Forumi “Al Sharq” ka organizuar të mërkurën (më 17 mars 2020) një ligjëratë javore, të cilën e mbajti Dr. Vedah Hanfer, njëherazi drejtori i Forumit. Pas ligjëratës u zhvillua edhe një debat, ku morën pjesë dhjetëra të rinj, që debatuan rreth kumtesës “Korona e ndryshon realitetin në çdo sferë: a jemi dëshmitarë të lindjes së botës së re?”
Në këtë raport po e paraqesim tekstin e plotë të fjalimit të mbajtur nga Dr. Vedah Hanfer.
Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ju.
Çasti që e përjeton bota sot ka impakt të fuqishëm dhe lë gjurmë të thella. Është ky moment i kthesës rrënjësorë historike, kur iniciohen koncepte të reja dhe ritheksohen disa koncepte të vjetra ekzistuese në fushat e shkencave shoqërore, si dhe në ato të ekonomisë dhe të politikës.
Impakti i virusit Korona mbi shëndetin do të kalojë me kalimin e kohës. Në këtë përballje me rrezikun e virusit njerëzimi do të mbijetojë, ashtu siç ka tejkaluar/mbijetuar epidemi, murtaja dhe luftëra të së kaluarës. Megjithatë, efektet e masave globale, të ndërmarra kundër virusit në fjalë nuk do të largohen aq shpejt, madje disa prej tyre do të mbeten pjesë e jetës së njerëzimit për një kohë të gjatë.
Realiteti të cilin e jetojmë, nga aspekti i komunikimit mes shteteve dhe individëve, nga aspekti i interaksionit të ndërsjellë mes popujve, nga aspekti i ekonomisë së ndërlidhur botërore, si dhe nga aspekti i teknologjisë, e cila i afroi mes vete pjesët e globit, nuk ka shembull në të kaluarën. Krijuam realitet që nuk ishte i njohur më parë.
Globalizimi është unik, si në volumin e tij, ashtu edhe në fuqinë e lidhjes së ndërsjellë. Historia njerëzore asnjëherë nuk ka dëshmuar ndërlidhje kaq të fuqishme qysh prej periudhës kur njeriu i kohëve të lashta i formoi bashkësitë e para, pak para revolucionit bujqësor, dhjetë mijë vite më parë. Korona sot e godet majën e këtij globalizimi dhe i luhat themelet e tij, për të cilat njerëzimi mendonte se janë shumë të forta dhe të qëndrueshme edhe ndaj tundimit më të fortë.
Korona jep mësim për modestinë!
Para dy viteve u botua libri “Iluminizmi tani”, të cilin Bill Gejtsi rekomandoi të lexohet. Autori i librit Stiven Pinker ishte mjaft optimist kur shkroi: “Ne sot e jetojmë periudhën më të mirë të njerëzimit dhe shkak për këtë është fakti që ne arritëm të ngadhënjejmë mbi sëmundjet dhe e mposhtëm urinë. Ne e e ngritëm njeriun në shkallë të lartë të vetëdijes, të komunikimit, të prosperitetit dhe arritëm zhvillim si asnjëherë më parë në histori”. Ky pohim ndoshta është i saktë në disa prej dimensioneve të tij, por assesi nuk është e vërtetë absolute!
(Iluminizmi tani, çështja e arsyes shkencës humanizmit dhe progresit, Stiven Pinker, 2018)
Virusi Korona e alarmoi dobësinë e botës, një dobësi kjo e papritur, për të luftuar epidemitë, një çështje për të cilën menduan se i përket së kaluarës. Dekada me radhë festonim, sepse mendonim se njeriu fitoi, arriti t’i mposhtë sëmundjet, epidemitë dhe mortajat, menduam se këto sëmundje janë çrrënjosur, madje janë fshirë edhe nga fjalorët. Por, ja që ideja për një pandemi, e cila do ta mposhtë njerëzimin, përsëri u kthye në skenë ashtu siç profetizuan disa opinionistë, si p.sh. Bill Gejtsi e të tjerë.
Ekziston një grup optimistësh që deri në bindje krenohen me arritjet e shkencës dhe teknologjisë, por pas zhvillimeve të fundit u bë qartë që biologjia edhe një herë na ktheu mbrapa për të na ballafaquar me paaftësinë dhe dobësinë tonë. Njeriu është i paaftë, pikërisht ashtu siç e ka përshkruar Allahu. Ai është i pafuqishëm përballë virusit që nuk shihet me sy.
Fokusimi mbi këtë realitet të paaftësisë na imponohet jo për t’i tmerruar qeniet tona, por për shkak të nevojës që të marrim mësim. Çdo ndodhi e madhe në vete bart mësime madhështore për njeriun. Përfitimi rritet me rritjen e përmasave të asaj ndodhie, me thellësinë e saj, si dhe me rëndësinë shtesë të asaj ndodhie ose, më qartë, sprove.
Mësimi që duhet ta marrim nga realiteti i sotëm është qenësor dhe emergjent. Nëse nuk e analizojmë thellë këtë situatë, do të rrezikojmë të zhytemi në turbullirat e verbësisë qytetërimore. Një sjellje e këtillë është hije e keqe për njeriun e arsyeshëm. Këtu do ta citoj një ajet të Kur’anit, që shpesh e lexojmë, e të cilin nuk/pak e kuptojmë e as që e analizojmë ashtu si duhet, përveç në situata, si kjo sot, kur dimensionet e tij na shfaqet qartë: “E, kur Toka vishet dhe zbukurohet dhe kur banorët e saj mendojnë se janë zotërues të saj (për ta vjelë a korrur), iu vjen urdhri ynë, natën ose ditën dhe Ne e bëjmë atë si të ishte e korrur, thuajse nuk kishte lulëzuar të djeshmen. Kështu, Ne ua shpjegojmë shpalljet Tona njerëzve që mendojnë.” (Junus, 24)
Në vitet e kaluara njeriu mendonte se është zotëruesi i tokës, se është ai që dominon në të. Juval Harari predikoi se njeriu modern është Homo Deus (njeri hyjni), sepse ai arriti t’i mposhtë të gjitha parimet e dobësisë që e kufizonin njerëzimin. Ai, si kurrë më parë, i është afruar përjetësisë së plotë. Por, pas një kohë shumë të shkurtër, kjo ide, që e përqafuan shumë shkencëtarë perëndimorë, u shndërrua në një legjendë. Paaftësia njerëzore është e vërtetë ekzistenciale e pandarë prej natyrës së tij esenciale dhe nuk është aksidentale.
