Muslimanët nuk bënë të bëhen pre e kurthit që duke e mbrojtur Islamin dhe muslimanët të fillojnë t’i mbrojnë edhe ata që në emër të tyre bëjnë krime.
Qasja selektive
Sidomos nga sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001 në Nju Jork e deri te sulmi mjaft i diskutueshëm ndaj redaksisë së revistës Charlie Hebdo në Paris më 7 janar 2015, Islami si fe dhe myslimanët si qytetarë të këtij rruzulli janë në qendër të vëmendjes të opinionit botëror. Ky opinion nuk ka ndryshuar prej atëherë as nga intensiteti dhe as nga vrazhdësia e fjalorit. Islami dhe myslimanët vazhdojnë të etiketohen si vrasës, barbarë, fanatikë, agresivë, terroristë e çka jo tjetër. Dominon nxitimi, e jo urtësia. Dominon ndëshkimi, e jo drejtësia. Pa gjykim dhe pa prova jepet verdikti final. Mbrohet nxitësi, ndërsa dënohet vepruesi. Viktima nuk ka të drejtë fjale, nuk ka të drejtë të mbrohet në heshtje as të mohojë bërjen e veprës së ngarkuar. Ky parim i instaluar vetëm për muslimanët po vepron në evro-perëndim.
Islami dhe muslimanët nuk po studiohen as shikohen si fe, kulturë, qytetërim, por po shikohen ashtu si shikon gjuetari prenë e tij, ta godas, ta vrasë, gjithnjë me synim jo ta kuptojë e të dhimbset për viktimën, por ta eliminojë nga skena, që do të duhej të ishte e përbashkët për të gjithë, për Perëndimin e pasur por të pashpirt dhe për Lindjen kryesisht të varfër dhe kryesisht me shpirt.
Evro-perëndimi gjatë kësaj kohe të histerisë dhe zhurmës, duke hedhur gurë e dru kundër Islamit dhe muslimanëve e heshtë ose së paku e minimizon, e në shumë raste edhe e komploton në mënyrë sistematike kontributin e muslimanëve nga e shkuara në Spanjë, Sicili, Itali Jugore, Ballkan e vende tjera. Në vend të mirëkuptimit nga perëndimorët, nga aty kemi një shpërthim histerik, nga politika e deri te masa popullore. Islamofobia dhe mosbesimi ndaj tjetrit, ndaj atij ndryshe, është në kulm.
Islami si fajtor kujdestar!
Prezantimi i baraspeshuar i Islamit dhe muslimanëve në Evropë e botë, pos rasteve individuale, mungon. Kjo gjendje shpie në mungesën e një pasqyre reale për të kaluarën muslimane, për të tashmen myslimane dhe për të ardhmen e Islamit dhe muslimanëve. Islami në botën perëndimore, thuajse në të gjitha nivelet, është i prezantuar vetëm në bazë të konflikteve, dhunës, luftës, terrorizmit, në vende të ndryshme. Për të radhiten të këqijat, shkëputen pjesë të këqija nga e kaluara për të dëshmuar të tashmen dhe për të justifikuar të ardhmen. Pamja e tillë krijon në imazh joobjektiv dhe të shëmtuar për Islamin dhe myslimanët, sesi ata qenkan njerëz konfliktuoz, luftarakë, jotolerantë, jomiqësorë etj.
Edhe pse evro-perëndimorët thirren në objektivitet e paanësi, mediat botërore, në rastin e Islamit dhe muslimanëve, nuk u bënë të ndërgjegjshme, por e ndihmuan të keqen në masë të madhe me shkrimet e tyre histerike, terrorizuese dhe shpeshherë të manipuluara, duke përdorur standarde të dyfishta, një për muslimanët duke i cilësuar keq e më keq, dhe një për të tjerët, të cilët mbrohen me ligj. Në këtë mënyrë, çfarëdo që ndodh në këtë kontekst, ajo kualifikohet si “terrorizëm islam”, kërcënim për vlerat perëndimore, greko-romake dhe jude-kristiane. Në favor të pohimit tonë janë edhe raportet e agjencive përkatëse evropiane të cilat shënojnë se shumica e akteve terroriste nuk mund të lidhen me Islamin “radikal”. Ky raport zyrtar evropian në favor të muslimanëve nuk ka ndonjë rëndësi për mediat madje edhe për politikën shtetërore të shumicës së vendeve që të flasin për kërcënimin musliman. Madje, kjo gjendje ka kaluar në histeri, në një gjendje paranoike, që nga ana tjetër u bë fundament për rekrutim të terroristëve të rinj dhe për ngushtimin e skajshëm të lirive të qytetarëve myslimanë dhe dëmtimit të dinjitetit të tyre, të pasurisë së tyre, të lirisë së lëvizjes, privatësisë, punës, shkollimit etj.
