Të Fundit
Mbi konceptin e dashurisë

Mbi konceptin e dashurisë

Dashuria është një prej koncepteve universalë që kërkon guxim dhe largpamësi për t’u përcaktuar në kornizat e kuptimit të mendjes njerëzore. Ky fenomen, kur merr përsipër për t’i përcaktuar karakterin dhe parimet, të detyron që të biesh në kundërshti me shumë botë-kuptime, shumë të tjera t’i përsërisësh duke i perifrazuar edhe të tjera të mos i marrësh në konsideratë për shkak të mos-njohjes. Dashuria na i imponon këto kufizime për shkak se ajo përfshin të gjitha qeniet njerëzore që prej fillimit të jetës, kësisoj shumë-llojshmëria e ideve sa na ndihmon aq edhe na krijon vështirësi.

Një kuptim i qartë në vetvete mbi konceptin e dashurisë është më i rëndësishëm për ne se heqja dorë nga përpjekjet për ta njohur atë. Njohja e këtij koncepti, përbën kushtin themelor për të qartësuar bindjet në lidhje me mënyrën e krijimit të raporteve me veten dhe tjetrin.

Dashuria ndryshe konsiderohet si dëshirë për praninë e njerëzve apo dhe objekteve. Jeta p.sh. është prej gjërave të cilat i duan dhe i dëshirojnë të gjithë njerëzit pa përjashtim, por përballë këtij pohimi mendja e shumëkujt mund të ngrejë dilemë dhe të dyshojë. Përvojat e jetës së njerëzve na orientojnë tek dyshimi , pasi shumë njerëz kanë shfaqur kundërshtim dhe rebelim ndaj jetës së tyre, madje jo rrallë-herë kanë kryer vetëvrasje. Ky fakt shërben si premisë për të argumentuar se njeriu edhe mund të mos e dojë jetën. Mospranimi i një gjendje të caktuar në jetë, nuk është argument për të pohuar se ai nuk e do atë. Njeriu i mban këto qëndrime dhe kryen vepra të tilla për shkak se dëshiron t’i ikë asaj forme të jetës ndaj të cilës tregohet antagonist, pra ai dëshiron një formë tjetër të të jetuarit. Kështu kuptohet se dëshira për të jetuar (jetën tonë, një jetë ideale ose thjeshtë një jetë që nuk është si e jona edhe në e mendofshim këtë si të mos-qenë), është tipar i natyrshëm i qenies njerëzore.

Dashuria është pjesë e karakterit njerëzor, pra zotërohet prej tij edhe e zotëron njëkohësisht; kështu prej këtij zotërimi buron dhe qëllimi i njeriut për ta ruajtur dhe menaxhuar dashurinë. Ky qëllim është burimi i shtysës së brendshme për të vepruar. Dashuria dhe dëshira jonë ndaj njerëzve dhe sendeve, dëshmon pronësinë e ndjenjave shpirtërore dhe emocionale të tij, njëkohësisht edhe privimin prej tyre.

Kategoritë e subjekteve janë me rëndësi për t’u dalluar në rrafshin e kuptimit. Këto kategori në një anë përfshijnë subjekte dytësore që kanë të bëjnë me format, cilësitë dhe përmasat e ndryshme të pasurive materiale. Ndërsa nga ana tjetër përfshijnë subjekte primare siç është uni ynë, njerëzit dhe parimet ideale; Të parat nuk janë qëllim në vetvete por janë rrugët drejt subjekteve të dyta, ndërsa të dytat janë qëllimi përfundimtar drejt të cilit rrugëtojmë dhe kësisoj ne si qenie njerëzore ndërkthyeshëm “ushqehemi” prej tyre edhe “ushqejmë” dashuri. Subjektet e kategorisë tek e cila gjejmë idealet, parimet dhe modelet tek të cilët duam të arrijmë, janë gjithashtu burimi i shpresës për të jetuar e vepruar në përputhje me rregullat që na afrojnë me to. Shpresa si e tillë na orienton tek qëndrime të caktuara. Kështu ne veprojmë sipas qëllimit për t’u përcaktuar tek këto qëndrime me shpresën se duke i realizuar kërkesat e atyre parimeve, do arrijmë qetësinë tonë të brendshme dhe mirësinë ndaj subjekteve që duam.

 

Arsyeja ka një rëndësi të padiskutueshme në kuptimin e konceptit të dashurisë. Përgjigjja në pyetjen se përse e duam dikë apo diçka është vendimtare në çështjen e dashurisë. Niveli i saktësisë së kuptimit rreth arsyes përse duam apo dëshirojmë, tregon për saktësinë e dashurisë; sa më shumë të thellohemi në kuptimet e dashurisë, në po ato përmasa edhe do e realizojmë dashurinë.

