Milazim KRASNIQI
Nxitjen për këtë meditim lidhur me format se si duhet të prezentohet e të interpretohet Islami dhe se si mund të bëhet thirrja për Islam në kohën postmoderne, e mora nga dy raste identike të ndodhura brenda një jave, në dy xhami të ndryshme të kryeqytetit tonë, Prishtinës. Dy myezinë të këtyre dy xhamive, djem të rinj, të veshur si të gjithë të rinjtë e tjerë prishtinas, pasi thirrën ezanin dhe falën namazin vullnetar, nxorën celularët dhe po kontrollonin me vëmendje ose ndonjë portal ose profilet e veta në rrjetet sociale. Të dy dukeshin shumë të koncentruar në punën që bënin me celularët e tyre, edhe pse herë pas herësh vëzhgonin të tjerët, që të dinin se kur po e kryenin të gjithë namazin vullnetar, për ta thënë ata ikametin e për të hyrë në namazin e obligueshëm. Nga eleganca me të cilën ata po i kryenin këto dy punë në të njëjtën kohë, m’u sajua ideja se ata këtë mënyrë kombinimi të ezanit dhe namazit vullnetar me kontrollimin e përmbajtjeve në celular, para ikametit dhe namazit të obligueshëm, e praktikonin shumë shpesh. M’u krijua ideja se ata kanë njëfarë lidhshmërie nëse jo varshmërie nga media, nga inerneti, qoftë dhe në intervale kaq të shkurta kohore, pakminutëshe. Natyrisht, për mendimin tim, kjo mënyrë veprimi nuk do të thotë aspak mungesë devotshmërie ndaj namazit e ndaj besimit fetar. Jo. Por, kjo do të thotë se format intensive të komunikimit në internet, në kohën tonë janë gjithëpërfshirëse, pra, i përfshijnë edhe të rinjtë që janë praktikues të rregullt të namazit, madje edhe myezinët.
Kjo do të thotë se nën ndikimin e ndryshimeve teknologjike, kulturore, sociale e mediale, praktikisht ne kemi ndryshuar ose po ndryshojmë që të gjithë. Mua shpesh gjatë namazit në xhami më bezdis dilema se a e kam fikur ceularin a jo, që do të thotë se ndikimi i tij është evident edhe nëse është i fikur. Pra, po ndryshon sjellja jonë, botëkuptimet tona, raportet tona, me mundësi ndryshimi edhe të disa shtresave të botëkuptimeve dhe madje të identiteteve tona. Nxitja e mëhershme për ta trajtuar këtë problem më vinte nga përmbajtjet e shumë ligjëratave të hoxhallarëve nëpër xhami, në You Tube dhe në televizione. Duke i dëgjuar një numër të konsiderueshëm ligjëratash të tyre edhe gjatë këtij muaji të Ramazanit, të plasuara në medie vizive, shoh se shumica e tyre vazhdojnë t’i kultivojnë stilet e vjetra të ligjërimit, ligjërime të tejzgjatura, monotone, disa prej tyre edhe me ngritje toni e gati me britma, po përgjithësisht jo atraktive për t’u dëgjuar aq gjatë. Në tërë këtë punë gjej një paradoks: shfrytëzohet bukur shumë media për plasimin e ligjëratave, prezentimit dhe intepretimit nga ana e hoxhallarëve të vlerave të besimit islam e edhe të thirrjes në Islam, por kjo bëhet me mënyra të vjetëruara të ligjërimit. Po të shfrytëzohej me efikasitet kjo hapësirë e gjerë mediale, rezultatet në edukimin e besimtarëve dhe të thirrjes së besimtarëve të rinj në Islam, do të mund të ishin impresive. Ja pse: në universitet, gjatë një viti akademik, në një lëndë, mbahen tridhjetë ligjërata (nga pesëmbëdhjetë në secilin semester.) Me vijimin e kaq ligjëratave studentit i krijohet mundësia të kalojë provimin, pra, i mundësohet të avancojë në rrugën e formimit të vet akademik. Me aq sa kam vëzhguar, vetëm gjatë Ramazanit, një kanal i vetëm televiziv në Kosovë transmeton më shumë se tridhjetë emisione me intervista me hoxhallarë e dijetarë të besimit islam. Po të ishin këto intervista dhe ligjërata në nivelin e duhur, ato do të ngritnin esencialisht ndër vite njohuritë e besimtarëve për fenë e tyre, po edhe do të shndërroheshin në një nxitës për t’u ofruar besimtarë të rinj. Pra, për disa vjet, do të mund të arrihej efekti sa i vijimit të tre vite të studimeve, e pakta të studimeve në distanë. Por, me sa unë kuptoj, nuk ndodhë ashtu. Vit pas viti nga hoxhallarët në ato emisione trajtohen tema të njëjta, përsëriten naracione të njëjta, me terma të njëjtë, me monotoni të njëjtë. Bile, disa nga këto ligjërata tingëllojnë shumë monotone, si derset e dikurshme të improvizuara në odat e katundit! Prandaj, nuk mjafton ta kesh hapësirë në medie, po puna është si ta shfrytëzosh atë hapësirë me efikasitet, në pajtim me natyrën e saj dhe nevojat e publikut. Në televizon njësi për reklamim matëse është sekondi, prandaj natyra e televizionit kërkon narracion të shkurtër dhe ekspresiv, të shoqëruar nga imazhe dinamike, e jo narracione të gjata e imazhe monotone. Mund të thuhet se komunikimi i hoxhallarëve dhe dijetarëve islamë me publikun me anën e medieve është në ekspansion, gjë që gjithsesi është pozitive, por pa u gjetur ende mënyra adekuate e komunikimit, në pajtim jo vetëm me natyrën e medieve po edhe me pritshmërinë e publikut, i cili sot është krejtësisht i ndryshëm nga publiku i para tridhjetë vjetëve. Ky publik, i përbërë me shumicë absolute nga të rinjtë, është pjesë përbërëse e publikut dhe e rinisë që shfrytëzon të arriturat e teknologjisë dhe gëzon favoret që ofron koha postmoderne, në aspektin e afirmimit të lirisë së individit dhe të realizimit të ambicieve të tij. Pandaj, këtij publiku, jo vetëm në medie po as në ligjëratat në xhami, nuk mund t’i flitet me stilin e dikurshëm, me të cilin u është folur baballarëve tanë.
