Të Fundit
Ah i shkreti njeri…

Ah i shkreti njeri…

Ah i shkreti njeri. Të duket vetja se ç’je. Punon, mundohesh, mbledh pasuri, me ëndrrën që të bëhesh i pasur. Të jesh i lumtur. Të kalosh një jetë të qetë. Zihesh, grindesh, kacafytesh për gjënë më të vogël, që mos të ta “hanë” të tjerët. Por prapë nuk ia arrin qëllimit. Punon veç për të ngrënë, por shumë herë rri edhe pa ushqim. Mundohesh të fitosh simpati, por prapë nuk ia arrin. Të gjithë të përbuzin. Në qofsh i mirë të përbuzin të ligjtë. Të përbuzin sepse të kanë inat. Në qofsh i pasur, të përbuzin se kush e di se sa zemra ke djegur duke e mbledhur atë pasuri. Kush e di se sa familje ke lënë pa bukë, duke mos pasur as më të voglën mëshirë për ta.

Dëshiron të kalosh një jetë të qetë, por nuk mundesh. Të mbërrin lajmi që pasuria humbi, u dogj, u përmbyt. Ja, t’u prish qetësia e rehatia.

Sa gëzim ndjen fajdexhiu kur ia rrëmben mallin, shtëpinë, pasurinë borxhliut. Ia nxjerr fëmijët në qiell të hapur. Po ku do t’i shpjerë tërë këto para? Ku do të venë gjithë ato ofshama çiliminjsh, që dridhen në mes të dëborës nga të ftohtit? Me të gjitha këto ai do të ndërtojë përmendoren e poshtërsisë së vet. Edhe bota kur të kalojnë afër varrit të tij do të thonë: “Ja, këtu pushon një egërsirë, një i poshtër, një njeri që hante mish njeriu, një njeri pa ndjenja humane!”

Ah i shkreti njeri! Ti je si një anije në mes të oqeanit, valët e furishme të të cilit, duke e marrë përpara, e përplasin në ndonjë shkëmb të largët. Ti je si ajo lulja e bukur, faqet e së cilës në mëngjes ndrisin prej njomështisë dhe ajo vetë shikon me sytë e saj të bukur, porsi një trimëreshë, diellin plak, por në mbrëmje koka e saj varet poshtë. Dielli e ka mundur e ia ka thithur gjallërinë. Ti je si ai gushëkuqi, i cili në dimër, kur bora e bardhë me cipën e saj të ftohtë ka mbuluar gjithçka, bie në grackë. Shkon të kërkojë ushqimin e tij dhe gracka e zë, e shtrëngon pa mëshirë dhe e varros për së gjalli.

Sot qesh, luan e ha me gëzim. Po nesër?! Nesër shpata e mprehtë e vdekjes të pret. Të afërmit mblidhen e qajnë, por më kot. Ti nuk kthehesh më… Ike. Shkove. Pasurinë e le. Ndoshta ia lë trashëgim edhe armikut tënd. Ti nuk e more me vete. Jo. Nuk ta dhanë. Nuk more gjë tjetër veçse disa metra pëlhurë të bardhë. Sot jeton në lumturi, ndërsa nesër valët e fatit kush e di se ku të hedhin.

Ishe i pasur, u bëre i varfër, i vobektë. Humbe prestigjin tënd. Të gjithë të përbuzin, ashtu sikur ti përbuzje më parë të tjerët. Shkon te miku, të përzë. Zgjat dorën të kërkosh një lëmoshë…një copë bukë të mykur, por as këtë nuk ta japin. Të përzënë. Shumë herë të japin përplasje dere në fytyrë, edhe ndonjë shkelm…

Ishe i varfër. Një pasuri të ra në dorë, u bëre kryelartë e i harrove të gjitha vuajtjet, mjerimet që hoqe vetë. Ty më parë të dridheshin këmbët prej të ftohtit, nën dëborën e dimrit; vijnë të kërkojnë një copë leckë të hedhur në ndonjë qoshe, dhe nuk ua jep. Të dhimbset lecka. I harrove ato që hoqe?!

Njeri, i mjeri njeri! Nga çdo anë portat e lumturisë tënde janë të mbyllura. Ti jeton brenda një burgu, muret e të cilit nuk ekzistojnë.

Vetëm vdekja është ajo që të shpëton ty nga ky burg. Jo, jo, gabova. Vetëm punët dhe veprat e tua të mira janë ato që ngjallin në shpirtin tënd një shpresë të vdekur. Këto vepra a virtyte, ndoshta sa ti je gjallë s’kanë ndonjë vlerë. Por pas vdekjes tënde, ato kanë për të të ndërtuar ty një “përmendore” prej floriri. Jo, as kjo nuk vlen, as kjo nuk qëndron. Një armik e prish përmendoren tënde dhe emri yt harrohet. Bashkë me të harrohesh edhe ti vetë.

Asnjë shpresë nuk ka për ty. Asnjë mbështetje nuk ka. Duke qenë në këtë gjendje, një re e zezë të kalon para syve, ata puqen me njëri-tjetrin e flenë një gjumë të pashkëputur… Gjumin e madh.

O njeri! Ti që i thua vetes njeri. Lëre makutërinë e kësaj jete të rreme. Ndiq udhën e drejtë. Mbështetju vetëm Zotit; Atij që ty të solli në këtë jetë; Atij që nesër të merr prapë, pa parë akoma mirë dritën e diellit. Të mjafton vetëm Zoti, Atij mbështetju!

(Dritaislame)