Si përgatitet familja për pritjen e fëmijës së dytë?
Me pritjen e fëmijës së dytë nga familja, ndjenjat përzihen mes mallit, dashurisë dhe përkujdesjes për fëmijën e dytë dhe shqetësimit se si do e presë fëmija i parë këtë ndodhi. Kësaj i shtohet edhe shqetësimi i nënës për përgjegjësitë e reja që i shtohen. Vallë si do të ambientohet ajo me gjithë ato punë, shto dhe përkujdesjen për foshnjën e re?
Është e vërtetë që të luash këtë rol është një mision që kërkon ndërgjegjësim dhe njohuri mbi ndjenjat e të dy foshnjave, ndjenja që duhen ndërthurur me qëllim që asnjëri të mos ndjejë se po neglizhohet ose se po i kushtohet kujdes dhe vëmendje më e madhe se tjetri. Pra, duhet ekuilibër dhe trajtim i mesëm në çdo gjë.
Ne duhet t’u tërheqim vëmendjen prindërve se shumë probleme psikologjike hedhin rrënjë nga trajtimi dhe qëndrimi ynë si ndaj fëmijës së dytë, ashtu dhe ndaj fëmijës së parë. Fëmija i parë mund ta vërë re përkujdesjen dhe interesin që prindërit i kushtojnë foshnjës së porsalindur. Po ashtu, fëmija i dytë dhe me kalimin e kohës, mund të ndjejë se nuk e ka marrë akoma vendin që i takon dhe se i ka humbur personaliteti tek ai i vëllait të tij (sidomos nëse fëmijët i përkasin të njëjtit seks). Studimet tregojnë se fëmija i dytë, në përgjithësi, dallohet nga disa cilësi të përbashkëta, me të cilat ai tenton të vërtetojë ekzistencën e tij dhe të tërheqë vëmendjen e të tjerëve. Ai mund të shfaqë inat, kryeneçësi, qarje të shpeshta, ndihet i shtypur dhe ka dëshirë të madhe për të imituar më të rriturit.
Këto cilësi ndryshojnë në sasi nga një familje në tjetrën, sipas trajtimit të prindërve kur i konstatojnë.
Si të veprojë nëna?
Së pari: Periudha e përgatitjes.
Është shumë e domosdoshme që prindërit ta parapërgatitin fëmijën e parë që nga gjysma e shtatzënisë. Kjo bëhet me qëllim që fëmija të përgatitet psikologjikisht dhe mos i vijë si rrufe në qiell të hapur lindja e vëllait apo e motrës. Zakonisht, kur fëmijës i flitet për ardhjen në jetë të vëllait apo motrës, atij i shtohet kurioziteti dhe gjithmonë pyet:”Kur do të lindë? Kur do të vijë? Si do të jetë? A do të luajë me mua?”
Prindërit duhet ta bëjnë fëmijën e parë pjesëmarrës në të gjithë parapërgatitjet për ardhjen e fëmijës së dytë. Atij duhet t’i merret mendim në zgjedhjen e rrobave të foshnjës së pritur, ngjyrat e tyre, krevatin, zgjedhjen e emrit etj…
Nëse nëna dëshiron të caktojë një hapësirë nga dollapi i fëmijës së parë, për plaçkat e foshnjës së pritur, këtë ajo nuk duhet ta bëjë pa marrë edhe mendimin e fëmijës së parë. Madje, ajo duhet që ta nxisë fëmijën që kjo ide të burojë prej tij dhe ai të japë kontribut në përgatitjen e dollapit për foshnjën e pritur.
Së treti: Fëmija i parë nuk duhet të ndihet i braktisur nga nëna gjatë blerjes së rrobave për foshnjën e pritur ose gjatë vizitave tek doktori. Në të kundërt, fëmija i parë ndjen se vëllai/motra që pritet të lindë po i hyn në hak, se po ia merr nënën. Nëna duhet ta marrë fëmijën e saj të parë me vete kudo që shkon, sipas mundësive.
Shpesh herë fëmija preket kur ndjen se nëna është e sëmurë ose e lodhur. Ai ndihet i shqetësuar, i frikësuar dhe i pasigurt. Prandaj, këshillohet që nëna të mos ankohet në sy të fëmijës për dhimbjet e shtatzënisë. Në të kundërt, fëmija i parë mund ta urrejë foshnjën, pasi e sheh si shkaktar të sëmundjes dhe dhimbjeve të nënës.
