Tani, pas këtij rezultati në dukje të papritur e shokues, mund të kuptohet më lehtë pse ka ardhur ky rezultat dhe çfarë mund të presim.
Nga Prof. Dr. Milazim Krasniqi
Nuk e njoh politikën amerikane, prandaj nuk kam dhënë asnjë mendim as për zgjedhjet e fundit. Fatmirësisht, nuk më ka kërkuar as ndonjë media mendim. Rezultati i zgjedhjeve tregoi se edhe njohësit e politikës amerikane, edhe vetë mediat amerikane, kanë “hedhur fall”.
Tani, pas këtij rezultati në dukje të papritur e shokues, mund të kuptohet më lehtë pse ka ardhur ky rezultat dhe çfarë mund të presim.
Ky rezultat ka ardhur nga mënyra se si mediat, elitat dhe shoqëria amerikane e kanë trajtuar botën jashtë-amerikane në dy dekadat e fundit, veçmas pas vitit 2001. Shkulmet e paprera të sulmeve islamofobike ndaj muslimanëve e kanë prodhuar islamofobinë, sulmet ndaj hispanikëve e kanë forcuar ksenofobinë, sulmet ndaj zezakëve e kanë rikthyer sindromin racist, nënçmimi ndaj femrës, vetëm sa e ka përligjur atë që transmetojnë mediat pa pushim dhe që realisht ndodh me femrën në shoqërinë amerikane.
Islamofobia, ksenofobia, racizmi dhe urrejtja gjinore, ishin në themelet e fushatës së Donald Trampit. Ai mund të mos jetë fare islamofob, as ksenofob, as racist, as femër-urrejtës, por strategët e fushatës së tij e kanë kuptuar se këto kontigjente votuesish tashmë ekzistojnë dhe u kanë dhënë ofertën e duhur. Pra, fitorja e Trampit është disfata e liberalizmit koketues e hipokrit amerikan.
Për më tepër, bota ka ndryshuar rrënjësisht në këto 30 vite, edhe pa hipokrizinë e liberalizmit amerikan, po në disa raste edhe falë tij: sot ekziston një Kinë tjetër nga ajo e Mao Ce Dunit, një Rusi tjetër nga ajo e Boris Jelcinit, një botë arabe tjetër nga ajo e Mubarakut, Sadam Husejnit e Gadafit, një Evropë tjetër nga ajo e Theçer-it, Kolit e Miteranit. Logjikisht, do të ketë ndryshuar edhe Amerika e Reganit, Bushit (plak) e Bill Klintonit. Mbase pa e kuptuar ndryshimin e madh mediat dhe as elitat amerikane, ato që Fared Zakaria i quan “aristokracia amerikane”. Por, ky burri shihet që e paskësh kuptuar ndryshimin e botës. Prandaj ai flet për miqësi me Rusinë, për ashpërsim me Meksikën, për ftohje e injorim me Evropën, për rishikim raportesh me Kinën, etj.
Çfarë mund të pritet nga politika e re, e identifikuar me presidentin e ri amerikan, në raport me këtë botë të ndryshuar?
Mund të priten këto zhvillime: 1. Promovimi i izolacionizmit dhe fuqizimi i grupeve sociale, politike e intelektuale me orientime islamofobike, ksenofobike, raciste e antifeministe. 2. Partneriti i ri i SHBA-ve me Rusinë (me Britaninë jashtë BE-së) mund ta rikthejë partneritetin e tipit Ruzvelt-Stalin-Çerçill dhe një rikonfigurim të interesave të këtyre tre fuqive. 3. Injorimi i Gjermanisë dhe Francës, për ta gjunjëzuar, (ose rizgjuar) BE-në, por gjithsesi me një BE të margjinalizuar. 4. Frenimi i ambicieve ekspansioniste e proteksioniste të Kinës, veçmas ndaj tregjeve amerikane. 5.Amerika Latine do të jetë nën presion të tmerrshëm, veçmas Meksika. 6. Sferat e influencës në Lindjen e Mesme do të rindahen mes SHBA e Rusisë, duke nxjerrë jashtë loje dokrinën e deritashme Sykes-Pikot. 7. Sa i përket Ballkanit, mund të rritet ndikimi i Rusisë edhe më shumë, pra Serbia mund të rifuqizohet. /Observer.al