Ka një sëmundje të vjetër që po rishfaqet në emër të dijes: arroganca e elitave që përçmojnë popullin e vet.
Disa “intelektualë” të krekosur, me libra nën sqetull dhe urrejtje në zemër, kanë guximin ta quajnë marrëzi apo turp çdo vendim historik që ka marrë ky popull në momente kritike.
Ata flasin nga maja, me shpërfillje, duke harruar se çdo komb që përçmon rrënjët e veta, thahet si pema pa ujë.
Kjo klasë e zhytur në vetëmburrje ha bukën e këtij populli dhe thotë “ Zoti bereqet” në vesh të huaj.
Zëri i tyre ngrihet jo për ta mbrojtur kombin apo për ta udhëhequr me urtësi, por thjesht për të dëshmuar një lojalitet të rremë ndaj modës ideologjike të kohës.
Siç thotë Thomas Sowell në librin Intellectuals and Society:
“Gabimi fatal i këtyre intelektualëve është se supozojnë që aftësia e tyre e lartë në një fushë të caktuar mund të zgjerohet si urtësi apo moral i epërm mbi gjithçka tjetër.”
Ata pra supozojnë se e dinë gjithçka. Supozojnë… por nuk kuptojnë.
Po a harruam se çfarë na mësuan rilindasit tanë?
“Populli nuk është i marrë…”, thoshin ata. Ai ndonjëherë sillet çuditshëm, por është arroganca e elitave ajo që mban barrën më të rëndë në historinë e një kombi.
Zoti e ruajtë këtë popull nga armiqtë që vijnë nga jashtë… por më shumë nga ata që vijnë nga brenda, me fjalë të bukura e shpirtra të zbrazët.
Prof. Driton Arifi/mesazhi/