Udhëpërshkrimet dhe përshtypjet për haxhillëkun kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të shumta. Ato gjithmonë sjellin elemente të reja. Këtij qëllimi do t’i shërbejë edhe ky shkrim i shkurtër me karakter historik.
Para së gjithash duhet të kemi plotësisht të qartë domethënien e fjalëve haxhi e haxhillëk.
Orientalisti i njohur dhe i çmuar, Tahir Dizdari në “Fjalorin e termave islame në gjuhën shqipe”, tregon se fjala haxhi do të thotë “besimtar që shtegton në vendet e shenjta (Mekë). Vizita është e detyrueshme për çdo besimtar që e lejon gjendja ekonomike dhe shëndeti. E drejta e haxhillëkut dhe titulli fitohet edhe duke dërguar zëvendës (bedel). Për haxhillëk shkojnë edhe burra edhe gra. Dikur haxhiu ka pasur veshje të veçantë: çallmë të qëndisur si në të verdhë, pallto, shallvare, qafore e brez të praruar. Në katundet e Tiranës është zhvilluar “darka e haxhinjve” (një natë para natës së Bajramit).
Me fjalën haxhillëk kuptohet shtegtimi për në vendet e shenjta. Edhe në “Fjalorin e sotëm të gjuhës shqipe” jepet kuptimi i fjalëve “haxhi” e “haxhillëk” pothuajse si më sipër, por më shkurt, duke e politizuar me qëndrimin ateist me shprehjen “në vendet e ashtuquajtura të shenjta”. Për konkretizim jepen shprehjet “u bë haxhi”, “shkoi për haxhillëk”, “u kthye nga haxhillëku” (Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980, f. 660).
Nga etimologjia e fjalës po vazhdojmë në atë që është thelbësore, në aspektin fetar.
Haxhillëku është një nga pesë shtyllat kryesore të fesë islame. Ai bën pjesë me shprehjen e dëshmisë së Zotit xh.sh. e të Muhamedit a.s., me të falurit, me zekatin e agjërimin.
Për obligimin e haxhillëkut ka përcaktime të qarta në Kur’anin e madhërishëm dhe në hadithet e Profetit a.s.. Në Kur’an për këtë ka një sure të veçantë të titulluar “El-Haxh”, sikurse përmendet edhe në mjaft sure e ajete të tjera.
Nga këto kuptohet se haxhillëku ka rëndësi të veçantë, ka vlera fetare.
Po citojmë disa fragmente nga këto sure që bëjnë fjalë për rëndësinë e madhe fetare të haxhillëkut.
“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz është ajo që u ngrit në Bekë (Mekë) e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi tek ajo. Dhe ai që mohon urdhrat (këtë farz) të Zotit, dëmton veten.” (3:97)
Në një sure tjetër thuhet: “Dhe thirr ndër njerëz, se të vijnë ty këmbësorë e edhe me kalorës, me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta” (Haxh, 22-27).
Rëndësia e Qabes dhe Mekës përmendet edhe në sure të tjera. Në suren “Tin” thuhet: “(Zoti betohet) Dhe këtë qytet të sigurisë”. (99:3)
Në suren “Bekare” për këtë thuhet: “Dhe kur shtëpinë (Qaben) e bëmë vend-kthimi e sigurie për njerëzit (u thamë) “Vendin ku qëndroi Ibrahimi pranonie për vend faljeje, Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: ju të dy pastrojeni Shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty.” (2:125)
Po në këtë sure vazhdohet: “Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes, luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë ti je që dëgjon dhe di” (2:127).
Këtu, gjithashtu, thuhet: “Pra, kthehu anës së xhamisë së shenjtë (Qabes) dhe kudo që të jeni (o besimtarë) kthehuni nga ajo anë” (2:144).
Edhe në shumë hadithe të Profetit a.s. ka pohime të qarta për rëndësinë dhe vlerën e obligimit të haxhit. Ai zotëri ka thënë: “Me të vërtetë Zoti ju ka obliguar haxhin, prandaj kryejeni atë.”
Në një hadith tjetër është thënë: “Ai person që kryen haxhin për hir të Zotit, nuk flet fjalë të turpshme dhe nuk bën vepra të këqija, ai del nga mëkatet që ka bërë dhe kthehet në vendin e vet i pastër si foshnja.”
