KUSHTETUTA HISTORIKE E MEDINËS
Abdullah KLINAKU
Rrethanat historike
Profeti Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], që nga mosha dyzet vjeçare kur iu bë i obligueshëm transmetimi i shpalljes hyjnore, vazhdimisht punoi që atë ta përhap ndër njerëz. Shpallja me të cilën u obligua ai ishte Islami, i cili pas plot 23 vjetëve do të merr formën e fesë universale që rregullon jetën dhe veprimtarinë e njeriut, duke filluar nga ajo individuale, familjare, shoqërore, shtetërore, e deri te rregullimi i marrëdhënieve ndërkombëtare. Për të marrë formën e duhur kjo fe, Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] iu nevojit një periudhë 23 vjeçare e thirrjes në të. Kjo periudhë është e ndarë në dy epoka kryesore: e para, mekase, gjegjësisht periudha përderisa Pejgamberi bëri thirrje në Mekë, e cila përshin 13 vjet; dhe e dyta, periudha medinase, e cila përfshin 10 vjet të qëndrimit të tij në Medine që nga emigrimi, periudhë kjo e cila mund të quhet edhe koha e ndërtimit të shtetit islam. Gjatë periudhës së parë, mekase, All-llahu i Madhërishëm i zbriti normat që kishin të bëjnë me ngritjen dhe formimin shpirtëror e organizativ në nivel vëllazëror. Gjatë kësaj periudhe, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ishte pejgamber që thërriste në besim të pastër në All-llahun dhe në vëllazërim mes muslimanëve. Mbi këto dy parime u ndërtua ajo elitë njerëzish e cila për një moment të caktuar do të ndërtonte shtetin islam mbi supet e saj, shtet ky i cili do të shndërrohet në një perandori shprese, besimi, shpëtimi dhe gëzimi.
Pas përpjekjeve 13 vjeçare të thirrjes në Mekë, pas mundit dhe persekutimeve të mëdha, All-llahu i Madhërishëm e mësoi dhe urdhëroi Muhammedin [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] që të emigrojë në Medinë (Jethribin e atëhershëm). Migrimi i tij, i njohur si Hixhret, ka një rëndësi shumë të madhe në histori, për shkak të bërjes së shtetit islam. Kurse shteti, sipas teorisë juridike, politike dhe sociale, konsiderohet si e arritura më e madhe e njerëzimit.
Meqë një shtet nuk mund të ekzistojë pa tre elemente substanciale: territorin, popullsinë dhe pushtetin, elemente këto pothuajse të pamundura të krijohen në formën e duhur në Mekë, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], si njeri i mrekullive në shkencat natyrore dhe sociale, e kuptoi qartë se ka nevojë për një vend të populluar me shumicë muslimane ku do ta vendos ligjin me pushtetin islam.
Me shkuarjen në Medine në vitin 622 miladij (viti 1 Hixhrij), Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] filloi t’i korrë frytet e punës së vet dhe shokëve të tij, të filluar qysh 13 vite më parë. Apo, thënë më mirë, ai erdhi në Medine për të vendosur kulmin e një themeli të ndërtuar në Mekë për 13 vjet. Një themeli të ndërtuar mbi besimin në All-llahun e Madhërishëm, mbi vëllazërinë dhe dashurinë mes muslimanëve. Fillimisht, më të arritur në Medine, Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ndërtoi xhaminë, bëri vëllazërimin e muslimanëve vendas dhe emigrantë, e pastaj filloi me nxjerrjen e akteve të cilat do të bënin afrimin dhe sigurimin e pakicave fetare dhe kombëtare në shtetin islam. Kjo u bë me aktin juridik të quajtur “Kushtetuta e Medinës”.
Struktura e popullsisë së Medinës
Gjatë kësaj kohe në Medine jetonin muslimanët që kishin emigruar nga Meka, e të cilët quheshin muhaxhirë-emigrantë; muslimanët nga Medina, që quheshin ensarë-ndihmëtarë; hebrenjtë, të cilët ishin të ndarë në dy fise kryesore; si dhe disa grupe të vogla paganësh. Kjo strukturë njerëzish përveç që ndahej sipas fesë, ndahej edhe sipas prejardhjes etnike, si arabë, persë, çifutë, kurse edhe këto etni sërish ndaheshin në fise. Tërë kjo nënkupton se Medina ishte një vend me popullsi të shumëllojshme, por që shumica dërrmuese e tyre ishin muslimanë. E tërë kjo shumëllojshmëri do të reflektohet në momentin e nxjerrjes se Kushtetutës se këtij qytet-shteti.
