Të Fundit
Çka të studiojmë?

Çka të studiojmë?

Universitetet janë bërë si tregje. Të vijnë në shtëpi të ofrojnë ofertat e tyre studimore sikur të jenë agjenci për pushime dhe guida turistike, market i lagjes ose parti politike. Këtë gjendje të universitetit e ka sjellë pluraizmi dhe nënshtrimi i universitetit ndaj tregut, me çrast studentin e sheh si myshteri dhe jo subjekt që njeh, mbindërtohet intelektualisht dhe nesër do i prijë procesit të ndërtimit të shoqërisë dhe shtetit. Pra, e keni më të lehtë të përzgjidhni se çfarë doni të studioni

Nga Latif MUSTAFA

Studimet dhe përzgjedhja e programit studimor është brengë e rëndë. Të për jetosh në një botë ku nuk ke një të ardhme të sigurt, në një botë midis luftës perpetuale dhe paqes së brishtë dhe brenda gjithë kësaj të zgjedhësh drejtimin për studime, është vërtetë e vështirë. Ekziston një thënie e kahmotshme se njeriu dy gabimet e mëdha që mund t’i bëjë janë përzgjedhja e gruas dhe përzgjedhja e profesionit. Gjysmën e kohës do e kalosh me njërën, e gjysmën me tjetrën. Njërës do t’ia lësh amanet fëmijët me tjetrën do të ushqesh këta fëmijë. Ngjashëm vlen edhe për vajzat. Kjo thënie në thelbin e saj dëshmon se njeriu në jetë veç në dy raste do të bëjë përzgjedhje të tilla e që ato do t’ia determinojnë ecejakun e jetës. Normalisht, validiteti i kësaj thënieje nuk statik ngaqë njeriu, mund të ndahet nga partneri për të kërkuar një partner më të mirë, njashtu mund të ndërroj shkollë dhe profesion për të arritur atë që dëshiron. Sot edhe vendimet më të thjeshta, por që janë të gabuara, mund të na kushtojnë me ndryshim kursi jetësor.

Njeriu hamendet të bëjë një përzgjedhje midis shkencave sociale dhe shkencave aplikative. Kjo mbetet klasike. Si njëri që kam studiuar në të dyjat, aplikative dhe sociale, nuk e kam të vështirë të bëjë dallimin dhe të jap një rekomandim korrekt për vlefshmërinë, instrumentalizimin dhe materializimin e tyre. Të studiosh shkenca aplikative, në përgjithësi duket më e rëndë, më intensive dhe dërrmuese. Studentët e mjekësisë, inxhinierisë apo arkitekturës gjithmonë u marrin lakmi studentëve të tjerë për kohën e tyre të lirë, shëtitjet dhe kënaqësitë e natës, gjëra këto që për ata janë shumë të rralla. Të paktën atyre u duket kështu. Por çështja nuk është se studentët e shkencave sociale kanë literaturë më pak dhe më të lehtë për të studiuar, por kriteret për kalimin e provimeve i kanë më të lehta. I kanë më të lehta sepse mendohet se një filozof i dobët s’mund t’i bëj keq askujt, kurse një mjek i keq po. Një mjek i keq mund ta vras një njeri. Po unë them një filozof i keq mund ta vras një popull. Do të kisha dashur që një student psikologjie, shkenca politike a filozofie të punonte sa një student mesatar mjekësie me siguri se gjërat do të ishin shumë më ndryshe. Përzgjedhja mes sociales dhe aplikatives është preferencë e bazuar në shkathtësitë konceptuale ose kalkuluese të individit. Disa janë më të mirë në manipulim me koncepte, shkrim dhe retorikë kurse disa të tjerë janë më të mirë në numra, operacione dhe matje gjeometrike a projeksione. Prapë më duhet ta them. Ndarja e shkencës në sociale dhe aplikative është një ndarje brutale, shkenca në përgjithësi është unike, gjithëpërfshirëse dhe e pa fragmentarizuar. Ndarjen po e bëjmë veç për çështje problematizimi. Por studentët tanë, me çfarë kriteri bëjnë përzgjedhjen e tyre?

Studentët e nënqiellit tonë, prirjen apo tendencat në përzgjedhjen e shkencave sociale, e bëjnë ngaqë bazohen në një mit familjar i cili është produkt i ngecjes në kohë dhe shpresën në ndihmën e partisë për t’u punësuar në administratë. Është tipike jugosllave. Miti familjar, i ndërsyer nga rrethi i gjerë e i ngushtë i familjes është që ky i ri ose e re, të marrë një diplomë sa për të thënë, të punësohet në administratë, të shkoj herët në punë dhe më pastaj të kthehet të hajë drekën, të pijë çajin pranë gjirit familjar dhe kështu të jenë të gjithë të lumtur. Ëndërr e mbjellur nga socializmi jugosllav. Këta studentë, priren edhe nga siguria e dobishmërisë partiake, e cila në fund të fundit do ia gjejë një punë diku në administratën shtetërore. Këto dy shkaqe ndikojnë kaq rëndë në psikikën e studentit sa që në mënyrë të pashmangshme e bëjnë atë dembel dhe të painteresuar për shkencë dhe jetën në përgjithësi. Koha e kaluar në universitet është kohë e shtyrë me zor, duke vrapuar aty këtu për të marrë ndonjë nënshkrim dhe duke mallkuar e shfryer dufin se “këtu nuk jetohet duhet ikur jashtë, politikanët janë hajna, këtu veç vidhet…” dhe budallallëqe të ngjashme. Në të vërtetë i shkreti kolonizohet brenda idesë se ai tashmë ka siguruar një jetë qoftë kjo edhe monotone por duke fjetur në shtratin e sigurisë partiake. Ata nuk janë të vetëdijshëm se do të jetojnë në një epokë ku gjithçka iu është nënshtruar tregut të punës dhe diploma nuk vlen gjë, po nuk pate të zhvilluar ndonjë shkathtësi tjetër a specifike.