Në vargun e haditheve për haxhin, Profet a.s. ka thënë: “Prej njërës umre deri në tjetrën, falen mëkatet që kanë ngjarë në mes tyre dhe haxhi i pranueshëm nga Zoti nuk ka shpërblim tjetër veç xhenetit.”
Profeti a.s. ka dhënë porosi që besimtarët të thonë për Qaben: “O Zot, shtoja autoritetin, madhështinë, nderin dhe begatinë.”
Prandaj Qabja u bë pikësynim për të gjithë besimtarët për t’iu përgjigjur me respekt e përulje thirrjes së Allahut xh.sh. Ata thonë shpesh: “Lebejke Allahume lebejk”, që do të thotë: “Ju përgjigjëm thirrjes Tënde o Allah”.
Përveç vlerave fetare, pelegrinazhi ka edhe vlera historike, shoqërore, morale, kulturore, etj.
Vizita e njohja e vendeve të shenjta si: Meka, Qabja, Safa, Merve, Arafati e Mina, na shtyn të mësojmë aspekte të rëndësishme të historisë islame, të marrim dijeni për Ibrahimin a.s., babain e shumë profetëve, për territorin e Mekës, të fitojmë të dhëna për Qaben e për banorët e saj, për Ibrahimin dhe të birin, Ismailin, si dhe për Haxheren, nënën e Ismailit, e cila vraponte në dy kodrat Safa dhe Merve, duke kërkuar ujë e mjete jetese, për shpërthimin e ujit të famshëm të Zemzemit, të kujtojmë lindjen dhe zbritjen e profecisë hz. Muhamedit a.s. dhe emigrimin e tij në Medine. Në vazhdën e këtyre njohurive, sjellim ndërmend vizitën e Ibrahimit a.s. dhe të profetëve të tjerë në Mekë, Arafat e Mina, vihemi në dijeni për përpjekjet e djallit për të mashtruar Ibrahimin a.s., për moszbatimin e urdhrit të Zotit për të bërë fli Ismailin dhe dërgimin nga ana e Zotit të një kurbani për ta prerë në vend të djalit të vet të dashur etj., të vërejmë vendet e betejave të Profetit a.s. me kundërshtarët e fesë islame e të tjera ngjarje që lidhen me përhapjen e saj.
Të gjitha këto ngjarje, fakte, veprime e kujtime bëjnë pjesë në vlerat historike të haxhillëkut.
Vizita në haxh për disa është udhëtim i shkurtër, për disa i gjatë, njerëz nga vende të ndryshme të botës takohen, bisedojnë, jetojnë bashkë, luten e ushqehen, njihen, lidhin miqësi, bashkëpunojnë e ndihmojnë njëri-tjetrin, përkrahin të mirën dhe largojnë të keqen. Nga të gjitha këto veprime, nxirren qartë vlera shoqërore të haxhillëkut, bashkëjetesa vëllazërore që vërehet edhe në versetin kuranor të sures “Huxhurat”: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër” (49:10).
Në haxhillëk vërehen dhe përftohen edhe mjaft vlera morale. Çdo vit mblidhen miliona njerëz nga vise të largëta, nga kontinente të ndryshme, nga Veriu e nga Jugu, nga Lindja e Perëndimi, që flasin gjuhë të ndryshme, që kanë zakone të shumëllojshme, që vishen në mënyrë ta larmishme, që pasqyrojnë mosha, gjendje shoqërore, pozitë ekonomike, nivel kulturor e arsimor, funksione zyrtare e private, temperamente, karaktere, fizionomi, ngjyra e raca me veçori të veçanta etj. Ata i bashkon besimi në Zot, qëllimi në adhurimin e përbashkët, që karakterizon edukata islame, sjellja e kulturuar, miqësia, mikpritja, qëndrimet e veprimet shembullore. Ata pasurohen nga këto veçori që ia rrisin besimin e ia pastrojnë shpirtin haxhiut dhe që ia bëjnë qëndrimin të këndshëm e të pëlqyeshëm, pavarësisht nga vështirësitë objektive që ndeshen në këtë adhurim.
Gjatë haxhillëkut, besimtarët shfrytëzojnë edhe vlera kulturore. Vizitat në objekte fetare, në monumente kulturore, në institucione arsimore e në biblioteka, takimet me përfaqësues të vendeve të njohura e të panjohura, me intelektualë të sferave të ndryshme, shërbejnë për një njohje më të gjerë të mozaikut të grumbulluar, ndihmojnë për të krijuar ura të bashkëpunimit, janë nxitje për interesa e kërkime shkencore.