Struktura e Kushtetutës së Medinës
Kushtetuta e Medinës është ruajtur si dokument në origjinalitetin e saj dhe është përcjellë si e tillë nëpër gjenerata. Ajo ka pasur fatin që të përkthehet edhe në shumë gjuhë të botës, përfshirë edhe gjuhën shqipe. Kushtetuta e Medinës është e përcjellë te disa dijetarë dhe autorë të ndryshëm duke pasur ndryshime në nene (në kuptimin numerativ). Për shembull, në disa libra përmenden 47 nene, në disa 52 sosh, kurse në disa tjera 72 nene. Arsyeja përse ka lëvizje të numrit të neneve qëndron në faktin se disa autorë kanë bërë bashkimin e disa neneve për shkak të ngjashmërisë që kanë pasur ata. Megjithatë, thelbi i kësaj Kushtetute nuk ndryshon dhe kundërshtim në parime aty nuk ka.
Kushtetuta e Medinës është e ndarë në katër pjesë. Ajo fillon me emrin e All-llahut të Madhërishëm, e pastaj tregon se midis kujt është lidhur kjo Marrëveshje. Kjo pjesë trajtohet si preambulë:
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit
Ky është akt i Pejgamberit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], i lidhur ndërmjet besimtarëve muslimanë kurejshë dhe banorëve të Jethribit, si dhe pasuesve që u bashkëngjiten dhe luftojnë bashkë me ta.
(Ismaili, H., Burime të Zgjedhura Juridike I, Prishtinë, 2001, Fakulteti Juridik)
Çështje krahasimore mes Kushtetutës së Medinës dhe disa dokumenteve juridiko-historike
Duke u bazuar në atë se njerëzimi vazhdimisht ka organizuar jetën dhe marrëdhëniet shoqërore sipas kapaciteteve dhe njohurive të tij, e kuptojmë edhe faktin se sundimtarët vazhdimisht kanë nxjerrë akte me të cilët i kanë vendosur rregullat e shoqërisë. Kjo mënyrë e organizimit hierarkik është formë më e avancuar se anarkia në shoqëri. Megjithatë, format e hierarkisë që i kanë vendosur sundimtarët shpesh herë kanë qenë më të dëmshme se sa çfarëdo formë e anarkisë, sepse kanë vendosur rregulla anormale, madje edhe shfarosëse, vetëm e vetëm për të ruajtur pozicionet e tyre në shoqëri. Për t’ju imponuar shoqërisë, sundimtarët kanë vendosur dokumente juridike dhe me këtë kanë vendosur rregulla për shoqërinë. Nga shumë dokumente të nxjerra në histori, disa janë më të njohura, të ruajtura në origjinalitetin e tyre, kurse shumë prej tyre edhe janë shkatërruar dhe humbur. Një nga dokumentet e rëndësishme që njohim edhe sot, është ky dokument juridiko-historik që po e emërtojmë si Kushtetuta e Medinës.
Meqë këtë dokument po e trajtojmë si të veçantë, duhet tërheqim edhe vijën e krahasimit mes tij dhe disa dokumenteve tjera, ndër më të njohurat juridiko-historike. Qëllimi i krahasimit është se, Kushtetuta e Medinës është dokument i veçantë nga të tjerat dokumente klasike. Dallimet me këto dokumente janë si në aspektin procedural, material, përmbajtjesor, ashtu edhe në atë historik.
Kushtetuta e Medinës dhe Kodi i Hamurabit (1694 para erës së re)
Kushtetuta e Medinës është hartuar nga sundimtari-burrështetasi Muhammed [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] dhe ka marrë pëlqimin e popullit, qoftë musliman ose jo. Rreth këtij dokument janë pajtuar muslimanët nga Meka, muslimanët nga Medina, fiset herreje, si dhe fise tjera me prejardhje perse apo arabe, e të cilët ishin paganë. Po ashtu, rreth këtij dokumenti ishin të bashkuar të varfrit dhe të pasurit, pushtetarët dhe të sunduarit. Madje nga të gjithë këta u dha verdikti rreth këtij dokumenti. Ata ishin të bashkuar si ummet rreth një dokumenti që ishte propozuar nga udhëheqësi i këtij vendi, i cili kishte edhe fuqinë e ekzekutimit të sanksioneve, edhe ruajtjen e ligjshmërisë në vend.
Për sa i përket të drejtave dhe detyrimeve bazike, ato mund t’i përmbledhim në atë se ky dokument: sanksionon barazinë formale, para gjyqit dhe ligjit të gjithë janë të barabartë; ka njohur të drejtën e fesë dhe lejon edhe organizimin jetësor të hebrenjve sipas ligjit të tyre; njeh edhe të drejtën e çdo grupi social në Medine, i ndarë në vija fetare, që të organizojë tregun sipas ligjit të tyre; bartë të drejtën për gjykim nga individi në institucionin shtetëror etj.