Për këtë shkak ne duhet të marrim mësim nga kjo që ndodhi/po ndodh, duhet të përfitojmë, ngase Allahu nuk ka krijuar diçka që është e keqe absolute, sepse me çdo vështirësi vijnë dy lehtësime. Duhet të bindemi se jemi të dobët, se duhet të mbështetemi te Zoti i Madhëruar dhe të vazhdojmë të jetojmë, duke e pranuar faktin që jemi qenie njerëzore, se nuk jemi hyjni e as gjysmë-hyjni. Madje, ndonjëherë ne nuk mund as t’i kuptojmë fatet që mbizotërojnë ekzistencën tonë dhe që i ndryshojnë ekuacionet e ekzistencës dhe mbijetesës sonë. Sot duhet ta mësojmë mësimin më të madh, nevojën për modestinë njerëzore, për njerëzimin i cili mendoi se ka arritur në forcën absolute dhe që ka tejkaluar dobësinë njerëzore, nga e cila vuanin paraardhësit tanë.
Pandemitë që vërshuan njerëzimin janë të shumta. Ato janë sëmundje që përhapen në shumicën e pjesëve të globit dhe arrijnë të prekin shumicën e vendbanimeve dhe bashkësive, madje i godasin dimensionet e ndryshme të jetës së tyre. Ato nuk e prekin vetëm aspektin shëndetësor, por ndikojnë edhe në sferat e jetës shoqërore, ekonomike, fetare dhe ideologjike. Kjo pandemi, që e përjetomë për momentin, duhet të vendoset në kontekstin e pandemive tjera globale. Një e vërtetë e pamohueshme është fakti që njerëzimi, në rrugëtimin e tij historik, prej shumë kohësh ka vuajtur nga epidemitë.
Murtaja Antonin dhe gjurmimi pas së vërtetës së re!
Ajo është epidemia e parë e dokumentuar nga historianët e vjetër. Ka ndodhur në vitin 165 të erës sonë në Romë dhe në shumicën e tokave të sunduara nga Perandoria Romake përreth Mesdheut, në veri të Afrikës, në jug të Evropës, në Spanjë dhe, po ashtu, në tokat e Levantit. Në vitin 165 një murtajë vrasëse e pushtoi Perandorinë. E quajtën murtaja Antonin dhe zgjati një periudhë kohore. Dihet se kjo epidemi ishte një prej shkaqeve fillimisht të dobësimit dhe pastaj edhe të rënies së Perandorisë perëndimore Romake. Fiset gjermane filluan ta sulmojnë Perandorinë, ushtria e së cilës ishte e dobësuar nga murtaja dhe nuk kishte mundësi t’i siguronte kufijtë kundrejt sulmeve. Këto fise, pa rezistencë, nga veriu e sulmuan Perandorinë dhe ky ishte fillimi i rënies dhe kolapsit të kësaj perandorie në shekullin e gjashtë të erës së re.
Murtaja nuk e shkatërroi vetëm indin ushtarak të Perandorisë, por ajo ishte edhe fillimi i zhdukjes së besimeve dhe religjioneve të asaj perandorie. U hap rrugë për përhapjen e Krishterimit në të gjitha anët e Perandorisë, gjë që përfundoi me zyrtarizmin e Krishterimit nga ana e perandorit Konstantin në fillim të shekullit të katërt (315-333). Kështu Krishterimi u bë religjioni zyrtar i Perandorisë Romake.
Besimet e vjetra romake politeiste, në esencë, nuk kishin mundësi të përgjigjen në pyetjet që u parashtruan nga njerëzit në kohën e epidemisë, e cila i vërshoi dhe i vendosi në pragun e vdekjes. Që prej asaj kohe njerëzit filluan të gjurmojnë pas së vërtetës së re, e cila do të përgjigjet në pyetjet e tyre. Këto përgjigje i gjetën në një religjion tjetër, në atë të krishterë.
Murtaja Justinian nuk i zhduk (asgjëson) vetëm njerëzit!
Murtaja e dytë që ka rëndësi historike për neve myslimanët është murtaja Justinian. Justiniani është një prej perandorëve të Perandorisë lindore Romake, që njihet edhe me emrin Perandoria e Bizantit. Ai ishte lider i rëndësishëm, i cili i fuqizoi bazat e forcës së Bizantit, luftoi me Persinë dhe ndikoi në definimin e botës asokohe me ndikim në Etiopi dhe Jemen. Arritjet e tij janë të shumta, si Kodi (i njohur) i Justinianit, i cili u bë element i rëndësishëm i kulturës globale dhe që akoma është pjesë e legjislacioneve evropiane. Pas rënies së Romës nën pushtimin e fiseve gjermane, Justiniani u mundua të bashkonte Perandorinë perëndimore dhe lindore Romake nën sundimin e tij, por fati (caktimi i Zotit) ishte diçka tjetër.
Perandoria e Bizantit u përfshi nga një murtajë, që zgjati prej vitit 541 deri në vitin 543. Filloi në Egjipt dhe pastaj u përhap në Konstantinopojë, Anadoll dhe në tokat e Levantit, por edhe në shumë zona që ishin nën administrimin e Perandorisë. Me të u godit edhe shteti Sasanid. Ajo u emërtua me emrin e perandorit, murtaja Justinian (Plague of Justinian).
Kjo murtajë u përhap tridhjetë vjet para lindjes së profetit Muhamed, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, dhe i dobësoi shumë dy perandoritë, Bizantin dhe Persinë. Ajo ishte shkaku i vdekjes së afro gjysmës së popullatës së Konstantinopojës. Atëbotë u ndërprenë rrugët e tregtisë me Egjiptin, që konsiderohej burim i epidemisë. Hulumtuesit bashkëkohorë vërtetuan se epidemia nuk filloi në Egjipt, porse ajo u bart në Egjipt prej Azisë së Mesme nga minjtë në anijet tregtare – marinarët u infektuan nga tartabiqet që ishin futur nëpër shtretër.