Ky publik i sotëm ka dy cilësi krejtësisht të tjera: e para, të rinjtë tanë janë shumë të avancuar në komunikim dhe përdorimin e medieve për forma komplekse të komunikimit dhe e dyta, kanë informacione alternative për besimin e vet fetar, të cilat i vjelin nga burime e gjuhë të tjera, pra, nuk mbështeten vetëm në ligjëratat konkrete të hoxhallarëve tanë. Me një fjalë, kërkesat e tyre ndaj ligjëratave e narracioneve që dëgjojnë nga hoxhallarët tanë janë shumë më të larta, se sa që realisht u ofrohen prej tyre. Personalisht kam dëgjuar me dhjetëra herë komente dëshpëruese nga djem të rinj ndaj ligjëratave që jipen të xhumave nëpër xhami, po edhe ndaj ligjeratave që transmetohen në medie vizive. Nuk duhet të shmanget nga vëmendja fakti që Kosova, fjala vjen, ka popullsinë me moshën më të re në Evropë, që do të thotë se kjo popullsi e akcepton më shpejt ndryshimin dhe kërkon përshtatje me realitetet e reja teknologjike, kulturore e shoqërore. Pra, jemi në një botë konkrete, e cila ka ndryshuar shumë dhe në të cilën, nëse duam të jemi të suksesshëm në komunikim përkatësisht në mision, duhet të përshtatemi me realitetin. Sikundër që gjuha në të cilën u flitet njerëzve, duhet të jetë gjuhë të cilën ata të kuptojnë (fjala vjen gjuha shqipe për shqiptarët) poashtu edhe mënyra e kumtimit duhet t’u përshtatet aftësive të njerëzve konkretë për të kuptuar, nevojave të tyre dhe pritshmërisë së tyre. Nëse u flitet njerëzve në një gjuhë të cilën ata nuk e kuptojnë, (fjala vjen, nëse u flitet shqiptarëve mandarinisht) ata nuk e marrin asnjë informatë, asnjë mesazh. Pra edhe nëse u kumtohet në mënyrë joadekuate me aftësitë, nevojat dhe pritshëmritë e tyre, është njësoj, sepse ata nuk arrijnë ta marrin informatën e as mesazhin. Pra, këtu fjala është që komunikimi i hoxhallarëve dhe dijetarëve të bëhet ashtu që të përshtatet me aftësitë, nevojat dhe pritshmëritë e publikut, ndërsa vetë besimi ynë fetar, në formë të Shpalljes Hyjnore, është i dhënë dhe i panegocueshëm. Ai paraqitet gjithmonë ashtu si është, sepse Shpallja paraqet besimin e kornizuar qartë. Por, mundësitë e secilit person për ta përqafuar, përjetuar e praktikuar besimin, janë individuale, të veçanta. Natyrisht, mundësitë tona të kufizuara nuk e ndryshojnë aspak kornizën e formësuar nga Shpallja. Ajo mbetet unike, e panegocueshme, ofertë dhe mundësi për secilin. Por, prezentimi, interpretimi dhe komunikimi, krahas faktit që duhet të balanchen me aftësitë, nevojat dhe pritshmëritë e publikut, duhet të të avancohen edhe në pajtim me mundësitë e teknologjisë dhe të dijes në përgjithësi.