Kodi i Hamurabit është nxjerr nga sundimtari dhe i është imponuar popullit të tij. Sipas të dhënave, Hamurabi, sundimtar i Babilonisë, ka pretenduar se është sundimtarë me veti hyjnore. Ligji i tij është i domosdoshëm për zbatim dhe i detyrueshëm pa konsultim paraprak. Hamurabi ka pretenduar se këto ligje ia kanë sjell hyjnitë dhe e kanë obliguar atë që ta transmetojë. Madje Hamurabi, në pjesën e prologut, i mallkon ata që nuk e respektojnë këtë kod sa është gjallë ky dhe pas vdekjes së tij. Kjo është nga aspekti procedural. Ndërsa sa i përket anës përmbajtjesore, ky kod ka ligjëruar pabarazinë formale juridike, para ligjit nuk kanë qenë gjithë të barabartë, nuk ka njohur lirinë fetare, nuk ka bërë rregullimin dhe nuk ka njohur të drejtën për treg dhe ekonomi etj. Kodi i Hamurabit ka karakter të hapur klasor, sepse mbron pabarazinë formale juridike. Personave që u përkasin klasave dhe shtresave të ndryshme shoqërore, për të njëjtin delikt, u parasheh dënime të ndryshme, përkatësisht parasheh mbrojtje të ndryshme juridiko-penale. (Ismaili, H., Burime të Zgjedhura Juridike I, Prishtinë, 2001, Fakulteti Juridik)
Karta e Medinës dhe kushtetuta e Athinës e hartuar nga Aristoteli, si dhe shkrimet e Konfuqios me karakter juridik
Sa i përket krahasimit mes Kushtetutës së Medinës dhe këtyre dokumenteve, dallimi substancial është ai procedural dhe material. Siç thamë edhe më parë, Kushtetuta e Medinës ishte bërë nga burrë-shtetasi i cili kishte fuqinë e marrjes së vendimit dhe ekzekutimit të tij, si dhe posedonte mekanizma për ruajtjen e ligjshmërisë. Ndërkaq, dokumentet e Konfuqios dhe kushtetuta e Athinës janë dokumente të shkruara nga filozofë pa fuqi ekzekutive në shtet. Idetë e tyre kanë qenë alternativa të mundshme, por jo edhe të ekzekutueshme, mendimet e tyre kanë pasuruar mendimin juridik dhe politik, por nuk kanë sjell ekzekutime të tyre në praktike. Madje, për Kushtetutën e Athinës thuhet nga shumë studiues se është vetëm një përshkrim i qytetit të Athinës (Hamidullah, M. Muhammed s.a.v.s 1977, fq, 174).
Kushtetuta e Medinës dhe Magna Carta Libertatum (1215)
Magna Carta Libertatum njihet si një dokument tejet i rëndësishëm historiko-juridik. Madje, shumica e teoricienëve perëndimorë e cilësojnë si akti më i rëndësishëm juridik. Magna Carta Libertatum është një akt shtetëror-juridik në Angli, i lëshuar më 15 qershor 1215 nga mbreti John LackLand, me të cilin rregullohen kryesisht marrëdhëniet e kishës së feudalëve dhe mbretit (Ismaili, H. Burime të zgjedhura juridike historike, Prishtinë 2001, fq.99).
Ndërkaq, Kushtetuta e Medinës nuk njeh klasa të tilla, ajo nuk rregullon pozitën e burrështetasit dhe grupeve të interesit në Medinë, por rregullon marrëdhënien e shëndoshë midis pushtetit dhe popullit, mes grupeve të ndryshme fetare që jetonin aty, si dhe veprimtari tjera që kanë interes të përgjithshëm për shoqërinë.
Karta e Medinës dhe kushtetutat bashkëkohore
Disa kushtetuta bashkëkohore, të njohura si kushtetuta demokratike, përmbajnë elemente të përbashkëta me Kushtetutën e Medinës. Ndër to veçojmë: parimin për barazi para ligjit, synimin që më kushtetutë të arrihet paqja dhe mirëqenia mes popullit të vendit, sigurimin dhe luftën për vendin në rast rrezikimi nga armiku, bartjen e çështjeve të drejtësisë nga duart e popullit në pushtet, fondin e sigurimit shtetëror etj.