Murtaja u transferua në portet e ndryshme evropianë dhe kishte pasoja vdekjeprurëse për njerëzimin. Banorët e globit asokohe ishin afër dyqind milionë. Atëbotë vdiq një numër i madh i njerëzve dhe ushtria pësoi dëme të mëdha. Pësuan edhe të ardhurat e shtetit, i cili ishte në luftë me fiset e Evropës së mesme. Në pamundësi për ta mbrojtur veten, Justiniani u detyrua t’i shtonte tatimet. Perandoria mbijetoi dhe hyri në luftë me Persinë. Megjithatë, murtaja ishte një prej shkaqeve kryesore që i dobësoi të dy shtetet e mëdha, Bizantin dhe Persinë, kjo si uverturë për rrënimin e të dyja perandorive nga myslimanët pas gjashtë dekadave.
Vazhdimësi e murtajës Justinian ishte murtaja e Amvasit (Plague of Emmaus) në vitin 630 në qytezën Amvas në Palestinë. Këtë murtajë e shkaktoi i njëjti mikrob dhe u përhap përsëri duke shkaktuar vdekje të shumta. Thuhet se ajo ka qenë njëra prej sëmundjeve më të rrezikshme në përgjithësi, e cila është rikthyer kohë pas kohe për t’i paraprirë murtajës më të madhe që e njohu njerëzimi – m urtajën e Vdekjes së Zezë pas tetëqind viteve.
Vdekja e zezë dhe lindja e racionalizmit evropian
Vdekja e zezë (Black Death) ose murtaja e madhe ishte sprova që në vitin 1348 e goditi njerëzimin. Ajo e përshkoi tërë botën dhe shkaktoi vdekje të shumta në Azinë e Mesme dhe në Kinë. Në Kinë, madje, vdiqën 40 për qind e popullatës, ndërsa vdekshmëria nga kjo sëmundje ishte mbi 90 për qind nga të infektuarit. Në të vërtetë, i infektuari nuk mbijetonte më shumë se një ose dy ditë. Murtaja u transferua prej Azisë në Evropë dhe rrugëtimi i saj zgjati pesëmbëdhjetë vite. Rrugët tregtare në atë kohë ishin të ngathëta.
Në literaturën e historianëve myslimanë të asaj kohe kjo murtajë përmendet me emrin Murtaja e Përgjithshme, që u përhap në mes të shekullit të tetë hixhrij. Librat e historianëve myslimanë, që jetuan në Egjipt dhe Siri në atë kohë, janë përplot me dëshmi rrëqethëse. Ibën El Verdi shkroi një libër, në të cilin ka përshkruar sëmundjen, ashtu siç e kishte përjetuar. Ai vdiq nga pasojat e kësaj sëmundjeje. Në burimet historike është shënuar se numri i varrimeve vetëm në Kajro ishin mbi dhjetë mijë për një ditë. Vetë procesi i varrimit ishte shumë i shtrenjtë, sepse njerëzit nga frika e infektimit nuk e pranonin atë angazhim. Njëqind milionë është numri i përafërt i të vdekurve, një numër shumë i madh nëse merret parasysh numri i përgjithshëm i banorëve të rruzullit tokësor, që në atë kohë ishte 475 milionë. Piku i murtajës ishte në Evropë, kur fisnikët posedonin hapësira të gjëra të tokës, ndërsa të varfrit jetonin si skllevër, duke e punuar tokën për interesin e feudalëve. Pas murtajës, feudalët nuk kishin fuqi punëtore që ta punon tokën, sepse shumica e punëtorëve kishin vdekur. Ai numër i vogël i fuqisë punëtore filli të kërkojë më shumë liri dhe të drejta. Kështu përfundoi skllavëria dhe sistemi feudal në Evropë.
Feudalët u orvatën ta rikthejnë hegjemoninë e tyre, kurse shtresa e varfër e shoqërisë e refuzoi atë. Për këtë shkak historianët e konsiderojnë këtë epidemi, Murtajën e Zezë, si faktor i cili e rrëzoi sistemin feudal.
Ndikimi ishte i dukshëm edhe në jetën fetare. Kisha, e cila ishte dominuese në jetën politike dhe shpirtërore, filloi ta humbë hegjemoninë e saj, sepse ishte e paaftë përballë murtajës.
Shekulli i katërmbëdhjetë ishte i njohur botërisht si shekull i jashtëzakonshëm. Bota islame e jetonte periudhën e saj të artë. Ajo udhëhiqte në progres dhe zhvillim në fushat e shkencës, mjekësisë, astronomisë, inxhinierisë dhe në gjitha aspektet e jetës civilizuese njerëzore. Evropianët e dëshmuan këtë në Andaluzi. Aty u ballafaquan me gjëra që nuk i kishin parë në universitetet e tyre, në kishat e tyre dhe tek elitat e tyre intelektuale. Andaluzia ishte e vetmja pikë civilizuese ndriçuese në errësirën që e jetonte Evropa. Disa mjekë myslimanë ndihmuan në mjekimin e elitarëve evropianë dhe në mjekimin e disa nga papët. Mjekësia evropiane në atë kohë ishte sharlatanizëm dhe dokrra.
Kisha e shpjegonte murtajën si hidhërim hyjnor, që kishte rënë mbi njerëzit për shkak të mëkateve të tyre, por ishte e paaftë në ofrimin e zgjidhjeve për largimin e epidemisë. Në atë periudhë njerëzit filluan të gjurmojnë opsione tjera, duke synuar zbulimin e së vërtetës dhe kjo rezultoi me lindjen e asaj që njihet si racionalizmi evropian, i cili nismat fillestare i kishte pikërisht në Andaluzi. Aty ishte pikënisja e asaj që do rezultojë me Renesancën gjithëpërfshirëse evropiane në shekujt gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë.
