Në gjurmët e mesazhit të shprehur në titull, nëse përpiqemi ta përshkruajmë raportin ndërmjet pushtetarëve, ose më mirë, ndërmjet strukturave burokratike të pushtetit aktual dhe njerëzve të zakonshëm në vendin tonë, edhe pse ky fenomen nuk është vetëm i vendit tonë, atëherë përshkrimi më i përshtatshëm do të ishte: mallkimi i ndërsjellë, urrejtja dhe antagonizmi të cilat dita ditës po rriten dhe po krijojnë hendek edhe më të thellë ndërmjet kastës në pushtet dhe masave të gjera.
Antagonizmi, dallimet sociale, distanca dhe tjetërsimi midis elitës politike në pushtet dhe qytetarëve, kanë shkaktuar kaos dhe kolaps të përgjithshëm në shoqëri. Kjo gjendje reflektohet: me lloje të ndryshme të krizës, me varfëri të përgjithshme, me mbijetesë nga kontejneri dhe me papunësi të më shumë se gjysmës së popullsisë së aftë për punë. Në anën tjetër i kemi udhëheqësit e korruptuar politik dhe strukturat qeverisëse në të gjitha nivelet e qeverisjes, që jetojnë në bollëk joreal dhe në luks të paparë. Rrjedhimisht kemi shfaqjen e formave të ndryshme të krimit, vjedhjes, dhunës, imoralitetit publik, prostitucionit, narkomanisë, banditizmit rrugor, vrasjeve dhe vetëvrasjeve të shpeshta.
Të dhënat statistikore tregojnë se për çdo vit rritet numri i vetëvrasjeve. Hetimet tregojnë se motivet më të shpeshta që i shtyjnë njerëzit në vetëvrasje janë: frika e vetmisë dhe refuzimit, varfëria dhe problemet financiare, sëmundjet, sindromi i pasluftës, alkoolizmi, problemet martesore dhe familjare etj. Të gjitha këto janë rezultat i padrejtësisë në shoqëri dhe moskujdesi ndaj njerëzve dhe të drejtave të tyre. Këto kanë shkaktuar frikë individuale dhe shqetësim tek njerëzit, sepse hapësira e jetesës është shndërruar në arenë gladiatorësh, në të cilën mbisundon frika dhe pasiguria, ku më shumë gjasa për të mbijetuar kanë politikanët e korruptuar në pushtet (të rrethuar nga sahanlëpirësit), manjatët, kriminelët e dëshmuar, hajdutët dhe llumi tjetër.
Peshkatarë të shpirtrave njerëzorë
Për fat të keq, politikanëve të sotëm po ju shkon për dore edhe për faktin se njerëzit po sillen si ahmakë, të cilët më shumë ju besojnë fjalëve sesa veprave të dikujt. Andaj, politikanët e sotëm, jo vetëm që po mund të vijnë në pushtet, por edhe po qëndrojnë në pushtet, në bazë të premtimeve boshe pa asnjë rezultat pozitiv. Andaj nuk është për t’u habitur pse masat e humbura të njerëzve një fije shprese e shohin në zgjedhjet e reja, duke u zotuar se më kurrë nuk do t’i zgjedhin njerëzit e njëjtë që janë në pushtet. Mirëpo populli i shkretë, po harron se edhe partitë tjera janë të njëjta, vetëm se kanë vendosur maska të ndryshme në fytyrat e tyre dhe asgjë më shumë. Këta janë peshkatarë të shpirtrave njerëzorë, të cilët përveç maskave të ndryshme për raste të ndryshme, kanë, sikurse peshkatari, edhe karrema të ndryshëm për të peshkuar (njerëzit), ashtu që çdo herë i mashtrojnë dhe i kapin me sukses.
Megjithatë, edhe përkundër situatës së tillë kaotike, liderët politikë, kur flasim për gjendjen socio-politike në vend dhe rregullimin e saj, pa fije turpi nuk hezitojnë të përdorin fraza të mëdha si “sundimi i ligjit”, “të drejtat civile”, “parimet demokratike” e të ngjashme, duke i konsideruar të gjithë qytetarët si të marrë dhe sikur nuk kanë lidhje se çfarë kuptimi kanë këto sintagma.
