Të Fundit
Cili është kuptimi i kësaj jete? Përse ekzistoj?

Cili është kuptimi i kësaj jete? Përse ekzistoj?

Sa prej nesh njëmend kanë menduar për qëllimin e vërtetë të jetës në këtë botë?

Sa herë kemi pyetur:

“Cili është qëllimi i ekzistencës sonë?

Çfarë po bëjmë këtu?

Pse jemi këtu?”

Le ta marrim së bashku një udhëtim deri te përgjigjet e këtyre pyetjeve.

Falënderimi qoftë për Allahun. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë për Muhamedin të Dërguarin e Allahut. Unë kërkoj mbrojtje tek Allahu nga djalli i mallkuar.

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (edh-Dharijat, 56)

UDHËTARI I HUMBUR

Le ta dëgjojmë një shembull. Një njeri ishte duke udhëtuar. Erdhi deri te një udhëkryq dhe nuk dinte kah të shkonte më tutje. Ai e pyeti kalimtarin e parë:

“Për ku çojnë këto rrugë?”

Kalimtari e pyeti: “Po ku po donë ti të shkosh?”

Njeriu u përgjigj: “Kudo qoftë.”

Kalimtari i tha: “Atëherë nisu cilës rrugë që të dëshirosh, nëse nuk ka rëndësi për ty.”

Dhe me të vërtetë, për udhëtarin nuk kishte ndonjë rëndësi. Ai donte të shkonte kudo qoftë. Për të nuk kishin rëndësi as rrugët e as veprat në ato rrugë.

Shumë prej nesh jetojmë sikurse ky udhëtari.

Imagjinoni një ndërtues, i cili e ka filluar ndërtimin e një ndërtese të madhe. Ka hapur gropa të mëdha për themelet e saj. Sikur ta pyesni:

“Sa kate do të ketë ndërtesa juaj?”

Ai do të përgjigjej: “Nuk e di.”

Nëse ju e pyesni atë: “Sa do të jetë sipërfaqja e bazës saj?”

Ai përsëri do të përgjigjet: “Nuk e di, nuk kam menduar për këtë.” Ai ndërtues nuk ka asnjë synim.

Kishte qenë një herë një njeri, i cili fqinjit të tij i kishte thënë:

“Qeni yt vazhdimisht po vrapon pas automobilave! Unë pyes: A ka arritur ndonjëherë ta kapë ndonjë automobil?”

Fqinji i përgjigjet: “Unë nuk po pyes a ka kapur automobil, por po pyes veten çka do të bënte nëse do ta kapte ndonjë prej tyre?”

Fqinji me sa duket shikonte përtej këtij që i bëri pyetje. Ai pyeste veten: Çfarë do të ndodhte nëse qeni do ta arrinte atë që synonte, dhe çfarë, në fakt, kishte për objektiv.

Shumë prej nesh në këtë mënyrë e kalojmë jetën kot: pa qëllim nga ambiciet.

Pyetni disa njerëz: “Pse dëshiron të diplomosh në filan fakultetin?”

Shumica do të përgjigjen se momentalisht e kanë për qëllim vetëm përfundimin e fakultetit dhe fare nuk kanë menduar për atë se çfarë do të punojnë pas diplomimit.

Një shumicë e kopjojnë mënyrën e jetës së tjetërkujt, pa menduar dhe analizuar. I imitojnë aktorët dhe modelet, pa kuptuar, në fakt, se çfarë janë duke bërë.

Një person kishte ardhur nga fshati në një qytet të madh, me qëllim që të bëhej milioner. Kur e kishin pyetur: “Pse ke ardhur në qytet të madh?”

Ai ishte përgjigjur: “Unë e shikova një film në të cilin filan dhe filan aktori, gjithashtu, kishte shkuar në qytet të madh dhe ishte bërë milioner brenda natës.”

Për shkak të pushtimit të ambicieve të tilla, varfëria vetëm rritet.

AKTORËT DHE BIZNESMENËT PA OBJEKTIV (QËLLIM)

Shumë aktorë janë të përfshirë si promovues të markave të caktuara dhe të produkteve industriale.

Një i ri nga qyteti Mumbai e kishte blerë një automobil të ri të markës “Hyundai”. Kur e kishin pyetur:

“Pse e zgjodhe pikërisht këtë automobil?”

Ai kishte thënë: “Sepse aktori im i preferuar e nget një automobil të tillë!”