Historianët e shënojnë fillimin e erës së renesancës evropiane me murtajën. Ata besojnë se ajo ka qenë një prej faktorëve që e largoi nga skena shoqërore sistemin feudal, që e inicioi fillimin e racionalizmit evropian, i cili vazhdoi me etapën e Renesancës dhe ashtu u kufizua ndikimi i klerit mbi jetën e përgjithshme, në veçanti mbi jetën politike dhe shkencore.
Nuk mbahet mend para Murtajës së Zezë dhe pas saj numër aq i madh i të vdekurve për shkak të sëmundjes. Njerëzimit i duheshin dy shekuj për ta kompensuar numrin e njerëzve që vdiqën në atë epidemi.
Në ekstazën e fitores një ankth gripoz!
Epidemia e katërt është Gripi Spanjoll, të cilin e shkaktoi virusi H1N1 dhe ai zgjati në periudhën 1918-1920, pra menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. Nuk u quajt Gripi Spanjoll për shkak se ka nisur në Spanjë, por për faktin se ata që e publikuan dhe biseduan rreth tij ishin spanjollët dhe gazetat spanjolle, që gëzonin liri të konsiderueshme. Pjesa tjetër e botës ende merrej në pasojat e Luftës së parë dhe nuk u pëlqente që t’i ndjekin lajmet mortore. Megjithatë, meqë sapo kishin dalë nga tmerri i Luftës së Parë Botërore, mundësia e përhapjes së kësaj sëmundjeje, nëpërmjet ushtarëve që ktheheshin në shtëpitë e tyre, pas luftimit në frontet e ndryshme të Evropës, ishte shumë e madhe. Me festimet, për shkak të fitores, ata e sollën edhe virusin vrasës, i cili u përhap në mënyrë të frikshme.
Viktimat e Luftës në atë periudhë ishin shkaku i varfërisë së rëndë dhe i shumëfishimit të të prekurve me Gripin Spanjoll. Numri i përafërt i të infektuarve ishte pesëqind milionë, ndërsa si pasojë e gripit vdiqën jo më pak se shtatëdhjetë deri në njëqind milionë njerëz në të gjithë anët e botës ose 20 deri 30 për qind. Sipas përqindjeve, vdekshmëria nga ky virus është pjesërisht më e vogël sesa nga Murtaja e Zezë. Banorët e botës asokohe numëronin një miliardë e nëntëqind milionë njerëz.
I njëjti virus vazhdoi ta shkaktojë edhe gripin sezonal, derisa u modifikua dhe në formën e tij të re e shkaktoi Gripin e Derrit në vitin 2009. Këto epidemi nuk zhduken dhe kohë pas kohe rikthehen, duke e zgjatur kohën e krizës ngandonjëherë edhe me qindra vite. Me kalimin e kohës, njerëzit zhvilluan imunitet kundrejt virusit dhe arritën të ngadhënjejnë ndaj tyre me vaksina dhe me imunitetin natyror. Por, virusi vazhdoi të zhvillohet dhe tash, me një bum të ri, u kthye i fuqizuar.
Viruset më të zhvilluar sfidojnë botën e përparuar!
Kështu arritëm në kohën në të cilën jetojmë, kur rishtas u paraqit virusi Korona, tashmë modeli i ri. Bëhet fjalë për gjeneratën e gjashtë të virusit të tipit Korona (me kurorë). Vdekshmëria nga ky virus është më e vogël krahasuar me pandemitë e mëdha që e kishin kapluar më parë njerëzimin. Tash kapacitetet e njerëzve dhe mundësitë e tyre për t’u ballafaquar me viruset janë më të mira se sa në të kaluarën. Higjiena është në nivel më të lartë, ilaçet janë më efikase, është forcuar imuniteti dhe ushqimi është më cilësor. Këtu vlen të përmendet se shumica e epidemive erdhën pas viteve të urisë, që e dobësuan imunitetin njerëzor.
Gjendja shëndetësore në botë sot është shumë më e mirë sesa në të kaluarën, por edhe viruset janë avancuar dhe kanë mundësi, si asnjëherë më parë, ta riprodhojnë veten e tyre. Çfarë kuptimi ka realiteti momental dhe cilët janë skenarët e mundshëm në të ardhmen?
Studime të ndryshme paralajmërojnë pamundësinë e zgjidhjes së shpejtë, që në mënyrë efikase do të ndalonte zhvillimin e viruseve. Ky është edhe shkaku i shtetrrethimit global që e përjeton bota. Vendet, që ende nuk kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, së shpejti do ta bëjnë atë, ndërsa vendet që nuk kanë kufizuar lëvizjen e njerëzve, së shpejti do ta kufizojnë, sepse shpejtësia e përhapjes të kësaj sëmundje është e pazakontë. Prandaj, bota është e detyruar t’i mbyllë dyert dhe së shpejti stagnimi dhe vetizolimi do të bëhen realitet si asnjëherë më parë.
Në periudha të ndryshme të historisë nuk kemi dëgjuar se xhamitë janë mbyllur plotësisht siç ndodh tani në shumicën e vendeve të botës. Thirrja “Faluni në shtëpitë tuaja!”, që tani dëgjohet, nuk ka qenë e njohur më parë. Për këtë kemi dëgjuar në librat e biografisë profetike, i cili e dha lejen e lehtësimit për njerëzit kur i urdhëroi myslimanët të falen në shtëpitë e tyre për shkak të shiut të rrëmbyeshëm. Kështu brenda javës ky model i ezanit u dëgjua nga minaret e xhamive anembanë botës!
Pezullimi i lirive individuale deri në njoftimin e paafatizuar!
Sot shohim gjëra që asnjëherë nuk i kishim paramenduar se ka mundësi të ndodhin: mbyllen kishat, xhamitë dhe faltoret, njerëzit qëndrojnë në shtëpitë e tyre, ndërsa mbyllen lokalet tregtare, kufijtë dhe aeroportet. Kjo është një situatë e çuditshme për njerëzimin. Sepse, liria e udhëtimit dhe lëvizjes është prej lirive më madhore që e gëzonte njeriu modern që prej kohës së liberalizmit e deri më sot. Këtë liri ai e praktikonte ashtu si donte dhe ajo ishte bërë pjesë e të drejtave themelore njerëzore.
