Liridona Bushati – Kaçaniq, një nënë e re me profesion psikologe klinike, ka startuar me biznesin e sajë të vogël, i cili fatmirësisht po rritet dita-ditës. Ajo krijon të ashtuquajturat “Kids SmartBox”, apo për ta kuptuar më lehtë “kuti të mençura për fëmijë”.
Liridona për Ul-info u shpreh që Kids SmartBox është e përbërë nga materiale didaktike të vlefshme dhe praktike për fëmijë. Sipas saj, kjo është dashur shumë më herët të bëhet në qytetin tonë ose në gjithë Malin e Zi, sepse ne kemi shumë pak materiale në gjuhën shqipe për fëmijë.
“Pak, të mos them aspak”, deklaron Bushati Kaçaniq për Portalin tonë, e cila për një periudhë të gjatë punon me fëmijët.
“Çdo material që kam përdorur, ose kam marrë rrugët për Shqipëri dhe Kosovë për t’i blerë dhe për t’i përdorur me fëmijë ose i kamë punuar vetë”, thotë ajo.
Në Kids Smartbox janë të përfshira materiale të ndryshme varësisht nga mosha.
“I punoj nga mosha 2+, 3+ dhe 5+, megjithatë do të punojë edhe për moshë më të mëdha.
Shkaku i mungesës, materialet kryesisht janë në gjuhën shqipe.
“I punoj edhe në gjuhën malazeze. Materialet edukative janë të plastifikuara dhe të punuara ashtu që fëmija të mund të shkruaj në to dhe t’i fshijnë disa herë, kështu ushtron shkrimin”.
Çdo material është i vlefshëm për fëmijën për shumë aspekte. Fëmija me SmartBox zhvillon imagjinatën dhe kreativitetin, stimulon logjikën dhe memorien, rrit përqendrimin, vëmendjen dhe koncentrimin, zhvillimin gjuhësor dhe komunikimin, zhvillon aftësitë fine motorike (forcimin e muskujve të vegjël të duarve, koordinimin sy-duar), shton dashurinë ndaj librave, ngjyrave, forcon ndërveprimin prind-fëmijë dhe mbi të gjitha dhe më kryesorja LARGON fëmijën nga PAJISJET ELEKTRONIKE.
“Dashuria e madhe për fëmijët, puna ime 10-vjeçare me ta, interesimi i tepërt nga fëmijët për këto materiale gjatë punës time, ishin motiv për këtë punë. Por një nga motivimet më të mëdha dhe më të dashur erdhi me lindjen e fëmijëve të mijë. Ato kanë qenë frymëzimi më i madh që si nënë t’i ndihmojë çdo prindi qoftë nga aspekti i shërbimeve psikologjike, qoftë edhe me por materiale të ndryshme. Pra, t’i mundësoj atyre të kenë sa më shumë kontakt te afërt dhe bashkëpunues me fëmijën e tyre”, tha Liridona.
Interesimi për këtë produkt “Handmade” është i madh. Bushati Kaçaniq për Ul-info tha që e ka pritur që do të ketë interesim, sepse çdo prind e dëshiron më të mirën për fëmijën e vet.
Bisedën me psikologen nga Ulqini e përmbyllëm me një mesazh për prindërit:
“Në moshën e hershme, deri në moshën 5-6 vjeç fëmija ka nevojën maksimale për ju si prind. Çdoherë e ka por sidomos ne këtë mosh, sepse ai po zhvillon identitetin e tij, zhvillon mënyrën e komunikimit, bashkëveprimit, sjelljet e tija, zhvillimin kognitiv dhe emocional, dhe pikërisht ne këtë moshë kanë nevojë për ju si prind, për dashurin, përkujdesjen më të madhe, bashkëpunimin, sa më pak pajisje elektronike dhe sa më shumë komunikim. Merrni fëmijët dilni, luani, vraponi, argëtohuni! Ata kanë nevojë ti dëgjoni, duan dashuri dhe siguri!”
Arjona Resulani
/https://ul-info.com//