Në historinë e popullit shqiptar emri i Hoxhë Hasan Tahsinit (1811-1881) shpërfaqet, siç shkruante me të drejtë poeti ynë kombëtar Naim Frashëri, si një “trëndafil qiellor”.[3] Personaliteti i kësaj figure është vlerësuar vazhdimisht nga bashkëkohës dhe pasardhës të tij, e megjithatë ende dhe sot e kësaj dite ai vazhdon të mbetet në epiqendër të hulumtimeve dhe studiuesve të ndryshëm.
Në vitin 1857, kur qeveria osmane po përgatitej për hapjen e universitetit të parë, një nga të dy të zgjedhurit e saj për t`u dërguar në Paris, me qëllim për t’u pajisur me dituritë e nevojshme shkencore, ishte Hoxhë Hasan Tahsini. Pas vajtjes atje, brenda një viti ai arriti të fitonte tërë dituritë e nevojshme dhe u regjistrua në fakultetin e shkencave të natyrës. Madje, duke vazhduar studimet në të, ndoqi si i jashtëm studimet edhe në fakultete të tjera. Bashkëkohës të tij, në veprat e tyre, theksojnë se ai përsosi frëngjishten dhe u thellua në fizikë, matematikë, kimi, biologji, filozofi, fiziologji, botanikë, gjeologji, shkencat shoqërore, e sidomos në filozofì, kozmologji e psikologji.[4] Pas kthimit në Stamboll në vitin 1869, ai u emërua si rektor i parë i Universitetit të Stambollit (Darülfünun-u Osmanî),[5] ku për shkaqe subjektive megjithëse qëndroi për një kohë të shkurtër, u afirmua si një nga personalitetet shkencore më të njohura të Perandorisë Osmane.
Hasan Tahsini, sipas Prof.Tomor Osmanit, ka hyrë në historinë e shkrimit të gjuhës shqipe e në veçanti të zgjidhjes së alfabetit të përbashkët të shqipes në dy drejtime kryesore:
– së pari si pjesëmarrës në mbledhjet e ndryshme që u bënë gjatë viteve 1867- 1879 në Stamboll për këtë çështje.
– së dyti, si hartues i një alfabeti të veçantë.[6]
Veprimtaria patriotike dhe arsimore e Hasan Tahsinit kishte rënë në sy edhe të diplomatëve të huaj. Konsulli francez në Janinë, August Dozon, informonte Ministrinë e Jashtme se përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes politike në Shqipëri ishin Hasan Tahsini dhe Kostandin Kristoforidhi të cilët, po përpiqeshin të përpunonin gjuhën shqipe deri në nivelin e një gjuhe të shkruar dhe të përhapnin gjithashtu arsimin në gjuhën amtare duke i ngritur «barrierë helenizmit».[7]
Hasan Tahsini (1811-1881)
Lidhur me bazën e alfabetit të gjuhës shqipe, në mbledhjet që u realizuan nga patriotët shqiptar, Hasan Tahsini shfaqi një mendim origjinal. Mendim, i cili, hedh poshtë pretendimet dhe akuzat e bëra deri tani nga historiografia komuniste, sikur gjoja, klerikët myslimanë en bloc dhe në mënyrë kategorike ishin për shkrimin e gjuhës shipe me gërma arabe. Në kujtimet e tij, me titull “Mendime për shkrimin e gjuhës shqipe” rilindasi dhe bashkohaniku i Hasan Tahsinit, Jani Vreto, shkruan se lidhur me ata që mendonin se për shkrimin e gjuhës shqipe ishte me interes të merej si shembull alfabeti arab, ky i fundit iu kundërvu atyre me argumentet e mëposhtme: “Çështja për të cilën diskutojmë ka të bëjë me interesin shpirtëror të të gjithë kombit tonë, domethënë me çështjen se si të shkruhet më lehtë gjuha jonë dhe të përparojë dituria e të çlirohet kombi ynë nga turpi i gjendjes barbare dhe nga të këqijat që rrjedhin prej saj. Gjuha jonë nuk mund të shkruhet me anë të alfabetit arab. Prova e madhe bindëse është fakti se ata, midis shqiptarëve që kanë mësuar gjuhën arabe, kur u shkruajnë fëmijëve të tyre, përdorin greqishten e re, të cilën nuk e dinë mirë, e që e kanë mësuar, vetëm duke u shoqëruar me grekë. Ngandonjëherë kur nuk e dinë greqishten, shkruajnë në gjuhën shqipe, por me shkronjat e alfabetit grek, të cilat i mësojnë me rast nga ata që e dinë greqishten, ndonëse shkronjat e greqishtes nuk mjaftojnë për të paraqitur të gjithë tingujt e gjuhës sonë”.[8] “Ne, shkruante Hasan Tahsini, jemi një komb i veçantë, kemi gjuhën tonë të veçantë, andaj duhet të mendojmë më vete, si edhe të tjerët”.[9]
Ai ishte i parimit se në shkrimin e gjuhës shqipe duhej të përputhej parimi fonetik me atë morfologjik. Parim i cili gjeti zbatim edhe më vonë në shkrimin e gjuhës shqipe.
