Të eklipsuar pas zhvillimeve politike të cilat ndjekin një rend të njëpasnjëshëm dhe të pandalshëm, të cilat dhunshëm bllokojnë pothuaj të gjithë hapësirën tonë botëkuptimore, kishim harruar të kujtonim që problematika jonë shfaqej edhe në shumë dimensione të tjera të cilat kapërcenin diskursin dhe retorikën politike dhe shtriheshin në pragun e çdo shtëpie shqiptare.
Teksa kridhesha në lojrat e fjalëve të gazetave shqiptare mbi kultin e politikes e cila arriti të faktorizohet përtej çdo produkti, syri më zurin në një cep pothuaj të harruar të gazetës një lajm i cili po fliste për divorcet familjare në Shqipëri. Rritja alarmante e këtij fenomeni nga muaji në muaj e viti në vit, e bënte divorcin politik të dukej tejet i zakonshëm dhe shpesh rrugëdalës, në krahasim me atë që shfaqej si “zgjidhja” e familjeve tona. Lajmi fillonte me shifra shpuese. Si për ironi, ky lajm qëndronte mbi një rubrike e cila me ngjyra si të zverdhura dhe foto tekanjoze, tregonte se filanja dhe filani, dy “vipa-a”, pas nje aventure prej “qelqi” më në fund thyen marrëdhëniet e tyre. Poshtë një cocktail fotosh (një bashkim gjymtyrësh lakuriqe) insistonin t’i impononin lexuesit se asnjëri nga çiftet Vip nuk ishte bërë për njëri-tjetrin.
Domethënë, një psikozë divorci në art, në “kulturë”, në kinematografi, në sport e kudo mbushte mediat dhe lajmi se shqiptarët po arrinin rekordin botëror atë të “sindromit kalifornian të divorceve” aspak nuk çudit lexuesit, bile, zë vënd në një cep të gazetës. Pra, një thurje sociale si e jona e bombarduar me rreze ultrapolitike dhe me një skanim të trurit tip telenovelë apo reality-show, nuk arrin të kuptojë se lajmi më i rëndë dhe më i keq i cili do të alarmonte shqiptarët, dhe që do të duhej të shkruhej me gërma të mëdha në faqet e para të gazetave apo të televizioneve, do të ishte lajmi se “Kështjella ra”. Po, po, familja ishte e vetmja këshjellë e cila po mundohej t’i rezistonte bombardimeve të palodhshme mediatike por edhe reale kundra atij tradicionalizmi i cili paskësh infektuar “bardhësine” e shoqërise sonë moderne.Për këtë të gjithë pa përjashtim, kush më shumë e kush më pak, përveshi mëngët për të rrëzuar të vetmen kështjellë e cila na kishte ngelur si garant i qëndrueshmërisë shoqërore dhe i moralit kombëtar.
Shifrat e divorceve jane pesefishuar ne Shqiperi me mbi 20 divorce ne dite. Nëse këtë shifër do ta shumëzonim minimalisht për dy fëmijë atëherë numri i fëmijëve me trauma si pasojë e divorcit të prindërve do t’ia tejkalonte spektatorëve të një ndeshjeje të rëndësishme të kombëtares shqiptare. Një komunitet fëmijesh në dilemë mes zgjidhjes së prindit të “duhur”. Një komunitet fëmijësh fatkeqësisht në rritje i cili përballet me shoqërinë me minuse personaliteti dhe përkrahjeje si dhe një komuniteti i madh fëmijësh të cilët nuk kanë se çfarë modeli t’u ofrojnë bashkëmoshatarëve të tyre. Një komuntet i cili është dëshmi e asaj se sa më shumë që të rritet aq më shumë e kthen anormalitetin në një normalitet problematik.
Përtej telashit me divorcin si fenomen, shqiptarit i duhet të përballet edhe me telashin e pa aftësisë së tij për t’u përgatitur për këtë mentalitet. Mirëpo, mediat, apo edhe më gjërë, nuk thellohen në shkaqet të cilat theqafin bërthamën sociologjike, njësinë e vetme nga ku tipari kombëtar merr trajtë dhe reflekton në mesin e shoqërive të tjera, e cila është familja. Zakonisht triologjia që e shoqëron përshkrimin e këtij fenomeni është tipike e njëjtë statike dhe përdoret gati si një parullë: “Papunësia, dhuna në familje, kushtet e rënda ekonomike”, nganjëherë shtohet edhe xhelozia. Mirëpo, në fakt dalin dy, sepse papunësia sjell kushte të rënda ekonomike dhe xhelozia sjell edhe dhunë.