Faktikisht, interpretimet e njerëzve për Shpalljet Hyjnore janë varë e varen edhe më tutje nga predispozicioni dhe nga dituria e secilit person, nga stadi i zhvillimit kulturor, shkencor e shoqëror, pra varen nga faktorë brendafetarë po edhe jashtëfetarë. Fjala vjen, një besimtar i sinqertë dhe i ditur në kohën e Ibrahimit (paqja e Zotit qoftë mbi të), ka mundur të ketë sinqeritet të fortë në besim, por në të njëjtën kohë ka pasur deficit të dijeve në sferat kulturore, shkencore e shoqërore, në krahasim me një besimtar të sotëm. Ai stad i kulturës, shkencës dhe shoqërisë, ka mundur ta stimulojë që ai të koncentrohet më shumë në besim, pasi ofertat nga sferat e tjera të jetës kanë qenë të varfëra. Ndërsa, në kohën tonë postmoderne, një besimtar i sinqertë dhe i ditur, është nën presionin e madh të dijeve nga fushat e teknologjisë, kulturës, nga shkenca dhe nga dinamika e jetës shoqërore. Presioni nga këto anë, krahas mungesave që mund të kenë në edukimin mirëfillii fetar, mund ta dekoncentrojë në raport me besimin fetar, mund t’ia relativizojë pasionin besimor. Në këtë rast, mund të ketë hutesa edhe mbi interpretimin e Shpalljeve Hyjnore nga ana e tij, sepse i ka në dispozicion edhe të arriturat në fushat e njohjes e të dijes shkencore, disa prej të cilave janë edhe problematike. Pandaj, është e domosodoshme që hoxhallarët dhe dijetarët e fesë, krahas respektimt të gjendjes diturore e fetare në të cilën janë aaat q ëi dëgjojnë/pasojnë, duhet të jenë konkurues në përdorimin e teknologjisë dhe të komunikimit nëpërmjet medies, në njohjen e të arriturave kulturore e shkencore, në problemet shoqërore, për të pasur ndikim pozitiv mbi publikun/xhematin që i është ekspozuar hutesave dhe dilemave. Nëse do të ishin në këso nivelesh, ata me punën e vet do të mund të zbusnin presionin psikologjik e kulturor që bëhet në këtë kohë mbi besimtarët, po edhe mbi njerëzit në përgjithësi. Nëse nuk do të jenë në këso nivelesh, ata do ta vazhdojnë monologun, por ndikimi i tyre tek besimtarët e njerëzit dhe në shoqëri do të vjen duke u zbehur. Do t’u mbetet në publik i pakët, pjesa jokreative dhe jodinamike e xhematit, ata që janë më shumë të prirur drejt rutinës dhe mësimeve dogmatike.
Faktikisht, në këtë stad janë tash për tash raportet e tyre me xhematin, formale, pa ndikim esencial. Thënë thjesht, përdorimi i mënyrave të vjetëruara të intrerpretimit e të thirrjes, të periudhave kur ka qenë një mënyrë tjetër jetese, me të tjera nivele të dijeve shkencore, me struktura të tjera të organizimit të shoqërisë, mund të mos funksionojë. Bile, mënyrat e vjetëruara të interpetimit të Shpalljeve Hyjnore, mund të prodhojnë fanatizëm fetar me nusporduket e tij, ekstremizmin dhe terrorizmin, ose abstenim nga përpjekja për të pasur një jetë aktive fetare. Pra, duhet të kihet para sysh se stadi kulturor dhe shoqërorë në të cilin jetojnë njerëzit konkretë, u krijon atyre disa mundësi brenda të cilave ata jetojnë, brenda të cilave mendojnë, brenda të cilave besojnë. Kjo duhet të mirret para sysh e të respektohet fort nga dijetarët fetarë, nga ata persona që janë të angazhuar për intepretimin e besimit fetar, për organizimin e jetës fetare të besimtarëve, për thirrjen e njerëzve në besimin fetar. Koha jonë, kjo që quhet gjendja posmoderne, këtë gjë e kërkon edhe më shumë. Kjo është një gjendje kundërthënëse në vetvete. Kjo është gjendje e mundësive të shumta të indvidit, e shpërthimit të pasioneve individuale, e krizave të brendshme të individit, familes dhe shoqërisë, e krizave të identiteve, duke përfshirë edhe identitetin kombëtar e fetar. Pra, është një gjendje kundërthënëse e kaotike, që figurativisht mund të thuhet se i përngjet një udhëkryqi pa shenja komunikacioni, pa semaforë. Secili duhet të provojë ta gjejë vetë drejtimin e vet. Nëse dikush u vjen në ndihmë, duke u ofruar shërbimin që ata ta gjejnë drejtimin e duhur, ai mund të arrijë sukses. Por, për ta arritur atë sukses, ofruesi i shërbimit vetë duhet të jetë i përgatitur dhe ta dijë se në cilat forma ta ofrojë shërbimin e vet.
Kjo metodologji pune, që duhet të realizohet në një gjendje kundërthënëse e kaotike kulturore e shoqërore, si në një udhëkryq pa semaforë e pa asfarë shenjash, duhet të mirret para sysh e të respektohet me prioritet nga hoxhallarët dhe nga dijetarët islamë shqiptarë. Pse? Sepse ne shqiptarët ka shekuj që jemi me shumicë muslimanë, por jetojmë në zemër të Europës, që do të thotë se jetojmë në një ambient kundërthënës ndërmjet besimit fetar islam dhe kulturës evropiane perëndimore. Jetojmë në një kryqëzim rrugësh të besimeve e të civilizimeve. Në këtë ambient tonin shqiptar kanë pasur ndikimin e vet lëvizjet e mëdha fetare, filozofike, artistike, shkencore e shoqërore, që nga Krishterimi i hershëm, shizma e Kishës, Kryqëzatat, Humanizmi e Renesansa, Iluminizmi e Romantizmi e deri te revolucionet politiko-ideologjike të fashizimit e të komunizmit. Në këtë ambient kundërthënës, feja islame dhe vlerat kulturore nuk kanë ecur dorë për dorë, nuk e kanë mëkuar e as mirëkuptuar njëra-tjetrën. Meqë feja islame është trajtuar si e huaj në truallin evropian, e pakta që nga shekujt XII-XV, kur u luftua dhe madje u çrrënjos prezenca dhe sundimi muslimanë nga Sicilia e nga Spanja, atëherë është e sigurtë se edhe në trojet arbërore-epirore-shqiptare, kjo fe u trajtua si e huaj, që nga fillimi. E drejta, deri sa jetuan nën Perandorinë Osmane, shumica muslimane e shqiptarëve nuk e kanë ndjerë shumë presionin kulturor të Perëndimit ndaj tyre për shkak të përkatësisë fesë islame. Fakti që kultivuan letërsi shqipe me alfabet arab, ngritën një jetë sociale urbane me parashenjë islame në shumë qytete shqiptare, është dëshmi se ata për një kohë u ndien komod brenda besimit të vet, duke krijuar edhe vlera kulturore të vetat, në pajtim me besimin e shumicës. Megithatë gjendja ka qenë edhe atëherë kundërthënëse në njëfarë shkalle: të krishterët shqiptarë e kishin afinitetin drejt kulturës evropiane, ndërsa në të njëjtën kohë e ndienin presionin e fesë islame, ndërsa muslimanët shqiptarë e ndienin njëfarësoj presionin e kulturës evropiane, por në të njëjtën kohë e gëzonin komoditetin e përkatësisë fetare me sunduesin perandorak. Por, kur dolën jashtë ombrellës së Perandorisë Osmane, në kuadër të Luftës së Parë Ballkanike (1912-1913) të gjithë shqiptarët së bashku, muslimanë e të krishterë (këta katolikë e ortodoks) iu ekspozuan gjenocidit të shteteve të krishtera ballkanike, pikërisht me sloganin se po dëboheshin, se po vriteshin muslimanët, që në truallin evropian trajtoheshin si “corpus alieni” (trup i huaj.)
