Udhëheqësit e Francës dhe të OKB-së dënuan sot zyrtarët, të cilët kanë thënë se Evropa duhet të pranojë vetëm refugjatë nga Lindja e Mesme që janë të besimit të krishterë.
Pasi dy kryetarë bashkie në Francë thanë ditët e fundit se do të pranonin në qytetet e tyre vetëm refugjatë të krishterë dhe jo refugjatë myslimanë, Ministri i Brendshëm i Francës Bernard Cazeneuve e kritikoi qëndrimin e tyre në një intervistë televizive.
“Nuk jam në gjendje ta kuptoj këtë dallim”, tha ai. “E dënoj dhe e cilësoj këtë një qëndrim shumë të keq”.
“Në Siri janë duke u persekutuar një numër pakicash. Të krishterët nga Lindja e Mesme duhen mirëpritur, por ka edhe myslimanë dhe pakica të tjera që janë persekutuar atje me të njëjtin barbarizëm”.
Në kushtet kur Evropa është duke u përballur me fluksin më të madh të imigrantëve që nga Lufta e Dytë Botërore, kryeministri hungarez i krahut të djathtë, Viktor Orban, ka thënë se bashkështetasit e tij janë “të frikësuar” se në se Evropa pranon një numër kaq të madh myslimanësh nga Siria, Iraku, Afganistani dhe vende të tjera, kjo do të minonte rrënjët kristiane të Evropës.
“Është absurde të mendosh”, – tha Orban, “kur gjermanët thonë se kanë për të shpenzuar miliarda dollarë për të ndihmuar të porsaardhurit, në vend që t’u japin para vendeve përreth zonës së krizave, ku duhet t’i ndalin emigrantët. Kjo do ishte diçka më e mirë për të gjithë. Do të kushtonte më pak. Qëndrimi ynë nuk duhet të vihet aspak në pikëpyetje për nga morali”, tha kryeministri hungarez, raporton VOA.
Sllovakia fqinjë muajin e kaluar njoftoi se do të pranonte vetëm emigrantë të krishterë, ngaqë atje nuk ka xhami, gjë që sipas zyrtarëve do t’ua bënte imigrantëve të vështirë integrimin në këtë vend.
Peter Sutherland, përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon për emigracionin dhe zhvillimin, tha sot se zgjedhja e refugjatëve të krishterë për favorizime kundrejt atyre myslimanë, përbën shkelje të parimeve bazë të Kombeve të Bashkuara.
burimi: Mediat