Ditën e djeshme, rrjetet sociale u kthyen në një pikë loti, që përkthen një dhembje zemre dhe një dridhje të ndërgjegjes njerëzore, pas pamjeve pa koment të 2 vjeçarit sirian, Alan El-Kurdi, nga lagjja Ruknudin e Damaskut, kufomë e ngrirë në një nga brigjet e Mesdheut…
Jam i bindur, se të gjithë ata që e kanë parë foton e tij, janë mbushur me mëshirë e lutje për fëmijën e pafajshëm, për të vëllanë (i mbytur poashtu), për për nënën e tij të shtrenjtë, që nuk i la vetëm dy fëmijët e saj të mbytur, por edhe për të vëllanë e tretë, i cili nga dita e djeshme, nuk do të ketë më pranë vetes dy vëllezërit e dashur, nuk do të pozojë më me ta duke qeshur e duke dhuruar mirësinë e një moshe të pastër, plot ëndrra e pafajësi…
Po lexoja sot intervistën e të atit, i cili kishte shpëtuar… “Dua t’ia drejtoj fjalët e mia krejt botës! Shihni gjendjen e popullit sirian dhe kini mëshirë për ta, ndihmojini dhe lehtësojuani barrën… Shpresoj që djali im i vogël Alan, të kthehet në simbol të vuajtjes, që po kalojnë sirianët”, – përfundon intervistën, i larë në lot, Ebu Galibi, baba i fëmijëve-kufoma deti dhe i bashkëshortes së kthyer në valë mesdhetare pa adresë…
Alan Kurdi, me pafajësinë e tij, u kthye në dëshmitarin më të rëndësishëm të dekadencës morale të një bote të mbushur me hipokrizi, me farsa e fallcitete, me fasada të rrejshme, ku shkruhet: “Paqe në mbarë botën!”, “Liri për popujt e shtypur!”, “Pranverë…”, “Demokraci…”, “Liri mendimi”, “Solidaritet”, “Humanizëm” etj…
Alan Kurdi, me heshtjen e tij të ngrirë nga nata e errët, në krahët e ujrave të ftohta të një vere përvëluese, jo vetëm në Mesdhe, por edhe përtej, FOLI, më shumë se 1000 konferenca e takime, marshime e fushata për Sirinë e Irakun, për Palestinën e Burmën, për Jemenin e Somalinë, për.., për…
FOLI dhe dëshmoi se organizmat ndërkombëtare kanë ngrirë, njësoj si buzëqeshja e tij e mbytur! Dëshmoi se humanizmi është plagosur në zemër, njësoj si ëndrrat e tij, që u shpërndanë në thellësitë e ujrave, për t’u kthyer në thesare të pazbulueshme…
Alan Kurdi, me pafajësinë e moshës së vet, i dha një mësim të heshtur popujve dhe shoqërive njerëzore, që duhet të ndërgjegjësohen se ajo çfarë u serviret sot, sidomos nga klasa e hipokritëve, nuk është më e besueshme, as duhet besuar, as duhet pranuar, duhet refuzuar e shkapetur me të fortë për muret e dinjitetit njerëzor dhe krenarisë humane!
Nuk u marshua askund për të miturin damasken, vëllanë dhe nënën e tij, as për bashkëmoshatarët e tij, të mbytur në ujrat e detrave… Nuk u fol askund asnjë fjalë për pritjen shtazarake, që njeriu perëndimor i bëri vëllaut të tij lindor (në disa vende, jo kudo)… Nuk u ngrit zëri për fatkeqësinë e një populli (a disa popujve, thuaj), që dikush u ndezi fitilin e zjarrit dhe të gjakut, duke i kthyer në popuj fatzezë, të hutuar, të pluhurosur e të nxirë, nga pluhuri, plumbat, bombardimet, burgjet e torturat çnjerëzore!?
Nuk u shpall askund “ditë zie”, as u ul flamuri gjysëm shtizë, as për Alanin e pafajshëm, as për ata qindra e mijëra muslimanë të pafajshëm të djegur për së gjalli nga fetarë jomuslimanë në Burma, as për ata qindra e mijëra muslimanë të pafajshëm të vrarë e të bombarduar nga fetvatë e fetarëve jomuslimanë në Palestinë, as për pasuritë e zhvatura në Irak e Siri nga joarabë me maska të zeza, as për fëmijët e mbetur jetimë padrejtësisht dhe as për shkatërrimet e përmasave të papërshkrueshme në botën arabo-islame, as për ata që emigruan nga tymnaja e llahtarit në vendin e tyre, drejt një “qytetërimi vlerash”, në “tokën e premtuar”, që rezultoi përpjekje fatale dhe zhgënjim mbytës..!
Tash, Alani nuk është më. Shumë Alan-ë, nuk janë më. Por, natyrshëm, pas kësaj dite, do të ketë sërish marshime për paqen, ku do të shtrëngohen duar e do të valëviten flamuj, ku do të mbahen fjalime për paqen globale e do të firmosen deklarata të përbashkëta për të ardhmen e popujve… (Kësi deklaratash firmosen që këtu e dy a tri dekada më parë)..!?
Do të mblidhen edhe mbretëritë arabe, princët e arit dhe të naftës, myftilerët e vendeve të shenjta, që luten me zë të lartë kundër tiranive, edhe ata do të firmosin ndonjë deklaratë të përbashkët..!?
Por, do të ketë edhe një ditë llogarie, ku zullumqarët do të parakalojnë e do të mblidhen, të gjithë së bashku, nuk do të kenë kohë as të njihen si duhet më njëri-tjetrin, as të firmosin një deklaratë të përbashkët për një të ardhme më të mirë të njerëzimit..! Atë ditë, njerëzimi do të jetë aty, duke dëshmuar kundër zullumqarëve, në një ditë, ku askujt nuk i bëhet padrejtësi dhe ku gjithkush merr atë që meriton!
Pusho në paqe, bir i dashur, i heshturi Alan..!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 3 shtator 2015
(Islampress)