Të Fundit
Lumturiа që i mungonte sulltanit

Lumturiа që i mungonte sulltanit

Një ditë sulltani (mbreti) e thërret vezirin (ministrin) e tij dhe i thotë: Si ka mundësi që shërbetori im të jetë më i lumtur se unë, ndërkohë që mua nuk më mungon asgjë, kam kaq e kaq mall e toka, kurse ai nuk ka thuajse asgjë, dhe sërish është më i lumtur se unë?!

Veziri i tha: Shkëlqesi, zbatojeni rregullën e 99-tës!

Sulltani: Ç’është kjo rregull kështu?

Veziri: Futini në një qese 99 lira ari dhe lëreni natën te dera e tij. Mbi të lëreni këtë shënim: «Këto 100 lira floriri i ke dhuratë», trokitni në derë dhe shikoni se çfarë do të ndodhë…

Sulltani me gjithë nguti e bëri atë që e këshilloi veziri… Shërbetori e hapi derën, shikoi majtas-djathtas dhe e mori qesen. Pasi i numëroi lirat i mbushur plot emocione, vetë, me gruan e me fëmijët nisën ta kërkonin atë lirën që mungonte, me mendimin se mund të kishte rënë jashtë në rrugë.

Gjithë natën e kërkuan atë një lirën. Nuk lanë sokak e as gur pa rrotulluar e praptuar, në mos po e gjenin. I nervozuar nga kjo situatë, ai nisi të acarohej edhe me fëmijët e vet, madje edhe i sulmoi fizikisht, pse nuk e gjetën dot lirën… Lumturia e netëve të tjera mbeti histori në këtë familje gjithmonë të lumtur, plot qejf e hare…

Të nesërmen shërbetori paraqitet para sulltanit me fytyrë të varur, i lodhur, i rraskapitur dhe i pafjetur, me një sjellje ankuese e i dëshpëruar tej mase…

Sulltani tanimë e kuptoi rregullën e 99-tës si dhe çelësin e lumturisë…

____________

P.S.: Edhe ne shpesh i harrojmë dhe nuk i shohim 99 të mirat e Zotit dhe i vihemi pas asaj që s’e kemi për momentin… Me këtë ne e humbim lumturinë dhe kënaqësinë, duke vrapuar pas asaj që na mungon dhe e cila mendojmë se do të na mbushë boshllëkun e sajuar nga lakmia jonë e pangopshme… Ejani të gëzohemi dhe t’i shijojmë 99 të mirat e Zotit, t’i jemi Atij mirënjohës për to, sepse mirënjohja, falënderimi i shtojnë të mirat dhe begatitë e Zotit.

Nga turqishtja:

Rehan Neziri