Është kohë slloganesh, parullash e motove joshëse të cilat për ditë e më shumë mbulojnë sheshet tona, dhe të njejtat i brohorisin e i përsërisin turmat ndoshta edhe me naivitet, gjithandej nëpër botë.
Në këtë periudhë kritike, të këtillat parulla po i shohim gjithnjë, mirëpo nuk po shohim veprime konstruktive e as iniciativa të sinqerta të cilat do të ndryshojnë gjendjen për së miri, si dhe do të lëjnë gjurmë të pashlyeshme në shoqëritë njerëzore. Gjithandej nëpër anët e globit, gjejmë njerëz viktima që janë të shurdhuar dhe ndihen të bëzdisur e të irrituar nga zërat kumbues të atyre që shtiren se e promovojnë dhe e instalojnë paqën dhe rendin në shoqëri. Por vuajtjet e tyre s’kanë të ndalur. Fenonomen i çuditshëm mund të na duket ky, por s’është që është edhe i ri në shoqëri njejrëzore. E, përputhja e fjalëve dhe e veprimeve të njerëzve gjithnjë do të mbetet një ëndërr e bukur, që vështirë se do të shihet ndonjëherë në realitet.
E para se të mendojmë për mbjelljen e paqes në tokë, do të duhej që ne të gjithë të përpiqemi që atë ta mbjellim së pari në shpirtërat tanë. Gjithsesi, ka prioritet që të bëjmë paqe fillimisht me vetvetën, ngase për aq kohë sa me vetën jetojmë të acaruar e në konflikt të vazhdueshëm, s’mund të pritet se do të kemi kapacitet që të prodhojmë paqe për të tjerët. Tek e fundit, dihet një gjë, kur diçka ke kursyer dhe nuk ia ke dhuruar vetëvetës, si mund të bëhesh zemërgjerë e bujar e t’ua dhurosh të tjerëve.
Ç’është paqja me vetvetën?
Të jetosh në paqë me vetvetën nënkupton që njeriu të bëjë përpjekje këmbëngulëse që tri komponenteve thelbësore të tij (trupit, mendjes dhe shpirtit) t’ua ofrojë ushqimin e duhur dhe të tregojë kujdesin maksimal për ta. Nënkupton njëherësh që duhet kuptuar vetvetën si tërësi dhe të kompletuar, pastaj të veprohet për kërkesat që na shtrohen nga të gjitha komponentet që ne i posedojmë.
S’mund të ushqehet shpirti me të njejtin ushqim që ngopet trupi me të, e as anasjelltas! Një njeri që i siguron trupit të tij të gjitha llojet e ushqimeve madje sado qofshin ato cilësore, por që në anën tjetër, e ngulfatë kërkesën e shpiritit për besim të pastërt në Zot, pastaj e privon atë nga sinqeriteti, dashuria, dhembshuria e mëshira me të tjerët, i tilli s’ka bërë asgjë më shumë se sa atë që edhe bota shtazore e ka siguruar për vetvetën. Por, edhe nëse njeriu ka lënë anash ushqimin e mendjes së tij me dije, meditim, hulumtim e kërkim këmbëngulës të diturive të dobishme, ai rrjedhimisht s’do të arrijë kurrë të kuptojë se ç’farë i duhet trupit e as ç’farë i duhet shpirtit të tij. Prandaj s’është i rastësishëm fakti që me kërkim të diturisë ngarkohemi që nga lindja e gjer në varr. Ekskluzivisht ky parim na bënë përshtypje neve që kemi hall paqen e vërtetë me vetëvetën tonë. E duke e ushqyer mendjen me dije të dobishme, arrijmë pastaj t’i kuptojmë edhe kërkesat reale të shpirtit, e gjithsesi edhe ato të trupit tonë. Diturinë e kërkojmë sigurisht për shumë synime, e prej synimeve më sublime të këtij kërkimi është edhe ai se na duhet në njërën anë që ta njohim vetvetën në tërësi, por nevojat, kërkesat dhe aspiratat tona të brendshme në anën tjetër. Nobelisti i njohur Alexis Carrel me një vrojtim të thellë dhe të spikatur e kishte përshkruar disbalancën dhe pasigurinë e njeriut bashkëkohor, duke thënë:” Nuk ka kurrfarë dileme se mekanika, fizika dhe kimia si shkenca janë të pafuqishme sot që të ofrojnë për neve menqurinë dhe sistemin etik, por edhe shëndetin dhe ekuilibrin nervor, e aq më pak që të këto të kenë mundësi që të ofrojnë sigurinë dhe paqën për neve. Ne, kurreshtjen tonë duhet orientuar në një drejtim tjetër nga ai që është tani. Duhet të shmangemi pak nga hulumtimet natyrore e fiziologjike, që të përqëndrohemi më tepër në ato që kanë të bëjnë me mendjen dhe shpirtin e njeriut, ngase shkencat humane janë lënë anash deri tani….për shkak se hulumtuesit e shkencëtarët janë zhytur thellë në hulumtime organike, … por i kanë lënë anash aspektet e brendshme, moralin, si dhe kërkesat e njeriut për besim-fe…”.