Duke jetuar të diskriminuar në trojet e veta ballkanike-evropiane, ata shqiptarë muslimanë që mbijetuan gjenocidin e viteve 1912-1913, u detyruan të kalonin nëpër një proces të dhunshëm vesternizimi, që në fakt ishte tentativë për deislamizimin e tyre të plotë. Brenda këtij procesi që është një version i maskuar i Rekonkuistës, u mbitheksua përkatësia kulturore evropiane dhe u minimizua e u injorua në maksimum përkatësia fetare islame e shumicës së shqiptarëve. Vetëm si pasojë e këtij deformimi kulturor-fetar-ideologjik, ka mundur të fitonte ideologjia komuniste ndër shqiptarë, në vitet dyzetë të shekullit XX, kurrsesi ndryshe. Po të ishte ruajtur substanca islame në jetën sociale të shumicës së shqiptarëve, po të ishte ruajtur ekuilibri mes besimesh fetare ndër shqiptarë, komunizmi nuk do të kishte triumfuar kurrë. Pra, komunizmi triumfoi si vazhdim i procesit të islamofobisë përkatësisht të deislamizimit të shoqërisë shqiptare, duke e zënë këmbën e vesternizimit të dhunshëm. Pastaj regjimi komunist në Shqipëri tentoi të zbatonte një projekt të çmendur për zhdukjen e të gjitha besimeve fetare në Shqipëri, duke e shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë. Edhe në Jugosllavi pati tentativa për zhdukjen e shqiptarëve dhe të besimit të tyre dominant, Islamit, si përmes konfiskimit të pasurive të komuniteteve fetare, burgosjeve dhe eliminimit të prijësve fetarë e deri te akordimi i shpërnguljes së shqiptarëve muslimanë në drejtim të Turqisë dhe më larg.
Pas gjithë këtyre përvojave të tmerrshme, ku në luftë për çrrënjosjen e Islamit ndër shqiptarë, u përdorën edhe kultura e ideologjia, sot shqiptarët muslimanë janë të hutuar, ndonëse jetojnë në shoqëri ku është e proklamuar dhe e garantuar liria e besimit të tyre fetar. Duke jetuar në zgripc të ekzistencës biologjike për më shumë se një shekull, shqiptarët muslimanë nuk kanë arritur të krijojnë qëndrueshmërinë e elitave fetare dhe as të ndjekin një interpretim të besimit fetar islam, më të përshtatshëm me realitetin e tyre të dyzuar kulturor e fetar, duke qenë evropianë autoktonë dhe në të njëjtën kohë edhe komb me shumicë muslimane, mu në zemër të truallit europian. Ky është një rast sui generis, vërtet. Tashmë në truallin evropian është edhe një komb me shumicë muslimane, boshnjakët, por për aq sa boshnjakët janë një komb, është një komb i ri, ende në formim dhe madje komb pa shtet të vetin, ndërsa ne shqiptarët edhe jemi komb më i vjetër edhe zotërojmë formalisht dy shtete në truallin evropian, natyrisht jemi një komb i përbërë nga muslimanë e të krishterë, që kanë koncensus për identiettin dhe vlerat kombëtare. Prandaj, themi se edhe në këtë rast hoxhallarët dhe dijetarët muslimanë ndër shqiptarë, duhet të jenë prijatarë të metodologjisë së interpretimit të Islamit e të thirrjes në Islam në këtë botë konkrete e komplekse shqiptaro-evropiane, si në aspektin gjeokulturor e gjeopolitk, ku përkatësia definitisht është brenda Perëndimit, ashtu edhe të frymës postmoderne, që po bëhet mbizotëruese në botëvështrimin kulturor të shqiptarëve të sotëm. Natyrisht që ka edhe modele të tjera kulturore e mënyra të tjera të jetesës nëpër botë, (kineze, indiane, iraniane, etj) por ato janë të largëta për ne shqiptarët, aq sa për t’i përvehtësuar e praktikuar ato, duhet një lloj azili kulturor e social.