Unë dyshoj se aktori i tij i preferuar ndonjëherë është ulur në “Hyundai”, përveç kur e ka filmuar reklamën për të. Ai sigurisht drejton “Mercedes” ose “BMW”, dhe vështirë se do të drejtonte një automobil të klasës së mesme.

Verbërisht i ndjekim mënyrat e jetës së të tjerëve, pa menduar për qëllimin e saj, sikurse një njeri i cili e blen një fabrikë të madhe tekstili, sepse kishte dëgjuar se në këtë biznes realizohet fitim i madh. Nëse do ta pyetni:

“A e ke bërë studimin e realizueshmërisë?”

Ai përgjigjet se nuk e ka bërë.

Kur ju e pyetni atë: “A ke punësuar ekspertë të cilët do t’i udhëheqin punët?”

Ai përgjigjet jo.

Kur ju e pyetni: “Çfarë përqindje të fitimit prisni? Ku do ta blini lëndën e parë? Kujt do t’ia shitni tekstilin?”

Përsëri përgjigjet: Jo.

Çfarë mendoni: Ky njeri, a do të realizojë ndonjë fitim?

Disa njerëz kanë qëllim, por nuk kanë mjete. Një djalë i ri kishte dashur të bëhej shkencëtari më i mirë në botë. I kishte analizuar biografitë e të gjithë shkencëtarëve në histori dhe kishte ardhur në përfundimin se shkencëtari më i madh ishte Isak Njutni. Dhe nuk kishte gabuar – Isak Njutni vërtet ishte shkencëtari më i madh i të gjitha kohërave. Tani, ky djalë donte të bëhej si Njutni. I lëshoi flokët e gjata, filloi të vishet dhe të mbathet si Njutni, në mënyrë që t’i përngjante atij.

Çfarë mendoni, a do të bëhet në këtë mënyrë shkencëtar? Nuk do të bëhet!

Disa njerëz kanë qëllim, por nuk kanë asnjë plan. Ky djalosh e kishte kuptuar se kush kishte qenë shkencëtari më i madh, kishte dashur të bëhej si ai, por këtë nuk e kishte bërë si duhet.

PYETJA THEMELORE

Cili është qëllimi i jetës sonë?

Pse ekzistojmë?

Kush do të na japë përgjigjen më të mirë për këto pyetje?

Nëse mendoni se përgjigjen më të mirë do t’ua japë Dr. Zakir Naik, gaboni.

Nëse mendoni se përgjigjen do t’ua japin shkencëtarët, gaboni.

Nëse mendoni se përgjigjen e dinë filozofët, përsëri gaboni.

Përgjigjen e vetme të saktë dhe të plotë në pyetjen e qëllimit të jetës mund ta japë vetëm Krijuesi i jetës, Allahu i Plotfuqishëm:

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (edh-Dharijat, 56)

Në këtë paragraf përdoret folja ‘ja’budun’, e cila rrjedh nga fjala ‘abd’, që do të thotë rob, shërbëtor, plotësisht i nënshtruar. Nga fjala ‘abd’ rrjedh fjala ‘ibadet’, që do të thotë nënshtrim i plotë ndaj Allahut. Ibadeti (adhurimi) është zbatimi i të gjitha atyre që Krijuesi ynë na ka urdhëruar. Për shembull, Allahu i Plotfuqishëm na ka urdhëruar praktikimin e pesë themeleve të fesë. Nëse i praktikojmë ato, ne i bëjmë ibadet (adhurim)  Allahut të Plotfuqishëm. Nëse sillemi bukur me fqinjët, për të cilët na ka urdhëruar Allahu, ne bëjmë adhurim. Nëse ju shmangemi të gjitha gjërave që na i ka ndaluar Allahu i Plotfuqishëm, ne bëjmë adhurim. Nëse largohemi nga alkooli, derri, vjedhja, mashtrimi dhe gënjeshtra, ne bëjmë adhurim. Me pak fjalë, nëse i bindemi Allahut të Plotfuqishëm, ne bëjmë adhurim. Çdo gjë që bëjmë në jetë, çdo punë të mundshme, mund ta shndërrojmë në ibadet, nëse i përmbushim dy kushte: që atë ta bëjmë vetëm në emër të Allahut, si dhe ta bëjmë në përputhje me praktikën e pejgamberit Muhamed, savs.

