Pyetja: A ka ndonjë lidhje midis politikës dhe moraleve?
Përgjigjet dr. Jusuf Abdullah el Kardaui
Falënderimi i takon Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut janë mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjarët e tij, shokët e tij dhe gjithkënd e ndjek atë, kurse më tej:
Në Islam është një parim i cili thotë: “Qëllimi nuk e justifikon mjetin”. Nëse qëllimi është fisnik, i tillë duhet të jetë edhe mjeti apo metoda që përdoret për t’u arritur ky qëllim.
Kësisoj, është obligim që moralet e Islamit të mos shkulen kurrsesi nga politika, përndryshe ajo do të jetë një barbarizëm dhe bandë keqbërësish, ku nuk ka vend për dinjitozët.
Profeti ynë (a.s) është personi më dinjitoz, që vjen dhe u mëson politikanëve dhe liderëve artin e moraleve në udhëheqjen politike të popujve. Politika e brendshme duhet të ngrihet mbi drejtësinë, paanësinë dhe barazinë midis të gjithë qytetarëve, larg racizmit, sektarizmit dhe ndasive politike (ndarjeve partiake); ajo lypset të qëndrojë mbi çiltërsinë, jo gënjeshtrën, as dezinformimin dhe as devijimin e popujve.
Gjithashtu edhe politika e jashtme duhet të ngrihet mbi respektimin e marrëveshjeve dhe akreditimeve, larg manipulimit dhe pabesisë, përndryshe s’bëhet fjalë për politikë dhe as mund të vihen në pyetje moralet dinjitoze.
Dijetari i nderuar, dok. Jusuf el Kardaui, thotë:
Politika islame nuk është politikë makiaveliste, e këndvështrimit “Qëllim e justifikon mjetin”, sido që tw jetw ky i fundit. Përkundrazi, politika islame është një politikë parimesh dhe vlerash obliguese, nga të cilat muslimani nuk zhvishet assesi, as edhe në situatat dhe momentet më të vështira. Politika islame është e këtillë qoftë në raportet e shtetit islam me nënshtetasit e tij, qoftë në raportet e saj të jashtme me shtetet dhe komunitetet e tjera.
S’ka dyshim që Islami refuzon me çdo formë mjetet dhe metodat malinje, edhe nëse ato shërbejnë për t’u arritur një qëllim dinjitoz. Pikërisht në lidhje me këtë Profeti (a.s) thotë: “Allahu është i Dëlirë dhe pranon vetëm dëlirësinë”. (Transmetuar nga Muslimi në “Sahihun” e tij); metodat dhe mjetet e liga janë të refuzuara, njëlloj si qëllimet e liga. Për t’u realizuar një qëllim i ndershëm, duhet medoemos një metodë e pastër.
Lidhur me raportet e shtetit me qytetarët e tij, Allahu i Lartësuar u drejtohet liderëve të çështjeve të muslimanëve, duke u thënë: “Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetin të atyre që u takojnë (t’u garantoni të drejtat qytetarëve) dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni midis njerëzve me drejtësi. Sa e mirë është kjo që ju këshillon. Allahu dëgjon dhe sheh se si veproni”. [Nisa: 58]
Garantimi i të drejtave atyre që u takojnë – në të gjitha klasifikimet e tyre, materiale dhe disiplinore – dhe gjykimi drejtësisht midis njerëzve – që të gjithëve – është obligim i shtetit islam përkundrejt nënshtetasve të tij.
Nuk lejohet për gjykatësin musliman, që të mbajë anën e askujt prej familjarëve dhe rrethit të tij të afërm, duke i dhënë atyre një të drejtë apo përgjegjësi që s’u takon, në kurriz të atij që i takon. Profeti (a.s) e shpalos këtë gjë si qasje të afrimit të Kijametit dhe shkatërrimit të umetit (kombit islam), duke i thënë një personi, që një ditë e pyeti se kur do të jetë Kijameti: “Kur të humbasw amaneti, prite Kijametin.” I thanë: Cila është forma e humbjes së tij?, e ai (a.s) tha: “Kur t’i lihet në dorë çështja atij që nuk është i kualifikuar për të, atëherë prite Kijametin”. (Transmetuar nga Buhariu)
Po kështu, nuk lejohet kurrsesi që për shkak të gjenealogjisë, pozitës apo familjaritetit me pushtetarin, të anulohet penalizimi i vendosur drejtësisht për një person, gjë mbi të cilën dëshmon hadithi (thënia profetike): “Realiteti qëndron se ata që ishin para jush, janë shkatërruar, pasi kur vidhte një njeri me pozitë ndër ta, e linin atë të lirë, ndërsa kur vidhte i pafuqishmi ndër ta, e penalizonin. Betohem në Allahun, nëse Fatimja, vajza e Muhamedit, do të vidhte, unë do t’ia prisja dorën”. (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Politika e brendshme islame është e detyrueshme të ngrihet mbi themelin e drejtësisë, paanshmërisë dhe barazisë, në të drejtat, detyrimet dhe penalizimet e të gjithëve. Ajo duhet të ngrihet mbi bazën e çiltërsisë me popullin, duke i bërë të qartë atij realitetin, pa e manipuluar, dezinformuar, devijuar dhe gënjyer atë.