Gjeokultura dhe gjeopolitika e kanë vulosur në këtë kontekst fatin tonë kulturor e politik dhe ne nuk kemi pse tentojmë të hyjmë në konflikt me fatin tonë me asnjë lloj azili, me asnjë lloj eksperimentimi. Jemi evropianë, nën omrellën e NATO-s dhe në vorbullën e rrëmujës kulturore e sociale që provokon globalizmi. Një komb i vogël si yni, nuk ka fuqi që ta ndalojë këtë trend, prandaj i duhet të përshtatet, duke provuar që të ruajë sa më shumë ekuilibrat e vet të brendshëm. Nëse do të kemi sukses pë ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm, si komb evropian, me shumicë muslimane, ku kultivohet seriozisht harmonia fetare, në ndonjë fazë të mëvonshme të konsolidimit, kombi ynë mbase edhe do të mund të prodhonte vlera mikste kulturore e sociale, nëpërmjet të të cilave do të mund të sugjerohej sinteza e vlerave kulturoe e sociale të këtyre dy civilizimeve të mëdha, Islamit e Krishterimit. Ky vizion duket tepër optimist për ta prodhuar një komb si ne, por e pamundur nuk është, nëse do t’i frynte në shpinë një erë e fuqishme e koekzistencës paqesore të këtyre dy civilizimeve. Ne shqiptarët do të mund të ishim shembull i mirë i funksionimit të një kombi, i cili ka brenda vetes në harmoni dy besimet e mëdha fetare, Islamin e Krishterimin dhe kultivon vlera kulturore e sociale, si një sintezë të harmonisë së vet. Nëse kjo do të arrihej, shqiptarët do të rehabilitoheshin përfundimisht, me një identitet kulturor, social, fetar e nacional pa kundërthënie brenda vetes. Hipotetikisht, shansi ekziston. Kjo edhe për arsye se sikundër është e njohur, në përvojat fetare të shqiptarëve gjatë gjithë këtyre shekujve, interpretimi dominant ka qenë brenda shkollës së moderuar hanefite. Ndonëse pas rënies së regjimeve komuniste, ka pasur oscilime dhe imponim edhe të interpretimeve më dogmatike e më militante. Suksesi fillestar i shkollave radikale e ka burimin tek fakti që ato shkolla i rekrutuan më së shumti personat që janë produkt i deislamizimit komunist po edhe i gjendjes postmoderne, individë familjesh të çmoralizuara, individ të vetmuar, të frustruar e të varfër, pjesëtarë familjesh pa tradita të ngulitura fetare, madje edhe ish narkomanë. Individët e tillë janë të predispozuar për lëvizje ekstreme në jetën e tyre personale, për shkak të dështimeve dhe të paaftësisë që të akceptojnë durimin si botëvështrim esencial islam për jetën. Intepretimet e tilla radikale dhe rekrutimet e një numri pjesëtarësh në ato organizime, u pritën me shqetësim jo vetëm nga shumica e komunitetit muslimanë shqiptarë, po edhe nga shtetet (Kosova e Shqipëria) dhe nga aleatët strategjikë të shqiptarëve, gjë që përkohësisht e ka frenuar si zhvillim. Për një triumf afatgjatë mbi interpretimet e tilla radikale të Islamit ndër shqiptarë, duhet një strategji gjithëpërfshirëse e komunitetit musliman shqiptar dhe e shtetit. Pra, duhet një bashkëvendim dhe një qartësi, sepse në procesin e frenimit të kësaj lëvizjeje, ka pasur edhe gabime.
Por, tradita e gjatë e Islamit tolerant ndër shqiptarë, paraqet gurthemel të fortë për sukses kundër radikalizmit e ekstremizmit. Fatkeqësisht, ka pasur edhe tentativa që të shfrytëzohej lufta kundër ekstremizmit, si pretekst për ta rikthyer presionin mbi fenë islame ndër shqiptarë. Kjo ka ndodhur veçmas në Kosovë. Kësaj radhe e inkurajuar dhe e sponsorizuar nga shtete e agjensi joshtetërore të botës perëndimore e të realizuar nga qeveritë e Kosovës. Por, kjo qasje ishte shumë e gabueshme dhe shumë e rrezikshme, sepse ajo mund ta ushqente pikërisht ekstremizmin. Ftakeqësisht, islamofobia e mëkuar në Perëndim për të luftuar Islamin në truallin e vet po edhe në botën muslimane gjithandej, tashmë ka legalizuar deri në njëfarë mase terminologjinë dhe masat e veta shtrënguese edhe në Kosovë. Por, ka filluar të japë disa shenja të vogla se nuk do të radikalizohet më tutje, ndonëse paqartësitë janë pezull. Për këto rreziqe, hoxhallarët dhe dijetarët muslimanë shqiptarë e kanë edhe si mision shtesë që ta bëjnë dominant e të pakonkurueshëm interpretimin e moderuar të Islamit ndër shqiptarë. Që të mos lënë hapësirë që lufta kundër rasteve e dukurive të ekstremizmit të shfrytëzohet si pretekst për luftë kundër fesë islame ndër shqiptarë. Fryma integruese dhe universale e Shpalljes Hyjnore duhet të jetë dominuese në botëvështrimin fetar të shqiptarëve në përgjithësi, sepse ne tashmë jemi në një botë të globalizuar. Realizimi me sukses i këtij misioni kërkon përgatitje shumë më solide akademike të këtyre njerëzve, në pajtim me traditën dhe me rezultatet e dijeve të verifikuara shkencore, si dhe të vlerave universale kulturore.
