Të Fundit
Islami, sikur të kishte ardhur sot

Islami, sikur të kishte ardhur sot

Rëndom nëpër seminare dhe konferenca kombëtare apo ndërkombëtare, dëgjojmë për vlerat universale të Islamit, dëgjojmë për Kur’anin, që është libri i mbarë njerëzimit, apo për faktin se kjo fe vazhdon të bashkëjetojë me sistemet bashkëkohore, etj. Mirëpo, shumë pak vendoset në fokus ‘’kimia dhe përbërësit’’ e formulës së këtyre vlerave. Pa dyshim që në këtë shkrim nuk synohet të ezaurohet e gjithë tema, pasi kjo meriton një libër më vete, por së paku të ceken në mënyrë sintetike pjesët më kryesore të saj.

Toleranca fetare

Kur flasim për Andaluzinë e shek. VII-XIV, apo për Perandorinë Osmane dhe theksojmë se një ndër vlerat e tyre më të afirmuara ishte toleranca fetare, ne harrojmë se kjo praktikë e ka zanafillën në kushtetutën e Medinës, më 622 pas erës sonë, në të cilën Muhamedi a.s. vendosi themelet e pluralizmit religjioz në përbërjen e shtetit të tij. Madje vuri standardin më të lartë demokratik, që as shoqëritë e sotme moderne nuk e kanë arritur, pra grupimet e tjera fetare Ehlul Kitab (hebrenjtë dhe të krishterët) gjykonin me librin (kushtetutën) e tyre, brenda shtetit islam. Ja nga buron toleranca fetare e shtetit të parë islam në Europë, Andaluzisë (Ishujt Iberik, Portugalia, Spanja dhe disa pjesë jugore të Francës). Po ashtu edhe Perandoria Osmane, fryt i kësaj tradite profetike ishte, si dhe ish-vende të saj siç është Shqipëria, etj.

Të drejtat e gruas

Shoqëria njerëzore përgjatë historisë ka pasur prirjen që të shtypë të dobëtit, të frustrojë të margjinalizuarit dhe të shfrytëzojë qeniet e brishta siç janë femrat, duke ua mohuar kështu dinjitetin e merituar. Në këtë kontekst, femrat në pjesën dërrmuese të historisë janë konsideruar si shërbëtore, si urdhërzbatuese apo si mjete të rëndomta të jetës, të cilat nuk kanë kurrfarë vlere apo peshe në vendimmarrje. Administrata e vlerave fetare, e ngritur nga Muhamedi a.s. në Medine, ishte e para që bëri revolucionin historik mbi të drejtat e grave. Disa elementë të këtij revolucioni ishin:

-Dhënia pjesë nga trashëgimia për gjininë femërore, në një kohë ku asnjë shoqëri në botë nuk i jepte;

-Mos vrasja e fëmijëve të seksit femër. Një praktikë kjo shumë e përhapur për kohën.

-Marrja e mendimit të femrës në çështjet e jetës dhe drejtimit, siç bëri vetë Profeti a.s. në rastin e marrëveshjes Ridvan, por edhe në çdo vendim tjetër të jetës ku ai konsultohej me bashkëshortet e tij.

-Po ashtu arsimimi i tyre, nga ku – siç dihet – vetë Muhamedi a.s. i kishte caktuar një ditë në javë femrave për të marrë mësime nga ai.

-Integrimi total i femrave në shoqëri dhe mosngujimi i tyre. Hatixheja, bashkëshortja e profetit Muhamed a.s., ishte një ndër tregtaret më të shquara të Mekës. Edhe pas martesës me të, madje edhe kur i erdhi profetësia, sërish nuk raportohet asnjë rast që ai ta ketë ndaluar bashkëshorten e tij nga integrimi me njerëzit dhe nga mbyllja e aktiviteteve të saj, status ky që femrat në botë nuk e gëzojnë as sot e kësaj dite.

Arsimi

Pa dyshim që arsimi është nga ato tema për rëndësinë e të cilit nuk ka nevojë të flitet, pasi kushdo e pranon rëndësinë e tij. Nisur nga kjo, nuk kishte se si Islami në përgjithësi dhe vetë Muhamedi a.s. mos t’i jepte atij prioritet. Profeti a.s. liroi disa skllevër në këmbim të ofrimit të shërbimit të mësimdhënies. Në njëfarë mënyre, ai donte të luftonte analfabetizmin në mesin e myslimanëve. Kosto kjo tepër e madhe për buxhetin e qeverisë së tij, pasi robërit ishin ndër zërat kryesorë të mekasve dhe në marrëveshjet për shkëmbimin e skllevërve pagesa për lirimin e tyre padyshim që do ishte e majme dhe komode për buxhetin.

Mirëpo, Profeti a.s. e investoi këtë benefit në arsim. Më pas, në vitin 859, në Fes të Marokut, myslimanët hapin universitetin e parë, këtë e pason hapja e Universitetit në Andaluzi më 955 nga kalifi Abdul Hakim. Të dyja këto ishin pararendëse të universitetit të Bolonjës, i cili u hap më 1088. Pra edhe në këtë aspekt myslimanët ndoqën traditën e Profetit të tyre.

Politikat sociale

“Profeti a.s. e nisi lëvizjen e tij në Mekë, si shoqatë bamirëse, merrte nga të pasurit dhe u jepte të varfërve’’ – A. Izetbegoviç.