Sa i përket studentëve të cilët studiojnë shkenca aplikative janë studentët që tashmë e kanë humbur apo nuk kanë asnjë lloj interesi nga partia dhe vizionin e tyre për të ardhmen e ndërlidhin pa menduar se duhet t’i trokitet dikujt dera. Zakonisht vijnë nga shtresat e varfra dhe arsyeja që studiojnë mjekësinë kryesisht, inxhinieri apo arkitekturën përpos që nga pasioni e bëjnë më tepër nga siguria financiare që mund t’ju sjellë kjo përzgjedhje. Në fakultet e kishim një profesor i cili thoshte se dy profesione, si në paqe si në luftë kanë punë e ato janë mjeku dhe agronomi. Nuk e di sa është e vërtetë kjo. Megjithatë në luftë ka edhe profesione të tjera që janë shumë të leverdishme. Shembull kontrabanda dhe spiunazhi. Por, siç e thash, këta studentë thellë në nënvetëdijen e tyre kanë zgjedhur një botë ku ata do të jenë krejt vetëm dhe mbi supe do të mbartin gurin e sizifit dhe për të çarë detin e Mojsiut vetëm.

Çka duhet/mund të studiohet sot? Universitetet janë bërë si tregje. Të vijnë në shtëpi të ofrojnë ofertat e tyre studimore sikur të jenë agjenci për pushime dhe guida turistike, market i lagjes ose parti politike. Këtë gjendje të universitetit e ka sjellë pluraizmi dhe nënshtrimi i universitetit ndaj tregut, me çrast studentin e sheh si myshteri dhe jo subjekt që njeh, mbindërtohet intelektualisht dhe nesër do i prijë procesit të ndërtimit të shoqërisë dhe shtetit. Pra, e keni më të lehtë të përzgjidhni se çfarë doni të studioni.

Rekomandimi im është që në përgjithësi të kemi fokus në shkencat teknike dhe aplikative ngaqë shkencat sociale janë më të kapshme dhe të përbrendësueshme dhe nevoja për to ditë e më tepër po zvenitet në tërësi. Por, kur të bëhet një përzgjedhje e tillë, mos të kihet parasysh asnjëherë presioni mahallor apo ëndrra për të jetuar në lagjen tënde. Nëse dëshiron për të studiuar detari, shko në një vend bregdetar dhe jeto atje përgjithmonë. Nëse ke përzgjedhur inxhinieri të aviacionit shko atje ku studiohet dhe prodhohet aeroplanët ose dronët. Po deshe të studiosh inxhinierinë për ndërtimin e urave duhesh ta dish se për një gjë të tillë duhet të jetosh larg vendit tënd ngaqë në vendin tënd s’ka shumë lumenj dhe kodra ku ti mund të ndërtosh e rrënosh ura kaq shpesh.

Në vile më praktik dhe të arsyeshëm, nëse vendos të studiosh historinë, asnjëherë mos e projekto veten si një mësues lagjeje ku jep histori në shkollën fillore. Projektoje veten të tillë në atë mënyrë që ta mbash gjallë në mendje e në zemër se historia është interpretimi i së ardhmes dhe projektimi i një kombi në ardhmëri. Mjetet e saja metodologjike janë gjuhët e vjetra, leximi i monedhave, epitafeve, pergmenave, objektet arkeologjike dhe një duzine dosjesh historike të mbyllura në arkiva. Mbi të gjitha duhesh të jesh i vetëdijshëm për shkollat e historisë, shkolla/drejtime këto të cilat, secila më vete krijon një tipologji të veçantë të konceptimit të kësaj shkence. Dhe në fund, nëse shkon të bëhesh mësues lagjeje aty në shkollën fillore, ti tashmë shkon aty si njeri dhe shkencëtar i kompletuar. Por jo!Nuk duhet harruar se vendi yt janë institutet dhe qendrat e hulumtimit. Ngjashëm vlen për gazetarin, psikologun, juristin, ekonomistin prej të cilëve nuk pritet që të mbyllen në administratë por të japin shembullin e plotë të intelektualit dhe në rast se mjeku përfundon në klinikë brenda qytetarësh, studiuesit e shkencave sociale përfundojnë në rrugë pranë shoqërisë duke u marrë me ata, ngjashëm si mjeku që ruan shëndetin ata përpiqen që t’u mundësojnë njerëzve një qetë më të mirë.

Nga perspektiva shoqërore, vendi ynë ka nevojë më shumë për studentë të shkencave teknike përmes të cilëve ky vend duhet të zhvillohet dhe avancohet. Ekonomia, edhe pse është shkencë sociale, megjithatë kjo shoqëri ka nevojë shumë për ekonomistë dhe projektant të zotë të mirëqenies. Numri i mjekëve edhe pse është i madh, siç dihet mirëfilli figurat – më të rëndësishme në shtet i kemi mjek dhe ka një trend interesant të kyçjes së mjekëve në politikë, megjithatë, për shkak të migrimit numri i studentëve mjekë do jetë i lartë dhe kjo do të krijojë një disbalancë në shpërndarjen uniforme të studentëve në drejtime. Pa harruar që në momentin kur të zgjedhim drejtimin të mos harrojmë se ne nuk përkasim botës dhe jo lagjes e mëhallës, punësimit partiak i ka ardhur fundi dhe se shkathtësia dhe zotësia do jenë kriteret në alokimin tonë në mozaikun e madh të botës. /koha.mk