Dhe, kur njeriu filloi të mendojë se e ka nën kontroll situatën dhe se e ka lehtë të presë biletën e aeroplanit dhe të udhëtojë në cilëndo pjesë të botës, erdhi caktimi i Zotit dhe ngujoi atë në shtëpi. Njerëzit u distancuan dhe nuk komunikojnë më me tjerët, madje edhe me ata që i kanë në shtëpi.
Kjo gjë është e panjohur për neve dhe një e papritur, që nuk dihet se kur do të përfundojë. Ekziston edhe një rrezik i fshehur – ai që thotë se ky virus do të përfundojë pas dy ose tre javësh, gabon, sepse studimet më optimiste thonë se epidemia do të vazhdojë deri në qershor, madje edhe më tej. Shumica e studiuesve pohojnë se kemi nevojë për gjashtëmbëdhjetë deri në tetëmbëdhjetë muaj për ta vendosur kontrollin mbi virusin në fjalë.
Bëhet fjalë, pra, për një periudhë të gjatë të krizës. Ndoshta situata do të ndryshoje dhe do të lejohet lëvizja e kushtëzuar, por s’ka dyshim se eliminimi i këtij virusi ose, së paku, ndryshimi i gjendjes nga ajo e rrezikut në atë normale kërkon një kohë relativisht të gjatë, një ose dy vite.
Lindja e botës së re!
Globalizimi në rend të parë kishte natyrë ekonomike dhe pastaj, me kalimin e kohës, u shndërrua në globalizim teknologjik dhe kulturor. Pas njeriut, sot viktima më e madhe e këtij virusi është ekonomia. Njeriu vuan dhe vdes, madje në këto rrethana frika prej vdekjes është një problem madhor te të gjithë njerëzit, edhe pse përqindja e vdekshmërisë nuk është aq e lartë.
Rreziku që shfaqet para neve është (edhe) ekonomik, sepse njerëzimi po përjeton kolaps të ekonomisë si asnjëherë më parë. Jo shumë vite më parë ekonomia botërore përjetoi gjendje të të tendosjes dhe vazhdimisht ishim në pritje të një krize, e cila do të godasë si stuhi ekonominë botërore. Por, askush nuk e priste që ajo të ndodhë aq shpejt siç ndodhi për shkak të krizës me këtë virus.
Sot shohim që indekset e tregjeve botërore kanë rënë aq poshtë, njësoj si në krizat e mëdha ekonomike, si p.sh. Depresioni i Madh (The Great Depression) në vitin 1929 dhe kriza e vitit 2008. Shumë nga ekonomistët paralajmërojnë se ajo që do të ndodhë do të jetë një skenar akoma më i keq se në kohën e Depresionit të Madh. Shkaku i kësaj është varësia e ekonomisë, që si asnjëherë më parë në komunikimin kompleks dhe gjatë globalizimit, ka nevojë për mbështetje të ndërsjellë. Ekonomitë janë aq të ndërlidhura, saqë çdokush ndikohet nga çdokush: kriza filloi në Kinë, por gradualisht filloi rënia e tregjeve në pjesët e tjera të botës.
Për shembull, tregu i naftës mori tatëpjetën kur në Kinë filloi mbyllja e fabrikave dhe u zvogëlua kërkesa për naftë. Pastaj ishim dëshmitarë se si çmimi i naftës ra në nivel aq të ulët, gjë që nuk e kishim parë në pak vitet e kaluara, saqë çmimi i fuçisë u bë 28 dollarë, madje me prirje të uljes deri në 20 dollarë, kjo në kohën kur fabrikat ende nuk kanë filluar të hapen.
I dëmtuari i parë dhe përfituesi i fundit – rikthimi i mirëqenies ekonomike dhe strategjike!
Kina ishte ajo që më së shumti u dëmtua dhe si duket ajo e para, para të gjithave, do të rikuperohet. Kjo do të rezultojë me shkallë më të lartë të rritjes krahasuar me vendet e tjera. Mundësia e Kinës për t’u rikuperuar është me e madhe sesa e Evropës dhe SHBA-ve, kjo për dy arsye:
Arsyeja e parë – pushteti në Kinë është njëpartiak dhe si pushtet i centralizuar, e kontrollon plotësisht jetën e njerëzve dhe përditshmëritë e tyre. Shtetet e Perëndimit nuk e kanë këtë mundësi për shkak të natyrës së shoqërive dhe jetës së tyre.
Tregtia dhe industria e Kinës, e cila ka vërshuar në tërë botën dhe e cila në fillim më së shumti u dëmtua, filloi të rikthehet në punë. Sot nëntëdhjetë për qind e fabrikave e kanë rifilluar prodhimin. Pasi e kuptuam këtë, ekonomia e Kinës në këto ditë do të bëjë dy gjëra: fillimisht do ta furnizojë botën me atë që sot i duhet më shumë, me mjetet dhe pajisjet mjekësore si maska, respiratorë etj. Bota do t’i vërsulet Kinës për të marrë prej saj çfarë ka mundësi.
Qëllimi i dytë i Kinës është orvatja për të përfituar vendet e botës nëpërmjet pajisjes së tyre me përvoja dhe kuadro për përballje me virusin.
Kina, parimisht, ka filluar të rikuperohet dhe ky është lajm shumë i rëndësishëm. Ajo që nuk e dimë është se si do të rikthehet prodhimi me kapacitet të plotë dhe se si do të rifillojnë vijat e prodhimit në vendet tjera të botës nëse rikuperimi është përfundimtar?!
Evropa, kriza ekonomike dhe shpërthimi i nacionalizmit
Është më se e qartë se Evropa është para një situate të vështirë. Ekonomia e Evropës ka pësuar nga shumë kriza të mëdha ekonomike në vitet e kaluara dhe ende nuk është rikuperuar plotësisht nga kriza e vitit 2008.