Mekanizmat shtetëror por edhe ata të shoqërisë civile, duke e instaluar një vetëdije të tillë, të frikës dhe terrorit nga myslimanët, dëshirojnë që nëpërmjet radikalistëve perëndimorë, islamofobëve të tyre, të mbjellin te të painformuarit ndjenjën e frikës, të pasigurisë dhe të mosbesimit të secilit ndaj secilit. Përse e themi këtë? Sepse, duke përgjithësuar lajmet dhe duke akuzuar të gjithë myslimanët për dhunë e terrorizëm, duke e parë lutjen, veshmbathjen dhe ushqimin e tyre si vetë kërcënimin, duke mos bërë dallimin mes pakicës së dhunshme muslimane dhe shumicës konstruktive muslimane, ata, perëndimorët vetë po e imponojnë dhe e promovojnë pakicën e dhunshme myslimane si qëndrim zyrtar të të gjithë muslimanëve, për t’i dhënë justifikim pushtimeve, luftërave e eksploatimeve të tyre në të katër anët e botës.
Të zënë në gërshërë nga një anë ndërmjet ekstremistëve të dhunshëm muslimanë, të cilët me fanatizmin dhe skajshmërinë e tyre abuzojnë me fenë islame dhe nga ana tjetër ndërmjet qendrave islamofobike perëndimore, të cilët frikën nga Islami dhe muslimanët e shfrytëzojnë për synimet e veta politike dhe ideologjike, shumica konstruktive muslimane po vendoset të skaje të ngjarjeve jetësore, po shpërfillet dhe po bëhet e padukshme në zhvillimet shoqërore e politike. Në këtë mënyrë e drejta po humbet kurse e keqja po rritet, drejtpërdrejt, nga qarqet e fuqishme politike, religjioze e ekonomike të të gjitha shteteve e qendrave të ndikimit.
Kah t’ia mbajmë?!
Duke e marrë parasysh gjendjen e përshkruar sipër, duke rezonuar se në kohën e zhurmaxhinjve dhe komplotistëve vlerat nuk përfillen, duke ia lëshuar vendin ‘shundit’ e ‘kiçit’, madje vlerat as nuk shihen, të mençurit e të arsyeshmit e të gjitha vendeve duhet të mendojnë të gjejnë mënyrë të përshtatshme dhe kohën e duhur që t’i japin hapësirë pjesës shumicë konstruktive në mesin e muslimanëve por edhe në mesin e popujve dhe vendeve tjera. Pjesa ‘shumicë’, konstruktive, duhet të dal nga ‘heshtja’ e imponuar nga të fuqishmit dhe të qitet jashtë loje pjesa ‘pakicë’ destruktive. Nëse vazhdon gjendja e tanishme, e tensionuar dhe vazhdimisht kërcënuese, atëherë ‘përplasja e qytetërimeve’ do të ndodh, pasojat e të cilës përplasje nuk mund të vendosen në letër për shkak të madhësisë së tragjedisë shpirtërore dhe materiale.
Muslimanët të gjendur para këtyre alternativave duhet të jenë mendjemprehtë e largpamës, të mos gabojnë e të bëhen pre e kurthit që duke mbrojtur Islamin dhe muslimanët nga Islamofobia dhe të gjitha padrejtësitë ndaj tyre, të mbrojnë edhe ata që në emër të Islamit dhe muslimanëve bëjnë krime e padrejtësi si ndaj jomuslimanëve ashtu edhe ndaj vetë muslimanëve.
Nexhat Ibrahimi