Nesër, pas mesnate, akrepat e orës do të shkojnë një orë përpara.
Pra kur të jetë ora 2 pas mesnate, akrepat do të shënojnë orën 3. Orë verore do të thotë një natë më e shkurtër dhe një ditë më të gjatë.
Ndryshimi i orës ndodh dy herë në vit, në muajin mars dhe në fund të tetorit kur hyjmë edhe në sezonin dimëror.
Por kjo mund të jetë hera e fundit e ndryshimit të orës, pasi në Europë tashmë është hapur një debat në lidhje me këtë çështje. Eurodeputetët kanë propozuar heqjen e orës dimërore, me argumentin se përfitimet nga dita më e gjatë janë më të mëdha për qytetarët.
Por përpara se të shkojnë në votim, Paralamenti Europian vendosi që të kryhet një studim shkencor mbi efektet negative ose pozitive të ndryshimit të orës dhe vetëm pas gjetjeve mund të shkohet drejt një ore të unifikuar në të githë Europën.
Presioni në mbarë botën është shumë i madh për të mos e ndryshuar më orën.
Për të fituar një orë më shumë nën dritën e diellit, praktikë kjo që ndiqet kryesisht nga vendet perëndimore, pasi thuajse i gjithë kontinenti i Azisë nuk e praktikon më, ndërsa një pjesë e mirë e Afrikës Qendrore nuk e ka praktikuar kurrë, akrepat e orës shtyhen me 1 orë përpara në pranverë (dhe kthehen me 1 orë pas në vjeshtë, në orën normale).
E megjithatë, 1 orë më shumë ndriçim në mbrëmje bën që me miliona banorë anembanë Europës dhe Amerikës Veriore (si dhe një pjese të Brazilit e Australisë), të përballen me disa shqetësime emotive dhe psikofizike.
Shqetësimet kryesore? Sipas studimeve të ekspertëve në Universitetin “La Sapienza” të Romës, që i referohet faktikisht 9 milionë banorëve të Italisë, gjithsesi simptoma që prekin jo vetëm ata, rreth 15 për qind e italianëve vuajnë nga lodhja, nervozizmi, vështirësitë në përqendrim, dhimbjet e kokës dhe pagjumësia.
Efektet negative ndihen më së shumti te të vegjlit, të cilët shkojnë të flenë herët, por edhe te “gjumashët”, krahasuar me ata, të cilët preferojnë të shijojnë rrezet e para të diellit në shtëpi, herët në mëngjes. Problemet në fakt shkaktohen nga sasia e dritës që përthithim në harkun e një dite. /infoshqip.me/