Shoqëria e spektaklit thonë: “Ndërgjegjjen duhet ta dërgojmë në periferi të jetës njerëzore ndërsa shthurja , gallata e injoranca, duhet të jenë në qendër të jetës.
Shoqëria moderne dhe post-moderne karakterizohet nga ajo që shumë nga sociologët e quajnë si ‘shoqëria e spektaklit’, d.m.th. në thelbin e kësaj shoqërie është spektakli, fasada, zhveshja, etj.
Dhe si e tillë tek kjo shoqëri ndërgjegja njerëzore duhet të shtyhet sa më në periferinë e qenies, sepse duke e bërë këtë njeriu e humbet konceptin e turpit apo asaj që në popull njihet me ‘e vrau ndergjegjia’.
Po sjell një shembull për ta sqaruar më mirë: “Në orarin ku në përgjithësi mblidhet familja në shtëpi, televizionet japin programet më të degjeneruara dhe programet që sipas tyre bëjnë “humor”. Ajo që të vret më shumë tek këto programe është se humori bëhet me çështjet më serioze të jetës tonë. Tallen me mësuesin, policin, shtetin, fshatarin, qytetarin, bujkun, mjekun, e ku e di unë.
Në vend që këto tematika shumë serioze të diskutohen duke sjellë një diskurs që e ndihmojnë shoqërinë që të dalë nga ky batak, ato tallen, edhe ne fatkeqësisht fillojmë e tallemi si ato. Kështu, çdo gjë serioze e marrim me tallje dhe gallatë.
Deri në atë pikë vritet ndërgjegjja saqë, nëse guxon të flasësh seriozisht për tematika të rëndësishme të jetës së përditshme fillon gallata. E pe mbrëmë filan program? Ai mjeku apo polici, e pe se si u tallën me kryeministrin? Etj.
Duke mos anashkaluar programe të degjeneruara të cilat e shembin në thelb çdo lloj sensi të mundshëm ndërgjegjeje.
Programe të tilla që të gjithë lidhen me të gjithë dhe tradhtojnë njëri-tjetrin deri në kulmin e shthurjes.
Profeti Muhamed a.s. thotë: “Nëse s’ke turp bëj çfarë të duash.”
Pra, një njeri që nuk ka turp (ndërgjegjje) ai çfarë nuk bën, çfarë nuk pritet nga ai.
Nuk është puna vetëm tek shamia që i shqetëson, por ajo që i shqetëson është çdo gjë që e sjell njeriun tek ballafaqimi me ndërgjegjen e tij, me moralin, me etikën apo me turpin e tij.
——
PROBLEMI NUK ËSHTË SHAMIA POR BALLAFAQIMI ME NDËRGJEGJJEN.
Vladimir Kera/mesazhi/