Shteti i rregulluar ligjor (plus edhe demokratik) nënkupton ekzistencën e solidaritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë në mes të strukturave në pushtet dhe qytetarëve, që në shoqërinë tonë dhe në shtetin tonë “demokratik” dhe “civil” është vetëm ëndërr e dëshiruar, sepse shteti dhe ata që qeverisin me shtetin, nuk kanë synim të punojnë për t’i siguruar çdo qytetari, pa dallim feje, kombësie dhe statusi shoqëror, kushte për jetë të denjë për njeriun. Ata nuk janë aty ku janë për shkak të popullit, apo për shkak të qytetarëve, apo për zbatimin e ligjit dhe krijimin e drejtësisë sociale, por ata janë aty për veten e tyre dhe për interesat e tyre. Ata janë politikanë profesionistë gjakftohtë, pragmatistë dhe tregtarë të poshtër me jetët njerëzore, të cilët nuk respektojnë nder as ndershmëri, dhe të cilët nuk kanë ndërgjegje morale, kështu që nuk është çudi që motoja e tyre jetësore është fjala popullore: “Më mirë është të jesh koka e pulës sesa bishti i luanit.”
Për t’u rregulluar shteti dhe për të sunduar në të drejtësia sociale dhe prosperiteti, duhet të plotësohet kushti më i rëndësishëm – duhet në krye të tij të vijnë njerëz të moralshëm, të aftë dhe të drejtë. Dhe për të qenë të drejtë, duhet të jenë besimtarë të vërtetë dhe të devotshëm, për të cilët, interesi i përgjithshëm do të jetë para interesit personal dhe tek të cilët, nuk do të ketë mospërputhje në mes fjalëve dhe veprave.
Politikanët muslimanë duhet ta dinë se lidhja mes popullit dhe sundimtarit bazohet në dhembshuri e simpati, dhe jo në dominim, që është rruga dhe mënyra e vetme për të qenë shoqëria e shëndoshë dhe progresive dhe që të jenë njerëzit e kënaqur. Për shkak të këtij objektivi të madh, Muhamedi (savs), i ka shkatërruar të gjitha pengesat të cilat e dëmtojnë këtë lidhje. Ai ka shpjeguar se lidhjet ndërmjet sunduesve dhe popullit duhet të jenë të forta dhe të shëndetshme, dhe në shoqëri do të mbisundojë paqja dhe siguria aq, sa është e fortë ndërlidhja, afërsia, dashuria, besimi dhe solidariteti midis këtyre kategorive.
Në këtë kuptim janë fjalët e Pejgamberit (savs), për imamin i cili e udhëheq namazin në xhami: “Kush e udhëheq namazin e një xhemati, kurse ata e përbuzin dhe urrejnë, namazi i tij nuk do të shkojë përtej kockave të tij kryesore (dmth. ai nuk ka asgjë nga namazi i tij).” (Ibn Asakir, Albani e ka vlerësuar hadithin si autentik).
Kur kjo situatë është kështu me imamin, i cili e udhëheq në namaz një grup të vogël të njerëzve, atëherë si është puna me udhëheqësin i cili e drejton shtetin, qeverinë, ministrinë dhe komunën!
Në një tjetër hadith thuhet se Pejgamberi (savs), e ka bërë këtë lutje: “O Zoti im, kush bëhet udhëheqës i umetit tim, dhe ua vështirëson gjendjen atyre, edhe Ti vështirësoje atë, ndërsa kush bëhet udhëheqës, dhe sillet butësisht me ta, edhe Ti sillu butësisht me të.” (Transmeton Muslimi)
Pushteti nuk është nder, por përgjegjësi dhe amanet
Pikërisht Muhamedi (savs), si pejgamber i Allahut, por edhe si sundimtar, ishte shembulli më i mirë, i cili me praktikën e tij i konfirmoi parimet e lartpërmendura, duke ndarë me popullin të mirën dhe të keqën. Ai që nga dita e parë, ishte model i vërtetë dhe udhëheqës në ndërtimin e shtetit islamik. Së bashku me sahabët e tij, ai e ndërtoi xhaminë në Medine duke bartur baltë dhe gurë, dhe kur duhej që ky shtet të mbrohej edhe me armë, ai ishte në krye të popullit të tij dhe të ushtrisë së tij. Ai, sakrifikoi më së shumti për idenë për të cilën bëri thirrje, dhe në të cilën e themeloi shtetin.
