Shqiptarët i bashkon kultura, gjuha, historia, kujtimet, traditat, identiteti i përbashkët kombëtar. Megjithatë, identiteti kolektiv nuk është statik. Sipas Amin Maalouf-it, nuk ka identitet të betonuar që jepet njëherë e përgjithmonë, por ai ndryshon në varësi të rrethanave, plotësohet në vazhdimësi dhe perceptohet ndryshe në kohë dhe në hapësirë.
Salajdin SALIHU, Tetovë
Sot botohen shumë studime dhe libra për identitetin kolektiv, kombëtar, mbikombëtar, kulturor, europian, personal, për pluralitetin e identiteteve, identitetin hibrid, por edhe për krizën identitare, e cila, sipas studiuesve, manifestohet me ndryshime të shpejta dhe të shpeshta në kulturë.
Identiteti lidhet me përkatësinë, pra me ndjenjën që t’i përkasësh familjes, grupit, kulturës ose një kombi.
Identiteti kolektiv, me këtë rast ai kombëtar, formësohet gjatë një procesi historik. Çdo identitet kombëtar ka disa veçanti. Të tilla veçanti i ka edhe identiteti shqiptar, i cili është i konsoliduar.
Shqiptarët i bashkon kultura, gjuha, historia, kujtimet, traditat, identiteti i përbashkët kombëtar. Megjithatë, identiteti kolektiv nuk është statik. Sipas Amin Maalouf-it, nuk ka identitet të betonuar që jepet njëherë e përgjithmonë, por ai ndryshon në varësi të rrethanave, plotësohet në vazhdimësi dhe perceptohet ndryshe në kohë dhe në hapësirë.
Realitetet e ndryshme historike dhe shoqërore ndikojnë në zhvillimin ose ngecjen e një kombi ose të një pjese të atij kombi. Këtë e ka sqaruar Michael Ignatief-i në librin Gjaku dhe Përkatësia – Udhëtime në Nacionalizmin e Ri. Sipas këtij studimi, pjesëtarët e një kombi, që jetonin në sisteme të ndryshme shtetërore e shoqërore, shfaqnin dallime në mënyrën e të menduarit dhe të të vepruarit.
Shqiptarët jetojnë në disa shtete dhe aty tentojnë t’i përcaktojnë prioritetet e tyre. Ata mund të krijojnë identitete politike, por kanë një identitet kombëtar. Pavarësisht se ku jetojnë, ata ndajnë vlera të përbashkëta.
* * *
Viteve të fundit, në mesin e shqiptarëve ka pasur tendenca për krijimin e “identiteteve” të reja kolektive sipas parimit territorial dhe jo atij kulturor. Ideatorët e lidhin identitetin kombëtar me kufijtë shtetërorë. Por, identiteti kombëtar shtrihet përtej këtyre kufijve. Kufijtë e kulturës dhe të gjuhës janë më të gjerë se kufijtë shtetërorë.
Ideatorët humben në varreza përkufizimesh. Disa përkufizime për kombin ata i marrin si dogma.
Shumë studiues i fusin përkufizimet për kombin brenda kornizave të empirizmit, por ka edhe të tjerë, sikurse Berdjajevi, që mendojnë se kombi nuk është vetëm kategori sociologjike dhe empirike, por edhe kategori mistike dhe shpirtërore.
* * *
Përherë ka pasur tendenca që shqiptarët të paraqiteshin si “grumbuj fisesh”. Diplomatë, politikanë ballkanas, por edhe europianë, herë të shtyrë nga mungesa e informacionit dhe herë të shtyrë nga qëllime politike, veçanërisht gjatë shekullit XIX, shihnin në mesin e shqiptarëve “popuj” të ndryshëm. Kjo tezë u sforcua me qëllim që shqiptarët të paraqiteshin “pa unitet kombëtar” dhe si “të paaftë” për ta organizuar shtetin e pavarur të tyre.
Rilindësit shqiptarë dhanë kontribut jetik për t’i hedhur poshtë këto teza. Kur flitej se shqiptarët nuk e kishin alfabetin e tyre, ata e organizuan Kongresin e Manastirit. Kur flitej për përçarje fetare brenda shqiptarëve, ata e afirmuan harmoninë ndërfetare. Kjo harmoni është vlerë e veçantë e kodit tonë identitar dhe duhet të ruhet e të kultivohet.
* * *
Sipas Eqrem Çabejt, identiteti shqiptar paraqet “unitet në diversitet”. Shumëllojshmëria është pasuri identitare. Falë kësaj shumëllojshmërie, shqiptarët janë më të hapur ndaj prurjeve që vijnë nga sisteme të tjera kulturore. Shumëllojshmëria e ka pasuruar botën kulturore shqiptare në raport me veten dhe me të tjerët. Kultura shqiptare është pasuruar në ndërveprim. Hapja ndaj sistemeve të tjera kulturore e ka pasuruar sistemit tonë kulturor, gjuhësor, kombëtar e letrar.
Pushtetet, sikurse ai komunist, që e luftonin “të huajën”, nuk e morën në konsideratë këtë vlerë tonën identitare.
Bota jonë kulturore, shpirtërore e materiale e ka shtresën e saj autoktone, por ka edhe shtresa të tjera të krijuara përgjatë një procesi historik.
Shtresëzimet e këtilla janë normale për një kulturë të lashtë dhe të pasuruar në vazhdimësi nëpërmjet gjeniut të saj, por edhe nëpërmjet përthithjes së vlerave nga sistemet tjera kulturore e qytetëruese…
* * *
Sot shpesh ngatërrohet ose barazohet identiteti personal me identitetin kolektiv.
Zagorka Goluboviqi, në librin Unë dhe Tjetri, na thotë se identiteti personal formësohet duke u bazuar te dallimet e individit nga kolektiviteti që i përket, kurse identiteti kombëtar formësohet duke u bazuar te ngjashmëritë e individëve brenda kolektivitetit. Pra, gjuhës, kulturës, traditës.
Ngatërresa e identitetit personal me atë kolektiv shpesh bëhet ose qëllimisht, ose nga mosdija, ose nga ata që vuajnë nga kompleksi i Kokosë. Këta të fundit, duke e përçmuar identitetin dhe kulturën e tyre, besojnë se e lartësojnë vetveten. Për ta nënshtruar një komb duhet së pari t’ia krijosh ndjenjën e vetëpërçmimit dhe pastaj është më lehtë t’i imponosh kode të tjera që ai komb duhet t’i pranojë në emër të një “superioritetit kulturor”.
Këtë tendencë poeti bask Artexe e dekonstruktoi nëpërmjet vargjeve: “Si individë baskët shihen mirë në Madrid, por jo si baskë”.
* * *
Për ata që e përçmojnë identitetin kombëtar në emër të kinse kozmopolitizmit, përgjigjen mund ta marrin nga libri Marramendja e Babilonisë: Kozmopolitizmi apo mondializimi të Pascal Bruckner-it. Ky autor thotë se njeriu nuk lind kozmopolit, por ai bëhet i tillë kur shpreh dashuri, tolerancë dhe respekt ndaj realitetit të huaj, por pa e mohuar atdheun dhe rrënjët. Ta duash “Tjetrin” nuk do të thotë ta urresh ose ta mohosh veten. “Ne nuk i zgjedhin rrënjët tona”, shkroi Brucker-i dhe shtoi se as nuk duhet të turpërohemi nga rrënjët tona dhe as të frikësohemi nga vlerat e të tjerëve./mesazhi/