Duket e çuditshme, por, fakeqësisht rezultoi i vërtete, fakti se ky edicion i Big Brother Albania, në formatin VIP, pati një audiencë të majisur deri aty sa arriti që në natën finale të zbraste sheshet e qyteteve shqiptare. Ky program, me këtë lloj formati, që për hir të së vërtetës ka “infektuar” të gjithë botën përmes globalizimit të mënyrës dhe praktikave që fusin në kallëpin e uniformitetit të rendit liberal çdo komb dhe çdo kontekst, është varianti më i ri me të cilin grupe të caktuara kërkojnë të modifikojnë argëtimin dhe çka rrjedh prej tij. Një variant i ri i pandemisë së kapriçiove individuale, cili përveç imunitetit, shkatërron edhe intimitetin nën petkun e përpjekjeve emancipuese për ta njerrë njeriun e ri postmodern në një pozitë abstrakte lidhur me të kuptuarin se çfarë është hapësira publike.
E gjitha kjo, brënda një rendi liberal që ndërtoi individin postmodern, i cili vërtitet mes shumë të vërtetave universale shkencore e morale, pavarësisht prejardhjes së këtyre të fundit, bazuar vetëm në një kontekst të caktuar. Individ që beson se e vërteta nuk ka si të jetë një dhe e vetme por ajo është e shumëllojshme, plurale. Për sa kohë ai nuk ka një të vërtetë të vetme si referencë etike dhe estetike për shoqërinë, atëherë, në plan të parë del identiteti i tij personal i cili kthehet në faktorin vendimtar, triumfues, që duhet të shfaqet në maksimum si model brënda një shoqërie ku çdokush vëzhgon çdokënd. Këtu, atij i vjen në ndihmë mekanizmi i shpërfaqjes i quajtur Big Brother i cili ndërton një format intrigues që pak ose aspak ka lidhje me me realitetitn edhe pse vetquhet “reality show”.
Sot, lufta më e madhe, nuk zhvillohet për fuqinë, apo pushtetin, sot lufta më me madhe zhvillohet për vëmendjen, e cila të çon tek të dyja. Beteja të pafundme për të përfituar vëmendjen e secilit, për ta futur atë në një kllapi nga e cila ai nuk del dot. Sot, nuk ka rëndësi se çfarë mendon, sa di, apo sa virtyt ke. Sot, ka rëndësi çfarë pamje ke dhe si konvertohesh në shifra “likesh” dhe sa vëmendje tërheq. Pikërisht, ky është kulti i individit postmodern në qëndër të të cilit është vetja. Big Brother vjen atëhere, si mekanizëm i cili rrafshon të vërtetën univesale të shoqërisë dhe ndërton të vërtetat e individëve të caktuar, nga të cilët në fund shfallet “heroi”. Por ama, ai nuk është heroi i vërtetë, çfarë është heroike në atë se çfarë bën një fitues i Big Brother është vetëm përceptimi yni i deformuar për heroizmin. Një hero i vërtet, në thelb të vetin ka sakrificën e vetes si kulm i altruizmit të tij në raport me shoqërinë. Ajo çfarë bën një fitues i Big Brother është thjesht të sakrifikuarit e kohës dhe energjisë së njerëzve, në funksion të egos së tij.