Këtë përshkrim të thatë të fenomenit e rrëzon mendimi i sociologëve shqiptarë por edhe të huaj të cilët thekshëm evidencojnë se familjet më të prirura për divorce janë familjet e kamura, të pasura të cilët zhvillojnë një jetë të shpengueshme financiare dhe të shkapërderdhur nga ana morale. Pra, në këto famlje nuk vërehet prezenca e “kushteve të rënda ekonomike” dhe rallë ose kurrë “dhuna”. Gjithashtu, theksohet se familjet rurale janë më solide edhe pse më të varfra janë më të mbrojtura nga fenomeni i divorcit i cili ka marrë natyrën e një sëmundjeje qytetase.
Mendimi mbi shkaqet e divorcit është një barrë së cilës nuk është se i kanë shpëtuar shumë njerëz, por mendoj se duhet një qasje më e drejtpërdrejtë kur bie fjala për një fenomen i cili rritet në Shqipëri me përmasa pandemike. Problemi kryesor i cili shkakton divorcin në familjet tona është koncepti që kanë këto çifte mbi familjen. Mos konsiderimi i përgjegjësive reciproke i cili fillon që me aktin e martesës si një moment konstituimi i bërthamës kombëtare si dhe shkollës reale të edukimit të brezit të ri, kanë bërë që martesa të trajtohet si një opsion në jetë.
Ideali i pastër i martesës dhe lidhjes në mes çiftit nëse zëvendësohet me një paketë interesash, pronash, tarafesh etj, sigurisht që e bëjnë këtë martesë dhe kohëzgjatjen e kësaj në funksion të kohëzgjatjes së interesit. Zvogëlimi i përgjegjësive morale brënda individëve si pasojë edhe i tkurrjes së ndërgjegjes religjioze tek çiftet, e çkurorëzojnë martesën nga sakrifica, përunjësia, dimensioni shpirtëtor, të cilët janë parandalues të fortë ndaj provokimit, situatave të vështira dhe janë garantë për një jetëgjatësi të çiftit. Kjo, sidomos në këto kohë kur një ankand i pashëmbullt asetesh fizike është shpalosur pamërshirshëm rrugëve e trotuareve i cili trondit besnikërine dhe qëndrueshmërine familjare.Trajtimi i fëmijëve nga ana e disa çifteve si produkt postmodern dhe jo si krijesa të cilat kanë nevojë dhe meritojnë një trajtim, sakrificë të veçantë, bëjnë që stina e epsheve të bashkëshortëve ndaj rrethit jashtëmartesor të mos njohë kufinj.
Divorci është një mjet i cili si shumë mjete do të duhej të përdorej në këtë realitet për të zgjidhur situata të veçanta, specifikisht të vështira apo edhe të jashtëzakonshme. Problemi fillon dhe merr udhë të pandalshme kur divorci nga mjet kthehet në mënyrë jetese dhe shfuqizon martesën. Pikërisht nga ky moral dhe koncept ndaj divorcit, sot kemi një format të ri “komod” për jetesën në çift që quhet bashkëjetesë. Dy qënie njerëzore pa asnjë angazhim reciprok bashkohen dhe ndahen në mënyrë pothuaj të automatizuar dhe këtë në ndryshim nga kafshët nuk e bëjnë në stinë të caktuara por gjatë gjithë vitit.
Rikthimi i vlerave të familjes fillon së pari në restaurimin e vetvehtes, në konceptimin e saktë të jetës individuale dhe asaj martesore. Rëndësia e familjes nuk konceptohet ashtu siç vërtet duhet, edhe pse ndoshta ajo, familja, është më e artikuluara kur bie fjala për debate pompoze dhe mediatike. Nëse vërtet nuk kemi aftësi të kuptojmë përgjegjësitë tona në lidhje me martesën dhe pasqyrimin e saj në shoqëri, atëhere le të vizitojmë sa më shumë jetimoret dhe të ftillohemi duke menduar se ne apo edhe fëmijët tanë mund të ishin banorë të tyre. Le të lexojmë në sytë e atyre fëmijëve se sa shumë e kishin dëshiruar atë që ne e kemi dhe shpërfillshëm e prishim.
Nga: Redi Shehu/mesazhi/