Haxhi është bërë farz (obligim) në vitin e nëntë të hixhretit, 631 të erës sonë, dhe kryhet të paktën një herë gjatë jetës.
Haxhi, në dallim nga pelegrinazhet e besimeve të tjera në vende të shenjta që bëhen në çfarëdo kohë të vitit, në Islam, bëhet vetëm në kohë të caktuar. Vizita në Mekë, në çdo kohë tjetër, nuk është haxh, por umre. Haxhi fillon në ditën e nëntë të muajit Dhul-hixhe, është i këndshëm, por edhe i mundimshëm për t’u kryer, prandaj Muhamedi a.s. ka thënë: “Haxhi është sakrificë”.
Me gjithë mundimet fizike, largësitë gjeografike, vështirësitë e komunikimit, problemet e strehimit, veçoritë e ushqimit, ndryshimet e klimës, situatat e ndërlikuara, kërkesat financiare, etj., haxhi është praktikuar gjatë shekujve, ka përfshirë besimtarët islamë nga të katër anët e globit, është rritur e ka marrë përmasa kolosale. Me miliona besimtarë njëherësh drejtohen nga Meka, bashkohen, vëllazërohen, miqësohen e kryejnë obligimin me bindje, me kënaqësi, përkushtim, pa marrë parasysh asnjë vështirësi, pengesë, lodhje e shpenzim.
Me përhapjen e Islamit në Shqipëri, jo me shpatë, por me bindje, dokumente të shumtë e shkrime të ndryshme vërtetojnë se edhe shqiptarët kanë shkuar në haxh.
Gjatë shekujve XV-XIX, për arsye të kushteve të vështira të përgjithshme, haxhillëku zgjaste shumë muaj. Sipas studiuesit Dr. Muhamed Muafaku në librin “Shqiptarët në botën arabe”, vihet në dukje se haxhillëku zgjaste 10 muaj. Vetëm rruga Stamboll-Mekë zgjaste 8 muaj, ndërsa nga Damasku deri në Mekë zgjaste 2 muaj.
Shqiptarët këtë rrugë e bënë kështu deri në vitin 1908, kur u ndërtua hekurudha Damask-Medine. Në fillim të shekullit XVI, një ushtarak shqiptar i quajtur Hysen Arnauti, shoqëronte karvanin e besimtarëve shqiptarë duke e mbrojtur nga sulmet e beduinëve. Kjo vazhdoi deri sa ai vdiq në vitin 1625. Valiu i Damaskut me origjinë shqiptare, Ahmet Arnauti, në vitin 1634, ndërtoi një kompleks urban për të ndihmuar haxhinjtë që vinin nga trevat shqiptare. Kështu ka ndodhur deri në vitin 1912 me shkëputjen e Shqipërisë nga shteti osman, me fitimin e pavarësisë. Sipas gazetës së Kajros “Al Muktabas”, të datës 9.10.1912, ka pasur raste kur haxhinjtë shqiptarë ktheheshin nga rruga për arsye atdhetarie. Për këtë kjo gazetë ka shkruar: “Kur morën lajmin për sulmin e Aleancës Ballkanike kundër vendit të tyre, thanë: “Në haxh mund të shkohet çdo herë, por atdheu mbrohet vetëm një herë”.
Të dhëna të shumta për haxhillëkun ka pasqyruar shtypi islam në Shqipëri me revistat “Zani i Naltë” dhe “Kultura Islame”.
Në vështrimin historik të problemit kujtesa popullore dhe revista “Zani i Naltë” japin fakte të kryerjes së haxhillëkut në periudha të ndryshme. Kështu, në vitet 1930 në një grup haxhilerësh shqiptarë ka bërë pjesë dhe ka qenë drejtues Haxhi Vehbi Dibra, kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Në traditën e ceremonialit në Arabinë Sauditë, ai u prit nga mbreti Ibni Saud. Krahas të tjerëve, me këtë rast, e mori fjalën edhe Haxhi Vehbiu, me të cilën bëri jehonë, krijoi interesim e meritoi lëvdata. Me atë rast, mbreti saudit u interesua për atë njeri të ditur e me kulturë dhe mësoi se ishte nga Shqipëria, një vend i vogël, i panjohur, por që kishte hoxhallarë të mëdhenj, që i bënin nder atdheut të tyre dhe fesë islame.