Dobia që ofron një objekt apo person, normalisht është arsyeja për të cilën dashurojmë. Ne e duam pasurinë pasi ajo na sjell dobi materiale dhe disponim të rehatshëm në përmbushjen e dëshirave të trupit. Ne e duam një person apo veprim pasi pranë këtij personi apo me anë të këtij veprimi gjejmë prehje dhe qetësi të brendshme, pra i sjellim dobi shiprtit tonë.

Shumë sende të cilat i kemi dashur dhe kemi pasur dobi prej tyre, shpesh ndodh që në një moment kthehen në burim dëmi ndaj nesh. Shumë persona tek të cilët kemi gjetur paqe e harmoni, përkundër pritshmërive tona normale, kalojnë në pozitat e faktorëve dëmtues kundrejt nesh; ashtu sikurse në një kohë të ndryshme veprime të caktuara e kanë ndryshuar efektin e pasojave duke na sjellë pasoja të dëmshme. Problemi shtrohet shumë thjeshtë: Ku qëndron roli i njeriut në raportin e pashmangshëm me dashurinë; parë në këtë këndvështrim – ku kontradikta mbizotëron fatet e jetëve njerëzore dhe rezultatet priren të jenë paradoksale – si duhet të pozicionohet qenia njerëzore, kur tanimë efektet paraqesin natyrë të kundërt nga ato të pritshmërive nga subjekte të ndryshëm prej të cilëve edhe ka përjetuar faza të lumturisë?

Aspekti kuptimor është ai tek i cili duhet të rikthehemi për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, por këtë herë në sferën e raportit dëm-dobi. Pasojat e dëmeve dhe dobive të cilat na i shkaktojnë veprimet, njerëzit apo të mirat materiale, janë baza e zakonshme prej të cilës i konceptojmë ato. Ky konceptim përkon me rrafshin sipërfaqësor të kuptimit.

Shumë gjëra të cilat ne na sjellin dobi, për dikë apo për një rend të caktuar qeniesh shkaktojnë dëm, kështu krijohet vetëdija jonë në lidhje me aspektin moral të veprimeve. Ne mund të kemi një përfitim material apo emocional nga një veprim i caktuar, ndërkohë që ky veprim e dëmton dikënd ose vetë ne. Së këndejmi, vizioni ynë për t’i parë njerëzit dhe subjektet  e tjerë nën hijen e raportit dëm-dobi dhe ndërtimi i dashurisë sonë mbi këtë vizion, do na bëjë të humbasim vetëdijen mbi vlerën reale të konceptit të dashurisë, pasi përllogaritja e pasojave të cilat shkakton raporti me gjëra që i duam, nuk ka asnjë pikë-takim në pragmatizmin e pastër ideologjik. Arsyetimi i thellë dhe i saktë nuk duhej të na çojë tek vlerësimi i faktorëve dobi-prurës, pavarësisht mënyrës si arrihet deri tek ky faktorizim, përkundrazi një arsyetim i tillë duhet të na i qartësojë konceptet dhe të na i kthjellojë vetëdijen.

Njerëzit  me të cilët krijojmë marrëdhënie në jetë janë jashtëzakonisht shumë, e medoemos ndikojnë tek ne. Edhe mënyrat për të vepruar në situata të ndryshme, me qëllim që prej këtyre situatave ta përfitojmë atë që është e dobishme edhe t’i shmangemi të dëmshmes, janë të shumta dhe të shumëllojshme. Konstatimi i raportit tonë me të jashtmen (me ata elementë të cilët i përkasin botës e njëkohësiht na ndikojnë ne) vetëm në varësi të efekteve të drejtëpërdejta që përfitojmë nga marrëdhëniet me njerëzit apo nga mënyra e të vepruarit, nuk është gjithnjë i saktë sepse në qoftë se këta njerëz apo këto veprimeve afektohen në një dimension të ndryshëm, e transformojnë kapitalin e dobisë në dëm. Njohja e kuptimit të esencës së njerëzve dhe të esencës së vlerave që i posedojnë parimet morale është udhë-zgjidhja për t’iu shmangur dëmit të shkaktuar nga ndryshimi i mënyrës se si afektohen tek ne njerëzit dhe objektet.

Të  kuptuarit e natyrës së thelbeve është i domosdoshëm; ne duhet ta duam një njeri pasi ai për natyrë (në esencë) është i mire, edhe pse në sferën materiale nuk mund të kemi një përfitim konkret nga kjo dashuri; ne duhet ta duam një parim moral sepse në thelb ai parim është i mirë ndërsa dobitë janë derivate të tij, ndonëse përkrah këtyre dobive nuk mund të haset aspak përfitim material.

