Të Fundit
Problemet familjare dhe zgjidhja e tyre

Problemet familjare dhe zgjidhja e tyre

Hyrje

Çdo njëri prej nesh që jeton në familje, patjetër që do të ballafaqohet me probleme familjare dhe bashkëshortore. Problemeve familjare dhe bashkëshortore sot u kushtohet një rëndësi e veçantë. Sot ka metoda dhe studime të shumta, të cilat udhëzojnë të interesuarit si t’i menaxhojnë dhe trajtojnë probleme të tilla.

Duke qenë se njerëzit janë me natyrë të ndryshme, disa prej tyre i zmadhojnë problemet sado të vogla qofshin. Ndërkohë që njerëz të tjerë, kanë aftësi dhe gatishmëri t’i zvogëlojnë problemet, sado të mëdha qofshin.

Diçka të tillë, do të përpiqemi t’ua transmetojmë juve lexues të nderuar, nëpërmjet kësaj trajtese.

Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se problemet familjare dhe bashkëshortore, nuk lindin pa pritur e pa kujtuar. Të gjithë ne e dimë proverbin që thotë “Ç’të mbjellësh, do të korrësh.”

Prandaj, secili prej nesh kontribuon në një mënyrë apo në një tjetër në problemet e shumta me të cilat ndeshemi. Diçka të tillë, na e kujton dhe përmend edhe Zoti në Kuran me fjalët:”Thuaj (o Muhamed): “Kjo u erdhi prej vetes tuaj.” (Al Imran 166)

Kështu, problemet dhe fatkeqësitë, janë sprova prej Zotit, me anë të cilave Ai vë në provë besimin tonë. Profeti Muhamed a.s, në shumë hadithe jep udhëzime dhe orientime mbi reagimin e duhur ndaj një fatkeqësie. Janë pikërisht këto reagime, ato të cilat e dallojnë një mysliman dhe besimtar, nga të tjerët.

Thotë Profeti a.s:”Është për t’u çuditur me besimtarin. Gjithçka është në dobinë e tij. Dhe kjo nuk është veçse për një besimtar. Nëse Zoti e sprovon me begati, ai e falënderon Atë dhe kjo është në dobinë e besimtarit. Nëse Zoti e sprovon me një fatkeqësi, ai duron dhe kjo është në dobinë e tij.”

Me këto fjalë, Profeti a.s na ofron një teknikë e cila na ndihmon si të reagojmë në rast fatkeqësish dhe problemesh. Një besimtar, kur gjendet para një mirësie dhe begatie, ai tregohet mirënjohës dhe e falënderon Zotin e madhëruar. Nëse gjendet përballë një sprove dhe fatkeqësie, ai tregohet i durueshëm dhe i përmbajtur.

Duke pasur parasysh një karakter të tillë të besimtarit, edhe Profeti a.s shpreh habi. Një karakter i tillë kaq fleksibël, është i aftë të përballojë goditjet dhe problemet e ndryshme në jetë.

Prandaj, edhe problemet familjare dhe bashkëshortore hyjnë tek sprovat me të cilat Zoti vë në provë besimin e njerëzve.

Çështja e dytë, siç e përmendëm dhe më lart, është se për këto probleme, kemi dorë edhe ne njerëzit. Ky është një realitet që duhet pranuar.

Çështja e tretë, është diçka e rëndësishme të cilën duhet t’a kuptojmë drejt. Shumë njerëz, mendojnë se vetëm ata kanë probleme të tilla familjare dhe bashkëshortore. Ata mendojnë se njerëzit e lumtur dhe të famshëm, nuk hasen me probleme të këtij lloji.

Sa herë që yjet e artit dhe njerëzit me famë pyeten nëse kanë probleme në familje dhe përgjigja është pozitive, njerëzit shprehin habi. Si është e mundur që edhe ata të kenë probleme?!

Shumë prej nesh, mendojnë se një njeri i lumtur, nuk kalon asnjë problem shoqëror dhe familjar në jetën e tij. Padyshim që një koncept i tillë është i gabuar.

Nëse do të studiojmë familjet e profetëve, që nga Ademi a.s deri tek profeti Muhamed a.s, do të gjejmë se të gjithë kanë pasur probleme familjare. Ademi a.s u sprovua me një problem shumë të madh familjar. Njëri nga djemtë e tij, vrau të vëllain. A e imagjinoni dot që një krim me përmasa të tilla, ku vëllai vret vëllain, të ndodhë në familjen e një profeti?! A e imagjinoni dot që kjo makabër të ndodhë në familjen e Ademit a.s, babait të njerëzimit?!

Probleme familjare ka pasur edhe profeti Nuh a.s. Gruaja e tij nuk ishte myslimane, nuk i përkiste fesë së Nuhut a.s. Madje, akoma më keq, ajo tallej me Nuhun a.s. Po ashtu, njëri nga fëmijët e Nuhut a.s, nuk ishte mysliman dhe besimtar. Fëmijët e tjerë kishin ndjekur fenë e Nuhut a.s dhe hipën bashkë me të në anijen e shpëtimit. Por njëri prej tyre, refuzoi dhe u mbyt. Fjalët e fundit mes Nuhut a.s dhe djalit të tij jobesimtar i përmend edhe Zoti në Kuran:

“Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!” . (I biri) tha: “Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji”.

Djali i Nuhut a.s, mendonte se duke u ngjitur në mal, do të shpëtonte nga tufani dhe nga ndëshkimi i Zotit.

“Nuhu iu përgjigj: “Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut, përveç atij që e mëshiron Ai!” Një valë në mes tyre i ndau dhe ai u fundos.” (Hud, 42-43)

Kështu, djali i tij iu bashkëngjit nënës së tij jobesimtare dhe u shkatërrua bashkë me popullin e Nuhut.

Profeti Ibrahim a.s, u përball edhe ai me probleme bashkëshortore, pasi u martua me një grua të dytë. Kjo martesë, shkaktoi xhelozi dhe probleme mes dy bashkëshorteve të tij.

Ai e braktisi të shoqen e tij Haxheren, bashkë me Ismailin foshnje në luginën e Mekes. Edhe kjo është një problem familjar. Gruaja e tij do të qëndronte e vetme në një luginë ku nuk kishte as njerëz, as kafshë, as bimë dhe as ujë e ushqim.

Ibrahimi a.s udhëtonte shpesh, duke e lënë familjen vetëm.

Profeti Lut a.s, edhe ai u përball me probleme familjare me të shoqen e tij.

Në historinë e Jakubit a.s, kemi smirën dhe urrejtjen që lindi tek fëmijët e tij për Jusufin a.s. Kjo smirë dhe urrejtje, i bëri që t’a hedhin të vëllain në një pus të thellë në mes të shkretëtirës. Surja Jusuf, është një sure e plotë e cila i kushtohet problemeve familjare.

Problem familjar është edhe ai i profetit Musa a.s, i cili u braktis nga nëna dhe u hodh në lumë, kur ishte foshnje. Në rini, ai u detyrua të arratiset dhe u vendos në Medjen. Martesa e tij me një nga vajzat e Shuajbit a.s dhe shumë ndodhi të tjera, hyjnë tek vuajtjet dhe problemet familjare.

Prandaj, kur flasim mbi problemet familjare, nuk kemi përse të mendojmë se jemi njerëz të përvuajtur dhe se njerëzit e lumtur nuk kanë probleme të tilla. Ne nuk kemi përse të mendojmë se meqë kemi probleme familjare në shtëpi, kjo do të thotë se jemi njerëzit më të vuajtur dhe të dëshpëruar.

Vetë profeti Muhamed a.s, ka pasur probleme nga më të ndryshmet në familjen e tij. Kushdo që lexon biografinë e tij, do të gjejë kushedi sa probleme mes tij dhe Aishes, Hafsas, Seuda etj…

Me gjithë këto probleme dhe halle, të gjithë profetët jetuan të lumtur. Kështu, lumturia konsiston në të kuptuarit e drejtë të problemit dhe trajtimit të duhur të tij. Problemi nuk qëndron që ne kemi mosmarrëveshje dhe të tilla, por qëndron në faktin që unë nuk di të reagoj dhe t’a trajtoj atë siç duhet.

Unë si individ, e kam në dorë që një kokërr ta zmadhoj sa një kube. Një problem të vogël, mund ta ekzagjeroj dhe ta paraqes si gjëmën më të madhe.

Ne duhet të reflektojmë dhe të mësojmë si t’i trajtojmë problemet familjare. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për rrethanat ku ndodhemi, duhet të mësojmë si të sillemi me fëmijët dhe bashkëshortet, me komshinjtë, miqtë, të afërmit dhe dashamirësit.

Për të gjithë këtë, Zoti na dërgoi profetin Muhamed a.s, i cili hedh bazat e një metodologjie në trajtimin e problemeve dhe halleve të përditshme.