Shihet qartë që objektivi ynë në këtë periudhë është që ta përgatisim fëmijën e parë psikologjikisht, për pritjen e një anëtari tjetër në familje. Ne duhet të krijojmë një situatë dashurie dhe malli për vëllain që po vjen, duke mbajtur larg tij çdo gjë e cila e shqetëson dhe e bën të ndihet i neglizhuar. Kjo e vë në dyshim statusin e tij në familje.
Së dyti: Periudha e lindjes
Ndoshta ndonjë lexues, mund të mendojë se fëmija e parë duhet të marrë pjesë në të gjithë përgatitjet për ardhjen e fëmijës së dytë, madje edhe gjatë procesit të lindjes. Në fakt, duhet të ndodhë e kundërta. Ditën e lindjes situata është e rënduar dhe të gjithë ndihen të stresuar dhe të shqetësuar për gjendjen e nënës. Vetë nëna është aq e lodhur saqë nuk mund të kujdeset as për veten dhe as për fëmijën e saj të parë. Kjo e bën fëmijën të shqetësohet, të ndihet dhe i pasigurt, ashtu siç është e gjithë atmosfera në familje. Ai ndihet i nënvleftësuar dhe i lënë pas dore, pasi të gjithë e kanë mendjen tek nëna që pret të lindë. Ai mund të tmerrohet dhe shokohet, nëse e sheh nënën duke rënkuar dhe hequr keq nga dhimbjet e lindjes.
Për këtë, gjëja më e mirë është që fëmijën ta mbajmë larg nga skena dhe atmosfera e lindjes. Është mirë që ai të merret nga shkolla nga gjyshërit, xhaxhai apo daja dhe të kalojë një ditë pak a shumë të ngjashme me ditët e tjera. Ai duhet të hajë vaktin e tij në kohë, të shkojë në klubin sportiv – nëse shkonte më parë – të luajë me shokët e tij. Nëse pyet mbi nënën, t’i thuhet se ajo është duke sjellë në jetë vëllain/motrën, të cilin do shkojmë ta shohim në darkë.
Kur fëmija shkon të shohë nënën e tij që tashmë ka lindur, nuk ka si objektiv të shohë foshnjën e porsalindur, aq sa dëshiron të shohë nënën e tij. Ai do të qetësohet se ajo është mirë, a ka pësuar ndonjë ndryshim dhe a vazhdon të jetë e interesuar për të si më parë. Në një rast të tillë, ai është shumë i ndjeshëm dhe çdo sjellje apo qëndrim interpretohet sipas ndjenjave dhe mendimeve të tij. Për këtë, reagimet ndryshojnë nga një fëmijë në tjetrin.
Një nënë rrëfen përvojën e saj dhe thotë:”Ditën që vajta në spital për të lindur, e lashë fëmijën tek xhaxhai i tij që banon në të njëjtin pallat me neve. Lindja ishte cezariane dhe qëndrova në spital për tre ditë pa e parë fëmijën. Kur u ktheva në shtëpi bashkë me foshnjën, më kishte marrë shumë malli për fëmijën e parë dhe doja ta përqafoj fort. Kur fëmija erdhi në shtëpi, e gjeti motrën e tij të porsalindur në krahët e nënës duke pirë qumësht nga gjiri i saj. Ai qëndroi larg dhe më thirri që të shkoja tek ai. Unë i thashë se nuk mundem të ec por hajde ti. Ai vazhdoi të më kërkojë të shkoj tek ai gjersa i tregova se nuk mundem të lëviz për shkak të plagës që kam në bark dhe i kërkova sërish që ai të vijë tek unë. Ai kapi xhaxhain për dore dhe i tha:”Hajde të shkojmë!” dhe e tërhiqte për tek shtëpia e xhaxhait të tij.”
Mosha e këtij fëmije ishte vetëm dy vjeç e gjysmë dhe reagonte në mënyrë të vetvetishme. Ai kishte ardhur për tek shtëpia me idenë se do e priste e ëma me krahët hapur, do e përqafonte, do e merrte në krahë – froni i tij madhështor – dhe do e puthte gjithë mall. Por ai mbeti i shtangur kur pa që vendin e tij e kishte zënë dikush tjetër.