Në këtë rrugë Pejgamberin (savs), hap pas hapi e ndoqën shokët e tij, në radhë të parë 4 halifët e drejtë, andaj nuk është çudi pse Omeri (r.a.), mbahet mend si simbol i drejtësisë edhe te muslimanët edhe te jomuslimanët. Omeri (r.a.), e kuptoi më së miri se pushteti nuk është nder, por amanet i madh dhe përgjegjësi, rrjedhimisht: sundimtari duhet të jetë shërbëtor i popullit, dhe jo shtypës dhe vrasës i popullit. Për shkak të këtij amaneti ai nuk mund të flinte natën, dhe kur gruaja e tij Atika (r.a.), e pyeti pse nuk po flinte, ai përgjigjet: “Nëse unë fle natën, do ta tradhtojë veten, ndërsa nëse fle ditën, do ta zhgënjej popullin.”
Duke iu drejtuar popullit në një krahinë islame, Omeri (r.a.), ndër të tjera, ka thënë: “Pasha Allahun, unë nuk po ua dërgojë guvernatorët për t’ju rrahur juve, as për t’ua marrë pasurinë tuaj, por për t’ua mësuar fenë dhe sunetin e Pejgamberit (savs). Nëse ndonjëri prej tyre vepron në kundërshtim me urdhrat e mi, më njoftoni, dhe pastaj unë merrem vesh me të.”
Amër ibn Asi i thotë: “O udhëheqësi i besimtarëve, po çka nëse ndonjë guvernator e aplikon ndëshkimin si masë edukative, a do ta ndëshkoni edhe atë?” “Po, pasha Allahun, e si mos ta ndëshkojë kur të tillët i ka ndëshkuar Pejgamberi (savs). Prandaj, mos i rrihni muslimanët, e t’i poshtëroni, mos i lëni ushtarët në kampet ushtarake larg nga familjet e tyre, e t’i sillni në sprovë, mos i privoni nga të drejtat e tyre, dhe ashtu t’i dëboni nga feja!” (Transmeton Ahmedi)
Kur disa njerëz në vitin e urisë, të njohur në histori si ‘viti i hirit’, e kishin therë një dele dhe ia kishin sjellë halifit Omer (r.a.), ai kishte thënë: “Do të isha sundimtar i keq, nëse unë do të hajë shpatulla, kurse populli t’i brejë eshtrat! Më sillni tjetër ushqim.”
Ata i sollën bukë dhe pak vaj, dhe ai vetë e bëri bukën përshesh dhe hëngri, pastaj tha: “Merreni këtë shpatull dhe dërgoni te filan dhe filan familjet në periferi të Medinës, ka tri ditë që nuk i kam vizituar.” (Ibn Sa’d, Tabekatul-kubra, III / 312-313)
Njësoj si Omer ibn Hattabi (r.a.), ka vepruar edhe nipi i tij, përkatësisht, stërnipi, Omer ibn Abdulazizi, halifi i 5 i drejtë, i cili për 2 vjet dhe 5 muaj të sundimit të tij, e vendosi drejtësinë në të gjithë perandorinë islame, nga Kina deri në Oqeanin Atlantik, ashtu që nuk kishte asnjë njeri që ishte i nevojshëm për sadakë. Ai plotësisht iu përkushtua të drejtave, brengave dhe nevojave të qytetarëve.
Bashkëshortja e tij Fatimja, ka treguar: “Unë hyra një herë tek ai, kurse ai ishte ulur në vendin ku zakonisht falej, ndërsa lotët po i rridhnin poshtë faqeve të tij. E pyeta: “Çka ke?”
Ai mu përgjigj: “I mjeri unë, oj Fatime! E kam marrë pushtetin mbi këtë umet, dhe ja, unë mendova për nevojtarin e uritur e të varfër, për të sëmurin, për të varfrin e panjohur dhe të dobët, për jetimin e pikëlluar, për vejanen e vetmuar, për të dëmtuarin e shtypur. Mendova për të burgosurit, për të moshuarit, për njerëzit që kanë familje të madhe ndërsa pasuri të vogël , dhe për të ngjashmit me ta përgjatë gjithë perandorisë, dhe e kuptova se Allahu do të më pyes për ta në Ditën e Gjykimit, kurse palë gjyqësore imja, përveç të gjithë të tjerëve, do të jetë edhe Muhamedi (savs), andaj kam frikë të mos mbetëm pa dëshmi në proceset gjyqësore me ta. Kjo është ajo që më brengosi dhe më bëri të qajë.”