Nëse lexojmë librat e jetëshkrimit të Profetit a.s, do të gjejmë që ai na mëson si të sillemi dhe t’i trajtojmë të moshuarit, të vegjlit, gratë, hipokritët, jobesimtarët, çfarë lidhjesh duhet të krijojmë me veten tonë, me Zotin e madhëruar, me armikun, prindërit etj…

E gjithë kjo i ngjan një programi të plotë dhe perfekt të trajtimit të problemeve familjare.

Kështu, kur flasim mbi problemet familjare dhe artin e trajtimit të tyre, nuk do të thotë se po shpikim diçka të re. Në fakt, ne vetëm kemi shtuar disa gjëra të reja. Në këtë trajtesë, ne do u ofrojmë disa ide të reja rreth kësaj çështjeje. Ashtu siç do të flasim rreth këndvështrimit islam rreth problemit, do të flasim edhe mbi disa metoda praktike për zgjidhjen e problemeve. Me anë të këtyre ushtrimeve, do të zbuloni nëse jeni të aftë t’i menaxhoni dhe më pas t’i zgjidhni problemet tuaja.

Më pas, do të flasim rreth kategorive të njerëzve. Siç dihet, njerëzit kanë këndvështrime dhe mendime të ndryshme mbi reagimin dhe trajtimin e duhur kundrejt një problemi. Në fund, do të zbulosh se cilës kategori i përket.

Një pikë tjetër e rëndësishme, është edhe dallimi mes trajtimit të problemit, të përshtaturit me problemin dhe shfrytëzimin e tij.

Më pas, do të përmendim disa ushtrime, me anë të cilave ne do të zbulojmë mënyrën e të menduarit të secilit prej nesh.

Origjina e problemeve

Ne të gjithë e dimë dhe besojmë se Zoti ka krijuar njerëzit dhe gjithçka tjetër. Për çdo gjë, Ai ka krijuar të kundërtën dhe sfiduesen e saj. Jeta e kësaj bote, është jetë e sprovave dhe sfidave. Një nga krijesat e krijuara nga Zoti, është dhe shejtani, objektivi i të cilit është të devijojë njerëzimin nga rruga e Zotit. Ai përpiqet me shpirt e me zemër që njeriun t’a shtyjë drejt gjynaheve dhe t’a kthejë kundër Zotit. Një ndër objektivat e shejtanit, të cilin e përmend dhe profeti Muhamed a.s, është të shkaktojë probleme mes bashkëshortëve. Ky është plani strategjik i shejtanit, për të shkatërruar një shoqëri.

Transmeton Xhabir ibnu Abdila, se i dërguar i Zotit a.s ka thënë:”Shejtani e vendos fronin e tij mbi ujë dhe thërret ushtarët. Ai që ulet më pranë tij, është më i rrezikshmi. Ushtarët fillojnë të raportojnë dhe një prej tyre i thotë:”Kam bërë këtë e atë…” Shejtani i thotë:”S’paske bërë gjë.” I vjen një tjetër dhe i thotë:”Kam bërë këtë e atë…” Shejtani i thotë:”S’paske bërë gjë.” Derisa të vijë një tjetër që i thotë:”Nuk iu ndava derisa u divorcua nga gruaja e tij.” Atëherë, shejtani e afron pranë dhe i thotë:”Ti paske arritur rezultat të kënaqshëm.”

Prandaj, në çdo problem bashkëshortor, ne duhet të ndërgjegjësohemi që betejën nuk e kemi vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me shejtanin, objektivi i të cilit është ndarja dhe shkurorëzimi mes bashkëshortëve. Ne jemi dëshmitarë që në shumë raste, divorci ka ndodhur për shkak të një problemi shumë të vogël, por që është kultivuar dhe i është hedhur benzinë. Problemet e vogla të cilave u fryhet dhe u hidhet benzinë, i ngjajnë topit të borës, të cilin sa më shumë ta rrotullosh rritet dhe zmadhohet.

Në rast i tillë, mu paraqit para disa kohësh gjatë një konsulence. Gjatë rrugës së kthimit nga puna, burri i telefonon të shoqes në shtëpi dhe i thotë:”Nëna më kërkoi që t’i blej diçka të gatshme për darkë për të dhe për motrat. Unë tani jam nisur drejt restorantit dhe thashë të të pyes nëse kërkon edhe ti diçka për të ngrënë.”

Gruaja i tha:”Po, unë dua kos me lisna.”

Burri shkoi në restorant, bleu porosinë e nënës dhe të motrave dhe ua dërgoi në shtëpi. Më pas u nis drejt shtëpisë së tij, ku e priste e shoqja. Me të hyrë brenda, ata u përshëndetën dhe e shoqja e pyeti:”Ku e ke kosin me lisna?”

I shoqi ia ktheu:”Për Zotin paskam harruar ta blej.”

E shoqja i tha:”Nuk ka problem, por më vjen keq për nënën dhe motrat e tua, si do të qëndrojnë pa darkë sonte!”

Burri i tha:”Në fakt, unë e bleva porosinë e nënës dhe të motrave. Ajo që harrova të blej, është pikërisht porosia jote.”

Kur e shoqja dëgjoi që burri kishte blerë gjithçka që i kishte kërkuar nëna dhe motrat dhe kishte neglizhuar porosinë e saj, i hipën xhindet. Si ishte e mundur që ta kishte harruar? Mos vallë nëna e tij dhe motrat ishin më të rëndësishme se e shoqja? A nuk tregonte kjo se i shoqi nuk interesohej shumë për gruan e tij? A nuk tregonte se sa pak e vlerësonte atë?

Zërat mes tyre filluan të ngrihen derisa të dy palët kërkuan divorcin. E gjitha kjo, për shkak të një kutie kos me lisna.

Kur ky rast mu paraqit mua, u thashë:”Unë jam i bindur që ky divorc nuk ka ndodhur për shkak të një kutie kosi me lisna. Padyshim që ky divorc, ka prapaskena të tjera. Ndodhia e kutisë së kosit, vetëm sa i zbuloi problemet e mëparshme.”

Probleme të ngjashme ka kaluar edhe vetë i dërguari i Zotit, profeti Muhamed a.s. Një herë, Profeti a.s zgjohet në mesnatë dhe del nga shtëpia. Atë natë, ai qëndronte tek Mejmune bintu Harith. Kur Mejmune ndjeu se Profeti a.s nuk ishte në dhomën e saj, filloi të mendojë ku mund të kishte vajtur. Mendimi i parë që i vajti në mendje, ishte se ai kishte shkuar tek ndonjë grua tjetër. E inatosur, ajo u ngrit dhe kyçi derën nga brenda. Pas pak, Profeti a.s u kthye dhe kur deshi të hyjë, pa që dera ishte e kyçur. Ai filloi të trokasë dhe i kërkoi Mejmunes ta hapë. Por Mejmune refuzoi ta hapë derën. Profeti a.s vazhdonte t’i kërkojë Mejmunes ta hapë derën, por ajo vazhdonte të refuzojë.

Gjatë një ligjërate, i pyeta burrat:”Nëse gratë tuaja do u mbyllnin derën nga brenda dhe refuzojnë ta hapin, si do të reagonit?”

Njëri prej tyre më tha:”Unë do e thyeja derën.”

Një tjetër tha:”Do e divorcoja menjëherë.”

Dikush tjetër tha:”Shkoj në hotel apo diku tjetër dhe kthehem në shtëpi të nesërmen.” Një tjetër tha:”Do të flija tek dera.”

Profeti a.s qëndroi pas dere, derisa më në fund Mejmune pranoi ta hapë derën. Kur hyri brenda, Profeti a.s e pyeti:”O Mejmune! Përse e mbylle derën?”

Mejmune i tha:”Përse shkon te gratë e tua në mes të natës o i dërguar i Allahut?”

Profeti a.s ia ktheu:”O Mejmune! Unë nuk isha tek asnjë nga gratë e tjera! Unë dola për nevojat e mia personale.” Më pas, Profeti a.s u shtri dhe fjeti duke e mbyllur çështjen me kaq.

Kush është ai që i prodhon problemet? Kush është ai që i zmadhon problemet? Kush është ai që i ndërlikon gjërat?

Përgjigja e vetme është:”Ne.”

Profeti a.s e dinte se ajo që e shtyu Mejmunen t’i mbyllë derën, është dashuria e madhe e saj, e cila e bënte të ndihet xheloze.

Lidhur me problemet bashkëshortore, ne përmendëm dy raste: Ai i kutisë së kosit, ku çifti u divorcua dhe ai i profetit Muhamed a.s, ku situata u qetësua falë reagimit plot urtësi të Profetit a.s.