Kujtoni krizat e Greqisë, Islandës, Italisë, Portugalisë, Spanjës, këto vende që edhe sot po vuajnë, në veçanti Italia. Franca dhe Spanja, po ashtu, janë mbyllur (Lockdown), ndërsa po shohim se jugu i Evropës do të goditet më shumë se sa veriu i saj. Gjermania, në mënyrë më të mirë, po i menaxhon çështjet se vendet e Evropës Jugore. Gjendja është më e mirë në shtetet e Evropës Veriore, kjo falë fuqisë ekonomike dhe sistemit të veçantë shoqëror që e aplikon modelin e kapitalizmin social (Social Capitalism).
Siç duket, varfëria, fillimet e së cilës ishin evidente gjatë viteve të kaluara, do të përkeqësohet dhe ndoshta do të shkaktojë shembje edhe më të mëdha në zonën e euros, me çka do ta dëshmojmë rilindjen e nacionalizmit. Rritja e nacionalizmit në vendet e Evropës është evidente pas krizës ekonomike të vitit 2008 dhe ngritja është akoma më evidente në dy vitet e fundit me krizën e imigrantëve. Disa parti nacionaliste të së djathtës ekstreme e kanë marrë pushtetin në disa shtete. Sot, gjatë krizës me virusin, shohim një valë të re të rritjes së nacionalizmit. Mbyllja e kufijve, së bashku me rëniet ekonomike, do të bëhen shkaqe që njerëzit në mënyrë prioritare të mendojnë për veten dhe të mos brengosen për të tjerët.
Rritja e nacionalizmit është pasoja e dytë, pas krizës ekonomike, me të cilën ballafaqohet bota në përgjithësi dhe Evropa në veçanti. Kjo do të reflektohet edhe mbi botën islame, kjo për shkak të lidhjes qenësore të saj me Evropën dhe për shkak të pakicave myslimane që jetojnë atje.
Kuptime të reja ekzistenciale!
Bota sërish do të filloje të flasë për kuptime të reja ekzistenciale: religjionet, besimet dhe filozofitë do ta fillojnë përsëri bisedën e tyre për esencën e njerëzimit dhe esencën e jetës. Kjo do të ndodhë, sepse tashmë kanë filluar pyetjet për mënyrën e bashkëveprimit në mënyrë fetare dhe në mënyrë njerëzore lidhur me këtë çështje.
Në të gjitha krizat e mëdha dy drejtime e kanë dominuar jetën njerëzore: drejtimi humanist dhe ai materialist. Drejtimi humanist e vendos njeriun në pozitë të barazisë së vazhdueshme ndërnjerëzore. Orientimi materialist e mbron qëndrimin se njeri i fortë është ai i cili meriton të jetojëdhe se vdekja e të dobëtit është arsye (logjikë) e natyrës, logjika e mbijetesës për më të aftin. Ky drejtim mbështetet mbi logjikën darviniane, një logjikë, absolutisht dhe thjesht, materialiste.
Këtë ndoshta e kemi parë në pikëpamjet e Hitlerit dhe Stalinit lidhur me njerëzimin – i dobëti vritej, njësoj si sot në Korenë Veriore, në të cilën të dobëtit vriten me qëllim që shteti të mos merret me mjekimin e tyre. Italia, vendi i Evropës në të cilin filloi Renesanca, publikoi një dokument të qendrës SIAARTI, në të cilin mjekëve u rekomandohet ta ndalojnë hyrjen në spitale për të moshuarit mbi gjashtëdhjetë e pesë vite. Edhe nëse kanë simptome të tjera të sëmundjeve, që nuk kanë lidhje me virusi Korona, ata do të lihen të vdesin për shkak të numrit të kufizuar të respiratorëve. Këto rekomandime erdhën për t’ua lehtësuar ekipeve mjekësore që të ballafaqohen me dilemën morale: kush meriton më shumë të mbijetojë!
Kjo dilemë njerëzore u parashtrua në të gjitha epidemitë. Kam lexuar në librat e historisë për murtajën e cila u përhap në Evropë. Pushteti urdhëronte të mbyllen shtëpitë e të prekurve, pasi kuptonin se brenda tyre ka njerëz të sëmurë. Shtëpitë mbylleshin me gurë dhe baltë (lloç), që i sëmuri të vdesë brenda dhe të mos e infektojë dikë tjetër. Kjo na bën me dije se kultura e mbijetesës për të fortin dhe pikëpamja që i dobëti duhet të sëmuret, madje edhe të vdesë, janë pikëpamje puro-materialiste, që janë përhapur në shekujt e mesëm dhe tash e shohim ringjalljen e tyre ne shtetet evropiane.
Kjo pikëpamje është e kundërta e pikëpamjes morale të Islamit, sipas së cilës është detyrë njerëzore kujdesi për ata që janë të dobët dhe të moshuar. Bamirësia ndaj prindërve është pothuajse vepër e barabartë me besimin në Zot. Ky orientim është shumë larg prej drejtimit materialist, që e shohim në shumë vende të botës. Qasja humaniste dhe qasja materialiste do të përballen në dyluftim dhe konflikti mes tyre do të ndizet.
Nevoja për ripërtëritje të ligjërimit fetar
Roli i fesë, sipas kuptimit të trashëguar tradicional, do të dobësohet, sepse religjionet në përgjithësi dhe Judaizmi, Krishterimi, madje edhe Islami në formën e tij tradicionale, në veçanti, nuk kanë përgjigje për pyetjet në etapën e ardhshme. Situata në fjalë do të nxjerrë në pah nevojën për riformulimin e ligjërimit fetar, që ai të jetë më afër mendësisë dhe aftësisë së njerëzve të kësaj kohe dhe më afër mënyrës se si reagojnë ndaj këtij realiteti. Kjo qasje e re e ligjërimit do të ndihmojë “tretjen” e ndryshimeve të mëdha që do ta lëkundin trungun e njerëzimit në vitet e ardhshme. Prandaj, nevoja e ligjërimit të ri fetar, i cili do ta lartësojë njeriun në një pozitë më të lartë se pozita e tashme, është nevojë madhore dhe urgjente. Myslimanët ndoshta do ta vërejnë mundësinë për ripërtëritjen e ligjërimit fetar nga ai tradicional klasik, që është i pranishëm në librat e trashëgimisë dhe historisë, në një ligjërim humanist global, të ngritur mbi vlerat dhe shpirtin e kohës moderne. Ata kanë mundësi ta paraqesin një model të ri civilizues.
