Ekstremizmi i Shtetit Islam në Irak dhe Sham (ISIS), në besim dhe praktikë, është një fenomen i përçmueshëm që duhet dënuar dhe frenuar. Por duhet pranuar po ashtu se ISIS-i është vetëm një simptomë e një problemi më të madh, një problem që gjendet në zemër të ekstremizmave të botës moderne, dështimi i sistemit ndërkombëtar, ndjenja e dëshpërimit dhe nihilizmit, padrejtësia politike dhe ekonomike, dhe marrëdhënia e paqetë midis traditës dhe modernitetit.
Ashtu si tërë lëvizjet ekstremiste, qoftë fetare apo shekullare, ISIS-i mund të kërkojë ta përligjë ekstremizmin e tij duke iu referuar burimeve islame, si Kur’anit apo jetës së Profetit Muhamed. Siç vënë në dukje mendimtarë dhe dijetarë të shumtë muslimanë, metodologjia e keqdrejtuar dhe ideologjia e keqvendosur mund të përdoren për të shtrembëruar çdo tekst fetar dhe çdo precedent historik. Al-Kaeda, Boko Harami, dhe tani ISIS-i, i shfrytëzojnë, apo, më saktë, i keqshfrytëzojnë, burimet dhe referencat fetare për të krijuar një ideologji ekstremiste.
Një grup i madh juristësh, dijetarësh, intelektualësh dhe akademikësh muslimanë i shkruan një letër të hapur el-Bagdadit, udhëheqësit të hamendësuar të ISIS-it, për ta kundërshtuar këtë, duke treguar hollësisht dhe me autoritet se si ekstremizmi i dhunshëm i ISIS-it ndaj muslimanëve të sekteve të tjera dhe njerëzve të feve të tjera është hedhur poshtë nga tradita islame. Mesazhi më thelbësor i kësaj letre është mbështetur nga miliona muslimanë të moderuar e tradicionalë anekënd botës.
Askush nuk ka të drejtë ta përdorë fenë për të justifikuar atë çka është në esencë dhe para së gjithash një objektiv tokësor: pushtetin. ISIS-i dhe zëdhënësit e tij mund të citojnë ajete nga Kur’ani, mund të thërrasin “Allahu ekber” (Zoti është i madh). Por kjo nuk i bën aktet e tyre fetare apo të shenjta. Kur’ani vetë paralajmëron ndaj atyre të cilët përpiqen t’i manipulojnë urdhrat e Zotit për përfitimet e tyre. ISIS-i është një shembull tipik i një organizate të dhunshme, në kërkim të pushtetit, që përdor justifikimin fetar, por që në fund dështon në vijimësinë logjike dhe në autoritetin fetar. Problemi është se jo i gjithë ekstremizmi është i mbështetur domosdoshmërisht në fenë. Ekstremizmi nuk ka nevojë për fenë që të lindë. As ka nevojë t’i qëndrojë besnike frymës së vërtetë të fesë për t’i kryer aktet e tij të dhunshme.
Ekstremizmat e botës në të cilën jetojmë sigurojnë goxha material për çdo lëvizje që të shkojë në ekstreme. Ka një listë të gjatë të ekstremizmit që vjen në forma të ndryshme: dy luftërat botërore të shekullit të fundit, pushtimet, kolonializmi ekonomik dhe kulturor, miliarda dollarë të harxhuara për armatim, armët e shkatërrimit në masë, hendeku në zgjerim midis të pasurve dhe të varfërve, individualizmi ekstrem i shoqërive moderne, drogat, brutalitetet e kapitalizmit modern, trafikimi njerëzor, ndryshimi i klimës, kriza mjedisore, helmimi i ushqimit, ujit dhe ajrit tonë, varësia nga teknologjia që arrin maja të reja, dhe filmat e dhunshëm, videolojërat e dhunshme…
Këto dhe shumë forma të tjera të ekstremizmit kanë hyrë përvjedhurazi në jetën tonë të përditshme, në ligjërimet politike, në sistemet arsimore, në politikat ekonomike, e në shumë fusha të tjera të botës së jetës sonë. Ato i shtrëngojnë njerëzit e zakonshëm të marrin qëndrime ekstreme në të tëra çështjet kyçe, qoftë në perceptim dhe sjellje, apo në praktikë. Ne veç mashtrojmë vetveten duke mbyllur njërin sy ndaj këtyre. Nuk mund ta reduktojmë ekstremizmin vetëm në vrasjet e dhunshme. Ato vrasje, si të kryerat, për shembull, nga ISIS-i së fundi, duhen hedhur poshtë dhe duhen ndaluar. Ama nuk duhet ta humbim sysh tablonë më të madhe këtu: ne jetojmë në një kohë ekstremitetesh, për shkak të së cilës të bësh diçka në një mënyrë të mesme e të moderuar nuk është e kënaqshme, as shënohet, apo nuk pranohet, si e pamjaftueshme për të marrë atë që dëshironi.
Sistemi aktual i marrëdhënieve ekonomike dhe politike i shtyn njerëzit në shumë forma të kapshme dhe jo aq të kapshme drejt skajeve, ekstremeve. Ata të cilët e vijojnë jetën në mënyrën e tyre modeste dhe të moderuar nuk dëgjohen, nuk respektohen apo, madje, nuk mbrohen. Sistemi fillon t’u kushtojë vëmendje vetëm kur ju nisni të bëni shumë potere dhe të bëheni të dhunshëm.
Në të gjitha lëvizjet ekstremiste ka një vijë ndarëse të hollë midis marrjes së një qëndrimi të vendosur dhe radikal për drejtësi dhe pengimit në ekstremizëm. Ka vende ku duhet të jesh radikal dhe i pakompromis: kur keni detyrimin për të mbrojtur gratë dhe fëmijët, të drejtat njerëzore, të drejtat e pakicave, për të luftuar kundër pushtimit të vendit tuaj dhe për të luftuar kundër terrorizmit. Por gjërat bëhen delikate dhe të ndjeshme pikërisht aty ku përfundon ky radikalizëm i përligjur moralisht dhe ku fillon ekstremizmi i dhunshëm. Ekstremitetet e botës moderne e bëjnë tejet të lehtë ta bësh atë hap nga të qenit i vendosur dhe i pakompromis moralisht te kthimi në një ekstremizëm të dhunshëm.
Pikërisht në këtë na nevojitet një rivlerësim i përparësive tona moderne dhe diskutimi në mënyrë kritike i drejtimit të përgjithshëm të gjendjes së tanishme të njerëzisë. Hedhja poshtë e ekstremizmit në tërë format e tij, qoftë terrorizmi i ISIS-it, vrasjet sektare, të shtënat në shkolla ose dhuna hollivudiane, ka për të qenë hapi i parë në drejtimin e duhur.
Ibrahim Kallën
*Autori mban titullin e ambasadorit në kabinetin e Presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.
Përktheu: Bujar M. Hoxha