Sidomos në raste të tillë, prej burrit dhe gruas pritet një zemërgjersi dhe fleksibilitet më i madh. Ne nuk kemi përse të nevrikosemi dhe të inatosemi me t’u përballur me një problem. Ashtu siç nuk kërkohet prej nesh që t’i anashkalojmë dhe t’i injorojmë, por të mësojmë si t’i trajotjmë dhe si të reagojmë pozitivisht.

Llojet e problemeve bashkëshortore

Problemet bashkëshortore, ndahen në katër lloje:

1 – Problemet e dukshme.

2 – Problemet e fshehta.

3 – Problemet kalimtare.

4 – Problemet e përhershme.

Secili nga katër llojet e problemeve, kërkon një mënyrë të ndryshme reagimi dhe trajtimi. Diçka të tillë do të mundohemi ta sqarojmë dhe mësojmë në rreshtat në vazhdim.

Lidhur me problemet e dukshme, një shembull më konkret për këtë është kur burri e rreh të shoqen. Të rrahësh dhe të qëllosh gruan padyshim që është një problem i madh, të cilin nuk mund ta fshehësh. Një shembull tjetër, është kur gruaja i bërtet, i kthen fjalën, e shan dhe ofendon të shoqin. Këtë ajo e bën para fëmijëve, familjes dhe njerëzve të tjerë.

Padyshim që problemet e dukshme, janë të rënda dhe shkaktojnë plagë. Njeriu e ka të vështirë t’i përballojë dhe t’i durojë gjithmonë. Nëse pala agresive vazhdon të njëjtin avaz, pala mbi të cilën abuzohet do të shpërthejë një ditë dhe nuk do të durojë. Kjo, edhe pse pala abuzuese ka shumë të mira dhe aspekte pozitive. Burri mund të jetë bujar, i pashëm etj… por është i dhunshëm dhe i ashpër.

Problemet e fshehta, ndodhin në raste kur dy bashkëshortët ose njëri prej tyre është i inatosur dhe zemëruar, por që nuk e shfaq. Shpesh herë, marrëdhëniet mes bashkëshortëve tensionohen, ashtu siç tensionohen mes dy shokësh, mes fëmijëve dhe prindërve etj….. Marrëdhëniet mes tyre i ngjajmë më shumë një lufte psikologjike.

Në raste të tillë, secili nga bashkëshortët e trajton në aparencë palën tjetër si gjithmonë dhe normalisht, por nga brenda ata ziejnë dhe janë shumë të tensionuar.

Problemet kalimtare, ndodhin kur p.sh njëri nga dy bashkëshortët i thotë një fjalë të papranueshme, e shan ose e ofendon palën tjetër, gjë të cilën nuk e kishte bërë më parë. Nëse gjëra të tilla ndodhin vetëm një herë ose shumë rrallë në gjithë jetën bashkëshortore, një problem i tillë quhet kalimtar.

Problemet e përhershme janë ato që ndodhin çdo ditë. Nëse bashkëshorti/ja nevrikosen çdo ditë, shajnë çdo ditë, godasin çdo ditë… ky problem klasifikohet si i përhershëm.

Prandaj, nëse duam t’i trajtojmë dhe t’i zgjidhim problemet, duhet që pikë së pari t’i klasifikojmë nëse janë të dukshme, të fshehta, kalimtare apo të përhershme.

Nëse do të marrim problemet e dukshme – një burrë që rreh të shoqen, gruaja që e shan dhe i bërtet të shoqit etj… – ato janë probleme që shkaktojnë dhimbje dhe njeriu e ka të vështirë t’i durojë gjithë jetën. Do të vijë një ditë, kur ai shpërthen dhe i thotë “jo” një trajtimi të tillë. Kjo, edhe pse pala tjetër ka shumë tipare dhe virtyte pozitive.

Në shumë raste, ka gra që kanë kërkuar divorcin pas dhjetë vitesh martesë. Kjo, për shkak se nuk e duronin dot dhunën që ushtronte ndaj tyre burri.

Si trajtohen problemet e dukshme?

Në një rast të tillë, burri i dhunshëm ose gruaja, duhet të vendosin që të ndryshojnë. Nëse ata janë të dhunshëm, duhet të vendosin që ta ulin masën e ushtrimit të dhunës. Nëse ai ose ajo janë mësuar të rrahin, duhet të tentojnë të mos e bëjnë diçka të tillë në të ardhmen. Nëse gruaja ka gjuhë të gjatë, shan dhe flet fjalë banale, ajo duhet të vendosë që ta reduktojë gradualisht këtë ves. Pra, hapi i parë në trajtimin e këtij problemi, është marrja e një vendimi.

Hapi i dytë është që ky njeri që dëshiron të ndryshojë, të ndihmohet nga familjarët dhe të afërmit e tjerë. Nëse një person nevrikoset shpejt, familjarët e tij, fillimisht, studiojnë faktorët që e nervozojnë. Më pas, përpiqen që këto faktori t’i mbajnë larg tij.

Nëse një burrë përdor dajakun me të shoqen ose fëmijët, fillimisht duhet të ndërgjegjësohemi mbi faktorët që e çojnë të përdorë këtë metodë. Më pas, përpiqemi sipas mundësive që ta mbajmë sa më larg këtyre faktorëve.

Nëse një grua shan, ofendon dhe flet bajat, përpiqemi të zbulojmë shkakun dhe më pas ta mbajmë larg faktorëve stimulues.

Nëse një burrë i dhunshëm ose një grua që shan dhe ofendon, arrijnë që për një muaj, dy ose më shumë, ta përmbajnë dhe kontrollojnë veten, do të fillojnë të ndryshojnë për mirë. Kështu, një që zemërohej dhe nevrikosej shumë shpejt, fillon të mësojë si ta përmbajë veten. Një i dhunshëm, mëson butësinë dhe vetëpërmbajtjen.

Praktika dhe trajnime të tillë, secili prej nesh është mirë t’i përvetësojë. Unë e di që njeriu e ka të vështirë të ndryshojë karakter dhe të marrë formë tjetër. Vështirësia dyfishohet nëse ky njeri është rritur dhe edukuar në një familje ku prindërit kanë qenë të dhunshëm me të. Imagjinojeni një person që është bërë njëzet vjeç dhe gjatë këtyre viteve ka qëndruar në një ambient me një baba dhe nënë të dhunshëm me të. A është e mundur që ky njeri të ndryshojë, ta flakë tutje dhunën e cila e ka shoqëruar gjatë këtyre viteve?

Përgjigja është “Po”, por kjo kërkon kohë.

Për mua, problemet më të rrezikshme janë ato të fshehtat. Kjo, pasi une nuk e di që pala tjetër është e zemëruar, nevrikosur, vlon nga urrejtja apo zilia, përderisa e mban atë të fshehtë. Shumë raste divorci ndodhin për shkak të problemeve të fshehta. Problemet e këtij lloji, kanë më shumë se një zgjidhje:

E para dhe më e mirë është diskutimi i hapur. Nëse je burrë apo grua, nuk duhet të mbash gjë të fshehtë. Nëse ndihesh e ofenduar apo e shpërfillur nga një rast dhe nga kjo fillon të ndjesh zemëratë, është më e udhës që t’i hapesh bashkëshortit/es. Këtë mund ta bësh duke zgjedhur një kohë të përshtatshme, ku do bisedosh me atë që të zemëroi dhe nevrikosi. Kushdo qoftë ai njeri, babai, burri, gruaja, motra, nëna, vëllai, shoku etj…

Me t’u ulur të diskutosh, ti duhet të fillosh me disa fjali të caktuara dhe të rëndësishme për një rezultat të mirë. Biseda nuk mund të fillojë me fjalë të tilla si:”Ti je shkaktari, ti nuk më kupton, ti je kokëfortë…” Përemri vetor “ti” tregon për akuzat që të adresohen. Edhe nëse personi i ka këto veti, fillon të kundërshtojë, madje të akuzon ty.

Nëse dikujt i ka mbetur hatri, është hidhëruar, është zemëruar etj… fjalët e para duhet të jenë:”Unë ndjej se ti, filan ditë….” Në një rast të tillë, ti nuk e akuzon palën tjetër, por i kërkon të dialogësh dhe të bisedosh. Duke i kërkuar të nxjerrë atë që ka realisht në zemër, ti do të qetësohesh dhe sigurohesh.

Nëse njëri nga bashkëshortët i thotë një fjalë jo të mirë tjetrit, nuk është mirë që mëria dhe hatri të mbetet në mendje dhe zemër. Është më mirë që shprehet pakënaqësia. Nëse qëndron e fshehtë, ajo veç shtohet derisa të shpërthejë një ditë, duke i përkeqësuar marrëdhëniet bashkëshortore.

E dyta, është kur njeriu e ka të vështirë ta shprehë atë që ndjen dhe të diskutojë hapur me palën tjetër. Kjo mund të ndodhë, edhe ngaqë pala tjetër mund të reagojë ashpër.

