Ceremonia e dasmave , kanagjegjeve dhe synetive në Kosovë duket sa ka prekur kulmin e degradimit. Ato më nuk paraqesin notën festive e as gëzimin që ofronin dikur. Ato janë shndërruar në një makineri të tmerrshme biznesi për sallat e dasmave, restorantet , estradat, grupet muzikore, këngëtarë të njohur e të panjohur, që më pak këndojnë e më shumë gërvallën në “zvuçnikët” gjigand të sallave kiçluksoze.
Vera në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e padurueshme nga vapa , fluksi I makinave, pluhuri dhe zhurma sirenave që paralajmërojnë dasma apo premje speci. Dhe ato nuk kanë të ndalur asnjë ditë, asnjë natë, duke u shnërruar kështu në një kakafoni të tmerrshme në të cilën marrin pjesë pothuaj të gjitha kategoritë, injoranti, snobi, njeriu I zakonshëm , pseudointelektuali dhe intelektuali.
Pasi prishin disa here në ditë qetësinë publike të gjitha këto kategori bashkohen në një sallë të madhe, ku secili ulet në tavolinat e caktuara dhe fillojnë të hajnë mish pule apo lope me hormone.
Muzika e lartë dhe gërvalljet me” zvuçnika” nuk të japin as më të voglën mundësi që të ndërrosh një llaf me mikun. Ata që janë të afërmit e nuses apo dhëndrrit, e që sipas rendit janë të ulur në ballë te vendit, afër “zvuçnikave” do të përjetojnë dhunimin më të madh akustik , sepse lartësia e zhurmës ështe së paku pesë deri dhjetë herë më e lartë se decibelat e lejuar me ligjet në fuqi për mbrojtje e veshëve.
Më e tmerrshmja është se aty gjenden foshnje dhe fëmijë të cilët kanë një fragjilitet të theksuar të timpanit, veshit të mesëm dhe të brendshëm duke iu shkaktuar dëmtime të konsiderueshme kur kihet parasyshe se ata marrin pjesë së paku në dhjetra dasma brenda vitit.
Në pamundësi për te folur për shkak të dhunës akustike, dasmorëve nuk iu mbetet tjetër pos të hajnë dhe të shiqojnë në të gjitha drejtimet. Nën ritmet e muzikës me dominim tallava , ia nis vallja dorë për dore , formohet nje rreth që sillet brenda sallës dy hapa para një prapa me një kadence rritëse dhe marramendëse. Më shumë se vallëzim kjo I ngjet nje sfilate mode ku secili apo secila del më tepër për të ekspozuar fustanet, apo frizurat e paguara shtrenjte enkas për këtë mbramje.
Dhe pastaj vjen torta, vellëzimi i çiftit, fotografitë, selfijet, sofra ku tallavagjinjtë me cinizëm ulen dhe ia krisin kangëve patriotike që ia kallin « zemrën » dhe xhepin gurbetgjinjëve që shtyhen kush po qet pare ma shumë nga dehja patetike. Dhe kjo skemë përcillet pothuaj dasëm në dasëm, vend për vend, vit për vit.
E gjithë kjo i ngjan një teatri të absurdit ku ti gjendesh me dashje apo pa dashje, dhe ti e duron këtë dhunim akustik, vizuel dhe financiar sepse të ka ftuar daja, nipi, vellau, miku…
Nganjeherë mundohesh te gjesh shpëtimin në tualet sepse jasht mund te ftohesh nga djersitja. Por edhe aty zhurma nuk të len rehat.
Të lutem Bal , mos më thirr në dasëm të tillë.
Kam vendosur të mos vijë.
Ilaz HYSAJ
Lille 23/08/2015