Në një artikull të shkruar në gazetën “Basiret”, krahas rëndësisë që i jepte shkrimit të gjuhës shqipe për përhapjen e diturisë dhe zhvillimit të kombit shqiptar, ai, e vinte theksin tek pengesa që kishte sjellë për unitetin e shqiptarëve përdorimi i alfabeteve të ndryshme. “Meqenëse këto lloj gërmash, shkruante ai, nuk i përshtaten gjuhës shqipe dhe disa prej tyre janë të rënda dhe plot të meta, ato në të vërtetë i kanë sjellë një pengesë të madhe realizimit të qëllimit kryesor”.[10] Sipas tij, duhej gjetur një alfabet që jo vetëm të ishte i përshtatshëm për gjuhën shqipe, por që të ishte edhe larg çdo ndikimi politik. “Po të mos krijojmë një alfabet për një gjuhë, që të jetë për këtë shekull i përshtatshëm, i sigurtë, i saktë dhe i mbrojtur nga ndikimet politike, shkronjat në të do të duken si të huaja dhe kështu nuk do të jetë e mundur të përfitojmë atë që dëshirojmë. Sado që janë të vogla si këmba e milingonës, shkronjat janë arma më e fuqishme e përparimit dhe e diturisë. Prandaj, t`i pranosh ato pa treguar kujdes të veçantë është më e dëmshme se të zgjedhësh një armë e, pa e provuar, të luftosh me të”.[11]
Hoxhë Hasan Tahsini njihet edhe si autorë i një alfabeti origjinal të gjuhës shqipe. Disa studiues janë të mendimit se ky alfabet mund të jetë hartur nga fundi i viteve 60 të shek.XIX,[12] por nuk mungojnë edhe studiues që theksojnë se ai e hartoi alfabetin e tij në vitin 1858.[13] Sidoqoftë, në kohën kur u shkrua, ky alfabet gjeti përhapje pothuajse në të gjithë Shqipërinë.
Me alfabetin e tij të veçantë, Hasan Tahsini, deshi t`i tregonte jo vetëm popullit shqiptar, por edhe opinionit të huaj se shqiptarët siç kanë gjuhën e tyre të lashtë, historinë dhe kulturën, duhet të kenë edhe alfabetin.[14]
Autor: Dr. Hasan Bello
(Shkëputur nga një artikull më i gjatë i autorit Hasan Bello në lidhje me “Kontributin e klerit mysliman shqiptar në hartimin e alfabeteve dhe të abetareve të gjuhës shqipe”, botuar në revistën Zani i Naltë: http://zaninalte.al/2013/09/kontributi-i-klerit-mysliman-shqiptar-ne-hartimin-e-alfabeteve-dhe-te-abetareve-te-gjuhes-shqipe).
___________________
* Titulli është redaksional
[3] “O ti mbret, o shumë i larti kryetar!/ Nga e dlirta fryma jote unë marr/ të Edenit erën, hirin paraisor,/ O Hasan-Tahsin, o trëndafil qiellor!”. Shih: Laurant Bica, “Përmendorja Naimiane për Hasan Tahsinin”, PERLA – Revistë shkencore – Kulturore tremujore, Viti XII, 2007, Nr. 3 (46), f. 61-74. [4] Diapazoni i tij i gjerë në fusha të ndryshme të shkencës reflektohet edhe në titujt e librave që ai shkroi, si: Historia e krijimit; Themeli i gjithësisë; Psikologjia apo dituria e shpirtit; Të fshehtat e ajrit dhe ujit; Rruzullimi i përbotshëm; Pasqyra qiellore, etj, etj. Shih: Hasan Kaleshi, Kontributi i shqiptarëve në dituritë islame, Riyadh: International Islamic Publishing House, 1992, f.73. [5] Shih: Ali Arslan, Darülfünun‘dan Üniversiteye, Istanbul: Kitabevi, 1995; Emre Dölen, Osmanlı Döneminde Darülfünun (1863 – 1922), Türkiye Üniversite Tarihi, Cilt 1, Istanbul Bilgi Üniversitesi Yayınları, İstanbul 2009. [6] Tomor Osmani, Udha e shkronjave shqipe, Shkodër: Shtëpia Botuese Idromeno, 1999, f.219. [7] Ligor Mile, “Rreth luftës për arsmin kombëtar në qarkun e Korçës”, Studime Historike, nr. 2, 1969, f. 93. [8] Jani Vreto, Vepra të zgjedhura, Tiranë 1972,f.268. [9] Ibrahim D.Hoxha, “Hasan Tahsini”, Revista pedagogjike, nr.3, 1972, f.109. [10] Zana Lito, “Armë e diturisë dhe e përparimit-një shkrim i panjohur i dijetarit Hasan Tahsinit, botuar në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, Drita, 16.7.1978, f.13. [11] Po aty, f.14. [12] T.Osmani, Udha e shkronjave…, f.231; Ibrahim D.Hoxha, Nëpër udhën e penës shqiptare: nga historiku i ABC-së dhe i shkrimit shqip, Tiranë: Shtëpia Botuese e Librit Shkollor, 1986, f.134. [13] Necip Alpan, Arnavut alfabesi nasıl doğdu, Ankara: Çağdaş Basımevi, 1978 s.16. [14] T.Osmani, Udha e shkronjave…, f.235.