Omer ibn Abdulazizi mori mbi vete kujdesin për muslimanët dhe jomuslimanët. Dëshmi për këtë është transmetimi që e regjistron Ibn Xhevzi, në librin e tij ‘Sireja e Omer ibn Abdulazizit’, në të cilin thuhet se imam Evzaiu, duke u kthyer nga varrimi i Omer ibn Abdulazizit, e takoi një murg duke qarë për Omerin, të cilin, kur e pyeti pse po qanë, kur Omer nuk ishte i fesë së tij. Murgu i përgjigjet: “Unë nuk po qajë për shkak të Omerit, por për shkak të dritës, e cila na e ndriçoi jetën tonë, dhe tani na është fikur.”
Pa fe nuk ka as pushtetarë të drejtë, as drejtësi në shoqëri
Shembujt e mësipërm janë dëshmi, se besimi i sinqertë në Allahun e Plotfuqishëm, është faktori kryesor social, i cili i ruan vlerat morale dhe civilizuese, dhe i cili e afirmon me forcë drejtësinë dhe barazinë si imperativë të fesë. Është iluzore të pritet që të jetë i drejtë dhe i ndershëm, një person i cili nuk ka shpirt të pastër dhe të devotshëm, dhe i cili është i pastër nga mendjemadhësia, vetëkënaqësia dhe arroganca.
Pushtetarët të cilët nuk besojnë në Allahun e Plotfuqishëm, e kanë model faraonin. Faraoni nuk kishte dëshirë të dëgjonte këshilla, ai vetëm urdhëronte dhe dënonte, sepse mendonte se të mirat materiale dhe jetët njerëzore janë pronë e tij.
Ndërkaq, besimtarët e kanë model Muhamedin (savs), dhe ata janë të gatshëm për të dëgjuar këshilla dhe kritika, pa marrë parasysh sesa ndjehen të fuqishëm dhe dominues. Ka shumë shembuj që e konfirmojnë këtë konstatim, por këtu po e paraqesim vetëm një shembull. Në të vërtetë, dijetari islamik nga brezi i dytë, Ebu Muslim el-Havelani, një herë, derisa halifi Muaviu (r.a.), po mbante hutben, u ngrit dhe i tha:
“O Muavi, ta dish se ti je një varr i zakonshëm dhe asgjë më shumë! Nëse vjen në Ditën e Gjykimit me vepra të mira, ato do t’i kesh, nëse nuk vjen, nuk do të kesh asgjë. Mos mendo se pushteti është mbledhje dhe akumulim i pasurisë dhe shpenzim i saj si të kesh dëshirë, por pushteti është ta flasësh të vërtetën dhe të punosh me drejtësi në emër të Allahut. Ruaju të mos ia mbash anën asnjë fisi, se pastaj ajo të largon nga drejtësia!”
Pastaj ai u ul, kurse Muaviu me atë rast, vetëm i tha: “Allahu të mëshiroftë, o Ebu Muslim!” (Taberi, Tarihul-umem vel-muluk, V/297)
Kurse halifi abasid Xhafer el-Mensuri, duke e këshilluar djalin e tij el-Mehdi, ka thënë:“Dije se sundimtarin nuk mund ta rregullojë asgjë përveç devotshmërisë, ndërsa vartësit nuk i rregullon as nuk i kënaqë asgjë, përveç drejtësisë.” (Ibn Kethir, el-Bidaje ven-nihaje, X/126)
Dhe në fund, ata që kanë pushtet dhe nuk duan që Shpallja e Allahut të jetë udhëzues i tyre për jetë, dhe nuk kanë frikë nga Allahu dhe takimi me Të, le ta dinë se sunduesi është varkë, kurse populli është ujë, i cili mund ta bartë varkën, por, për Zotin, nëse bëhet furtunë, mundet edhe ta përmbytë.
Burimi: Islambosna.ba
Përshtati: Miftar Ajdini
(Islampress)