Që në vegjëli, disa mendje janë formuar të vogla, me përmasa të kufizuara, të shabllonizuar ashtu siç ngjet me çimenton dhe zhavorrin. Ato futen në shabllone hekuri ose dërrase dhe na serviren në formë tullash ose blloqesh të ngurta. Mendje të tilla i mbeten besnike verbërisht imitimit, ngurtësimit dhe injorancës, duke e hedhur poshtë çdo argument logjik dhe të drejtë. Thotë Zoti në Kuran lidhur me mendje të tilla: ”A mendon ti se shumica e tyre dëgjojnë dhe kuptojnë? Ata nuk janë tjetër, veçse si bagëti. Madje, ata janë edhe më të humbur nga rruga e drejtë.”[1]
Bazuar në këtë, mesazhi i Islamit u fokusua në çlirimin e mendjes para çlirimit të kalave, ndriçimit të arsyes para ndriçimit të rrugëve. Thotë Zoti në Kuran: “Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi.”[2]
Ndihma e Zotit ishte kundër armiqve të Islamit, kurse çlirimi ishte i vendit, mendjes dhe pasurive. Madhështia e çlirimit islam të botës, nuk qëndron në lëvizjet kolonialiste për të okupuar vendet dhe shfrytëzuar pasuritë e tyre, ashtu siç vepruan romakët, anglezët, francezët, spanjollët e shumë të tjerë. Ata okupuan territore të ndryshme dhe shtypën popujt e pushtuar, ashtu siç vunë dorë në pasuritë e tyre. Por, ata nuk ndryshuan dot bindjet dhe besimet e popujve. Veriu i Afrikës mbeti mysliman para kolonializmit dhe pas tij. Japonia i qëndroi besnike e fesë së saj, para dhe pas pushtimit nga forcat aleate. Të gjithë shtetet e pushtuara, nuk i kanë ndryshuar besimet e tyre fetare dhe ideologjitë, siç ka ndodhur edhe me budizmin, zoroastrianizmin, mexhusët, etj.
Përjashtim këtu bën vetëm Islami i cili i sfidoi të gjithë, pasi ai çliroi mendjen dhe arsyen, para se të çlirojë dhe të depërtojë në territoret e tyre. Qyteti i parë që morën myslimanët ishte ai i Mekës. Por para se të marrë dhe çlirojë Meken, profeti Muhamed (a.s) u kishte çliruar dhe ndriçuar mendjen banorëve të saj me besim dhe dritë hyjnore. Të njëjtën rrugë ndoqën dhe ithtarët e tij nga Lindja në Perëndim, duke çliruar dhe ndriçuar mendjet e njerëzve nga Sindi në Kordoba, nga Tashkendi në lumin Niger. Me të hyrë në një qytet, myslimanët ua kthellonin mendjen banorëve me fjalën “La ilahe il-lallah”, mbillnin në zemrat e popullatës pemën e besimit, sigurisë, paqes dhe drejtësisë. Ata e pasuronin botën e tyre shpirtërore me morale dhe vlera, para se të pastronin rrugët nga papastërtitë.
Prandaj, prej nesh lipset që para se të zgjerohemi në arkitekturë, të zgjerojmë dhe zhvillojmë mendjet tona me dije dhe shkencë. Para se të mbjellim lulishte e ferma me pemë, të mbjellim në zemrat tona pemën e besimit, mirësisë dhe dhembshurisë. Para se të lajmë rrugët tona me ujë, të lajmë dhe pastrojmë moralet tona nga ndotjet dhe ligësia. Mos pyet mbi sipërfaqen e një shteti dhe numrin e popullatës, por pyet mbi sipërfaqen që zënë idetë e tyre dhe sa mendje hapur janë. Mos u mashtro nga qiellgërvishtësit e një qyteti, pa zhbiruar më parë vullnetin e banorëve, inteligjencën dhe moralet. Mos u magjeps pas lulishteve të pasura dhe parqeve plot gjelbërim, derisa të sigurohesh nëse zemrat e popullatës janë të pasura me dashuri, mirësi, solidaritet dhe drejtësi. Lëvizja më e madhe iluministe dhe reformiste që ka ndodhur ndonjëherë, është lëvizja islame dhe ftesa e profetëve të Zotit, me dëshminë e kolosëve të historisë. Bazuar në këtë, shumë popuj e pranuan ardhjen e myslimanëve, e cila nuk u shoqërua me luftë, pasi u ishin ndriçuar mendjet dhe arsyeja me besim, fjalë të mira, biografi të pastër dhe morale të larta. Kështu, me miliona pranuan Islamin i cili u rezistoi të gjithë kohërave dhe stuhive deri në ditët tona. Mongolët pothuaj pushtuan gjysmën e globit dhe depërtuan thellë në botën islame, por nuk arritën të bindin qoftë dhe një person të vetëm me ideologjinë e tyre të pavlerë. Ata nuk arritën të çlirojnë qoftë dhe një mendje të vetme me metodën e tyre të kotë.
Botën islame e pushtuan edhe ushtritë e hovshme të anglezëve, francezëve, holandezëve, italianëve, etj. Edhe pse ndejtën këmbëkryq në territoret myslimane për vite me radhë, ata nuk mund të bëjnë për vete qoftë dhe një mendje. Po, ata arritën të përvetësojnë dhe plaçkitin vetëm pasuritë dhe thesaret e vendeve të pushtuara.
Sakaq, kur myslimanët hynë në Spanjë, popullata vendase përqafoi Islamin dhe e mbrojtën për shekuj të tërë. Me këtë rast, dua të sjell në kujtesë thënien e ish presidentit amerikan Nikson, i cili është shprehur: “Amerika është një vend i fuqishëm, por fatkeqësisht idetë madhështore i gjen tek Islami.”
Them që Amerika me anijet e saj, armatimin, raketat dhe arsenalin bërthamor mund ta pushtojë kur të dojë botën arabe, por ajo kurrë nuk mund t’i pushtojë mendjet tona, pasi atyre u ka paraprirë Islami. Ai – Islami – i ka çliruar këto mendje, para se të çlirojë tokat dhe territoret tona.
Unë shoh që sot po thërrasim ezanin dhe po falemi përbri Shtëpisë së Bardhë në Uashington, Shanzelize në Paris, Këshillin e Lordëve në Londër, Kremlin në Moskë, sepse ideja islame nuk përhapet me bomba, tanke dhe raketa. Këto janë instrumente të një pushtimi të përkohshëm. Sakaq, pushtimi i mendjes me anë të argumentit, faktit dhe arsyes është i palëkundur. Prandaj, Zoti në Kuran na thotë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!”[3]
Mençuria është për dijetarët, këshilla e bukur për masat dhe publikun, kurse diskutimi dhe debati për skeptikët dhe dyshuesit.
Autor: Aid El Karni
Përktheu: Elmaz Fida
[1] – Sure Furkan: 44.
[2] – Sure Nasr: 1.
[3] – Sure Nahl” 125.