Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*
Perëndimi, që nuk po mund të fitojë mjaftueshëm nga proceset e globalizimit, a po heq dorë nga globalizimi? A po kthehet përsëri në epokën e shtet-kombeve? Njeriu që jeton vetëm si pasojë e shpërbërjes së familjes me modernizmin dhe erozionin e vlerave, a shpërbëhet edhe më shumë? A do të sjellin punimet e inteligjencës artificiale fundin e njerëzimit? Në periudhën në vijim, a do të transferohen përleshjet nga rruzulli tokësor në hapësirë? Çfarë ndodh pas globalizimit? Për ku po evoluon bota dhe si mund të emërtohet periudha në të cilën jetojmë?
Në shkencat sociale, periudhë pas periudhe, zhvillohen teori se në çfarë bote jemi duke evoluar. Mbi këto teori shtjellohen analiza për të kuptuar më mirë të ardhmen. Këto teori mund të mos jenë gjithmonë të pafajshme dhe mund të mos zhvillohen vetvetiu. Gjithashtu mund të mos zotërojnë fuqinë e shpjegimit të tyre në çdo fushë. Edhe nëse ndeshen me kritika në mënyra të ndryshme, ato prapëseprapë lindin nga një nevojë dhe për këtë arsye zotërojnë fuqinë e një shpjegimi të caktuar.
Edhe pse kanë një shpjegim të caktuar, shpejtësia në të cilën ka arritur njerëzimi, e ka shkurtuar ndjeshëm periudhën e përdorimit të këtyre teorive. Zhvillimet në teknologjinë e komunikacionit dhe informatikës kanë ndryshuar rrënjësisht psikologjinë e njeriut dhe nocionin e kohës. Ajo që dua të them, në mënyrë që të kuptohet më mirë, është e mjaftueshme të kujtojmë se me sa shpejtësi u konsuamuan teoritë e gjysmëshekullit e fundit, të cilat dukeshin shumë bindëse dhe ngjallnin entuziazëm në atë kohë.
Kur në vitet 1950 nga ana e Daniel Bell u shpall “Fundi i ideologjisë”, kjo tezë nuk kishte ngjallur një jehonë të gjerë. Më pas Paul Virillo shpalli fundin e gjeografisë (hapësirës gjeografike). Kur në vitin 1992 Francis Fukuyama shpalli “Fundin e historisë”, ngjalli më shumë interes se sa teza e Daniel Bell. Teza e Huntingtonit, e publikuar në vitin 1993, “Përplasja e qytetërimeve”, që i referohet civilizimit “individual” të Perëndimit, duke u nisur nga përplasja mes qytetërimeve, sot diskutohet më pak në krahasim me të kaluarën. Kurse teza më e fundit e shpallur, duket si teza e harruar më shpejt: Sot pothuajse askush nuk shprehet për tezën “Fundi i shtet-kombit”, shkruar nga Kenichi Ohmae në vitin 1996.
Megarrëfimet e të kaluarës, ideologjitë e mëdha, asnjë prej tyre tashmë nuk tërheqin pas vetes masa të gjera. Mbrojtja e atdheut, për të cilin është dhënë jeta, ose nismat e pushtimit, rëndë rëndë po ua lënë vendin kompanive private të sigurisë. Edhe tezat e sipërpërmendura dhe ato që i referohen një fundi tashmë nuk ngjallin interes.
Edhe sot janë duke u bërë punime se si do të emërtohet periudha në të cilën jetojmë. Pyetjet, të cila i parashtrova në krye të analizës, nxjerrin në pah kornizën e përgjithshme të çështjeve objekt diskutimi, që mundohen të shpjegojnë/përcaktojnë periudhën e re të njerëzimit.
Punimet për emërtimin e periudhës së re mbi një themel intelektual ose parimor, për fat të keq mua më duken si punime tejet optimiste. Ah sikur periudha që jetojmë dhe ajo e mëpasshme, edhe pse nuk jemi të bindur, edhe pse e shohim të gabuar, mund të shpjegohej me teori me bazë më me vlerë. Duket se ne jemi duke u evoluar në një periudhë të re ku ka marrë fund intelektualizmi dhe parimësia. Nuk mund të them një epokë tjetër, pasi asnjë ndryshim nuk zgjat aq gjatë.