Në këtë rast, përdoren instrumente të tjerë, përveç bisedës direkte. Nëse personi ka talent për të shkruar, le ta bëjë duke i shkruar një letër.

Një burrë që kishte shumë pakënaqësi ndaj të shoqes, por që nuk ia shprehte dot, këtë e bëri duke regjistruar një kasetë magnetofoni. Të gjithë pakënaqësitë e tij dhe hatër mbetjet që kishte, i regjistroi në këtë kasetë dhe ia dorëzoi të shoqes.

Edhe kjo mënyrë, hyn tek e para, pasi kështu ti arrin ta shprehësh atë që ndjen dhe ta publikosh problemin dhe shqetësimin.

Në rast se e kemi të pamundur si metodën e parë ashtu edhe të dytën, prej nesh kërkohet që hallin dhe problemin që na ka zënë, t’ia qajmë Zotit të madhëruar. Këtë e bëjmë duke u falur, duke e përkujtuar sa më shumë Zotin etj… Duke ia shprehur Zotit hallet dhe problemet tona, ne i shkarkojmë ato nga vetja jonë.

Për sa i përket problemeve kalimtare, është normale që ato do të ndodhin, sidomos në jetën bashkëshortore. Nëse burri tregohet dorështrënguar një herë me të shoqen e tij, pas pesëmbëdhjetë vitesh martesë, nëse e qëllon vetëm një herë ose e shan pas njëzet vite martesë, kjo nuk ka nevojë që të trajtohet fare. Në kësi rastesh, pala tjetër fal dhe i tejkalon këto probleme, sepse janë probleme kalimtare, që nuk ndodhin shpesh. Problemet që kanë nevojë të trajtohen dhe të zgjidhen janë ato të përhershmet, ku burri është i ashpër dhe i dhunshëm çdo ditë, kur është gjatë gjithë kohës koprrac dhe dorështrënguar, kur gruaja e ka në natyrë nervozizmin dhe inatin, kur ajo çdo orë e çast është llafazane etj…

Unë i këshilloj të gjithë që sa herë të përballen me një problem në familja dhe kudo, ta klasifikojnë sipas ndarjes që i kemi bërë më lart, problem i dukshëm, i fshehtë, kalimtar apo i përhershëm. Pasi t’i klasifikoni, do e keni më të lehtë që t’i trajtoni dhe t’i zgjidhni.

A duhet që të përpiqemi të zgjidhim çdo problem?

Nuk është e thënë që ne të jepemi tërësisht pas çdo problemi dhe të përpiqemi që ta zgjidhim atë. Është e vërtetë që Profeti a.s thotë:”Për çdo sëmundje ka ilaç”, por nëse vetë njeriu refuzon ta marrë ilaçin e ofruar nga doktori, atëherë nuk kemi përse të lodhemi me një çështje të tillë.

Profeti a.s gjatë gjithë viteve të qëndrimit në Meke, e ftonte dhe e luste xhaxhain e tij të dashur që të pranojë islamin, por ai refuzonte. Edhe në shtratin e vdekjes, Profeti a.s nuk la rrugë dhe metodë pa përdorur që xhaxhai i tij të pranonte islamin, por ai sërish refuzoi. Ai vdiq si jobesimtar dhe idhujtar.

Prandaj, ne duhet të përpiqemi sipas mundësive tona që problemeve t’ju japim zgjidhje. Por duhet të dimë që jo të gjithë problemet mund të zgjidhen. Disa probleme kërkojnë vetëm një orë përkushtim që të zgjidhen. Disa probleme familjare kërkojnë vetëm një ditë që të zgjidhen. Disa probleme familjare kërkojnë një javë, të tjera një muaj, të tjera një vit dhe të tjera kërkojnë gjithë jetën. Ne nuk posedojmë shkopin e Musait a.s që me një të goditur t’u japim fund problemeve. Ne nuk posedojmë as unazën e Sulejmanit a.s. Ne jemi njerëz të thjeshtë dhe problemet tona përpiqemi t’i zgjidhim duke u bazuar në realitetin dhe aktualitetin ku jetojmë.

Kushdo që lexon jetëshkrimin e Profetit a.s, gjen se ai përdorte më shumë se një mënyrë në zgjidhjen e problemeve familjare. Para disa problemeve të caktuara, ai përdorte diskutimin dhe dialogun. Në disa probleme të tjera, ai braktiste shtëpinë, në disa të tjera zgjidhte rrugën e heshtjes. Trajtimi dhe zgjidhja e një problemi, varet nga shumë faktorë, nga personi, nga ambienti ku është rritur dhe edukuar, nga kultura prej të cilës vjen etj…

Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm që jo të gjithë personave që vuajnë nga një problem u jepen të njëjtat këshilla për ta zgjidhur atë. Nëse një grua ankohet se i shoqi i saj është koprrac dhe ne i japim disa këshilla si ta zgjidhë këtë çështje, të njëjtat këshilla nuk mund t’ia japim një gruaje tjetër që ka të njëjtin problem

Zgjidhja e problemeve familjare, nuk është si çështja e fetave fetare. Në çështjet fetare dhe rituale, përgjigja është e njëjtë për të gjithë. Nëse dikush ka harruar një rekat pa falur nga namazi i drekës, përgjigja se çfarë duhet të bëjë është njëlloj për të gjithë myslimanët nga të katër anët e globit.

Kurse në çështjet shoqërore, trajtimi i problemeve varet nga shumë faktorë. Një burrë lindor dhe nevrik, ndryshon nga një perëndimor nevrik. Një i ri dhe inatçi, ndryshon nga një i moshuar inatçi. Një bashkëshort inatçi që e shfaq inatin, ndryshon nga një tjetër që e mban të fshehtë. Një bashkëshort që e mban inatin përkohësisht, ndryshon nga një tjetër që e ruan atë.

Burri i një gruaje ishte tregtar floriri. Sa herë që kthehej nga aktiviteti, ai merrte me vete disa kallëpe floriri dhe i çonte në shtëpi. çdo ditë, e shoqja merrte një kallëp dhe e fshihte në një kasafortë në dhomën e tyre të gjumit. Pas disa kohësh, burri i saj vjen një ditë i zemëruar dhe tejet i dëshpëruar. Kur ajo e pyeti mbi shkakun, i tha:”Dyqani që kishim është djegur tërësisht dhe floriri që ishte brenda është dëmtuar. Sapo kam falimentuar.”

Gruaja i buzëqeshi dhe i tha:”Më ndiq pas! Nuk do të falimentosh përderisa unë të jem gruaja jote.” Bashkë me të shoqin, vajti në dhomën e gjumit dhe hapi kasafortën, e cila ishte mbushur me kallëpe floriri. Kur i pa i shoqi, u gëzua dhe iu hoq i keqi që e kishte pushtuar gjer atëherë. Të nesërmen ai hapi një dyqan të ri dhe filloi tregtinë përsëri.

Këtë histori, e dëgjon fqinja e tyre e cila mendon që të njëjtën gjë të veprojë me burrin e saj. Fakti që edhe burri i saj ishte tregtar, do e ndihmonte në realizimin e këtij plani. çdo ditë, kur burri i saj kthehej në shtëpi, sillte me vete disa mallra nga ato që shiste gjatë ditës. E shoqja, merrte një pjesë të tyre dhe i fshihte. Pas disa vitesh, burri i saj hyn në shtëpi kokulur dhe shumë i dëshpëruar. Kur e pyeti e shoqja mbi shkakun, ai i tha:”Kam falimentuar në tregti” dhe filloi t’i rrëfejë si qëndronte puna.

Ajo i buzëqeshi dhe i tha:”Mos u mërzit fare, përderisa ka një grua si unë” më pas u nis drejt dhomës së gjumit, ku hapi një kuti të madhe. Aty ajo kishte fshehur kalendarë dhe blloqe agjende, të cilat i tregtonte i shoqi. Duke qenë se ishin kalendarë të depozituar që para pesë vitesh, tashmë ato nuk kishin asnjë vlerë. Kur pa sasinë e mallit të fshehur, burrit iu shtua edhe më shumë dëshpërimi dhe hidhërimi.

Prandaj, zgjidhja e problemeve familjare dhe shoqërore nuk mund të jetë sipas mënyrës copy paste njëlloj për të gjithë. Siç e pamë dhe në historinë e mësipërme, zgjidhja e të dy grave ishte e njëjtë, por rezultatet krejtësisht të kundërta.