Kur të blini ndonjë pajisje apo makinë, nga prodhuesi do ta merrni udhëzimin për përdorim. Nëse më lejoni që qenien njerëzore ta quaj makinë, atëherë ai do të ishte makina më e komplikuar në botë. A mendoni se një makinë kaq e komplikuar është lënë pa asnjë udhëzim për përdorim!? Udhëzimi i fundit dhe i përkryer i destinuar për njerëzit është Kur’ani i shenjtë, shpallja e fundit hyjnore që ka ardhur përmes vulës së të gjithë pejgamberëve Muhamedit, savs. Ai përmban udhëzime dhe përgjigje për të gjitha çështjet e jetës në të cilat mund të has njeriu.

A KA NEVOJË ALLAHU PËR IBADETIN TONË?

Shumë njerëz  pyesin:

“Pse Krijuesi kërkon që ta adhurojmë?

A ka nevojë Ai për të?

Pse duhet ta madhërojmë Atë, nëse Ai është më i madhi?”

Allahu i Plotfuqishëm u përgjigjet këtyre pyetjeve në Kur’anin famëmadh:

“O njerëz! Ju jeni të varfër te Allahu, (nevojtarë për çdo gjë). E, Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i denjë për falënderim.” (Fatir, 15)

Allahu nuk na urdhëron që ta adhurojmë Atë për hir të Tij, por për të mirën tonë. Kur themi: Allahu Ekber (Allahu është më i madhi), kjo Allahun nuk e bën më të madh. Ai është gjithmonë më i madhi, pa marrë parasysh a e madhërojmë ne apo jo.

Pse, atëherë, kërkon që ta madhërojmë?

I Plotfuqishmi e di psikologjinë tonë. Ne njerëzit, kur kemi mendim të lartë për dikë, përpiqemi t’i ndjekim këshillat e tij. Nëse nëna juaj ka probleme me zemrën dhe nëse ka nevojë për terapi, a do të preferoni ta dëgjoni këshillën e kardiologut specialist të famshëm, apo të një laiku të zakonshëm, i cili për medicinë nuk di gjë?  Sigurisht, pa menduar, do ta dëgjoni kardiologun, sepse ai është ekspert në fushën e tij.

Allahu do që ne ta lavdërojmë dhe madhërojmë Atë, në mënyrë që të bëhemi të sigurtë në urtësinë dhe fuqinë e Tij. Nëse veten e bindim për këtë, atëherë jemi të gatshëm që t’i pranojmë këshillat e Tij. Nëse nuk jemi plotësisht të sigurtë se Ai është më i Urti dhe i Gjithëdijshmi, më pak ka të ngjarë se do t’i ndjekim udhëzimet e Tij. Ajo që ne e lavdërojmë dhe e madhërojmë Allahun e Plotfuqishëm nuk i bën mirë Atij, por neve.

“O njerëz! Ju jeni të varfër te Allahu, (nevojtarë për çdo gjë). E, Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i denjë për falënderim.” (Fatir, 15)

Falënderimi – thelbi i respektit

Paramendoni prindërit të cilët me mund e rrisin një fëmijë, investojnë në arsimimin dhe edukimin e tij dhe heqin dorë nga shumë të mira për hir të tij. Megjithatë, kur të rritet, fëmija i lë ata dhe nuk don të dijë për ta.

Çfarë mendoni për fëmijët të cilët sillën në këtë mënyrë ndaj prindërve? Ju do të thoni se janë çnjerëzorë, të padrejtë dhe mosmirënjohës. Me këtë ne të gjithë jemi dakord.

Atëherë, çfarë do të mendojmë për njerëzit të cilët janë mosmirënjohës ndaj Krijuesit të tyre, i Cili na ka krijuar jo vetëm neve, por edhe prindërit tanë? A nuk duhet të jemi mirënjohës? A nuk duhet t’i bindemi Atij?

Sa prej nesh në mënyrë të mirëfilltë e kemi falënderuar Allahun e Plotfuqishëm për begatitë e panumërta me të cilat na ka nderuar? Ai na dha jetën. Ai na bëri që të shërbehemi me begati në këtë botë. Ai na dha ushqimin, veshjen dhe strehimin. Sikur të zhdukej uji vetëm për disa ditë, ne do të vdisnim. A e kemi falënderuar ndonjëherë Allahun për ujin që na ka dhuruar?

Nëse disa minuta nuk marrim frymë, çfarë do të ndodhë me ne? A e kemi falënderuar ndonjëherë Allahun që na ka dhënë ajrin të cilin e thithim?

Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“… e nëse doni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, atëherë nuk do të mund t’i numëroni. – Njeriu, me të vërtetë, është zullumqarë dhe jo mirënjohës.” (Ibrahim, 34)

“Me të vërtetë, njeriu është jo mirënjohës ndaj Zotit të vet!” (el-Adijat, 6)

Allahu kërkon që ne ta adhurojmë Atë, ta lavdërojmë dhe madhërojmë, jo pse është në dobi të Tij, por sepse ne të gjithë përfitojmë prej tij. Kjo është si shembulli i mjekut, i cili pacientëve të varfër ju jep këshilla falas. I dëgjoni ju ato këshilla apo jo, kjo mjekut as nuk do t’ia zvogëlojë reputacionin, as nuk do t’ia rrisë famën e tij. Dobinë e vetme mund ta shihni vetëm ju nëse e dëgjoni. Sigurisht, se mjeku do të jetë i lumtur nëse ju e dëgjoni.

Allahu i Plotfuqishëm është Esh-Shafi, Ai i Cili jep shërim. Ai është i kënaqur kur robërit e Tij i pranojnë udhëzimet që ju ka dhënë, jo për të mirën e Tij, por për të mirën e robërve të Tij. Madje edhe kur gaboni, kur kryeni ndonjë mëkat dhe sinqerisht pendoheni, Allahu i Plotfuqishëm do t’ju falë. Në shumë vende në Kur’an, Allahu e përshkruan veten si El-Gafururr-Rrahim / i Cili është Mëkatfalës, Mëshirues: surja en-Nisa, 25; el-Maide, 74; el-Hixhr, 49; en-Nahl, 119; ez-Zumer, 53; el-Buruxh, 14 dhe në shumë vende të tjera. Madje edhe nëse ju jetoni në pakujdesi, pa i ndjekur udhëzimet e Tij dhe bëni mëkate, pastaj nëse pendoheni sinqerisht, Allahu i gëzohet pendimit tuaj dhe ju fal.

Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Allahu, me të vërtetë, nuk e falë atë që i bën shok Atij, por ia falë të tjerat mëkate kujt të dojë, përveç këtij.” (en-Nisa, 48)

Shirku/politeizmi, të bërit shok Allahut, është mëkati më i madh i mundshëm.

Është mëkat aq i madh, sepse me siguri Allahu nuk do t’i falë ata të cilët vdesin dhe nuk pendohen për shkak të tij. Shirku/politeizmi është mëkati nga i cili të gjithë njerëzit duhet të largohen, ai është i pari në listën e mëkateve më të mëdha.

Disa thonë:

“Ne e kuptojmë se Allahu i ka krijuar njerëzit për ta adhuruar Atë, por pse pikërisht njerëzit?

Pse pikërisht ne duhet ta bëjmë këtë? Me çka jemi ne të veçantë?”

Njerëzit janë krijesa unike dhe krijesat më të mira të Allahut. Njerëzit dhe xhinët janë qeniet e vetme që kanë vullnet të lirë. Asnjë krijesë tjetër nuk ka vullnet të lirë, dmth. nuk mund të merr vet asnjë vendim. Ata janë plotësisht të bindur ndaj Allahut, pa asnjë mundësi për të bërë gabim. Ndërsa njerëzit, nga ana tjetër, mund të zgjedhin nëse do të jenë të bindur apo të pabindur.

Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (et-Tin, 4)

Ne njerëzit jemi krijesat më harmonike të Allahut. Ne kemi lirinë e zgjedhjes. Në mënyrë të pavarur mund të zgjedhim nëse do të jemi të bindur apo mosmirënjohës ndaj Allahut. Nëse, si të tillë, zgjedhim që të jemi të bindur ndaj Allahut, mund të bëhemi më të mirë se engjëjt (melekët). Sepse engjëjt nuk kanë vullnet të lirë. Ata janë plotësisht të bindur ndaj Zotit, pa të drejtë për të zgjedhur. Prandaj, nëse e zgjedhim bindjen, edhe pse kemi mundësi që ta zgjedhim mosbindjen, mund të bëhemi më të mirë se engjëjt. Nga ana tjetër, ai që i kthehet mosbindjes, duke pasur mundësi për të qenë i bindur, mund të bëhet edhe më i keq se djalli. Zgjedhja është e jona.

QËLLIMI I JETËS NË KËTË BOTË

Allahu i Plotfuqishëm thotë se kjo jetë është provim:

Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju sprovuar se cili prej jush është më vepër mirë.”  (el-Mulk, 2)

Pra, kjo jetë është provim për botën e ardhshme.