Jemi duke hyrë në një periudhë të re, ku vlerat pësojnë erozion, koncepte si parimësia, virtytshmëria, ndershmëria, ndarja e të mirave me njëri-tjetrin, drejtësia kanë filluar të humbasin dhe këto koncepte duken sikur nuk janë më në modë (të vjetra). Këtë periudhë, nëse do të na duhej ta shprehim me një qasje ‘mbarimi’, duket më e përshtatshme për ta quajtur “fundi i vlerave” (the end of values). Vendet, institucionet, për të shprehur veten e tyre, duket se ndjejnë më pak nevojë për t’u dukur legjitime, për të vepruar në një themel të drejtë. Nëse i hedhim botës një vështrim të përgjithshëm nga lart “si një zog” është më se e mjaftueshme për të parë se çfarë gërryerje po përjetojnë vlerat njerëzore.
Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)
Kombet e Bashkuara, që pas Luftës II Botërore zunë vendin e Lidhjes së Kombeve, duket se e kanë mbushur periudhën e tyre (kanë skaduar). Dështimi në lidhje me konfliktet në Siri, Mianmar, Krime, Ukrainë; shpërfillja e pothuajse çdo lloj teme tjetër përveç interesave të 5 vendeve anëtare të përhershme (të Këshillit të Sigurimit), janë shkaqet kryesore që e kanë dobësuar së tepërmi legjitimitetin e Kombeve të Bashkuara në sytë e njerëzimit.
Sipas të dhënave të Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) 70 milionë refugjatë mundohen të strehohen diku dhe të mbijetojnë. Kjo është shifra më e lartë e shënuar pas Luftës II Botërore. A keni dëgjuar për ndonjë punim të mirëfilltë të OKB-së në lidhje me këtë temë? Ose a është bërë ndonjë thirrje ose përgatitur ndonjë plan-veprimi nga ana e Kombeve të Bashkuara për të ndaluar ata që krijojnë viktima të konflikteve dhe për të ndihmuar të pafajshmit?
Mund të bëhen kritika ndaj një njeriu, një vendi dhe institucioni, por më e keqja është zhdukja e shpresës ndaj tyre.
Bashkimi Evropian (BE)
Bashkimi Evropian, që në thelb përbëhet nga vende që kanë luftuar dy herë me njëra-tjetrën dhe në këtë luftë bënë partner (përfshinë) të gjithë botën, ka qenë një union që në një bosht të caktuar kishte për qëllim parandalimin e luftës dhe rritjen e mirëqenies, bashkëpunimit dhe solidaritetit. Sot askush nuk flet për Bashkimit Evropian si një union vlerash. Ndër vendet demokratike në botë ku partitë raciste ndajnë pushtetin me forcat e tjera janë patjetër vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Ne jemi ballë për ballë me një Bashkim Evropian, ku qëndrimi kundër emigrantëve, islamit dhe hebrenjve ka arritur në dimensione të rrezikshme, ku ksenofobia dhe agresiviteti janë bërë si diçka e zakonshme në jetën e përditshme dhe një BE, ku ndodhin më shumë zjarrvënie ndaj objekteve fetare në krahasim me tërë botën.
Bashkımı Evropian në të shkuarën dha një kontribut të madh për paqen, qetësinë, mirëqenien, të drejtat e njeriut dhe demokracinë brenda vetes dhe në rajon. Por me gjendjen e sotme BE-ja nëse aplikon për anëtarësimin e saj, ajo është në një gjendje që nuk mund të anëtarësohet dot, pasi është shumë larg kritereve që i ka vendosur vetë. Me politikat që ndiqen ndaj refugjatëve, në breg nuk dalin vetëm kufomat e foshnjave si Aylan nga Siria, por edhe vlerat e Bashkimit Evropian.