Në rastin e ne shqiptarëve, krahas problemeve që kanë ardhur për shkak të paragjykimeve ndaj muslimanëve në truallin evropian dhe sqë kanë shkaktuar pasoja të rënda, duhet të kihet para sysh edhe një realitet i ri gjeopolitik. Ndryshimet e mëdha gjeopolitike, kulturore e sociale kanë ndikim të ndjeshëm në fatet e kombit shqiptar, pra edhe në mënyrën e të kuptuarit të fesë dhe të praktikimit të saj. Futja nën influencën direkte të SHBA-ve, NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, tashmë është fakt i kryer. Shqipëria është anëtare e NATO-s, ndërsa Kosova ka prezencë ushtarake të NATO-s, me mandat sigurimin e integritetit të saj. Kjo do të ketë efekte largvajtëse në gjithë jetën e shqiptarëve, gjë që duhet të analizohet me kujdes edhe nga aspekti i perspektivës së jetës fetare. Brenda, kësaj ombrelle gjigande të sigurisë dhe brenda këtij formacioni gjigand kulturor, shqiptarët duhet të fillojnë ta gjejnë veten e tyre dhe vendin e tyre të ri. Pra, jo vetëm koha në të cilën jetojmë, koha postmoderne, po edhe përkatësia gjeopolitike e kulturore e plotë e Perëndimit, duhet të analizohen e të kuptohen sa më realisht. Cila është e ardhmja e identitetit nacional shqiptar në këtë gjendje postmoderne dhe në këtë botë të globalizuar, ku shqiptarët tashmë janë të integruar në NATO e në BE? Cila është e ardhmja e identitetit fetar të muslimanëve shqiptarë, në një botë ku dominon sekularizmi, pluralizmi, konsumerizmi, hedonizmi dhe ku është aktive islamofobia? Si duhet të kultivohen e të mbrohen vlerat identitare, nacionale e fetare, të ekspozuara presioneve asimiluese dhe neutralizuese? Më e rëndësishmja në këtë mes: njeriu i sotëm shqiptar, ky bartës konkret i këtyre identiteteve, në çfarë gjendjeje emocionale, intelektuale, ideologjike e fetare është dhe në çfarë gjendjeje do të jetë në të ardhmen? A është ende në ndonjë fazë të modernizmit, apo është futur tashmë në pellgun e përjetimit postmoderist të botës, sikundër që është futur nën ombrellën e NATO-s? Këto pyetje nuk kanë ende përgjigje të qarta. Shqiptarët me fatin e vet jetësor dhe me dashjen e vet janë brenda kulturës evropiane, janë brenda strukturave perëndimore, por ende nuk e kanë stabilizuar identitetin e vet në këto realitete të reja kulturore e gjeopolitike. Ende nuk e dinë se a do të mbeten shqiptarë, apo do të lëvizin drejt identitetesh të reja, fjala vjen, kosovarë, që është një projekt mjaft i sponsorizuar. Ende nuk e dinë se a do t’i nënshtrohen ndonjë procesi të konvertimit, për të cilin poashtu ka projekte nga agjentë të ndryshëm.
Dijetarët që mirren me interpretimin e ideologjisë kombëtare, po edhe ata që mirren me interpretimin e besimit fetar islam, duhet t’i njohin këto realitete e këto zhvillime, këto tendenca e këto projekte. Ata duhet ta dinë se si duhet të pozicionohen ata dhe bashkëkombasit e tyre në këto procese. Më konkretisht, ata duhet ta dinë jo vetëm me kë kanë të bëjnë, po edhe kujt po i flasin, sepse ai që i dëgjon, muslimani i sotëm shqiptar, është i ekspozuar edhe ndaj ideve e projekteve të tjera. Audienca e tyre është nën shumë presione dhe në një proces të shpërbërjes permanente, si pasojë e gjendje postmoderne, në rend të parë. Prandaj, ka rëndësi të madhe mënyra e komunikimit me shqiptarët dhe besimtarët e sotëm shqiptarë, të cilët janë të traumatizuar nga e kaluara dhe potencialisht të manipuluar nga oferta e tashme në botën postmoderne. Këta shqiptarë dhe këta besimtarë muslimanë, nuk janë më ata të dikurshmit, pjesëtarë të familjeve të mëdha patriarkale shqiptare, pjesëtarë të fiseve që kalonin kolektivisht nga një fe në një tjetër. Këta shqiptarë e besimtarë tash janë me shumicë absolute individë të hutuar, persona të vetmuar, shumë herë të tjetërsuar në botën e konsumit dhe të hedonizmit agresiv. Këta persona tashmë nuk fascinohen nga narracione të mëdha për kombin, historinë, besimin. Kujtesa e tyre po vjen duke u tkurrur, më të shumtën e rasteve nuk e kalon kufirin e historive dhe informacioneve të raportuara në mediet on lajn të një dite!