Më pas këtë ‘’bamirësi’’ ai e institucionalizoi në Medine, ku të gjithë thesarin e shtetit islam e vendosi në shërbim të nevojtarëve, jetimëve, të vejave dhe të paaftëve. Ajo që sot quhet politikë sociale, dhe që për myslimanët cilësohet si bamirësi, është vetë fryma e fesë islame dhe një ndër kolonat kyçe të saj.

Rikthimi i dinjitetit njerëzor

Kushdo që godiste një skllav, automatikisht zotëria privohej nga skllavi tij, sepse i skllavëruari fitonte lirinë. Kjo ishte masa që Muhamedi a.s. vendosi për respektimin e skllevërve. Madje, ai nxiste që ata të liroheshin dhe thoshte: “Kush bën këtë mëkat duhet të lirojë kaq skllevër…’’. Dhe për këtë hadithet janë të shumta. Po ashtu ai i kushtëzoi besimtarët se, nëse do të mbanin skllevër, duhet medoemos që t’i trajtonin ata si të barabartë, t’i ushqenin, t’i vishnin dhe t’ua plotësonin nevojat si të ishin anëtarë të familjes së tyre. Si të thuash Profeti a.s. vendosi masa shtrënguese në mënyrë që rendi skllavo-pronar të merrte fund. Ai i porosiste burrat për respektimin e grave duke thënë se ato janë amanet tek ta. Ai po ashtu thoshte: “Më i miri besimtarëve është ai që sillet më mirë me bashkëshorten e tij’’, leksione këto që edhe sot e kësaj dite janë të dobishme për shoqëritë moderne.

Zbatimi i ligjit

Nëse shohim raportet e vendeve perëndimore rreth vendeve me probleme në qeverisje dhe demokraci hibride, do të konstatojmë se kolona vertebrale e tyre është zbatimi i ligjit. Kjo praktikë nuk është e re për myslimanët. Kur një grua e një fisi të njohur në Medine konsumoi veprën penale të vjedhjes dhe filluan ndërhyrjet e para pasi kihesh frikë edhe nga cenimi i status-quos-së, Profeti a.s. hipi në foltore dhe dha një deklaratë, e cila vazhdon sot e kësaj dite të jetë deviza e çdo ligji të drejtë: “Me të vërtetë shoqëritë përpara jush u shkatërruan, pasi kur vidhnin të pushtetshmit, i toleronin, ndërsa kur vidhnin të ngratët, aplikonin mbi ta masat ndëshkimore. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, sikur Fatimja, e bija e Muhamedit, të vidhte, Muhamedi do t’ia kishte prerë dorën’’. Fatkeqësisht, lënia e lirë e “peshqve të mëdhenj’’ kur konsumojnë akte korruptive dhe futja në burg e atyre të vegjël, është një praktikë të cilën e vuan jo vetëm shoqëria shqiptare, por pjesa më e madhe e globit.

Gjyqësori mbi ekzekutivin

Një pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtë është ekzistenca e një organizmi ekstra-kushtetues, i cili mbikëqyr mbarëvajtjen e qeverisjes në mënyrë që kjo e fundit të mos cenojë kushtetutën, pra, ajo që sot njihet si gjykata kushtetuese, para së cilës vendimet e qeverisë bëhen nul nëse nuk kanë legjitimitet kushtetues. Por edhe ky aspekt jetik për qeverisjen nuk është risi për myslimanët.

Transmetohet se një hebre vodhi mburojën e Aliut r.a. me pretendimin se ishte e tija. Prijësi i besimtarëve (Aliu) në respekt të plotë të të drejtave të minoriteteve dhe pakicave të tjera fetare, por edhe në respekt të ligjit, kërkoi që kjo çështje të hetohej në gjykatë. Verdikti i gjykatës favorizoi hebreun, pasi mburoja ishte në dorën e tij dhe pasi Aliu nuk kishte prova të mjaftueshme që vërtetonin pretendimin e tij. Pas këtij akti, hebreu pranoi Islamin nisur nga drejtësia që pa dhe dëshmoi se mburoja ishte e prijësit të besimtarëve.

Po sot, a paramendohet që një anëtar i komunitetit rom apo egjiptian t’i vjedhë I-pad-in apo laptop-in kryeministrit e më pas gjykata të pretendojë se ajo ishte e qytetarit dhe jo e zyrtarit më të lartë? Fatkeqësisht, sot, ligji është i barabartë për të gjithë, por jo të gjithë janë të barabartë para ligjit.

Këto dhe të tjera aspekte si këto janë themelet mbi të cilat shoqërisë njerëzore brez pas brezi nuk i mbetet vetëm se t’i përpunojë dhe të përfitojë prej tyre. Jo rastësisht vijnë edhe dëshmitë e njerëzve të mëdhenj për Muhamedin a.s., si Tolstoi, Gëte, Le Bon, Bernard Shou, etj., pasi ata si ekspertë të anatomisë së shoqërisë, dëshmojnë se vlerat islame dhe revolucioni i vlerave humane që bëri Muhamedi a.s., duke qenë i inspiruar nga Kur’ani, janë pikërisht kaloritë dhe vlerat me të cilat duhet të ushqehet njerëzimi dhe humanizmi për të mbetur gjallë. Nuk ka se si ndodhë ndryshe, pasi kush më mirë se fabrika mund të hartonte manualin e produkteve të saj. Në të njëjtën logjikë vjen dhe Kur’ani, si udhërrëfyesi dhe manuali integral për një jetë të shëndoshë sociale.

Enklid Pelari

/Revista Drita Islame – Nëntor 2015/