Për këtë, ne i këshillojmë nënat që ta largojnë të porsalindurin në çastin kur vjen fëmija i parë. Le të qëndrojë qoftë dhe në një dhomë tjetër. Fëmija i parë duhet pritur me ngrohtësi, të përqafohet, t’i thuhet se e do shumë dhe se të ka marrë malli për të gjatë atyre ditëve. Nëse të pyet përse nuk e more në spital, i thuaj se doktorët nuk e pranojnë diçka të tillë.
Shkurtimisht, mos i fol fare për të porsalindurin, por foli për veten e tij. Pyete se çfarë lojërash ka luajtur ato ditë, ku flinte etj… Ai kërkon të sigurohet se ti nuk ke ndryshuar, se je po e njëjta që ke qenë para lindjes dhe se interesi për të nuk ka pësuar rënie. Më pas lëre të pyesë ai për të porsalindurin. Vetëm atëherë sille ta shohë, lejoje ta prekë dhe të luajë me të, madje mund ta lejosh edhe ta puthë dhe t’i prekë duart e tij të vogla. Është mirë t’i përgjigjesh të gjitha pyetjeve dhe paqartësive të tij në ato çaste.
Fillo prej këtu
Dije se marrëdhëniet mes tyre si vëllezër apo motra fillojnë që në këto çaste. Dinamika e këtyre marrëdhënieve varet në radhë të parë nga vetë Zoti i lartësuar, pastaj nga zgjuarsia jote dhe mënyra si i afron me njëri-tjetrin në radhë të dytë. Për të qenë e suksesshme në këtë pikë, unë po të jap disa këshilla:
1 – Bëje pjesëmarrës në të gjithë çështjet e të sapolindurit dhe të përkujdesjes që tregon për të. Lëre të ndihmojë gjatë kohës që je duke e larë, duke mbajtur rrobat e tij ose shampon. Merri mendim mbi rrobat që duhen blerë për të sapolindurin dhe lëre të zgjedhë diçka që i pëlqen atij. Herë pas here kërkoji t’i këndojë foshnjës së vogël derisa të qetësohet dhe të ushqehet.
2 – Lëre ta ndjejë se ti ke besim të mjaftueshëm tek ai dhe se ai mund të ndihmojë. Kërkoji që ta vëzhgojë të sapolindurin derisa ta përfundosh punën që ke në dorë. Ndërkohë kontrolloje dhe vëzhgoje nga larg pa e ndjerë këtë. Në fund, ji bujare dhe lëvdoje për punën që bëri, tregoi babait të tij dhe gjyshërve se sa shumë të ndihmon, sa shumë e do vëllain e tij të vogël dhe sa kujdeset për të.
3 – Përgjigju të gjitha pyetjeve të tij lidhur me të vëllain e sapolindur. Shpjegoja dallimet në moshë mes tyre dhe se me kalimin e kohës edhe ai do të rritet dhe bëhet si fëmija i madh.
4 – Zakonisht, kur fillon të rritet i vogli, fillojnë dhe zënkat mes tyre. Është mira të mësohesh të mos ndërhysh, por t’i lësh t’i zgjidhin problemet e tyre vetë me njëri-tjetrin. Një gjë e tillë i forcon lidhjet mes tyre, jo ashtu siç mund të mendojnë shumë nëna. Sado që të përpiqesh të jesh e drejtë me të dy në rast konflikti, nuk do i kënaqësh kurrë të dy njëlloj.
5 – Insisto që fëmijët të mësohen t’i ndajnë të gjithë gjërat me njëri-tjetrin. Gjithmonë kujtoju të dyve që çdo gjë ta ndajnë bashkë, lojërat, ëmbëlsirën etj…
6 – Përpiqu që ta shqiptosh sa më shpesh fjalën “vëllai” ose “motra”, gjë e cila e bën më të shenjtë lidhjen mes tyre.
7 – Në fund, lute Zotin sa më shumë që t’i ruajë fëmijët e tu, t’i forcojë lidhjet mes tyre dhe t’i udhëzojë në rrugën më të mirë.
Përshtati: Elmaz Fida