Zë jo shumë i ndëgjuar mund të jetë ky i nobelistit në shoqërinë ku ai jetoi, apo edhe të tjerëve që kanë të njejtin hall, por megjithatë një ditë, kanë për ta vrarë mendjen me të edhe ata që e injoruan me përbuzje e neglizhim.
Pa dyshim, mungesa e paqës me vetvetën, që sot më tepër se kurrë e vuajnë shoqëritë njerëzore, vie si rrezultat i injorimit të kërkesave që ka shpirti dhe e brendshmja e njeriut.
Molisja shpirtërore, stresi, preokupimi me jetën, e jo rrallë herë edhe gadishmëria për vetëvrasje, janë vetëm disa prej këtyre simptomave që i vërejmë tek ata njerëz që kanë zgjedhur të injorojnë kërkesat shpirtërore të tyre dhe kanë vendosur që të prishin paqen me vetvetën.
Albert Kamy mendonte që njeriu që qëndron i izoluar nga shoqëria dhe realiteti, bëhet i huaj për vetvetën. Në të vërtetë ai mendonte që litari, helmi dhe krisma e revolverit të vetëvrasësit, bëhen për të si “vrimë” për t’u larguar prej asaj krize të thellë të tij. Vetëvrasësit sipas sociologëve janë “gjykatës të këqinjë të vetvetës”. Si mundet që njeriu të njohë gjithçka për rreth vetes, më mirë se vetvetën dhe kërkesat e saja. Duhet kthyer kokën mbrapa për të menduar për gabimet që janë bërë. Njeriu në çdo kohë e ka këtë mundësi, andaj duhet bërë hapin e duhur.
S’mund të imagjinohet që ai njeri që beson se jeta është dhurata më e çmuar që Zoti i ka dhënë atij, dhe që është i bindur se jeta dhe vdekja janë të determinuara vetëm prej Tij, s’ka mundësi që i tilli të përfundojë jetën me vetëvrasje. Për më tepër lumturimi shpirtëror i atyre që kanë mbushur shpirtin e zemrën me besim, pastaj kënaqësia e madhe me veprat e mira që ata e përjetojnë gjatë tërë jetës së tyre, janë një digë e fuqishme që nuk e tolerojnë në asnjë rast të këtillin njerin që ta prishë paqen me vetvetën. Të meditojmë pak rreth domethënjeve mahnitëse të një citati kuranor:” Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t’i japim atij jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre”. En Nahl, 97. E si mund ta prishë paqen me vetvetën ai njeri që është duke jetuar kulmin e lumturisë duke qenë se ishte vepërmirë, madje edhe atëherë kur jeta dhe fati e kanë vënë në sprovë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e tij? Ai ka arritur që të bëjë paqe me vetëvetën, atëherë kur arriti që trupit t’ia japë ushqimin, mendjes diturinë, ndërsa shpirtit e zemrës besimin e dëlirësinë. Cila do nga këto tri komponente nëse rrënohët ose nëpërkëmbët, atëherë fillon edhe rrënimi i paqës me vetvetën.
Kështuqë, ata që dëshirojnë paqe në tokë, duhet kuptuar një herë e përgjithmonë se rruga për ndërtimin e saj në formë të fortifikuar e të sigurtë, kalon vetëm nepërmes ndërtimit të paqës brenda vetvetës, brenda individit. Këtë të fundit madje e kemi edhe emanet edhe obligim, s’mund t’ia hedhin në supet askujt tjetër pos vetvetës sonë.
Paqim paqe me vetvete, se me të tjerët e bëjmë lehtë e pa përtesë pastaj!
Nga: Prof. Driton Arifi