Kraja, kjo trevë paradoksesh, për shumëçka unike. Në Krajë ujë ka (Liqeni), ujë s’ka (Kraja e thatë); shtet ka (Mali i Zi), shtet s’ka (kur duhet t’i dalë në ndihmë këtij populli); premtohen investime (në kohë fushatash), investime s’ka (as për be); shqiptarë ka (flasin shqip), shqiptarë s’ka (frikësohen nga Shqipja); demokraci ka (me fjalë), demokraci s’ka (në realitet); Krajën e duan (të serbizuar), Krajën s’e duan ashtu siç është (shqiptare); në Krajë fshatra ka (toponime), fshatarë nuk ka, sidomos në Anën e Sipërme, e cila përfundimisht ka “vdekur”, vendi ka mbetur “vashi”. Shumë shpejt po shpopullohet edhe Ana e Poshtme e Krajës, të cilën e kanë braktisur rreth 4000 qytetarë. Kraja e Poshtme ka mbetur me pak më shumë se 1000 banorë rezidentë: fëmijë, të rinj, të rritur, të moshuar, burra, gra. Shumë prej tyre shpëtimin përpiqen ta gjejnë jashtë Krajës.
Shumë shtëpi kranjane janë mbyllur, shumë prej tyre kanë filluar të rrënohen, kanë mbetur virane për hitha e quka. Edhe toka e punës, kryesisht ka mbetur djerr. Pemët e vjetra thahen, të rejat nuk ka kush t’i mbjellë. Muret bien, nuk ka kush t’i çojë. S’ka punë, bagëti as gjallëri. Gjithçka po degradon, për të cilën gjë dashamirësit e Krajës përmallohen, dëshpërohen, trishtohen. Në mënyrë të frikshme po tjetërsohen edhe shumë nga banorët rezidentë në Krajë. Mbishkrimet në varrezat katolike ka kohë që janë shkruar dhe shkruhen në gjuhën dhe alfabetin serb. Ka shestanas që nuk janë të kënaqur me faktin se arqipshkvi i Arqipeshkvisë së Tivarit është shqiptar dhe e mban meshën në gjuhën shqipe.
Po, si ka mundësi që 70 për qind e votuesve të Anës së Poshtme (në zgjedhjet e shkuara) të votojnë për parti melazeze ose serbe?! Çdo respekt për parti të kombeve të tjerë, por këta votues kranjanë të tjetërsuar, a e pyesin veten ndonjëherë se sa është përqindja e votuesve malazezë apo serbë që kanë votuar për parti shqiptare?! Përgjigjja është shumë e qartë: Asnjë! Si ka mundësi, gjithashtu, që vetëm në Krajë, si askund tjetër në botën shqiptare, të mos kremtohet DITA E FLAMURIT, siç ndodhi në vitin 2015? Ç’është ky indiferentizëm ndaj vlerave kombëtare, madje edhe antishqiptarizëm, sidomos në Anën e Sipërme? Për çudi, as disa të rinj të shkolluar në shkolla dhe universitete shqiptare, nuk dëgjohen të jenë gjallë. Po, a ka mjerim më të madh kur njeriu vdes për së gjalli!
Po, a ka tjetërsim më të tmerrshëm kur njeriu mendon me bark e jo me kokë, kur ai shndërrohet në butak, tartuf apo mjet për një përdorim?! Shkaqet për lëngatën e tjetërsimit janë injoranca dhe interesi i ngushtë. Gjithkush lufton për një jetë më të mirë, por njeriu dallon nga gjallesat tjera për njerëzi dhe për dinjitet. Mjedisi i tillë shoqëror, ku pjesëtarët e tij gjenden “të vrarë” shpirtërisht dhe kombëtarisht, shndërrohet në terren shumë të favorshëm për livadhisjen e demonëve kobzinj. Kjo ndodhi dhe po ndodh edhe me Krajën.
Kisha Ortodokse Serbe, me bekimin dhe me ndihmën e institucioneve shtetërore, e uzurpoi Ruminë e shenjtë dhe krenarinë e Krajës. Të njëjtën gjë, ajo bëri edhe me gërmadhat e monumenteve të kultit në ujëdhesat e Liqenit të Shkodrës. Pa pyetur fare, ajo i shuguroi (serbizoi) edhe gërmadhat e Kishës së Krajës, por me lejen në heshtje të autoriteteve shtetërore malazeze.
Skajshmërisht demagogjike tingëllojnë deklaratat e zyrtarëve malazezë, si p.sh. “kisha në Rumi duhet të hiqet”, se “ajo është jolegjitime”, se “ujëdhesat e Liqenit të Shkodrës janë pronë shtetërore” etj. , e nga ana tjetër tolerohen sjelljet dhe veprimet aq bizare antishqiptare dhe antinjerëzore të Kishës (Politike) Serbe. Sheti ligjor e ka për detyrë dhe i ka të gjitha mekanizmat e nevojshme për ta zbatuar ligjin dhe për ta çuar drejtësinë në vend. Por, siç duket, për ta realizuar këtë, ose mungon vullneti ose guximi i shtetit malazez për t’u përballur me Kishën e Amfillohije Radoviqit.
Tjetërsimi (sllavizimi) i Krajës është duke u realizuar edhe në forma më të “kulturuara”, siç është p.sh. Festa e Gështenjave në këtë trevë, e cila organizohet tash disa vjet, por që, përveç gështenjave, pothuajse nuk ka asgjë tjetër kranjane. Është shumë normale, madje e domosdoshme që festat vendore të kenë edhe karakteristika vendore. Edhe në këto kohë të globalizmit, në Krajë organizohen kurse (pilotike) për mësimin e gjuhës serbe. Gjithë bota mëson anglishten si gjuhë botërore, ndërsa në Krajë ende ka të atillë që mendojnë se gjuha serbe është “svetski jezik”.
Në vorbullën e këtyre çudirave po ngjizet propozimi që një rrugë në Krajë të pagëzohet me emrin “Taraboshski Junaci”, për të madhëruar ushtarët dhe oficerët e Krajl Nikollës, të cilët donin ta “çlironin Shkodrën”, por që lanë eshtrat në istikamet e saj. Në Krajën e braktisur e me njerëz të tjetërsuar nuk është çudi që në maje të Kraliçit (Kështenjë) shpejt të marrë shtat një Kryq i Kishës Ortodokse Serbe.
Nuk është aspak çudi që edhe në Arbnesh të ngrihet një përmendore për “jurishnikët” e Krajl Nikollës, më 1912, të cilët e paguan me kokë marrinë e tyre nëpër Krajë dhe në Tarabosh. Në këto rrethana, duket se nuk ka mbetur rrugë tjetër, vetëm t’i lutemi Zotit dhe kranjanëve të vdekur (se të gjallët janë ligështuar shumë) që ta shpëtojnë Krajën nga ky shpërfytyrim!
Hajrullah Koliqi
[Koha Javore, 7 janar 2016]