Nëse më vijnë dy gra dhe ankohen se bashkëshortët e tyre janë martuar me një të dytë, unë si konsulent shoqëror nuk u jap të njëjtat këshilla të dyjave. Prandaj, kur përmendëm ushtrimin e rrëzimit të avionit civil, thamë që para se të ndërmarrim një hap, duhet të vendosim të gjithë gjasat dhe më pas fillojmë të mendohemi rreth zgjidhjes më të përshtatshme. Ndonjëherë, zgjidhja është shumë e çuditshme, por ajo është gjasa e vetme.

Kur Zoti e dërgoi Musain a.s tek faraoni, i cili njihej si diktator dhe i dhunshëm, e urdhëroi që t’i flasë me fjalë të buta. “dhe i thoni fjalë të butë”

Është e vërtetë që faraoni vdiq si jobesimtar dhe se mënyra me të cilën i foli Musai a.s ishte e pafrytshme, por kjo metodë që përdori Musai, pati ndikim dhe influencë tek të pranishmit që ndodheshin me faraonin.

Me mençuri dhe urtësi reagoi edhe Ibrahimi a.s para Nemrudit i cili i tha:”Meqë ti pretendon se Zoti yt jep dhe merr jetë, unë të them që edhe unë jap dhe marr jetë.” Më pas urdhëroi që një të burgosuri t’i falej jeta kurse një tjetër të ekzekutohej në vend.

Ibrahimi a.s nuk hapi debat nëse krahasimi ishte i drejtë apo i padrejtë. Jo. Ai hapi një front tjetër debati, të përshtatshëm për mentalitetin e këtij mbreti kokëbosh. Ai i tha:”Meqë edhe ti pretendon se jep dhe merr jetë, Zoti im e sjell diellin nga lindja, atëherë ti sille nga perëndimi.”

Mbreti mbeti pa fjalë nga kjo përgjigje. Sot, nga psikologët dhe sociologët, kjo mënyrë njihet me emrin “ilaçi me shokim”.

Prandaj, e theksoj edhe një herë që para një problemi familjar, konsulenti duhet të njohë personin që ka para, kulturën e tij, edukimin etj…

Ndër problemet që më paraqiten, është se disa gra ankohen se burrat e tyre pothuaj nuk flasin fare. Në këtë rast, unë e pyes:”Është vetëm me ty i heshtur, apo është edhe me prindërit, vëllezërit, shoqërinë etj…?”

Përgjigja e kësaj pyetjeje është shumë e rëndësishme. Nëse burri është i heshtur vetëm me gruan, problemi mund të qëndrojë tek burri por mund të qëndrojë edhe tek gruaja.

Prandaj, kur na paraqitet ndonjë probleme, fillimisht ne vendosim të gjithë gjasat. Më pas ofrojmë zgjidhjet e mundshme dhe i provojmë të gjitha një e nga një.

Si t’i zgjidhim problemet familjare në mënyrën më të zgjuar?

Natyra njerëzore është e tillë se me tu përballur me një problem, menjëherë kërkon ta zgjidhë. Por ne nuk duhet të harrojmë se koncepti i zgjidhjes dhe trajtimit të problemeve ndryshon sipas rastit.

Nëse unë kam dhimbje dhëmbi, shkoj tek doktori i cili më tregon se dhëmbët i kam të prishur. Para se të ndërhyjë, fillimisht ai më bën një grafi të nofullës me qëllim që të diagnostifikojë dhëmbin. Pasi sigurohet mbi gjendjen e dhëmbit dhe të nofullës, doktori më paraqet një raport duke më vënë para disa zgjedhjeve. Zgjidhja e parë, është ndërhyrja rrënjësore, ku pastrohet pjesa e prishur, hiqet nervi, pastrohen kanalet e infektuara dhe më pas fillon mbushja.

Mundësia e dytë është përpunimi, ku dentisti e mjekon dhëmbin rreth e rrotull. Këtë ai e bën me qëllim që të evitojë dhimbjet e mundshme. Kjo është një zgjidhje e përkohshme sado që të zgjasë.

Një mundësi tjetër është ajo e ambientimit, ku dentisti i kërkon pacientit të mësohet dhe ambientohet me dhimbjen që ka. Kjo, sepse edhe dy dhëmbët anash janë të dëmtuar, gjë që tregon se vetë nofulla ka probleme. Në këtë rast, dentisti i jep pacientit ilaçe qetësues deri në gjetjen e një zgjidhjeje tjetër.

E njëjta gjë vlen edhe për problemet sociale dhe familjare.

Si veprohet nëse gruaja zbulon se i shoqi e tradhton?

Pas disa vitesh martesë, gruaja zbulon se burri i saj e tradhton. Në një rast të tillë, ajo gjendet para tre zgjidhjeve që i përmendëm më lart në rastin e dhimbjeve të dhëmbit. Ajo ose do të kërkojë një trajtim rrënjësor të problemit, ose do e përfshijë atë dhe ose do të ambientohet dhe mësohet duke e trajtuar herë pas here.

Trajtimi rrënjësor bëhet duke u ulur me burrin të cilit i thotë:”Unë kam zbuluar se më tradhton. Unë e kam të pamundur ta duroj një fakt të tillë, prandaj ose të largohesh nga një vepër e tillë ose të divorcohemi.”

Në një rast të tillë, burri mund të frenohet dhe mund të distancohet nga tradhtia bashkëshortore. Ky është trajtimi rrënjësor i problemit.

Nëse burri sheh që e shoqja e gënjen herë pas here, i thotë:”Ka pesë-gjashtë raste që ti më ke gënjyer. Unë e kam të pamundur të jetoj me një person që më gënjen. Prandaj, dua që të biem dakord që një problem të tillë ta shkulim nga rrënjët. Prej ditës së sotme, unë nuk dua të më gënjesh.”

Por ne jemi të ndërgjegjshëm që jo gjithmonë mund t’i zgjidhim dhe t’i trajtojmë rrënjësisht problemet tona. Pala tjetër shpesh herë nuk reagon fare nga kjo mënyrë.

Unë njoh një grua të cilën e tradhtonte i shoqi. Ajo u ul me të shoqin dhe i tha:”Unë dua që këtë problem ta shkulim nga rrënjët. Unë nuk mund të hiqem sikur nuk di gjë ndërkohë që burri im fle me dikë tjetër.”

Burri i tha:”Edhe pse kemi pesëmbëdhjetë vite të martuar, ti nuk mi ke plotësuar nevojat e mia seksuale. Prandaj unë kam zgjedhur këtë rrugë.”

Gruaja i tha:”Mirë, unë të propozoj diçka tjetër më të mirë. Në vend që të më tradhtosh, më mirë martohu për herë të dytë. Është e vërtetë që nuk është e kollajtë për mua, por është më mirë se të më tradhtosh.”

Në këtë rast, trajtimi i problemit nuk bëhet duke e shkulur atë nga rrënjët, por duke e përpunuar. Një akt negativ të shoqit, gruaja e shndërroi në akt pozitiv.

Një teknikë të tillë në trajtimin e problemeve, mund ta përdorim në të gjithë aspektet e jetës dhe jo vetëm në jetën familjare.

Nëse një ves të gruas, p.sh koprracinë, e kemi të pamundur ta trajtojmë duke e shkulur nga rrënjët. Vetë gruaja mund të jetë e kënaqur me këtë ves. Kështu, kalojmë në planin b, duke e orientuar këtë ves në diçka pozitive. Atëherë i themi gruas:”Meqë ti e sheh si diçka të mirë koprracinë, ajo duhet të shfrytëzohet për mirë. Sa herë që djali ynë katërmbëdhjetë vjeçar të kërkojë para për të blerë cigare, mos ia jep. Një koprraci e tillë është pozitive.”

Gjatë një misioni, Halid ibnul Velidi ishte komandant i njësisë ushtarake. Kur u fal me ushtarët si imam, ai lexoi si në rekatin e parë dhe në të dytin, Fatihanë dhe suren Ihlas. Pas tij faleshin sahabët më të mëdhenj të Profetit a.s. Ata u habitën dhe e pyetën:”Si është e mundur që të falesh vetëm me këto dy sure?”

Halidi iu përgjigj:”Për Zotin nuk di asnjë sure tjetër përveç këtyre të dyjave.”

Aftësitë ushtarake të Halid ibnul Velid, Profeti a.s i kishte vënë në shërbim të islamit dhe të myslimanëve. Por kjo ishte bërë në llogari të leximit të Kuranit dhe mësimit të tij përmendësh.

Ndonjëherë, gruaja ose burri mund të kenë një ves i cili nuk hiqet me asnjërën nga teknikat e lartpërmendura. P.sh kur gruaja është llafazane. Burri përpiqet që ta trajtojë rrënjësisht këtë problem, por dështon. Përpiqet që ta shfrytëzojë për diçka pozitive përsëri dështon. Në këtë rast, atij i duhet të ambientohet dhe të mësohet. Ai duhet ta pranojë të shoqen ashtu siç është, por duke vazhduar me përpjekjet për ta reduktuar. Kjo i ngjan ilaçit që na jep dentisti për të eliminuar dhimbjen e dhëmbit.