Por ajo që është më e mjerueshme nga aspekti i vendeve të Bashkimit Evropian, ndërkohë që ngushtohet sa vjen e më shumë fusha e demokracisë dhe lirive, ulet gjithnjë e më shumë zëri i palëve pluraliste dhe liridashëse. Bashkimi Evropian, gjithnjë e më shumë, hallakatet si në klimën e periudhës para Luftës II Botërore. Kundrejt kësaj, përveç një ose dy liderëve që nuk i janë dorëzuar kësaj klime, nuk vihet re një udhëheqje politike që mund ta nxjerrë Bashkimin Evropian nga kjo gjendje. Javën e ardhshme do të vazhdojmë të flasim se si po humbim vlerat dhe parimet në nivel global.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Jo para shumë kohësh, deri dje Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ishin një vend që përmendej si “ëndrra amerikane” (american dream). “Mënyra amerikane e jetesës” (American way of life) ishte në modë pothuajse në të gjitha vendet. Nëse sot do të bëhej një sondazh publik, perceptimi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shumë mundësi, ka arritur në pikën më të ulët të historisë.
Sot vetëm gjashtë mijë (6.000) refugjatë nga Amerika Latine presin në kufirin amerikan prej muajsh. Ndërkohë që vende të tilla si Turqia, Libani, Jordania ndonjëherë më shumë se kaq refugjatë i pranojnë brenda një nate, vendi numër një i botës, aktualisht është në pozicionin e vendit që lë të presin numrin më të madh të refugjatëve në kufirin e tij. Ç’është më e keqja, një prej vendeve më të pasura në botë nuk është në gjendje të prodhojë një zgjidhje tjetër, përveç ndërtimit të murit në kufi, ashtu si në rastin e Murit të shembur të Berlinit në Evropë, apo përdorimin e ushtrisë kundër refugjatëve. Por nëse të gjitha këto shpenzime që bëhen dhe do të bëhen do të përdoreshin për të zgjidhur problemin e refugjatëve, mbase kostoja do të ishte më e ulët.
Ndërkohë që administrata aktuale amerikane mendon edhe atë që të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare pa e ndjerë aspak nevojën e legjitimitetit të kësaj, vetëm duke parë interesat e saj dhe përdorur retorikën “Amerika e para”, “bëje Amerikën përsëri madhështore”. Vendimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, që ka si qëllim pengimin e ngrohjes globale, ose UNESCO, që është një organizatë e OKB-së për arsimin, shkencën dhe kulturën, ndiqen me shqetësim nga e tërë bota.
Fjalia e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në Asamblenë e fundit të Kombeve të Bashkuara në formën: “Jemi kundër ideologjisë së globalizimit”, ishte një fjali që jo shumë herët por vetëm disa vjet më parë mund të shprehej nga një lider ose ideolog i botës së tretë. As që nuk mund të imagjinohej ndërtimi i një fjalie të tillë nga një president amerikan.
Gjendja e Perëndimit, përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që duket se mbrojnë vlera të tilla si demokracia, të drejtat e njeriut, liritë nuk është shumë ndryshe nga historia e qytetërimit perëndimor që komenton ndryshe vargjet e Biblës, të cilat nuk u sjellin dobi (shërbejnë) atyre.
Kina-Rusia
Kina dhe Rusia nuk bëjnë pjesë në mesin e vendeve që kanë vendosur standarde, që kanë prodhuar vlera të përbashkëta universale shekullin e fundit. Krahas kësaj, Kina është një vend që po zhvillohet me shpejtësi. Të dyja janë shtete me ndikim në politikën globale. Janë vende që zotërojnë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.
Duke qenë se të dyja vendet nuk janë shoqëri të hapura mjaftueshëm, zbatimet e tyre në politikën e brendshme, nuk njihen mjaftueshëm nga ana e shoqërisë ndërkombëtare.
Bota islame
Edhe vendet myslimane, në nivel global, prej disa shekujsh, nuk janë ndër vendet që vendosin standarde dhe prodhojnë vlera universale të përbashkëta. Sido që këto vende e përcaktojnë veten, shtet laik, monarkist apo sheriat, edhe atyre u qëllon që të kenë një prej formave të regjimit si: demokratik, autoritar dhe totalitar.