Buzë (humnerës) qytetërimit të lakmisë!
Pika e katërt, e cila do ta ndryshojë realitetin global njerëzor, është gjurmimi pas modelit global ekonomik, më të qëndrueshëm dhe më të drejtë.
Modeli i ekonomisë që e jetojmë momentalisht është model i lakmisë së pangopshme dhe ai është shkak i krizave që nuk janë paraparë. Prej vitit 1929 e deri më sot përjetuam situata sinkronizuara të krizave, që nuk e shkaktuan shuarjen e lakmisë dhe koprracisë. Një për qind e popullatës e posedojnë pasurinë e 3.8 miliardë të njerëzve. Realisht, kjo situatë nuk ka mundësi të vazhdojë kështu. Prandaj parashtrohet pyetja: si të nxjerrim ide inovative për një ekonomi të re botërore? Ky debat njerëzor dhe global do të nxehet, duke u orvatur të përgjigjet në këtë pyetje.
Në ditët e kaluara disa shkrime kërkuan zbatimin e idesë TË ARDHURAT MINIMALE BAZIKE (Minimum Basic Income) për çdo njeri. Kjo nënkupton që të sigurohet shuma bazike që i mundësojnë njeriut jetë dinjitoze. Ideja në fjalë nuk është e re, por nuk ka pasur fat të përhapet botërisht. Ajo u aktualizua në këtë periudhë, bashkë me bisedat për ide të reja, që do ta zvogëlojnë hendekun mes të pasurve dhe të varfërve të rinj. Situata e krijuar ndoshta në të ardhmen do të sjellë ide të reja, që dallojnë prej idesë së tregut të lirë – që e ushqen lakminë – asaj të Wall Street-it dhe ekonomisë së globalizuar. Parimet e ekonomisë bashkëkohore janë të egr, andaj erdhi edhe fundi logjik i tyre – për shkak të këtyre pasojave katastrofike.
Paramendoni se njëzet milionë nxënës të shkollave në Amerikë nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë, edhe pse ekzistenca e tyre është e lidhur me ushqimet që u shpërndahen në shkollë. Vajtja e tyre në shkollë është urgjencë edhe për shkak të ushqimit. Kjo është gjendja në vendin më të zhvilluar të botës, i cili shpenzon triliona për armatim.
Shkelja e ligjeve universale hyjnore te krijesat dhe në ekzistencë
Allahu i Lartësuar ka vendosur ligje që e ruajnë baraspeshën natyrore. Nëse njeriu nuk i respekton dhe nuk ka konsideratë për këto ligje universale, ai do të ballafaqohet me pasojat e tyre shkatërruese.
Allahu në Kuran thotë: “Allahu e ka bërë shembull qytetin, i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urine dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.” (En Nahl, 112)
Njeriu do ta shijojë urinë dhe frikën atëherë kur do të çrregullohet relacioni i tij me njeriun tjetër dhe relacioni i tij ndaj natyrës. Arroganca e njeriut është evidente, në veçanti në raportin e tij ndaj natyrës. Para pak muaj lexuam për zjarret në Australi dhe para tyre për zjarret në xhunglën e Amazonës. Shumë autorë pohuan se mushkëritë e Tokës janë dëmtuar. Këto pyje e prodhojnë oksigjenin, i cili është i nevojshëm për krijesat e gjalla ku bën pjesë edhe njeriu. Këto zjarre u shkaktuan nga ndryshimet klimatike, që janë një formë e re e lakmisë njerëzore dhe vrapimit mbërthyes pas iluzionit të quajtur zhvillim. Ky “zhvillim” nuk do të rezultojë me lumturi, rehati dhe komoditet. Përkundrazi, jeta do të vështirësohet dhe pasojat do janë të rënda.
Kur lexova se virusi e sulmon sistemin e frymëmarrjes, thashë: “Subhanallah (i madhëruar është Allahu), me lakminë dhe arrogancën tonë i shkatërruam mushkëritë e bardha të Tokës dhe mushkëritë tona tash po shkatërrohen si dënim i saj që e vepruam”. Besoj se ekziston një lidhshmëri e fuqishme ndërmjet njeriut dhe ekzistencën, ashtu që çdo çrregullim që ndodhë në botën e natyrës kthehet dhe e ka efektin edhe mbi qenien njerëzore. Njeriu është krijesë që i përket natyrës dhe jeton në mjedis natyror, andaj ndotja e ajrit që e shkaktojmë ne, ndryshimet klimatike dhe globi i cili vuan, na kthehen në formë të epidemive, urisë, vërshimeve, furtunave dhe zjarreve.
Bota sot është e lënduar dhe e sëmurë dhe ai që e ka shkaktuar sëmundjen është njeriu. Kjo sëmundje mbartet te njeriu, të kafshët dhe krijesat e tjera. Prandaj duhet ta pranojmë që ne si qenie njerëzore, që jetojmë në këtë shekull, i kemi shkelur në mënyrën më të keqe ligjet universale hyjnore, e kemi deformuar krijimin e Zotit dhe i kemi dëmtuar interesat e të gjitha krijesave. Ne i kemi asgjësuar dhjetëra mijëra krijesa të botës shtazore dhe bimore, të cilat tash nuk ekzistojnë shkaku i lakmisë së pangopur njerëzore. Por, pasojat do t’i vuajmë edhe ne, ngase çdo çrregullim në natyrë reflektohet edhe në jetën e njerëzve.
Ndryshimet gjeopolitike
Pasojat afatgjata të pandemisë së Koronës janë shumë të ndërlikuara dhe nuk kemi mundësi të gjykojmë në mënyrë të prerë për përfundimet e saj. Nuk e kemi as mundësi ta prognozojmë prerazi realitetin e botës pas virusi Korona. Ajo që kemi mundësi ta bëjmë është të shfaqim disa nga treguesit.