Një rast tjetër mund të jetë një burrë koprrac. E shoqja e duroi për vite të tëra duke u përpjekur ta trajtojë rrënjësisht, por dështoi. Tentoi ta shfrytëzojë për mirë për sërish dështoi. Në këtë rast, gruas i takon të filloj të ambientohet dhe të mësohet me këtë problem shoqëror.

Në raste kur veset janë të vështirë për t’u trajtuar, – inatçi, fjalëshumë, shan, ofendon, sheh filma pornografikë, pi duhan etj…- është më e udhës që njeriu të fillojë trajtimin gradualisht. Është e vështirë që një fëmije të tillë t’i kërkosh të ndryshojë rrënjësisht. Unë nuk kam në dorë bastunin e Musait a.s që me një të prekur ta kthej djalin në një engjëll. Fillimisht, mund të përdor taktikën e ambientimit, si një periudhë për të kaluar më pas në trajtimin rrënjësor.

Teknika për zgjidhjen e problemeve.

Para se burri dhe gruaja të shkojnë të kërkojnë ndihmën e një konsulenti sociolog, le të përpiqen që problemet mes tyre t’i zgjidhin vetë. Këtë le ta bëjnë duke kërkuar ndihmë nga teknikat që do të përmendim më poshtë.

1 – Zgjeroje kufirin e fantazisë tënde. Pasi të kemi konstatuar problemin, ne i japim mundësi fantazisë tonë që të kërkojë një zgjidhje për këtë problem.

Nëse vajza e ndonjërit prej nesh ka mbushur pesëmbëdhjetë vjeç dhe refuzon të veshë hixhabin, padyshim që ky është një problem familjar. Pasi të konstatoj problemin, unë filloj të fantazoj mbi një zgjidhje të caktuar për këtë problem. Këtë e bëj thjesht duke sjellë ndër mend emra sendesh ose frymorësh, si kasetofon, stilolaps, qiell, hënë, det, raketë etj… Siç e vini re, këto nuk kanë ndonjë lidhje me hixhabin. Pasi të kem caktuar disa emra sendesh, zgjedh njërën prej tyre dhe filloj të gjej se çfarë e lidh atë me hixhabin. Gjatë kohës që bëj këtë, fillojnë të më lindin ide të reja që nuk i kisha më parë mbi hixhabin. Le ta bëjmë diçka të tillë në mënyrë praktike:

Kemi një vajzë që refuzon të veshë hixhabin dhe pasi zgjodha disa sende nga fantazia ime, u fokusova tek trëndafili. Pas kësaj, filloj të zbuloj si mund ta përdor trëndafilin për të bindur vajzën që të veshë hixhabin. Një ide është që unë mund të blej një hixhab të bukur, ta paketoj, t’i shkruaj një letër dhe brenda t’i vendos një trëndafil. Një ide tjetër është që vajzës t’i blej një hixhab të dizenjuar me foto të disa trëndafilave të bukur. Një ide tjetër është që të shkoj me vajzën time në një lulishte me trëndafila. Atje do të marr një trëndafil dhe do i them vajzës: O bija ime! A e shikon këtë trëndafil kaq të bukur që ka krijuar Zoti? Edhe pse është vetëm një trëndafil, ai i bindet vullnetit të Zotit. Edhe ti o bija ime je e bukur si vetë trëndafili. Ashtu siç i ngjan trëndafilit në bindjen ndaj vullnetit të Zotit. Veç të tjerave, Zoti na ka urdhëruar që femrat myslimane të veshin hixhabin…”

Këto ishin tre ide, por për të njëjtën çështje mund të zbulojmë shumë ide të tjera rreth kësaj çështjeje.

Një herë, po trajnoja disa gra rreth teknikave të zgjidhjes së problemeve dhe pikërisht mbi të fantazuarit. Një nga gratë që merrte pjesë në trajnim, u ngrit dhe më tha:”Burri im nuk falet. çfarë mund të bëj?”

Unë i kërkova asaj dhe grave të tjera që të fantazojnë rreth një zgjidhjeje të mundshme, duke përdorur teknikën e lart përmendur. Një ndër sendet që u përmendën si mundësi zgjidhjeje të problemit të saj, ishte një kuti parfumi. Pas kësaj, filluan të mendojnë si mund ta përdorin parfumin për ta bindur burrin e kësaj gruaje të falet. Ajo që e ndihmoi në këtë çështje, ishte se burri i saj i pëlqente shumë parfumet. Kështu, ajo shkoi në treg dhe bleu një nga parfumet më të shtrenjtë. Gjithashtu ajo bleu dhe një sixhade, e parfumoi dhe atë bashkë me parfumin i paketoi. Në fund, i shkroi disa fjalë dashurie mbi një letër të cilën edhe atë e parfumoi. Kutinë e vendosa mbi krevat dhe u shtriva. Si gjithmonë, burri u vonua edhe atë natë bashkë me shokët e tij. Kur u kthye, unë shtiresha sikur po flija. Kur hyri në dhomën e gjumit pas mesnate, ai menjëherë e ndjeu erën e parfumit. Kur pa kutinë, menjëherë e hapi dhe i mori erë sexhades dhe parfumit. Edhe pse nuk ishte falur asnjëherë, kur ndjeu erën e parfumit në sixhade, u prek shumë. Më pas, shkoi mori abdes dhe fali namazin e tij të parë, mbi sexhaden që i kisha blerë unë.”

2 – Ideja e relaksimit. Kur dikush prej nesh përballet me probleme, ndihet i lodhur dhe i dërmuar. Gjëja më e mirë në raste të tilla, është që ai të largohet për disa kohë dhe të relaksohet, duke mos menduar fare mbi problemin. Le të shkojë në një lulishte të bukur, le të merret me sport, të udhëtojë, të shkojë në Umre etj…

Gjatë periudhës së pushimit dhe relaksimit, atij do i vijnë ide dhe mendime të ndryshme, për të dalë nga problemi.

3 – Pyet sa më shumë. Nëse unë përballem me një problem, para se të mendoj në zgjidhjen e tij, duhet të pyes si erdhi ai problem, cilat janë shkaqet, a ka lidhje me aspektin edukativ, a kam faj unë për këtë problem, kush mund të më ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi etj… Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, më ndihmojnë në diagnostifikimin e problemit dhe kjo më ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemit.

4 – Ndrysho vizion. Shpesh herë, ne i shohim gjërat nga një këndvështrim i caktuar. Duke i parë gjërat nga një këndvështrim i ndryshëm, ne fillojmë të zbulojmë gjëra të cilat nuk i konstatonim më parë. Sa më shpesh ta ndryshoj këndvështrimin, aq më shumë informacion zbuloj. Të njëjtën teknikë, është mmirë që ta përdorim edhe kur ndeshemi me probleme të çfarëdo lloji qofshin.

çfarë të bëjmë nëse një vajzë adoleshente ka shkëputur lidhjet me prindërit, as nuk u bindet, nuk flet dhe as nuk bisedon? Në vend që ta ul në divan dhe t’i filloj t’i flas dhe bërtas, unë ndryshoj taktikë dhe këndvështrim. Duke bërë këtë, unë mund të zbuloj dhe konstatoj diçka që nuk e dalloja më parë. Ajo mund të jetë një arsye e pranueshme për këtë lloj komunikimi me prindërit.

Për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, unë duhet ta studioj problemin nga shumë këndvështrime.

5 – Konsultimi. Na ndodh shpesh herë që të dështojmë teksa përpiqemi të zgjidhim një problem. Në këtë rast, unë i drejtohem një konsulenti për t’u këshilluar dhe e përfshij edhe atë në zgjidhjen e këtij problemi. Ky konsulent mund të jetë një pjesëtar familje apo njeri i afërt, por mund të jetë dhe një konsulent social. Një shërbim i tillë sot gjendet kudo dhe ai mund të bëhet nëpërmjet telefonit, internetit, kanaleve satelitorë, telefonisë celulare, libra, kaseta, CD, klinikë ku ofrohen konsulta etj…

Kush prej nesh e beson që diçka të tillë e ka praktikuar vetë i dërguari i Zotit a.s?!

Ai ishte i dërguar dhe profet i Zotit, megjithatë ai kërkonte ndihmën e konsulentëve. Kjo, sepse e dinte se konsultimi është një teknikë për zgjidhjen e problemeve.

Një herë tjetër, mes Profetit a.s dhe Aishes kishte lindur një konflikt. Duke dashur që t’a bindë, Profeti a.s i tha:”Kë dëshiron të marrim si gjykatës mes nesh? A e pranon Umer ibnul Hattabin?”

Aisheja i tha:”Jo, Umerin nuk e dua se është i vrazhdë.”