Formati botëror Big Brother, e fut individin e sotëm në një akuarium kohor jashtë realitetit dhe faktorëve të tij, më disa eksperimente të cilat nuk zhvillohet në një laborator, por para një audience botërore, ku secili nxit në maksimum vuajarizmin të cilin qe munduar ta mbante nën zinxhirë. Në cdo fushë apo lëmi, eksperimenti nuk është subjekt i konsumit masiv, por, janë rezultatet pozitive që dalin prej tij. Jo, në këtë rast, Big Brother thotë, hajde të eksperimentohemi së bashku në këtë aventure të relativizimit të çdo gjëje përfshirë vetë rendin moral me të cilin shoqëria njerëzore me mijëra vite e ka cimentuar vetveten. Po, a nuk është vetë realiteti sot një Big Brother stërmadh, do të thotë dikush? Jo, sepse realiteti nuk është ekskluzivist, dhe rrjetet sociale të cilat janë deri në një farë mase pasqyrë e tij, nuk janë ekskluziviste, sespe përmbajnë të gjitha llojet e pikëpamjeve dhe bindjeve që ka secili sot. Big Brother vjen si format ekskluzivist i cili i imponohet audiencës botërore për një dhe vetëm një formë të të kuptuarit dhe praktikuarit të jetës. Ai është ekskluzivist brënda një arrogance e cila nuk lejon formë tjetër të menduari dhe praktikuari, përveç se asaj që propogandon. Ky është kolonizimi modern, i cili përmblidhet në kolonizimin e mendjes së audiencës. Një lloj forme e sofistikuar e presionit shtypës së ndërgjegjeve të secilit përmes spektaklit.
Cili është qëllimi i githë kësaj? Pse do të duhet të ndërmerren formate të kësaj natyre? Sepse, thelbi i luftës për vëmendje ka si synim qëndërzues të tij, fitoren e kësaj lufte e cila përmblidhet në “tjetërsimin”. Jo vetëm kaq, por siç Guy Debord e paralajmëronte, qëllimi është që tjetërsimi të kthehet në adhurim. Pra, në një adhurim të tjetërsimit, të transformimit në një gjëndje të pashpjegueshme e cila në fund të fundit, mund të prodhojë famë dhe para, por që nuk i shpëton boshllëkut dhe pakuptimësisë së saj, teksa në fund të spektaklit njerëzit i kthehen shesheve të boshatisura me konfuzë dhe më të destabilizuar së brëndshmi.
Në këtë shoqëri Debordiane spektakli, marrëdhëniet shoqërore diktohen nga imazhet të cilat në mënyrë të përsëritur kthehen në nënvetëdije të shoqërisë. Tashmë, nuk ka rëndësi të jesh i pasur, apo të kesh, sot rëndësi primare ka të mund të shfaqësh ato që ke. Për këtë, duhen të gjitha mekanizmat e globalizimit të imazheve në mënyrë që ajo qe ke të shfaqet dhe të kthehet në modelin e vetëm nga i cili çdo individ do të duhet të fillojë tjetërsimin e vetes duke e adhuruar në kulm atë. E ku ka më mirë se një mekanizëm global i tjetërsimit përmes grabitjes së vëmendjes se sa Big Brother? Spektakli është një shfryrje artistike daj realiteti i cili nëse ekzagjerohet në pikat më ekstreme të grumbullmit të spektaklit, atehere ai kthehet në çmenduri.
Boshatisja e qyteteve natën finale të Big Brother Albania, tregoi se beteja për vëmendje kësaj radhe u fitua nga tirania e spektaklit, e cila nuk kursehet të na rrëmbejë pamëshirshëm çastet e ikshme që nuk kthehen kurrë më. Zbrazja e diskursit publik nga çdo gjë natën finale te Big Brother, tregoi se ne e humbëm këtë herë betejën për ruajtjen e vëmendjes tonë. Kjo e fundit, është kaq e rraskapitur nga spektaklet e përditshme, politike, mediatike, ekonomike, psikologjike, saqë para këtij të Big Brother u dorëzua komplet.
Në fund të gjithë kësaj maratone të parazitizmit, ku të bësh asgjë është punë që paguhet goxha mirë, ajo që ngelet është ndërgjegja e spektakolarizuar e audiencës. Aktorët Vip tashmë kanë ikur në shtëpi, ndërsa audienca e spektakolarizuar, del nga shtëpitë me një qasje krejt tjetër për përgjegjësinë shoqërore, familjare, institucionale e komunitare, një qasje të tjetërsuar duke e formatuar atë të gatshëm për të humbur betejën e radhës. /eperditshmja/
Nga Redi Shehu
* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *