Të Fundit
Fenomeni i frikës, çfarë e shkakton dhe si ta kontrollojmë?!.

Fenomeni i frikës, çfarë e shkakton dhe si ta kontrollojmë?!.

Frika është një gjendje shpirtërore që lidhet me diçka të padëshiruar, të cilën njeriu e pret të ndodhë apo të përsëritet.

Ka një frikë natyrore që shërben si nxitje për arritje, përsosmëri dhe cilësi në punët dhe detyrat që i besohen njeriut, ose që është si mburojë për t’u mbrojtur nga të papriturat e jetës.

Frika nga dështimi mund të nxisë punën dhe arritjet, frika nga humbja nxit përpjekjen dhe planifikimin; frika nga sëmundjet nxit marrjen e masave parandaluese, frika për fëmijët na nxit të kujdesemi për ta dhe për sigurinë e tyre.

Kjo lloj frike është e shëndetshme dhe e nevojshme.

Por nëse frika shndërrohet në gjendje sëmundjeje, paniku apo dobësie, atëherë njeriu fillon të trembet edhe nga hija e vet dhe bëhet lodër në duart e djajve të njerëzve dhe xhindëve.

Në kohën moderne, shumë njerëz jetojnë të mbyllur brenda mureve të frikës dhe ankthit, kanë frikë për jetesën, të ardhmen dhe çdo gjë tjetër.

Çfarë përfitojnë njerëzit nga frika?

Vetëm poshtërim, pikëllim, sëmundje, depresion, ankth, dyshim, dështim, paaftësi dhe madje deri në vetëvrasje.

Siguria është ndër shtyllat themelore të qytetërimeve dhe ndërtimit shoqëror, siç thotë Imam el-Maverdi: “Dije se gjashtë gjëra janë themeli i përmirësimit të botës, edhe pse ato ndërthuren, një fe që ndiqet, një pushtet që ushtrohet, një drejtësi që përfshin gjithçka, një siguri e përgjithshme, një begati e qëndrueshme dhe shpresa e gjerë”. Për këtë arsye, Kurani ka theksuar dhuntinë e sigurisë fizike dhe shpirtërore:

“Ata që besuan dhe nuk e përzienë besimin e tyre me padrejtësi, për ta është siguria dhe ata janë të udhëzuar.” (el-En’am: 82)

Dhe duaja e Ibrahimit a.s : “Dhe kur Ibrahimi tha: O Zoti im, bëje këtë qytet të sigurt dhe largoje prej meje dhe pasardhësve të mi adhurimin e idhujve.” (Ibrahim: 35).

Allahu xh.xh thotë: “A nuk u kemi dhënë atyre një vend të shenjtë e të sigurt, ku u sillen frytet e çdo gjëje si furnizim nga Ne, por shumica e tyre nuk e dinë.” (el-Kasas: 57). Dhe thotë: “A është më mirë ai që do të hidhet në zjarr, apo ai që do të vijë i sigurt Ditën e Kiametit? Bëni ç’të doni, Ai sheh çfarë punoni.” (Fusilet: 40)

Dhe thotë: “Që i ushqeu ata nga uria dhe i siguroi nga frika.” (Kurejsh: 4).

Një shoqëri pa siguri ekonomike apo sociale është e brishtë dhe pa besim të ndërsjellë mes anëtarëve të saj. Prandaj Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Për Zotin nuk beson, për Zotin nuk beson, për Zotin nuk beson! Thanë: Kush, o i Dërguari i Allahut? Tha: Ai që fqinji i tij nuk është i sigurt nga e keqja e tij.” (Ahmedi)

Prodhuesit frikën?

Kush e prodhon frikën në botë? Kush përpiqet që frika të ngulitet në tokë?

Kush dëshiron që njerëzit të jetojnë në një gjendje të përhershme frike?

Çfarë interesash përfiton ai?

Prodhuesi i parë i frikës është!

1. Shejtani.

Allahu thotë: “Ai është vetëm djalli që i frikëson miqtë e tij. Mos kini frikë prej tyre, por kini frikë nga Unë, nëse jeni besimtarë.” (Ali Imran: 175)

Shejtani ngre një pengesë frike mes besimtarit dhe dhënies e lëmoshës në rrugë të Allahut, duke e trembur nga mungesa e riskut (furnizimit).

Ngre pengesë mes njeriut dhe të thënit të së vërtetës, si dhe qëndrimit përballë zullumqarëve, duke e frikësuar nga shkurtimi i jetës, sikur shpirti të ishte në dorën e dikujt tjetër përveç Allahut të Madhëruar.

Prandaj Allahu betohet në Fjalën e Tij hyjnore: “Në qiell është furnizimi juaj dhe ajo që ju premtoheni. Pasha Zotin e qiellit dhe të tokës! Vërtet, ajo (fjala e Allahut) është e vërtetë, ashtu siç është e vërtetë se ju flisni.” (Edh-Dharijatë: 22-23)

Shejtani nuk do të lërë asnjë rrugë të besimtarit pa e vëzhguar dhe pa hedhur në të dyshime për ta penguar dhe për ta kthyer mbrapsht.

Nga Seberah ibn Ebi Fakihe transmetohet se ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.d. duke thënë: “Shejtani u ul në rrugët e birit të Ademit. E para, në rrugën e Islamit, dhe i tha: ‘Do të pranosh Islamin dhe do të braktisësh fenë tënde dhe të etërve të tu?’ Por ai nuk e dëgjoi dhe u bë musliman.

Pastaj u ul në rrugën e hixhretit dhe i tha: ‘Do të emigrosh dhe do të lësh tokën dhe qiellin tënd? Emigranti është si kali që është i lidhur me litar (i kufizuar)’. Por ai nuk e dëgjoi dhe emigroi.

Pastaj u ul në rrugën e xhihadit dhe i tha: ‘Do të luftosh? Është përpjekje e vetes dhe pasurisë, do të luftosh e të vritesh, do të martohet gruaja jote dhe do të ndahet pasuria jote’. Por ai nuk e dëgjoi dhe luftoi.”

I Dërguari i Allahut a.s. tha: “Kush vepron kështu, është e drejtë e Allahut që ta fusë atë në xhenet. Kush vritet, është e drejtë e Allahut që ta fusë në xhenet. Kush mbytet, është e drejtë e Allahut që ta fusë në xhenet. Edhe nëse rrëzohet nga kafsha e tij dhe vdes, është e drejtë e Allahut që ta fusë në xhenet.” (Hadith sahih, e transmeton Nesaiu).

2. Tirania dhe despotizmi.

Një ditë, kur Omeri ibn el-Hattabi r.a. po ecte në Medinë, disa fëmijë po luanin dhe nga frika e tij, të gjithë u shpërndanë përveç një djali të guximshëm, Abdullahu ibn Zubejr r.a. Omeri e pyeti: “Pse nuk ike si të tjerët?” Ai iu përgjigj me guxim: “Rruga nuk ishte e ngushtë që të të pengoja, dhe nuk kam bërë asnjë faj që të frikësohem.”

Ajo që e formësoi këtë fëmijë në një burrë ishte siguria që gjeti dhe edukata e drejtë që i ishte dhënë.

Kështu, kur njeriu çlirohet nga frika, këshillon dhe flet, diskuton, kritikon, udhëzon dhe përballet.

Ndërsa tiranët, si Faraoni sundojnë njerëzit përmes frikës dhe terrorit.

Kjo është edhe ajo që bëjnë regjimet shtypëse, duke terrorizuar popujt, ashtu siç po ndodh në Gaza dhe Palestinë, ku Gaza po shfaroset dhe regjimet i frikësojnë popujt e tyre për t’i ndaluar nga ndihma apo afrimi te kufiri.

Tirani ka mënyrat e veta për të shtypur liritë, për të mbyllur gojët dhe për të mos parë korrupsionin, pasi vetë puna është kthyer në një prangë. Sa politikanë të mëdhenj kanë parë fundin e karrierës së tyre vetëm sepse guxuan të flasin për atë që është e ndaluar? Dhe menjëherë, elita dhe grupet e interesit i “dënuan” me metodat e tyre kriminale.

Sa dijetarë gjenialë janë vrarë sepse punonin në fusha që ishin “të ndaluara” për shtetin e tyre?

Shërbimet sekrete, përfshirë Mossadin, kanë vrarë shumë dijetarë muslimanë, duke i ndjekur kudo që të jenë, në mënyrë që ummeti të mbetet i paaftë për t’u mbrojtur dhe i varur nga fuqitë kolonialiste.

Sa nëpunës kërcënohen në bukën e gojës nëse dalin jashtë vijës së diktuar, një vijë që shpesh përfshin të thënët e rreme dhe dëshminë e gënjeshtërt?

Ne pamë qëndrimin fisnik të inxhinieres marokene Ibtihel Ebu Sa’d, e cila refuzoi të bëhej pjesë apo dëshmitare e krimeve të Microsoft-it dhe përfshirjes së saj në gjenocidin kundër Gazës.

Po sa politikanë e fshehin të vërtetën nga frika apo lakmia?

Sa nëpunës mbyllin sytë dhe gëlltisin gjuhën nga frika për riskun e tyre?

Sa gazetarë shpërndajnë urrejtje me gënjeshtra dhe padrejtësi, sepse i janë nënshtruar atyre që kanë në dorë frenat e tyre?

Është frika ajo që ia rrëmben njeriut vetveten.

3. Tregtarët e luftërave dhe krizave

Gjithmonë ka një prodhues dhe një konsumues…

Ka nga ata që ndezin luftëra dhe përfitojnë prej tyre, dhe ka të tjerë që bëhen dru zjarri, duke u djegur në flakët e tyre.

Ka nga ata që nxisin përçarje dhe armiqësi mes shteteve, në mënyrë që njëra të frikësohet nga tjetra, duke u detyruar të shpenzojë buxhete të mëdha për armatim ushtarak, në kurriz të arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve publike.

Ashtu siç pamë në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, ku ekonomia gjermane dhe ajo europiane u goditën rëndë nga një katastrofë e madhe.

Këta janë ata që prodhojnë vdekjen, kur formojnë banda për të terrorizuar njerëzit e pafajshëm dhe për të derdhur gjakun e tyre, e më pas shfrytëzojnë këto ngjarje për të vendosur ligje dominimi dhe kontrolli mbi popujt, duke kufizuar liritë dhe duke i vëzhguar deri në frymëmarrjen e fundit nën justifikimin e “luftës kundër terrorizmit”.

A e harron kush luftën në Irak, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara nën një pretekst të rremë? Një luftë që shkatërroi vendin, zhduku jetën dhe produktet, dhe përhapi frikë në të gjithë botën.

4. Myslimanët e Evropës dhe frika nga Islami.

Partitë e djathta ekstreme janë ngjitur në pushtet dhe në parlamentet e Gjermanisë, Francës, Suedisë dhe vendeve të tjera të Evropës duke u mbështetur në frikën ndaj Islamit dhe myslimanëve. Ajo që të habit është se, në çdo sezon zgjedhor, shohim një “pazar” që të kujton tregun e lashtë të Ukadhit, ku viktimat janë myslimanët e Evropës. Është si një ankand i hapur: kush sulmon më shumë Islamin dhe myslimanët, fiton më shumë vota! Çfarë është kjo?!

Fenomeni i islamofobisë është në rritje, dhe nuk e dimë se ku do të përfundojë. Por për çfarë po luajnë?

A duan që ne të heqim dorë nga feja jonë për të kënaqur Perëndimin apo Lindjen?

A duan që të përqafojmë një “fe laike” që e ndan Islamin nga jeta?

A duan që të barazojmë teuhidin (besimin në Një Zot) me trininë (tre-zotin)?

A duan që të pranojmë atë që bie ndesh me thelbin e besimit, me rregullat e sheriatit dhe me dispozitat e qarta të Islamit?

Ne themi me bindje: Kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Ne kemi besuar në këtë fe të plotë dhe të madhe, e cila e bën jetën një faltore adhurimi, që e lidh dynjanë me ahiretin, që kujdeset për individin dhe shoqërinë, ndërton familjen mbi dritën e shpalljes, e refuzon padrejtësinë dhe tiraninë, urdhëron për drejtësi, mirësi dhe përmbushje të besës.

Ne jemi më të shqetësuar për të ardhmen e vendeve tona evropiane sesa këta që predikojnë urrejtjen. Ne i shërbejmë më mirë interesave të shoqërisë, dhe qëllimi ynë është i qartë dhe i hapur, ne jemi qytetarë evropianë myslimanë.

Myslimanët në Evropë kanë paguar çmime të larta që nuk përshkruhen dot me fjalë. Të gjithë i dinë presionet e mëdha që përjetojmë, sulme fizike e psikologjike, nxitje kundër myslimanëve, kundër institucioneve dhe simboleve tona, ngushtim i hapësirës së jetesës, racizëm, akuza dhe njëanshmëri e hapur nga pjesa më e madhe e mediave.

A nuk ishte vrasja e të riut mysliman në një xhami të Francës me dhjetëra goditje thike një rezultat i drejtpërdrejtë i këtyre fushatave të frikës ndaj Islamit?

Dhe ajo që nuk shihet, është edhe më e rëndë.

5. Edukimi shtypës.

Edukimi është ai që formon një njeri trim apo frikacak. Çfarë mund të presin prindërit nga fëmija i tyre nëse dhuna është mënyra mbizotëruese dhe zgjedhja e vetme në rritjen e tij?

Çfarë ndikimi edukativ mund të pritet nëse mungon gjuha e dialogut dhe e diskutimit të lirë?

Një ambient i ndërtuar mbi shtypje, ndëshkim dhe privim, prodhon individë autoritarë që nuk njohin tjetër veç ashpërsisë dhe përçmimit ndaj të tjerëve, sikur po hakmerren ndaj botës që nuk u ofroi dashuri dhe dinjitet.

Për këtë arsye Islami i kushtoi rëndësi jetimit dhe e urdhëroi shoqërinë që ta kompensojë për humbjen e babait dhe përkujdesjes që ai do të kishte marrë. Kur jetimi ndien se, edhe pse ka humbur dorën e butë të babait, i janë zgjatur mijëra duar dashurie, atëherë ai do të bëhet burim mëshire dhe paqeje për shoqërinë. Por, nëse i mohohet kjo, atëherë do të lindë vetëm urrejtje dhe mllef i pashuar.

Prandaj Allahu i Lartësuar thotë: “Sa për jetimin, mos e shtyp!” (Duha: 9)

Dhe i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) tha: “Unë dhe kujdestari i jetimit do të jemi në xhenet si këto dy gishta,”, duke demonstruar me dy gishtat. (Tirmidhiu)

Po ashtu, sa e sa gra janë vejanosur pas vdekjes së bashkëshortëve të tyre dhe janë përkushtuar me gjithë shpirt për rritjen e fëmijëve, duke ua zëvendësuar çdo mungesë. Ato gra e kanë merituar një pozitë të lartë për këtë përkushtim.

Nga Auf ibn Malik el-Eshxhe’i transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) ka thënë:

“Unë dhe një grua e dobët (nga lodhja), në Ditën e Kiametit do të jemi së bashku si këto dy gishta,” – dhe tregoi gishtat. “Ajo ishte një grua me status dhe bukuri, por pasi i vdiq burri, iu përkushtua rritjes së jetimëve të saj derisa ata u pjekën ose vdiqën.” (E transmeton Ebu Daudi)

Ne duhet të edukojmë fëmijët tanë mbi vlerën e lirisë dhe mbrojtjen e saj, si dhe respektin për mendimet e të tjerëve. Nuk është e drejtë që të zemërohemi me ta vetëm pse nuk ndajnë të njëjtin mendim me ne. Përkundrazi, duhet të gëzohemi dhe të festojmë ditën kur ata arrijnë pjekurinë dhe aftësinë për të pasur një mendim të pavarur, natyrisht duke u mësuar me rregullat e dialogut, etikat e mosmarrëveshjes dhe respektin ndaj atyre që mendojnë ndryshe.

Për këtë, kemi shembullin më të mirë tek i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të), për zemërgjerësinë dhe durimin e tij kur sahabët shprehën mendime ndryshe nga ai në raste si Beteja e Bedrit, rrethimi në Ahzab, marrëveshja e Hudejbijes dhe në shumë situata të tjera.

Mesazhi i Kuranit për ne: Mos ki frikë

• Mos ki frikë nga e ardhmja, sepse ajo është në dorën e Allahut të Madhëruar: “Vetëm Allahut i përket e fshehta e qiejve dhe e tokës; dhe tek Ai kthehen të gjitha punët. Adhuroje Atë dhe mbështetu tek Ai. Zoti yt nuk është i pavetëdijshëm për atë që veproni.” (Isra: 123)

• Mos ki frikë për ata që do, sepse ata janë në kujdesin e Allahut: “Ne i shpallëm nënës së Musait: ‘Jepi gji dhe, kur të frikësohesh për të, hidhje në lumë dhe mos u frikëso e mos u trishto! Ne do ta kthejmë atë tek ti dhe do ta bëjmë nga të dërguarit.” (Kasas: 7)

• Mos ki frikë nga zullumqarët, sepse ti je më i lartësuar dhe më i nderuar me Allahun: “Dhe Musai ndjeu frikë në vete, por Ne i thamë: ‘Mos ki frikë! Ti je më i larti”. (Kasas: 67-68)

• Kush ka frikë për fëmijët e tij pas vdekjes, rruga për sigurinë e tyre është që ai vetë të ketë frikë Allahun: “Le t’u kenë frikë ata (prindërit), që po të linin pas vetes fëmijë të vegjël, do të shqetësoheshin për ta. Le t’i kenë frikë Allahut dhe le të flasin fjalë të drejtë!” (Nisa: 9)

Nëse Allahu është me ty, kush mund të jetë kundër teje?

Dhe nëse Allahu është kundër teje, kush mund të të ndihmojë?

Askush nuk e ka fjalën e fundit në këtë univers përveç Allahut.

• Kush e ka frikë Allahun, Allahu bën që çdo gjë tjetër ta ketë frikë atë.

• Kush nuk e ka frikë Allahun, Allahu do ta bëjë që të frikësohet nga çdo gjë.

Rezistenca ndaj zullumqarëve është detyrim, për të përhapur drejtësinë në tokë dhe sigurinë mes njerëzve.

Rezistenca ndaj atyre që nxisin urrejtjen është detyrim, për të përhapur dashurinë dhe besimin ndërmjet të gjithë pjesëtarëve të shoqërisë.

Shkruar nga: Taha Sulejman Amir

https://euimams.org/articles/6029

Nga: Hoxhë Behar Kaçeli