Profeti a.s e pyeti:”A e pranon babanë tënd?”

Aisheja i tha:”Po.”

Me të ardhur Ebu Bekri, Aisheja iu drejtua Profetit a.s me fjalët:”Tregoji si qëndron puna, por kij frikë Zotin dhe mos thuaj veçse të vërtetën.”

Kjo e nervozoi së tepërmi Ebu Bekri i cili i tha:”O e paedukatë! Po a mund të flasë veçse të vërtetën i dërguari i Zotit?!” dhe u mat ta qëllojë Aishen.

Profeti a.s ndërhyri dhe e mbajti Ebu Bekri, duke i thënë:”O Ebu Bekr, nuk të ftuam për këtë.” Ndërkohë, Aisheja mbrohej nga babai i saj duke qëndruar pas shpinës së Profetit a.s.

Pasi Ebu Bekri doli jashtë gjithë nerva, Profeti a.s i tha Aishes:”A e pe si të mbrojta prej tij?”

Këto fjalë e bënë Aishen të qeshë dhe bashkë me të dhe Profeti a.s. Ebu Bekri e dëgjoi të qeshurën e tyre dhe u kthye përsëri. Pasi hyri brenda dhe i gjeti duke qeshur u tha:”Më bëni ortak të paqes mes jush, ashtu siç më bëtë ortak të luftës.”

Në këtë rast, shohim që Profeti a.s ftoi një konsulent për ta ndihmuar në zgjidhjen e një problemi mes tij dhe gruas. Në këtë kohë, Aisheja ishte vetëm 16-17 vjeçe, kurse Profeti a.s ishte mbi pesëdhjetë vjeç. Edhe pse ishte i pjekur, edhe pse ishte i arsyeshëm dhe kishte një jetë eksperiencë, Profeti a.s i propozonte të shoqes një konsulent, një palë të tretë për ta zgjidhur problemin e tyre. Kjo, sepse ai ishte përpjekur ta zgjidhë vetë atë problem, por e shoqja kishte refuzuar.

Në një transmetim tjetër, thuhet se Profeti a.s e pyeti Aishen:”A do të flasësh ti, apo të flas unë?”

Ajo i tha:”Fol ti, por mos thuaj veçse të vërtetën.”

Kur Ebu Bekri u nervozua dhe u nis ta qëllojë, Profeti a.s ndërhyri dhe filloi ta mbrojë Aishen nga babai i saj.

6 – Marrja e një pale të tretë. Kjo palë mund të jetë një njeri i afërt, babai i gruas ose nëna e saj, vëllai, motra dhe kushdo tjetër. Pala e tretë, mund të shfaqet hapurazi si pala pajtuese, ose mund të veprojë edhe në prapaskenë. Një burrë, mund t’i kërkojë motrës së gruas së tij, që ajo t’i flasë të shoqes në mënyrë indirekte mbi një problem të caktuar. Në këtë rast, gruaja nuk din asgjë mes marrëveshjes së burrit dhe motrës së saj. Unë kam qenë dëshmitar i shumë problemeve të cilat janë zgjidhur në këtë mënyrë.

7 – Të dy fitojmë. Sa herë që dikush prej nesh përballet me një problem familjar, secila palë mendon se ka të drejtë dhe se pala tjetër e ka fajin. Përse të mos e bëjmë ndryshe, ku t’i japim të drejtë të dyve?

Sa herë që ia hedhim fajin palës tjetër, të dy ne humbasim dhe nuk fitojmë gjë. Nëse kam një problem me fëmijën tim, unë duhet të gjej një zgjidhje ku si unë ashtu dhe fëmija të fitojmë. Kjo duhet të ndodhë edhe mes bashkëshortëve. Nëse një bashkëshort/e humbet disa herë, e ka të pamundur të durojë gjithë jetën. Deri kur do të vazhdojë të pranojë humbjen dhe të sakrifikojë? Padyshim që do të vijë një moment kur pala që ka sakrifikuar gjer atëherë të shpërthejë.

Një herë, mu kërkua të hyj si palë e tretë në një problem familjar, por gruaja e refuzonte çdo lloj zgjidhjeje. Ajo më tha:”Unë e di se zgjidhja është e lehtë dhe se ky problem nuk meriton të zmadhohet kaq shumë, por unë nuk mund të duroj më. Ka pesëmbëdhjetë vite që duroj, por pa dobi. Kam sakrifikuar sa nuk ka më dhe tani e kam të pamundur të pranoj një sakrificë tjetër. Tashmë jam ngopur me sakrifica të këtij lloji.”

Prandaj, është e rëndësishme që në zgjidhjen e problemeve tona familjare, të fitojnë të dy palët, ose të paktën të humbim të dy njëlloj. Nëse unë fitoj 50 % dhe bashkëshortja ime fiton po 50 %, të dy ne kemi fituar.

8 – Përshkallëzimi është një ndër parimet islame në zgjidhjen e problemeve sociale. Një herë, më erdhi një grua e cila kërkonte divorcin sepse burri i saj drogohej. Unë e pyeta:”Po a nuk ka gatishmëri që të ndryshojë burri?”

Ajo u përgjigj:”Nuk e di, pyete vetë.”

Duke qenë se kishin dhjetë vite martesë dhe kishin katër fëmijë, unë u takova me të shoqin dhe e pyeta:”A je i gatshëm të ndryshosh dhe ta lësh drogën?”

Ai u përgjigj:”Le të përpiqemi njëherë.”

Unë e pyeta:”Sa është doza që merr në ditë?”

Ai u përgjigj:”Pesëdhjetë tableta.”

Unë e pyeta:”A është e mundur ta reduktosh dhe ta ulësh në dyzet e pesë?”

Ai u përgjigj:”Ta provoj.”

Kështu, filluam trajtimin e tij. çdo dy tre javë, ai përdorte pesë tableta më pak. Trajtimi vazhdoi për një vit e gjysmë derisa më në fund ai arriti të shkëputej krejtësisht nga droga.

Përshkallëzimi në distancimin nga një ves i keq, është një nga parimet islame. Kur Zoti e ndaloi pirjen e alkoolit, nuk e ndaloi për një ditë. Po ashtu edhe veshja, hixhabi, nuk është obliguar menjëherë. Ashtu si dhe zekati, namazi etj… rite të cilat janë obliguar gradualisht dhe në mënyrë të përshkallëzuar.

9 – Ekzistenca e një reference për të dy bashkëshortët, ose palët në konflikt. Në mosmarrëveshjet tona, secila palë ka si referencë mendjen e tij. A është e mundur të arrijmë në një rezultat, duke ditur se mendjet tona janë të ndryshme nga njëra-tjetra?! Si mund të arrijmë në një rezultat, duke ditur se kultura ku jam rritur unë ëshë e ndryshme nga ajo e palës tjetër?

Gjatë hutbes së lamtumirës, Profeti a.s u tha myslimanëve:”U kam lënë dy gjëra. Përderisa do u përmbaheni, nuk do të humbisni kurrë. Ato dy gjëra janë Libri i Zotit, Kurani, dhe tradita ime.”

Prandaj, nëse kemi Kuranin dhe traditën profetike si referencë, e kemi reduktuar në masë të madhe rrethin e konfliktit dhe mosmarrëveshjes. Në momentin që biem dakort që problemin ta zgjidhim sipas Kuranit dhe sunetit, ky problem do të zgjidhet shumë shpejt dhe të dy palët mbeten të kënaqura.

Unë njoh një çift, të cilët që ditën e parë të martesës ranë dakord që sa herë të kenë mosmarrëveshje, asnjëri të mos pretendojë se ka të drejtë, por menjëherë t’i referohemi Librit të Zotit dhe sunetit të Profetit a.s. Tregon burri:”Për Zotin, nuk më kujtohet ndonjë mosmarrëveshje e cila ka zgjatur më shumë se 24 orë. çdo problem ne ia paraqisnim Librit të Zotit dhe sunetit të Profetit a.s. Në fund, vepronim sipas udhëzimeve dhe dispozitave të Kuranit dhe sunetit.

Probleme të familjes.

Unë kam kryer një studim mbi problemet që has familja kohët e fundit. Është e natyrshme që problemet familjare dhe bashkëshortore ndryshojnë nga një etapë martesore në një tjetër. Problemet që kanë çiftet e reja, nuk i has tek çiftet e vjetra. Në studimin tim, e kam ndarë jetën bashkëshortore në disa etapa. Ajo e para, është nga viti i parë i martesës gjer në vitin e pestë. Etapa e dytë vjen nga viti i gjashtë i martesës gjer në vitin e dhjetë. Etapa e tretë është në pesëvjeçarin e tretë të martesës, nga viti i njëmbëdhjetë deri në vitin e pesëmbëdhjetë. Në etapën e fundit, hyjnë ato çifte që jetojnë bashkë pas pesëmbëdhjetë vitesh martesë.