Këta persona mund të lexojnë ose të dëgjojnë ndonjë rrëfim, ligjëratë, storie, nëse u servohet në mediet e tyre të preferuara, ose nëse aksidentalisht ndeshin në to. Pra, thirrja tashmë duhet të bëhet mediale, e jo vetëm në xhami, ose në komunikim privat. Sikundër që tashmë flitet për kulturë mediale, duhet të flitet edhe për “fe mediale”, në kuptimin që ajo hapësirën kryesore të manifestimit sot e në të ardhmen e ka në medie, në televizione, në portale, në platforma, në bllogje, në rrjete sociale. Kjo do të thotë që hoxhallarët e dijetarët, ata që interpretojnë besimin dhe që ftojnë në besim, duhet të jenë të aftësuar për përdorimin adekuat të medies, për plasimin e përmbajtjeve fetare në medie, në pajtim edhe me aftësitë, pritshërinë dhe mundësinë e këtij publikut (xhemati) të ndryshuar, në këtë botë të ndryshuar. Fjala vjen, në fakultetet e studimeve islame do të duhej të kishte departamente për studimin e marrëdhënieve me publikun dhe për edukimin medial. Nga mënyra si vihen relacionet me publikun dhe nga mënyra si përdoren mediet në këtë komunikim, varet shumë edhe rezultati i thirrjes. Shqiptarëve të sotëm muslimanë, të cilët janë të involvuar në mënyrën postmoderniste të përjetimit të botës, nuk mund t’u ofrohet interpretim fetar dhe thirrje me metoda të shekujve të kaluar. Tashmë dominon përjetimi postmodernist i botës, me të gjitha konsekuencat e veta. Prandaj, për rast të veçantë, si ky yni, duhet të ketë edhe metodologji të veçantë të komunikimit fetar, nga ana e hoxhallarëve dhe dijetarëve islamë, nëse synohet suksesi. Disa nga specifikat e përjetimit postmodernist të botës që duhet të kihen para sysh gjatë komunikimit të hoxhallarëve dhe dijetarëve e thirrësve në Islam janë edhe këto:
1. Shumica e njerëzve sot janë të vetmuar, ose pjesëtarë të familjeve të vogla, me aksces minimal edhe në grupe reale të referimit. Këta persona, prandaj, janë target shumë i përshtatshëm për komunikim, për thirrje në besim. Puna me grupe të vogla, ku mund të ketë bashkëbisedim, pyetje e përgjigje dhe diskutime kritike, është shumë më efikase se sa puna me grupe të mëdha, ku nuk ka komunikim të dyanshëm e as mundësi të diskutimieve kritike. Suksesi i madh i gazetarisë së revistave, që realizohet si bashkëbisedim intim, në stilin “Një me një” mund të jetë i përshtatshëm për këtë formë komunikimi. Pra, individit, ose grupit të vogël i komunikohen elementë të besimit fetar islam, si bashkëbisedim intim, si bisedë miqësore, si përvojë “mes nesh.” Njeriu i kohës sonë, më të shumtën i mbyllur në vete, i tëhuajësuar dhe në presionin e informacioneve senzacionaliste dhe të ngjarjeve stresuese, mund të ndihet më i relaksuar në një kësi kontakti, në një kësi komunikimi më miqësor, më vëllazëror. Ky individ i vetmuar, të cilit i mungon në një masë të madhe familja dhe rrethi i gjerë shoqëror, mund të afrohet më lehtë me informacionet mbi besimin fetar dhe të mirat e tij, me një kësi lloj komunikimi intim, miqësor e vëllazëror. Meqë ai zakonisht është në një krizë latente të identitetit, ai njëkohësisht është edhe në kërkim të shpjegimeve për gjendjen e tij, si përpjekje për të shpëtuar nga përthellimi i krizave, po edhe si ngushëllim. Nëse i afrohen narracione adekuate me gjendjen dhe pritshmërinë e tij, ky person mund të koncentrohet e të dëgjojë, gjë që është sprovë për njeriun e kohës postmoderne, të cilit i mungon durimi që gjërave t’u shkojë deri në fund ose thjesht të dëgjojë rrëfimet monotone deri në fund. Nëse nuk ka interaktivitet, nëse nuk i jipet mundësia të bëjë pyetje e të shprehet, po lihet që vetëm të dëgjojë, ai thjesht të largohet. Por, nëse i jipet mundësia të shprehet, ai edhe mund të dëgjojë deri në fund, poashtu me më shumë shans që boshllëku i tij të fillojë të mbushet me narracionin e ri, që natyrisht i duket si një varkë shpëtimi.
2. Interpretimi postmodernist i botës nga ana e dijetarëve perëndimorë, ka sjellë deri te lëkundja e bindjes së mëhershme evrocentriste dhe raciste, sipas të cilës kultura perëndimore ishte dominante ndaj të tjerave. Kjo qasje tashmë është e kontestuar dhe realisht e deplasuar nga shumica e dijetarëve perëndimorë. Gjendja e tillë e diskutimeve mund të përdoret për afirmimin e universalizmit islam, si kundërpeshë ndaj globalizmit me markë evrocentriste. E ardhmja është në komunikimin dhe bashkëjetesën paqësore të kulturave e të besimeve fetare, e jo në dominimin e një kulture e një besimi, duke e imponuar me forcë. Liria e zgjedhjes është e shpallur nga Zoti dhe ajo duhet të respektohet në çdo rast. Edhe përdorimi i disa koncepteve fundamentale të strukturalizmit, sikundër janë konceptet për “strukturat e thella të arsyes” që sipas Klod Levi Strosit janë të njëjta te të gjithë njerëzit e te të gjitha racat, qasja tejhistorike, etj., do të ndihmonin në thyerjen e barrierave psikologjike ndaj besimit islam, që të mos përjetohet si besim i huaj, arab, turk, lindor, etj. Lëkundja e këtyre stereotipeve te njeriu shqiptar, do të hapte mundësi reale që ai të dëgjojë me kurreshtje të rilindur narracione të këndshme për të vërtetën e fesë islame.
