Të Fundit
Sikur të rriturit do t’i posedonin pesë cilësi…

Sikur të rriturit do t’i posedonin pesë cilësi…

I.
Ka thënë Imam Es Sujutiu: “Nëse të rriturit do t’i posedonin pesë cilësi të cilat i posedojnë ‎fëmijët, do të bëheshin evlija.”‎
Fëmijët i posedojnë pesë cilësitë e mëposhtme:‎
‎1 • Nuk brengosen shumë për furnizimin,‎
‎2 • Nuk ankohen tek Krijuesi kur janë të sëmurë,‎
‎3 • Ushqehen bashkërisht,‎
‎4 • Kur të frikësohen, qajnë, dhe‎
‎5 • Kur grinden, shikojnë që të pajtohen sa më shpejt që të jetë e mundur.‎

II.‎
Halifi emevit Omer ibn Abdulazizi, i njohur më mirë si halifi e pestë i drejtë i muslimanëve, ia ‎dërgoi Hasan el-Basriut një letër me këtë përmbajtje:
“Nga halifi Omer bin Abdulazizi, tek ‎Hasan el-Basriu! Kërkoj nga ti që ta përmbledhësh dhe të ma përshkruash esencën e kësaj ‎bote dhe të botës tjetër.”‎

Hasan el-Basriu, në përgjigjen e tij për halifin, shkroi:

“Kjo botë është ëndërr, ahireti është ‎zhgjëndërr, kurse vdekja është gjendja në mes të ëndrrës dhe zhgjëndrrës. Ne jemi në ëndrra të ‎ngatërruara, kush e bën llogari vetveten ka shpëtuar, ndërsa kush është i pakujdesshëm ndaj ‎vetvetes është shkatërruar. Kush shikon në pasojat e veprave ka shpëtuar, ndërsa kush ju bindet ‎pasioneve të tij është mashtruar. Kush mendon është në fitim, kush frikësohet (nga dënimi i ‎Allahut) është i sigurt, kush reflekton (mëson) do të ketë njohuri, kush ka njohuri do të kuptojë, ‎kush kupton, ai edhe di, ndërsa kush di, ai edhe vepron sipas asaj që di. Kur të rrëshqasësh (kur ‎të bësh mëkat) kthehu, kur të pendohesh hiq dorë nga mëkati, kur nuk di pyet, kur të zemërohesh ‎përmbahu.”‎

III.‎
Tri vepra, për shkak të madhësisë dhe rëndësisë së tyre, në Ditën e Gjykimit që do të jenë të ‎shpërblyera pa llogari. Ato janë:‎

‎1. Falja e njerëzve

Për këtë vepër të mirë shpërblimi është i pakufishëm dhe Allahu për të jep shpërblim të veçantë, ‎siç thuhet në ajet: “Dënimi i së keqes është gjegjës me atë të keqe, e kush falë dhe pajton, ‎shpërblimi i tij është te Allahu. Ai, në të vërtetë, nuk i don zullumqarët.” (esh-Shura, 40)‎

‎2. Durimi (sabri)‎

Allahu i Plotfuqishëm në Kuran ka shpallur: “Vetëm ata që janë të durueshëm do të ‎shpërblehen pa masë.” (ez-Zumer, 10)‎

‎3. Agjërimi‎

Pejgamberi (savs) ka thënë: Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo punë e birit të Ademit është për ‎të përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” { Muslimi me nr. 1151}.‎

Prandaj, le t’ua falim njerëzve, le të jemi të durueshëm dhe le të agjërojmë, në mënyrë që në ‎botën tjetër të shpërblehemi pa masë.‎

Përktheu: Miftar Ajdini

(Islampress)