Nuk mund të lëmë pa përmendur se haxhilerët në të kaluarën kanë qenë të shumtë. Ata kanë qenë hoxhallarë të nderuar që kanë bërë emër, që kanë fituar autoritet, që kanë kontribuar për gjallërimin e fesë si myderrizë, vaizë e drejtues, që kanë përgatitur mjaft kuadro të reja fetare, që kanë bashkuar popullin dhe e kanë edukuar atë në pikëpamje atdhetare, fetare e qytetare në periudha të ndryshme.
Që nga shekulli XVI në haxh kanë qenë shqiptarë si nga Shqipëria, ashtu edhe nga trojet shqiptare. Ata kanë lënë atje gjurmë materiale, politike, shoqërore e fetare. Nga gjysma e shekullit XVI, pos të tjerëve, qëndroi në Mekë e në Medine arkitekti i njohur Mimar Sinani për të ndërtuar një sërë objektesh shoqërore, arsimore e fetare. Këtu ishin edhe personalitete si Haxhi Ymer Prizreni, Haxhi Zeka e shumë të tjerë. Në këto qytete të shenjta kanë qenë edhe figura të shumta ushtarake e politike. Në vitin 1860 vdiq në Mekë edhe luftëtari i njohur shqiptar Mustafa Pash Bushati, që ishte vali i Mekës dhe i Medines.
Revista “Zani i Naltë” në numrin 1, viti 1936, faqe 30-34, me reportazhin “Haxhillarët e këtij viti”, paraqet ceremoninë e bukur të përcjelljes. Ishin 3 nga Tirana, 11 nga Shkodra dhe 8 nga Kavaja, të cilët udhëhiqeshin nga Hafiz Ismet Dibra, drejtor i Medresesë së Përgjithshme, personalitet i shquar i kohës. Pas faljes së zakonshme të udhëtimit dhe të lutjes së mallëngjyeshme të hirësisë së tij, Haxhi Vehbi Dibrës, haxhilerët u përshëndetën në mënyrë prekëse nga studenti i dalluar i Medresesë, Hasan Selami, autori i mëvonshëm i “Hymnit Musliman”.
Shumë hanxhinj, duke kaluar nga Kajro, ndaleshin aty për të vizituar Universitetin e famshëm të Al Az’harit dhe për rëndësinë dhe autoritetin që kishin, priteshin me nderime të veçanta nga rektori i tij. Për këtë kanë shkruar shumë gazeta arabe të kohës si “Zani i Aleksandrisë” që paraqisnin reportazhe e fotografi dhe konsiderata pozitive për këta hoxhallarë të ditur dhe me kulturë të lartë islame. Kjo është evidentuar edhe në broshura të veçanta si në atë kushtuar Haxhi Ibrahim Kadukut.
Gjatë periudhës së shtetit monist u ndalua çdo shtegtim për në Mekë. Pas proceseve demokratike u bë i mundur rifillimi i haxhillëkut.
Për kryerjen e haxhillëkut pas proceseve demokratike, po ndalemi në atë të vitit 1991, të parin pas ndërprerjes së gjatë.
Haxhillëkut të vitit 1991 i kanë bërë jehonë të madhe mjetet e informacionit, radio, shtypi, TV dhe veçanërisht udhëpërshkrimi i revistës “Dituria islame” nga gazetarët Elez Osmani e Sabri Bajgora. Në këtë udhëtim morën pjesë 180 haxhilerë që drejtoheshin nga Hafiz Sabri Koçi, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Ata qenë mysafirë të mbretit Fahd, patën nderim dhe pritje miqësore, kushte të favorshme, kujdes të veçantë e nderim të madh. Fjala e Hafiz Sabri Koçit në mbledhjen zhvilluar në Ministrinë e Haxhit dhe intervistat e tij lanë mbresa të thella në opinionin e gjerë, duke u pasqyruar gjerësisht në mjetet e informacionit të vendeve islame.
Haxhillëku i vitit 2015 është vazhdim i natyrshëm i viteve të mëparshme. Është viti i pestë radhazi që udhëtimi për në Mekën e Shenjtë organizohet ekskluzivisht nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
/ dritaislame/