Veçanërisht po të shihet Lindja e Mesme, udhëheqësit nuk e kanë pothuajse fare nevojën e pëlqimit të të udhëhequrve (popullit). Pozitën e tyre nuk ua kanë borxh popujve që udhëheqin, por në masë të gjerë ua kanë borxh aktorëve globalë. Edhe aktorët globalë e shprehin pa hezituar këtë gjendje. Edhe nëse nuk janë përgjegjësit e vetëm, me gjendjen aktuale, disa vende të Lindjes së Mesme mbase janë duke jetuar në kushtet më të mjeruara të historisë së tyre. Popujt e këtyre vendeve përpiqen të braktisin atdheun e tyre duke vënë edhe jetën në rrezik.
Shumica e vendeve të Lindjes së mesme, jo vetëm që nuk prodhojnë vlera dhe virtyte, por përpiqen që pothuajse të gjitha vlerat t’i përdorin ndaj popujve për të vazhduar qëndrimin në pozitë dhe për të mbrojtur pozitën e tyre.
Fundi i mendjes ndriçuese: Nga Frankeshtajni tek inteligjenca artificiale
Krijesa “Frankeshtajn”, të cilën shkrimtarja angleze, Mary Shelley e shkroi në vitin 1818, kur ishte ende 19 vjeç, përtej të qenurit një roman, mund të shihet si rezultat i një mendjeje, që është shkëputur nga tradita, feja dhe institucionet ndërmjetëse dhe që i është dorëzuar racionalitetit krijues të ndriçimit, sekularizmit dhe pozitivizmit.
Edhe sot, e njëjta mendje rend pas prodhimit të njeriut/inteligjencës artificiale. I gjithë njerëzimi dëshmoi gjatë Luftës I dhe II Botërore se si kjo mendje, që nuk njeh asnjë vlerë e virtyt, e çoi njerëzimin dhe planetin tonë në katastrofë. “Ku do ta zvarrisë botën një njerëzim me inteligjencë artificiale, që nuk përmban vlera, që është i ndjeshëm vetëm ndaj fuqisë dhe zhvillimit mekanik, që është më i fuqishëm se njeriu biologjik dhe mund ta kontrollojë atë? Duket se nuk është asgjë tjetër përveçse fundi i njerëzimit, të cilin do ta sjellë vetë.
Njeriu hedonist
Ndriçimi (iluminizmi), shekullarizmi, zhvillimet në teknologjinë e komunikimit dhe informatikës, ideologjia ku janë varur shpresat, së bashku me braktisjen gjithnjë e më shumë të shpresave nga feja dhe institucionet e saj, më shumë njerëz po hedonizohen (po jepen pas kënaqësisë). Duke u vënë re më shumë tek të rinjtë ky fenomen, po rritet gjithnjë e më shumë numri i atyre që rendin vetëm pas kënaqësisë. Gjëmat e atyre që krijojnë lidhje vetëm për kënaqësinë e tyre me familjen, miqtë, shkollën, mjedisin, botën e biznesit, natyrën, kafshët dhe gjallesat e tjera, janë që tani shumë të frikshme. Kur të kthehet në një krijesë që nuk mbart asnjë vlerë dhe vrapon vetëm pas kënaqësisë, padyshim që do të jetë diçka tjetër dhe jo njeri. Duke u nisur nga të gjitha ato që përmendëm deri tani, mund të themi se bëhet fjalë për humbjen e vlerave nga aspekti i strukturave të organizuara si shtete e institucione.
Edhe pse ka zhvillime negative si ato të sipërpërmendura, mund të pretendohet se individët, duke qëndruar jashtë ombrellës së megaidentiteteve, ideologjive të mëdha ose instituteve ndërkombëtare apo shteteve, në mënyrë të pavarur nga të gjitha këto, pra një numër i madh i këtyre individëve vazhdojnë të ndjejnë shqetësim për vlerat dhe virtytet. Po, individët pa organizatë mund të mbartin më shumë vlera. Nga aspekti i potencialit për të zotëruar më shumë vlera mund të jemi më me shpresë nga strukturat e paorganizuara. Por përsëri, duke ditur se bota merr më shumë formë nga strukturat e organizuara, na privon nga të shpresuarit më shumë.
Nëse ne të gjithë së bashku, si familja e njerëzimit nuk marrim masa dhe nuk gjejmë një rrugë të re për të ndaluar procesin e “fundit të vlerave”, do të vijë me shpejtësi fundi i dhimbshëm, të cilin po e përgatisim të gjithë së bashku.
*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara /trt/