Një prej treshes tek të cilët Allahu nuk do të vështrojë në Ditën e Gjykimit, nuk do t’i dëlirësojë dhe që do t’i presë një ndëshkim i mundimshëm, është pikërisht sundimtari gënjeshtar, ashtu sikurse na tregon lidhur me këtë Profeti (a.s) në hadithin e Ebu Hurejrës, të transmetuar nga Muslimi, në përpilimin e tij “Kitebul Iman”.
Në raportet me shtetet e tjera, shteti islam duhet t’u përmbahet marrëveshjeve dhe akreditimeve të bëra me ta, si dhe duhet ta respektojë fjalën e tyre; gjë lidhur me të cilën Allahu i Lartësuar thotë: “Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë Allahut, e mos i shpërdoroni betimet pasi i keni konfirmuar ato, duke qenë se Allahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, Allahu e di se çfarë punoni. Mos u bëni (në çështjet e betimit) si ajo (gruaja) që e prish tjerrjen e saj pasi ta ketë dredhur fort, e t’i bëni betimet tuaja dredhi (mashtrim) mes jush, për shkak se një popull është më i madh se tjetri. Allahu vetëm ju sprovon me këtë, e në Ditën e Gjykimit, Ai gjithsesi do t’jua sqarojë atë gjë rreth së cilës kundërshtoheshit. Sikur të dëshironte Allahu do t’ju bënte një popull (në një fe), por (falë dijes së Vet) Ai e lë të humbur atë që do, dhe e udhëzon tjetrin që do, e patjetër do të përgjigjeni për atë që vepruat…”. [Nahl: 91-93]
Në këto dy thënie kuranore, Allahu i Lartësuar urdhëron të respektohen marrëveshjet dhe premtimet, duke i përcaktuar ato tek Vetvetja e Tij Hyjnore “premtimin e dhënë Allahut”; si dhe tërheq vërejtje nga prishja e marrëveshjeve pas konfirmimit, gjë të cilën e konsideron si veprimi i kësaj gruaje të marrë, që pasi e përsos dhe i jep dorën e fundit, e prish atë që ka tjerrë; thërret gjithashtu që marrëveshjet dhe premtimet midis popujve të jenë të ndërtuara mbi sinqeritet dhe qëllime të mira, larg ndërhyrjes dhe manipulimit, gjë që nënkuptohet me fjalën e Allahut “e t’i bëni betimet tuaja dredhi (mashtrim) mes jush, për shkak se një popull është më i madh se tjetri”; me kuptimin që një komb të përftojë më shumë dobi dhe interesa se një tjetër, në dëm të një kombi tjetër.
Këtë gjë po e dëshmojmë sot në marrëveshjet e kësaj kohe.
Profeti (a.s) ishte shembull për t’u marrë model, sa i përket respektimit të marrëveshjeve dhe mbajtjes së premtimeve, aq sa ka ndodhur që vetë sahabet (shokët) e tij ta kujtojnë marrëveshjen e Profetit (a.s) në dëm të muslimanëve, sikurse në rastin e Paktit të Hudejbijes.
Po kështu prej rasteve të tjera të kësaj kategorie është edhe rasti, kur një person erdhi për t’iu bashkangjitur ushtrisë muslimane, në një prej luftërave të zhvilluara kundër (fisit të) Kurejshëve, por ai para kësaj ua kishte dhënë besën Kurejshëve të mos luftonte në anën e armiqve të tyre. Profeti (a.s) nuk e pranoi kërkesën e këtij personi për t’iu bashkëngjitur ushtrisë muslimane, por e urdhëroi atë ta mbante besën e dhënë, duke i thënë: “Do u qëndrojmë në besë atyre dhe do i kërkojmë Allahun të na ndihmojë kundër tyre”. (Hadith që përcillet nga Hudhejfja dhe transmetohet nga Muslimi, Ahmedi, Tahaui dhe Hakimi; siç vjen në “Sahihul Xhemi’i Sagir”)
Nëse disa njerëz kanë bindjen, se politika nuk ka morale, por kjo gjë kurrsesi nuk mund të thuhet sa i përket Islamit, i cili ngrihet në rend të parë mbi drejtësinë, besnikërinë, sinqeritetin, dinjitetin dhe moralet fisnike.
Perktheu: Altin Torba