Problemet e çifteve të pesëvjeçarit të parë të martesës:

1 – Informacioni i pakët për sa i përket përgjegjësive të reja që i pret.

2 – Dallimet mes karakterit dhe personalitetit të secilit.

3 – Ndërhyrjet e nënës së burrit, sidomos gjatë pesëvjeçarit të parë.

4 – Mos interesimi i burrit për të shoqen. Dhëndëri, tregon një interes dhe përkujdesje për nusen dy tre muajt e parë. Më pas, ai ndjen nostalgji për jetën e beqarisë, daljet me shokët etj…

5 – Informacioni pakët lidhur me marrëdhëniet seksuale mes bashkëshortëve. Kjo vjen për shkak të dallimeve fiziologjike të secilit prej tyre.

6 – Borxhet e shumta. Nëse burri ka hyrë borxh për të mbuluar shpenzimet e martesës, këto borxhe do të ndikojnë negativisht në jetën e tij familjare dhe bashkëshortore.

7 – Shpërdorimi i pasurisë.

8 – Mosmarrëveshjet mes dy familjeve, të burrit dhe të gruas.

9 – Mosmarrëveshje lidhur me banesën bashkëshortore. Fillimisht, çifti jetojnë në shtëpinë e prindërve të burrit, me shpresë se më vonë do të vendosen në një shtëpi të pavarur. Por për shkak të vështirësive ekonomike, ata mbesin në të njëjtën shtëpi, gjë e cila kthehet në mollë sherri mes çiftit.

10 – Zënkat për të demonstruar forcën e secilit. Të dy, si burri dhe gruaja, kërkojnë t’i tregojnë tjetrit se ai/ajo është më e fortë.

11 – Koprraci e tepruar. Gjatë pesëvjeçarit të parë, disa burra tregohen më dorështrënguar, pasi mendojnë për të ardhmen e largët. Kurse gratë i akuzojnë për koprraci.

12 – Gruaja i kushton më shumë interes dhe kujdes fëmijëve, sesa të shoqit. Pas lindjes së fëmijëve, objektivi kryesor i gruas janë pikërisht ata.

13 – Dyshimet dhe xhelozia, të cilat janë më të theksuara gjatë pesë viteve të para.

14 – Vështirësia e përshtatjes mes tyre.

15 – Mos mbajtja e përgjegjësive.

16 – Vonesa e shtatzënisë dhe lindjes së fëmijëve.

17 – Burri nuk i duron dot fëmijët dhe zhurmat e tyre.

Këto ishin problemet më të spikatura gjatë pesë viteve të para të martesës.

Problemet e pesëvjeçarit të dytë:

1 – Vështirësia e edukimit të fëmijëve.

2 – Burri mbështetet tek e shoqja.

3 – Qëndrimi i çiftit jashtë, gjer në orët e vona, gjë e cila tregon për mërzitje.

4 – Kokëfortësi.

5 – Ushtrim dhune dhe goditje.

6 – Gënjeshtra.

7 – Angazhimet e shumta të burrit.

8 – Dallime dhe preferenca mes fëmijëve.

9 – Acarim i marrëdhënieve mes çiftit.

10 – Rritet interesi më shumë për fëmijët.

11 – Burri përfiton edhe nga rroga e gruas për të mbuluar shpenzimet e familjes.

12 – Burri fillon të hedhë sytë tek gratë e tjera.

13 – Ndarja sociale mes dy bashkëshortëve dhe familjes.

14 – Rutina dhe monotonia.

Problemet e pesëvjeçarit të tretë:

1 – Preferon të shoqen më shumë se nënën.

2 – Favorizimi i disa fëmijëve nga të tjerët.

3 – Shfaqen problemet e fëmijëve adoleshentë.

4 – Shtohet rutina në marrëdhëniet bashkëshortore.

5 – Bashkëshortja qëndron me fëmijët, kurse burri sheh hallin e tij.

6 – Ndonjëherë, shfaqet një lloj adoleshence e vonuar tek bashkëshortët.

7 – Shkollimi i fëmijëve fillon të bëhet problem. Kush do i ndjekë si venë me mësime, kush do interesohet për to në shkollë etj…

8 – Krahasimi me të tjerët, por me zë të lartë. Në vitet e para të martesës, secili prej tyre e krahasojnë partnerin me dikë tjetër, por në heshtje. Kurse në pesëvjeçarin e tretë këto fillojnë të bëhen haptazi. Burri e dëgjon të shoqen teksa i thotë:”Vëllai yt është më i mirë se ti.” Po ashtu, burri i thotë gruas:”Motra jote është më e mirë se ti.”

9 – Burri ndryshon mënyrën e komunikimit.

10 – Pushimet në vende të largëta. Tashmë, ata kërkojnë të ndjejnë një farë qetësie, duke u shkëputur nga problemet.

Problemet pas pesëvjeçarit të tretë (pas pesëmbëdhjetë vitesh martesë).

1 – Martesa me më shumë se një grua.

2 – Fillon martesa e fëmijëve.

3 – Gruaja nuk i kushton shumë rëndësi vetes.

4 – Fillojnë problemet shëndetësore.

5 – Shfaqen problemet seksuale.

Këto të dhëna mbi problemet mes çiftit, na ndihmojnë në trajtimin e problemeve. Nëse çifti ka një konflikt ose problem, para se të jepen udhëzimet, njihemi me moshën martesore të çiftit. Duke njohur këto probleme, çdo bashkëshort i ri, krijon një ide më të qartë rreth të ardhmes së tij bashkëshortore. Kjo bën që ai të përgatitet.

Një nga bashkëshortët, e kishte marrë këtë studim dhe bashkë me të shoqen i kishin diskutuar këto probleme. Të dy bashkë, kishin vendosur një plan dhe strategji për t’i trajtuar dhe zgjidhur problemet që do u lindnin në të ardhmen.

Të flasësh dhe të trajtosh problemet bashkëshortore, është si të flasësh mbi detin dhe krijesat që gjenden në të. Megjithatë, në këtë trajtesë ne u përpoqëm të sjellim disa parime dhe ushtrime me qëllim që t’i lehtësojmë këto probleme dhe të kemi një jetë martesore sa më të qetë. Ne nuk duam që problemet tona bashkëshortore dhe familjare, t’i zgjidhim ashtu siç i zgjidhi gruaja që helmoi të shoqin. Burri i saj që ishte shtrirë në shtratin e vdekjes, e thërret dhe i thotë:”Para se të vdes, dua të tregoj një sekret. Unë të kam tradhtuar me një nga shoqet e tua.”

Gruaja ia ktheu:”Unë e dija këtë dhe prandaj të kam helmuar.”

Ajo që bëri kjo grua, konsiderohet zgjidhje e problemit të saj, por është një zgjidhje negative dhe e papranueshme. Si mënyrë të vetme për t’i dhënë fund tradhtisë së shoqit, ajo kishte menduar helmimin dhe eliminimin fizik të tij.

Trajtimin dhe zgjidhjen e problemit, ne e kemi me anë të shfarosjes së tij rrënjësisht, përfshirjes, ambientimit dhe injorimit.

Padyshim që problemet familjare nuk janë të thjeshta. Për më shumë informacion, unë u këshilloj të lexoni një studimin tim të botuar në një libër me titull “Problemet familjare dhe arti i trajtimit të tyre”. Ky libër, është rezultat i pesëmbëdhjetë viteve punë në gjykatë dhe si konsulent social për çështjet martesore. Në libër kam përmendur pesëmbëdhjetë histori të vërteta rreth problemeve bashkëshortore, mbi të cilat Zoti më dha sukses për t’i zgjidhur.

Veç kësaj, unë i këshilloj të gjithë që të lexojnë dhe studiojnë jetëshkrimin e profetit Muhamed a.s, sidomos në trajtimin që Profeti a.s u bënte grave të tij.

Problemet familjare, përveçse janë probleme, janë edhe mënyrë që secili prej nesh të fitojë përfojë dhe shpërblim nga Zoti. Në raste problemesh, unë u këshilloj të kujtoni hadithin e Profetit a.s që thotë:”Është për t’u çuditur me besimtarin. Gjithçka është në dobinë e tij. Dhe kjo nuk është veçse për një besimtar. Nëse Zoti e sprovon me begati, ai e falënderon Atë dhe kjo është në dobinë e besimtarit. Nëse Zoti e sprovon me një fatkeqësi, ai duron dhe kjo është në dobinë e tij.”

Ashtu siç janë sprovë problemet bashkëshortore, janë sprovë edhe mirësitë dhe begatitë mes tyre.

/mesazhi/

Në fund, e lusim Zotin që të na japë sukses në jetën tonë familjare.