeje hyjnore. Babai ynë është Ademi a.s dhe nëna është Havaja.

Nga ana tjetër, besimtari është i urdhëruar ti urrejë veprat e liga.

Kështu, dashuria për njeriun nga njëra anë dhe urrejtja për veprat e liga nga ana tjetër, e bën besimtarin që të interesohet maksimalisht për udhëzimin e tjetrit, njëlloj si doktori i cili nuk ka interes tjetër përveç ndihmës ndaj të sëmurit që të shërohet. Doktori e urren sëmundjen nga e  cila vuan pacienti i tij, gjë e cila e motivon atë që ti qëndrojë pranë, ti dhimbset, ta ketë merak trajtimin e tij dhe ti shtrijë dorën e ndihmës.

Sipas studimeve më të fundit, shkencëtarët britanikë kanë arritur të zbulojnë vatrat të cilat aktivizohen në tru gjatë emocionit të urrejtjes. Rezultatet ishin si më poshtë:

Kur njeriu i shmanget një personi që e urren, në tru ndodhin reaksione të pritura, si për shembull aktivizimi i zonave të agresivitetit. Ajo që nuk pritej ishte se paralelisht aktivizoheshin vatrat e gjykimit dhe planifikimit.

Në shumë studime të tjera u zbulua ndikimi shkatërrues i urrejtjes ndaj shëndetit fizik në afat të shkurtër dhe të gjatë, si tensione nervore, ngritje të tensionit të gjakut, aritmi zemre, aciditet të stomakut, dobësim të imunitetit, stres kronik, çrregullime të gjumit dhe shumë sëmundje të tjera të rrezikshme, të cilat arrijnë gjer në vdekje.

Në një studim të doktor David Suxhuki, u koleksionuan kampione grimcash nga frymënxjerrja e një personi në gjendje urrejtjeje. Ai zbuloi se frymënxjerrja e tij përmbante lëndë toksike dhe se nëse këto lëndë koleksionoheshin për një orë, do të mjaftonin për vrasjen e tetëdhjetë kafshësh eksperimentale.

Urrejtja është një energji negative që tërheq çdo gjë tjetër negative. Frika dhe zemërimi përfaqësojnë rrezet infra të kuqe, kurse dashuria e pakushtëzuar përfaqëson rrezet ultraviolet. Rryma elektrike që lind nga çdo emocion, përcillet nëpërmjet aparatit nervor dhe nxit prodhimin e neuropeptideve, të cilat dërgojnë mesazhe kimike në të gjithë trupin dhe krijojnë reagimin fiziologjik të tij.

Lumturia, gëzimi dhe e qeshura, nxisin prodhimin e indorfinës e cila e bën njeriun të ndihet mirë, i përmirëson humorin, i relakson muskujt, i forcon imunitetin dhe redukton dhimbjet.

Nga ana tjetër, emocionet e frikës, tensionimit, ankthit dhe urrejtjes, nxisin prodhimin e hormonit të adrenalinës, i cili në afat të shkurtër shkton zgjerim në enët e gjakut, rritje të rrahjeve të zemrës, rritje të tensionit të gjakut, shpejton frymëmarrjen, kontraktim të muskujve. Sakaq, ndikimi i tij në afat të gjatë, është në dhimbjet kronike në të gjithë trupin, çrregullim të aparatit tretës, infeksione dhe humbje të energjisë së trupit.

Emocionet negative, me në krye urrejtjen, e cila ka nivelin më të lartë të frekuencave elektrike dhe sekrecione kimike, e godet trupin e njeriut si një shok elektrik, duke penguar dinamikën e energjisë normale të trupit.

Të urresh një njeri me këto përmasa është haram në islam. Prandaj secili prej nesh duhet të bëjë çmos që të distancohet nga ky emocion, pasi ai shkatërron vetë personin që urren si fizikisht, mendërisht dhe shpirtërisht, para se të dëmtojë personin ndaj të cilit adresohet urrejtja.

Urrejtja është si kancer, të gërryen nga brenda.

Është e pamundur që ta shkulësh urrejtjen nga zemra, pa e zëvendësuar me diçka tjetër. Vetëm një gjë e vetme është ajo që mund ta shkulë urrejtjen nga zemra jote dhe kjo është dashuria. Po, dashuria e cila përkon me natyrën e njeriut, dashuria që e do dhe Zoti.

Dr Velid Fetihij

Përktheu: Elmaz Fida