“Çdo qenie e gjallë do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit, dhe kushdo që largohet nga zjarri i xhehenemit dhe hyn në xhenet, ai ka arritur atë që ka dëshiruar. E, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.” (Alu Imran, 185)

“Na do t’ju provojmë me ndonjë gjë: me frikë, uri, me dëmtim të pasurisë, dëmtim të njerëzve dhe të të lashtave. Ti përgëzoji durimtarët!” (el-Bekare, 155)

Allahu i Plotfuqishëm e krijoi këtë jetë për të na testuar vullnetin se kush prej nesh do të sillet mirë dhe do të bëjë vepra të mira. Ai me siguri të gjithëve do të na vë në sprovë. Ai e vë në sprovë kënd dëshiron dhe e liron kënd dëshiron. Ai bën atë që dëshiron.

“Ai ju ngritë nëpër pozita disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju provuar për atë që ju ka dhënë.” (el-En’am, 165)

Pra, kur të merrni ndonjë pozitë të lartë dhe pasuri – kini kujdes! Allahu atëherë ju sprovon.

“Dinie se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë, dhe se vetëm te Allahu është shpërblimi i madh.” (el-Enfal, 28)

“O besimtarë, mos t’ju shmangin pasuria juaj dhe fëmijët tuaj nga të përmendurit të Allahut. E ata që bëjnë këtë, të tillët janë mu ata të humburit.” (el-Munafikune, 9)

“A mendojnë njerëzit se do të lihen (të qetë) nëse thonë: “Na kemi besuar! E që ata nuk do të vihen në sprovë?” (el-Ankebut, 2)

Mos mendoni se do të hyni në xhenet vetëm nëse pohoni se jeni muslimanë! Allahu me siguri do të ju vë në sprovë, në mënyrë që me veprimet tuaja ta argumentoni se e meritoni shpërblimin. Emrat e juaj të bukur muslimanë (Muhamed, Ahmed, Zakir, Abdullah …) nuk do t’u çojnë në xhenet. Në xhenet do të hyni vetëm nëse e kaloni provimin e jetës në këtë botë.

SI KALOHET PROVIMI

Surja el-Asr në Kur’an jep përgjigje në pyetjen: “Si të fitohet xheneti?”

“Pasha kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe punojnë vepra të mira, dhe të cilët rekomandojnë njëri-tjetrit të vërtetën (fenë Islame), dhe të cilët i rekomandojnë njëri-tjetrit durimin, (në zbatimin e urdhrave të Allahut).” (el-Asr)

Për t’i arritur tre, duhet t’i bëni katër.

Për ta arritur:

  • Kënaqësinë e Allahut,
  • paqen në këtë botë dhe
  • xhenetin në botën e ardhshme, duhet t’i posedoni këto katër karakteristika:
  • Besimin e pastër;
  • veprat e mira;
  • thirrjen në Islam dhe
  • thirrjen e njerëzve që të jenë të durueshëm.

Pa këto katër tipare në vetvete, mos llogaritni në tre sukseset të cilat i aspironi.

MBËSHTETJA NË ALLAHUN

Enes ibn Maliku, r.a. ka transmetuar se Pejgamberi savs, i ka thënë një njeriu: “Lidhe devenë, e pastaj mbështetu në Allahun!” pasiqë ai i kishte thënë se nuk e ka lidhur devenë, por është mbështetur në Allahun dhe Ai do t’ia ruajë atë.

Nuk mund ta lëni derën hapur dhe të thoni: “Unë jam mbështetur në Allahun. Nuk do të hyjë asnjë vjedhës.” Ju duhet së pari ta mbyllni derën e pastaj të mbështeteni në Allahun.

Mbështetja në Allahun është më e rëndësishmja.

“Nëse ju ndihmon Allahu, s’ka kush t’ju mposht juve, e nëse Ai iu lë pa ndihmë juve, kush është ai që do t’ju ndihmojë përveç Tij? Pra, besimtarët vetëm te Allahu le të mbështeten.” (Alu Imran, 160)

Përveç mbështetjes në Allahun, për të pasur sukses, duhet të investohet edhe përpjekje.

“E, ata që luftojnë (përpiqen) për hir Tonë, Na, me siguri do t’i udhëzojmë në rrugën Tonë. Allahu, me të vërtetë, është me ata që bëjnë vepra të mira!” (el-Ankebut, 69)

Nëse nuk dini se si, atëherë pyetni ata që dinë për të arritur sukses. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini (këtë)!” (en-Nahl, 43)

 

Dr. Zakir Naik

Përshtati: Miftar Ajdini

Burimi: http://www.novihorizonti.net/sta-je-smisao-ovoga-zivota-zasto-postojim/ (Breziiri)