Familja është një institucion hyjnor, fetar dhe si e tillë, nuk është as shpikje e ndonjë filozofi, as ndonjë juristi, e as produkt i ndonjë mekanizmi tjetër.
Ajo është një institucion i domosdoshëm shumë-funksional shoqëror i themeluar mbi bazën e fesë, forcohet me forcimin e fesë, dobësohet me dobësimin e saj dhe nuk pritet të mbijetoj shumë pas saj.
Këtë koncept mbi familjen, më së miri e vërteton vet realiteti i jetës: Pra, vazhdimësia e saj përgjatë shekujve, (pavarësisht formave të saj) dhe pamundësia e alternativave që u prezantuan për t’i zëvendësuar detyrat e saj shoqërore, psikologjike dhe kulturore, e bën atë një ligj të pazëvendësueshëm të ndërtimit shoqëror dhe kulturor.
Prandaj ishte shpallja hyjnore ajo që e përmblodhi atë me mësime të hollësishme, ashtu që që ta mbrojë atë dhe të dëshmoj rrezikun dhe kotësinë e provës dhe manovrimit me të.
Misioni i feve gjithherë ishte vendosja e doktrinës së besimit në radhë të parë dhe para formimit të shoqërisë, formimin e familjes, në mënyrë që njeriut t’i ofrohet mirëqenie e mjaftueshme, qe të mund të luaj rolin për çfarë është krijuar( adhurimin e Zotit mbi bazën e ndërtimit dhe përmirësimit të jetës).
Nga pikëpamja fetare, martesa është një ligj thelbësor në ndërtimin e universit dhe ruajtjen e kohezionit të tij.
“Dhe Ne krijuam prej çdo sendi dy lloje (mashkull e femër) që ju të përkujtoni (madhështinë e Zotit)”.
“Nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje te ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”.
Hulumtimet në fushën sociale sigurojnë sasi të madhe të studimeve krahasuese midis gjendjes njerëzore brenda familjes dhe jashtë saj, duke dëshmuar në favor të situatës së familjes dhe dështimit të alternativave individuale (…the fatherless family 2002).
Zhvillimi i teorisë materialiste qe sot po sundon botën, ka një narracion historik, në kontekst edhe të familjes, që në fakt vështirëson ndërtimin dhe ruajtjen e familjes.
Filozofia e materializmit në periudhën e rilindjes, shfaqet me idenë e humanizmit, duke margjinalizuar Zotin dhe vendosur qenien njerëzore në qendër të universit, duke bërë mendjen e tij të vetmin kriter dhe referencë të tij.
Më vonë vjen në shprehje teoria e Spinozës, i cili e shndërroi botën në një sistem unitar matematikor, në të cilin Zoti është natyrë dhe ligjet e tij janë ligjet e natyrës dhe njeriu nuk është i ndryshëm nga asgjë në univers, pra është si çdo gjë tjetër.
Pastaj erdhi Niçe, duke pretenduar vdekjen e Zotit, me arsyetimin se bota në të cilën Zoti bëhet një ligj natyror dhe në të cilën kontrollohet lëvizja e materies është botë e vdekjes, botë pa shenjtëri dhe pa asnjë kuptim, asnjë vlerë, asnjë qëllim, pa arsye dhe pa rezultat.
Pas këtij koncepti të Niçes, nuk mbetet gjë tjetër vetëm logjika e më të fortit, pra në këtë jetë vendosin më të fortit dhe më të pasurit.
Prandaj është vështirë të shenjtërohet familja sot, sepse një gjë të tillë nuk lejon sistemi i egër kapitalist, në të cilin është vështirë të unifikosh dhe mbledhësh familjen edhe për një drekë apo darkë rreth sofrës, e lerë më për ndonjë takim emocional, shpirtëror apo edukativ.
Ky sistem po vështirëson jetën e ekonomisë familjare, duke e krijuar edhe logjiken e varësisë nga gjërat luks, ku për t’ia arritur duhet të punojnë dy prindërit me orar të plotë, e për fëmijët kujdeset “sistemi” në çerdhe dhe foshnjore.
Familja në modernitet po bëhet organizëm mikroskopik, me tendencë shkapërderdhjeje dhe imtësimi.
Ndërkaq në traditën e fesë ajo është organizëm makroskopik, bashkësi më e madhe rreth një qelize bërthamë me lidhje gjaku e farefisi…ku dominante është shenjtëria fetare e qe me automatizem i jep shenjtëri konceptit familjes, si një mekanizëm qe në rend të parë ruan jetën dhe bënë riprodhimin familjar…
Shumë nga evenimentet e kalendarit botëror, po rrëshqasin çdo ditë e më tepër drejt individualizmit egoist, ku për pasojë do të kemi vetëm gra e jo nëna, do të kemi individ por jo edhe familje, sepse moderniteti aq shumë po zmadhon unin, sa vështirë të gjesh dike se don të sakrifikoj për familjen dhe fëmijët.
Urime 8 Marsi të gjitha grave (nënave), mos pritoni të festoni në gjirin familjar.
Nga: Halil Avdulli/mesazhi/