Të Fundit
Biri im

Biri im

Sillu me edukatë ndaj shokut tënd sado i bindur që të jesh se ai të do ty.

Mos e kalo vizën e kuqe me të.

Mos i merr atij diçka, për të cilën ai mërzitet,

sepse ai do të zemërohet me ty.

 

Biri im!

Nëse ndjek rrugën e drejtë, ke për të shpëtuar nga të gjitha telashet,

sepse shumica e telasheve vijnë si shkak i ndjekjes së rrugëve dytësore

Që kanë gropa dhe gunga

Ndërsa vetëm rruga e drejtë të shpie më shpejt dhe më me siguri në synimin tënd.

 

Biri im!

Ai, i cili vjen tek ty, ngaqë ka simpati për ty

dije se ai ka nevojë për ty

Ai ta ka hapur zemrën

Që të bindet në ato që thua

Hapja dhe ti zemrën tënde

Mësoji atij atë që të ka mësuar Allahu

Jepi këshilla të shkurta

Ose zgjerohu, kur është e nevojshme

Ndonjëherë hesht, derisa ai ta kuptojë atë që ke thënë

Në këto momente dhuroji atij buzëqeshjen tënde

Që të bashkosh midis perceptimit dhe ndjenjës

Sepse njeriu është prej trupi dhe shpirti.

 

Biri im!

Ditët dhe orët do të të dhurojnë gëzim dhe hidhërim

Nëse gëzohesh gjithmonë, ke për t’u lodhur dhe ke për ta humbur shijen e gëzimit

E nëse do të hidhërohesh gjithmonë, do të bëhesh pesimist dhe do të të mërzitet jeta

Por herë gëzohu dhe herë tjetër hidhërohu.

 

Biri im!

Zgjohu dhe merr mësim

Sepse ka prej atyre njerëzve që zgjohen, vetëm atëherë kur e dorëzojnë shpirtin

Ai vdiq përpara se të pendohej

Ai do të japë llogari për të gjitha mëkatet

E nëse ai do të pendohej, përpara se t’i mbërrinte shpirti në fyt

Allahu do t’ia pranonte pendimin dhe do t’ia fshinte mëkatet

Pendohu sa më shpejt dhe mos thuaj “Kam kohë për t’u penduar”

Kryeji adhurimet dhe mos thuaj “Kam ende kohë”

Përpara se vdekja të të vijë krejt papritur.

 

Biri im!

Nëse njerëzit krenohen me pasurinë e tyre

Ti krenohu me numrin e librave që ke lexuar

Shënoji titujt e librave që ke lexuar

E nëse dikush të tregon me mburrje pasurinë e tij

Ti nxirr shënimin tënd dhe lexoji atij titujt e librave që ke lexuar

Dhe thuaji: “Kjo është pasuria ime”.

 

Biri im!

Sjellja me problemet e njerëzve

është art, eksperiencë dhe aftësi

Këtë gjë nuk e bën çdokush,

madje ka prej atyre njerëzve, që as të pyesin nuk dinë

Kur fillojnë të flasin, gabojnë qysh me fjalën e parë

E rëndësishme është, që t’i peshosh fjalët që thua

Mos fol për detaje që nuk i njeh

Ose më mirë hesht

Sepse nuk është kusht, që të flasësh në çdo kuvend.

 

Biri im!

Njeriu më i mirë është ai, i cili u mëson njerëzve të mirën

A nuk e ke lexuar fjalën e Profetit (a.s)

“Engjëjt

Milingona në fole dhe

peshku në det

luten për atë që u mëson njerëzve të mirën”.

 

Biri im!

Prej mirësive me të cilat Allahu i begaton robërit e Tij

Është se Ai u jep bereqet në pasurinë e tyre

Dhe ua shton shpërblimet

Prandaj falenderoje Dhuruesin e të mirave dhe bëj sa më shumë vepra të mira