Megjithatë, Kushtetuta e Medinës shquhet shumë më tepër për të drejtat fetare. Hebrenjtë i gëzuan të gjitha të drejtat fetare, ata kishin të drejtë të organizonin jetën mbi ligjin e tyre, por pa cenuar interesin e shtetit islam. Ata kishin të drejtë të organizonin edhe ekonominë në mënyrë të pavarur nga muslimanët (kishin tregun e tyre). Në lidhje më këtë shih:
Neni 17. Është detyrë e të gjithë muslimanëve të ndihmojnë dhe t’u ofrojnë sjellje miqësore çifutëve të cilët kanë hyrë në marrëveshje me ta. Asnjë shtrëngim i çfarëdo lloji qoftë nuk duhet ushtruar mbi ta dhe nuk duhen ndihmuar armiqtë e tyre kundër tyre.
Neni 27. Çifutët e fisit Benu Auf, që janë palë e kësaj marrëveshjeje dhe janë përkrahës të muslimanëve, duhet t’i përmbahen me vendosmëri fesë së tyre, kurse muslimanët së vetes. Përveç çështjeve fetare, muslimanët dhe çifutët duhet të konsiderohen se i përkasin një grupi të vetëm. Nëse ndonjë prej tyre kryen shkelje brutale, ose thyen betimin, ose është fajtor për ndonjë krim, ai meriton të ndëshkohet për krimin e tij (Këto të drejta vlejnë për të gjitha fiset çifute në Medinë, dhe si të tilla janë të cekura në Kushtetutën e Medinës).
Rregullimi i shtetit të Medinës në bazë të kësaj Kushtetute
1. Fillon me emrin e All-llahut;
2. Cilëson se midis kujt dhe cilave fise lidhet marrëveshja;
3. Citon se të gjithë pjesëmarrësit në këtë marrëveshje përbëjnë popullin e Medinës pa përjashtim (trajtohen si një Ummet);
4. Medina themelohet si bashkësi fetare, territoriale dhe politike;
5. Banorët e saj janë muslimanët e larguar nga Meka, muslimanët e Medinës dhe jo muslimanët (hebrenjtë dhe paganët), si dhe të gjithë ata që e pranojnë pushtetin qendror të Islamit;
6. Të gjithë shtetasit, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, janë të barabartë;
7. Ndalohet hakmarrja dhe derdhja e gjakut mes banorëve;
8. Çështjet e drejtësisë mbesin kompetencë e pushtetit;
9. Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] njihet si kryetar i këtij shteti;
10. Formohet Fondi i sigurimit shoqëror për blerjen e shtetasve të vet që ziheshin robër të luftës dhe për pagesën e çmimit të gjakut;
11. Ndalohet tirania në çdo formë dhe u ndalohet të gjithëve që ta fshehin kriminelin;
12. Mes banorëve të Medinës duhet të mbizotërojë paqja, toleranca dhe ndihma reciproke;
13. Nuk i lejohet asnjë personi të lidhë marrëveshje më ndonjë shtet apo t’i shpallë luftë pa qenë kompetent. Kjo e drejtë i takon vetëm pushtetit;
14. Zbatimin e kësaj kushtetute e garanton All-llahu Fuqiplotë dhe Pejgamberi i Tij;
15. Në rast të ndonjë mosmarrëveshje, njerëzit duhet t’i drejtohen Librit të All-llahut dhe Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].
Ky ishte një informim shumë i shkurtër për Kushtetutën e Medinës, por që tregon se si Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] ka rregulluar shtetin dhe të drejtat e shtetasve të tij në formë bazike.
Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] i ka dhënë botës shumë, ia ka përcjelle mesazhin e All-llahut, ia ka mësua tolerancën, paqen, respektin, lirinë shpirtërore dhe fizike. E, si po ia kthen bota atij tërë këtë mirësi, paqja dhe bekimi i All-llahut qoftë mbi të?
Fatkeqësisht, bota sot nuk di ta çmojë dhe ta ruajë Thesarin e tij, ta kultivojë tolerancën që ai mbolli, ta ruajë paqen që ai vendosi. Pejgamberi i njerëzimit na ka mësuar të mos urrejmë askënd, na ka mësuar t’i duam dhe t’i besojmë të gjithë pejgamberët, si dhe të vendosemi në mbrojtjen e tyre kur ata sulmohen. Është turp i madh për disa vende të botës që sot nxisin urrejtje ndaj Pejgamberit të njerëzimit.
Në lidhje me Kushtetutën e Medinës, si muslimanë të vendeve tona, e kemi për obligim të punojmë dhe tregojmë rreth sqarimit dhe afirmimit të saj, e madje edhe të insistojmë që në librat shkollorë, të shkollave fillore, të mesme apo universitare, të citohet qartë se kushtetuta e parë në botë është Kushtetuta e Medinës. Kjo duhet të mësohet nga aspekti teorik-shkencor dhe të merren parime bazë nga kjo kushtetutë për hartimin e kushtetutave të reja.