Nëse themi se ë Kina po rikuperohet – edhe pse nuk mund ta pohojmë këtë prerazi. Por, nëse supozojmë, kushtimisht, se Kina po rikuperohet në kohën kur në Evropë, SHBA dhe shtetet e tjera gjërat lëvizin drejt pikës kulmore të epidemisë, një situatë e tillë do të lexohet si avancim ekonomik dhe strategjik i Kinës ndaj vendeve të tjera të botës.
Nëse gjendja momentale e rënies ekonomike vazhdon të përfundojë me stagnim të madh global, shumica e vendeve të botës do të dëmtohen në mënyrë të pariparueshme: sistemi ekonomik do të goditet për vdekje, ndërsa do të vuajnë edhe vendet industriale, ekonomia e të cilëve mbështet në eksport. Në mesin e tyre janë edhe vendet që eksportojë naftë.
Në anën tjetër, as gjendja e SHBA-së nën administrimin e kryetarit “maniak” nuk është për “t’u përgëzuar”. Imazhi i Amerikës do të lëkundet dhe në aspekt të brendshëm sistemi shëndetësor do të destabilizohet, sepse nuk është i gatshëm t’i absorbojë pasojat e pandemisë së Koronës. Sistemi shëndetësor amerikan, madje, ndoshta do të rrënohet, kjo për shkak të sistemit të ligë të sigurimit shëndetësor. Atje një përqindje e madhe e qytetarëve nuk kanë mundësi t’i paguajnë shpenzimet e mjekimit, gjë që ka mundësi ta përshpejtojë përhapjen e sëmundjes deri në pikën kulmore dhe në atë situatë spitalet nuk do të mund ta përballojnë numrin e madh të pacientëve. Edhe stagnimi ekonomik do të thellohet.
Miliardat që Amerika i injekton në tregje për ta parandaluar kolapsin e ekonomisë janë mahnitëse. Megjithatë, tregjet pa mëshirë vazhdojnë rënien e furishme të tyre, andaj dhe norma e interesit të Bankës Federale tashmë është zero.
Pozita globale e Amerikës prej vitesh është në rënie, ndërsa Korona do ta përshpejtoje atë proces dhe pozita e liderit botëror do të cenohet në favor të qendrave të tjera të ndikimit, në krye të të cilëve është Kina.
Në fjalimin e tij ditën e hënë Trump-i tha se tregjet do të rikuperohen dhe çështjet do të kthehen në gjendjen normale, por dëmtimi i njerëzve, në veçanti i atyre që janë të varfër, është evident. Njerëzit detyrohen t’i braktisin vendet e punës, nuk marrin rrogë ose marrin një pjesë të pagave dhe ky është vetëm fillimi.
Njerëzit do të kthjellen pas virusit Korona, duke u ballafaquar me humbje të mëdha financiare. Këtë do ta ndjejnë restorantet, kafenetë, sektori i turizmit, sektori i fluturimeve, sektorët e shërbimeve, vendet e përkohshme të punës, punëtorët e pavarur dhe gjithë ata që nuk kanë fuqi financiare për ta vazhduar aktivitetin e tyre. Stagnimi ekonomik dhe dobësimi i fuqisë blerëse të popullatës do të shkaktojë reagime shoqërore dhe politike në shumë vende. Nuk ka dyshim se Amerika do të goditet, por nuk e dimë saktë a do të rikuperohet apo nuk do të rikuperohet?! Ajo që e presim është një situatë e vështirë ekonomike në Evropë.
Për gjendjen ekonomike në Lindjen e mesme dhe në Afrikë nuk folëm, sepse ajo në esencë është e keqe, edhe pse, sipas mendimit tonë, kriza më së shumti do t’i godasë vendet e zhvilluara, ngase epse ekonomitë e tyre janë më të mëdha dhe varësia e tyre prej tregjeve dhe bursave është më e madhe krahasuar me vendet e tjera.
Fundi i botës që e njohim!
Për momentin po ndodhë vdekja e së kaluarës dhe lindja e asaj që është e re. Nëse punojmë fort dhe me përkushtim, e reja do të jetë më e mirë. Nëse u dorëzohemi ëndjeve dhe iluzioneve të lakmisë, atëherë përsëri do të hyjmë në kohërat e errësirave të reja.
Krizat e përshpejtojnë rrjedhën e historisë dhe i nxisin ndryshimet. Ne po jetojmë në një krizë që është e rrallë në histori. Njerëzimi është para dy opsioneve: të solidarizohet mes vete dhe të kontribuojë në ngritjen globale të njerëzimit. Kjo krizë nuk mund të zgjidhet pa solidaritet botëror. Opsioni i dytë është që secili ta shikojë interesin e tij të ngushtë, duke e rritur egoizmin dhe duke e shtuar lakminë.
Për fat të keq, nuk jam i mendimit se në një kohë të afërt bota do t’i trokasë arsyes dhe do të ngrejë institucione dhe organizata botërore të drejta, që do ta rikthejnë mirëqenien e njerëzimit. Nuk mendoj se do të formohen sisteme ekonomike dhe shoqërore të pjekura. Madje, pres që momenti materialist dhe etnik të ngadhënjejë dhe vendet të orvaten t’i marrin nën kontroll resurset e veta dhe resurset e vendeve të tjera, kjo në një kontekst të nxehtë të ri, që ka mundësi të përfundojë me luftëra të përgjakshme. Kjo nuk do të jetë në të mirën e të ardhmes së njerëzimit. Megjithatë, shumë shpejt do të dalë në shesh nevoja urgjente për ngritje drejt solidaritetit global njerëzor. Rikthimi i arsyes garanton jetë të mirë për të gjithë dhe shpresoj se ai proces nuk do të vonohet.
Shkruan: Dr. Vedah Hanfer
Përktheu: Dr. Amel Kurtishi
https://mesazhi.com/korona-ndryshon-realitetin-ne-cdo-sfere-a-jemi-deshmitar-te-lindjes-se-botes-se-re/