Njeriu nga natyrshmëria e tij është qenie sociale, nuk jeton i izoluar në vetmi. Njeriu nga natyra e tij është qenie që harron, është qenie që gabon, andaj gabimi më i rëndë për njeriun do të ishte sikur ai ta trajtonte veten të pagabueshëm. Më së shumti ka gabuar ai që thotë unë nuk gaboj. Të gabosh, është njerëzore, por të pretendosh se nuk gabon nuk është njerëzore, thoshte A. Izetbegoviq. Gabimi nuk është tmerrues për njeriun, ajo që është tmerruese për njeriun është kur gabon dhe, më pas me kokëfortësi vazhdon dhe qëndron në gabim.
Gabimi nuk është nënçmim i njeriut, porse vazhdimësi në gabim me kokëfortësi është nënçmim për qenien njeri. Gabimi është frytdhënës kur nga ai mëson se nuk duhet gabuar, pra nuk duhet përsëritur gabimin, por është me pasoja të rënda nëse e justifikon gabimin.
Gabimi konsiderohet veprimi i njeriut pa dashje, pa qëllim, kurse justifikimi i gabimit bëhet me qëllim, me paramendim, andaj pasojat janë më të rënda.
Gabimi është si rrëzimi i fëmijës, nuk ka mundësi të mësosh të ecësh pa u rrëzuar. Pse nuk e kuptojmë se kur fëmija rrëzohet, nuk qëndron i rrëzuar, as nuk i humbë shpresat se nuk do të mund të ecë, përkundrazi menjëherë ngritët dhe inkurajohet edhe më tepër që të ecë.
Mësuesi dhe edukatori i njerëzisë, Muhammedi a.s. na ka treguar qartë se: “Çdo bir i Ademit është i destinuar për gabim, por më i miri prej atyre që gabon është ai që pendohet.” A thua vallë kemi bërë përpjekje ndonjëherë që të kuptojmë se çka në të vërtetë është pendimi? A e kemi lodhur ndonjëherë mendjen tonë për ta kuptuar pendimin; cili është roli dhe porosia e pendimit, që aq shumë i kushtoi rëndësi Islami? Sigurisht se përgjigjen e kësaj çdokush e ka me vete, andaj unë nuk vlerësoj për askënd!
Pendimi në esencë paraqet aktin më të lart njerëzor dhe moral, sepse pendimi është karakteristikë që i dedikohet qenies njeri, qenies humane, ngase nga asnjë krijesë tjetër nuk kërkohet pendimi.
Pendimi paraqet aktin më të lartë të zgjuarsisë dhe të ngritjes së vetëdijes së njeriut, ngase ka arritur të kuptojë dhe të mirën dhe të keqen. Ka arritur të vlerësojë sepse kjo është cilësi e njerëzve të çiltër, njerëzve të mëdhenj, e atyre që janë të sinqertë fillimisht me veten e tyre, e pastaj me botën që e rrethon.
Pendimi në realitet paraqet kërkesën për të udhëtuar rrugës së shëndoshë drejt një synimi të caktuar, që është destinuar enkas për qenien njeri. Pendimi në asnjë mënyrë nuk nënkupton zhvlerësim, rënie apo përbuzje të qenies njeri, përkundrazi nënkupton ngritje drejt vlerave, ngritje drejt botës engjëllore.
Pendimi nuk është simptomë e dobësisë, plogështisë, por është simptomë e forcës, vetëdijes së lartë intelektuale, simptomë e vlerave morale, fetare e njerëzore. Është simptomë e funksionimit të ndjenjave të brendshme, simptomë e humanizmit dhe altruizmit.
Pendimi është kërkesë që reflektohet nga besimi në vetveten se mund të jetë qenie e ngritur, e çmuar dhe si e tillë, ka forcë që të kryejë misionin e tij si njeri në këtë botë. Pra, pendimi është një forcë nxitëse që njeriut i hapë shtigje drejt ardhmërisë së shëndoshë.
Në fund të fundit, pendimin duhet ta kuptojmë thjesht si një kërkesë për rehabilitim dhe risocializim në shoqërinë njerëzore, por mbi të gjitha pendimin duhet ta kuptojmë si mëshirë nga Krijuesi Absolut që portën e pendimit asnjëherë nuk e ka mbyllur që nga krijimi i njeriut të parë Ademit a.s. e deri sa të ekzistojë kjo botë. Në anën tjetër, pse të mos e kuptojmë se pendimi është një portë nëpër të cilën kanë kaluar njerëzit më të dashur të Allahut Fuqiplotë, porta e Pejgamberëve, përfshirë edhe Muhamed Mustafan s.a.v.s.. Pra Pendimi nënkupton ecje rrugës së Pejgamberëve alejhimus-selam.
Jusuf Zimeri