Ekzistenca e njeriut duke u pozicionuar  shpirtërisht në krah të parimeve të moralit është sinonim i dashurisë. Morali në këtë këndvështrim është standart i vlerësimit të njerëzve që me anë të tij të njihet natyra e tyre dhe të dashurohen ata të cilët për natyrë janë të mire; ndërkaq nën hijen e të mirës morale të dëshirohet e mira edhe për ata të cilët moralisht janë të kundërt. Ata njerëz që në thelb të karakterit të tyre janë të mirë,  duhet të jetë objektivi tek i cili vendosim parashikime pritshmërie. Mirësia  paqyron mirësi në këtë mënyrë, ndërsa ajo e cila na mbetet ka të bëjë me raportin që kemi me të mirën…

Përcaktimet logjike të cilat na mësojnë si t’i duam ato gjëra e njerëz që duhet t’i duam janë të domosdoshme, por ka edhe diçka shumë me rëndësi përtej tyre  që ndihmon për t’u paraprirë gabimeve në krijimin e marrëdhënieve. Natyra njerëzore është e tillë që sendet dhe njerëzit i do me zemër edhe jo me mendje, kështu përtej akademizmit mendor me anë të cilit synojmë t’iu shpëtojmë qorr-sokakeve të ndryshme në rrugëtimin e marrëdhënieve  tona me tjetrin, përballemi me një preokupim shpirtëror i cili e tejkalon racionalotetin e mendjes.

Zemra si subjekt që dashuron jo rrallë-herë na çon  në një amulli serioze, pasi përveçse nuk kemi forcë për të zbatuar parimet morale të drejtësisë dhe barazisë sociale mes njerëzve, gjithashtu nuk mundemi as të përcaktojmë koordinatat e veprimeve tona sepse zemra bie në kundërshtim me parimet logjike. Rrugëzgjidhja e vetme në të dy rastet është referimi ndaj parimeve të sferës metafizike. Bota sociale shkon drejt shkatërrimit pa aspektin metafizik të jetës, si shkak i pamundësisë për t’i aplikuar parimet e drejtësisë. Pikëmbështetja  jonë vetëm në sferën e ndjenjave – ku elementi shpirtëror prevalon ndaj atij intelektual – rrezikon humbjen e vlerave e rrjedhimisht edhe humbjen e dashurisë.

A duhet të besojmë se dashuria përbën një përjetim emocional të përkohshëm?! A ekziston mundësia që qenia jonë të mposhtet ekzistencialisht prej raportit të dashurisë?! Përgjigjja   ndaj pyetjeve të tilla nuk mund arrihet prej asnjë metode shkencore, madje as përpjekja e filozofive nuk mund t’i japë përgjigjje nëse për mbështetje nuk ka aspektin kulturor, format religjioze të cilat përfaqësojnë njerëzimin.

Dashuria kundrejt qenieve dëshmon për dëshirën që këto qenie t’i duash përjetësisht, kështu përjetimi emocional i përfituar nga prania dhe mënyra e marrëdhënieve me qeniet pasyron natyrën e përjetshme të dashurisë ndaj tyre. Rëndësia e raportit me këto qenie kuptohet dhe ndjehet në momentet kur privohemi prej tyre, atëherë kuptojmë dhe çekuilibrimin shpirtëror.

Të dashurosh nënkupton zotërimin e pretendimit për të arritur realizmin e një gjendje ideale të vetëdijes. Pretendimi për arritjen e këtij idealizmi – ku supozohet zotërimi i harmonisë dhe qetësisë shpirtërore – domosdoshmërisht duhet ta bëjë qenien njerëzore që të kalojë në fazat e provimit në lidhje me nivelin e mbartjes së këtij pretendimi që nën suazat e intelektit është ekuivalent me nivelin (ose ekzistencën) e dashurisë.  Përfaqësimi i parimeve edhe vlerave morale  karakterizon gjithë sprovën e pretendimit të dashurisë në proçeset e saj; aq virtyte sa posedojmë, po në aq mënyra e shprehim dhe e përvetësojmë dashurinë, madje virtytet janë shtyllat e ndërtesës së dashurisë. Nga ana tjetër, sa më të zhveshur të jemi prej virtyteve morale, po në atë masë ndërtesa jonë e dashurisë është e rrënuar.

Të dish të dashurosh, ta duash veten, drejtësinë, të mirën, të moralshmen, të përjetshmen edhe qeniet që i përfaqësojnë ato, është e ngjashme sikur të jetosh në një nën-qiell ideal. Lidhja me këtë nën-qiell – i cili simbolizon shpirtin tonë – pasqyron orvatjen për të ruajtur pastërtinë e tij duke bërë pjesë të qiellit ato parime edhe ata njerëz të cilët për ne janë të mirë dhe prej të cilëve afektohemi me përjetime lumturie. Ashtu si përcaktuam edhe në fillim, niveli i kuptimit tonë është premisa e ndërtimit të këtij nën-qielli dhe baza mbi të cilën ai merr natyrën e rrjedhimisht pastërtinë.

Romeo Ismahilaj