3. Fryma postmoderniste e ka relativizuar shumë narracionin për mitologjinë dhe për historinë, për kulturën nacionale, për kombin dhe nacionalizmin, po edhe për besimet fetare. Në këtë rast do të duhej të gjendej mënyra e të ndahej narracioni për fenë nga meganarracionet e tjera. Pse? Sepse besimi fetar ka qenë viktima kryesore e modernizmit dhe e produkteve të tij, meganarracioneve të mitologjisë e historisë kombëtare, të kombit e të nacionalizmit. Besimi fetar në përgjithësi e feja islame në veçanti, ka pësuar nga agresioni i ideologjive të mëdha imperialiste e nacionaliste. Feja duhet të kërkojë rehabilitimin e vet në hapësirën ku po shpërbëhen këto meganarracione. Por, duke u shndërruar në ofertë të lirë, si një narracion ngushëllues e shpëtimtar për njeriun e kësaj kohe, e jo si një ultimatum kërcënues e shantazhues hoxallarësh, që në jo pak raste kërcënojnë me ndëshkime e me xhehnem, bukur ngjashëm me priftërinjtë që dikur kërcënonin besimtarët me shkishërim. Duhe të jetë e qartë: ofertat ultimative të fesë nuk pinë ujë në botën postmoderne. Ofertat e reja mund të jenë efikase nëse janë adekuate me gjendjen emocionale, mentale e kulturore të njerëzve dhe nëse ofrohen në atë mënyrë që ta përballojnë me sukses pritshëmrinë dyshimtare dhe analizën kritike.
4. Meqë në botën tonë të sotme, këtu në truallin evropian, secili individ e ka mundësinë që të marrë informacione nga më shumë burime dhe nga më shumë se një gjuhë, me anën e medieve dhe internetit, kjo do të thotë se ligjëratat me tematika islame dhe thirrjet në Islam, duhet të jenë të strandardeve, që të jenë konkuruese me ofertat e tjera. Nëse ligjëratat dhe thirrjet bëhen me metoda të deplasuara, fjala vjen, me emocionalitet të lartë, me mistifikime gjoja filozofiko-fetare, me narracione që nuk gjejnë recepientë, atëherë dështimi është i sigurtë. Pse? Sepse njëra nga tiparet e postmodernizmit është rrënimi i kufijve ndërmjet kulturës elitare dhe asaj masive, ndërmjet elitës dhe vulgut. Produktet e komunikimit postmodernist janë të përziera, kompilacione, me stil më të thjeshtë, me imazhe efektive dhe pa sforcime emocionale. Njeriu i sotëm tashmë është familjarizuar me këto produkte në letërsi, në muzikë, në politikë, në medie, gjithkund. Nëse thirrja fetare nuk e ka para sysh këtë realitet, ajo mund të has në vesh të shurdhër. Dhe nëse moskomunikimi vazhdon më gjatë, pasojat mund të jenë të rënda, ngase tash gjeneratat e reja nuk e kanë të rrënjosur besimin fetar në fëmijëri dhe as identitetin nuk e kanë të ngulitur e të varur nga famlija e nga fisi, si në të kaluarën. Mjafton të shkëputet nga besimi një gjenaratë dhe mund të gjendemi në terrenin e një shoqërie ose të një kombi të defetarizuar përkatësisht të deislamizuar! Prandaj, duhet punë më e madhe e hoxhallarëve dhe e dijetarëve muslimanë, që të jenë konkurues në komunikim, duke pasur në vëmendje këtë publik specifik, e jo të mbeten si relikte të së kaluarës, që ngallin ose ironi, ose neveri. Rreziku tjetër, e kundërta e deislamizimit, mund të jetë radikalizimi, nën mësimet që njerëzit e rinj shqiptarë mund të marrin nga interneti përkatësisht nga shkolla të huaja radikale, në mungesë të mësimeve korrekte e të moderuara nga hoxhallarët dhe dijetarët shqiptarë.
5. Tashmë betejat kryesore të të gjitha fushave të aktiviteteve njerëzore po zhvillohen e do të zhvillohen në medie. Aftësimi i hoxhallarëve dhe dijetarëve të fesë islame për komunikim në medie, me standardet e komunikimit on lajn, është domosdoshmëri. Ligjëratat e gjata bajate në You Tube, në të ardhmen mund të bëjnë më shumë dëm se sa dobi. Prandaj, duhet qasje e re në medie, si në mediet tradicionale ashtu edhe në mediet on lajn dhe në rrjetet sociale. Përvoja që pata në dy xhami të kryeqytetit me myezinët, që menjëherë pas ezanit dhe namazit vullnetar nxorën celularët dhe po lexonin a shikonin gjera në ta, është indikative. Prandaj, mund të thuhet se mediet janë fushëverimi i së ardhmes edhe për thirrje në besim. Meqë është kështu, atëherë hoxhallarët dhe dijetarët muslimanë duhet të aftësohen që t’i përdorin mediet për punën fisnike të edukimit dhe të thirrjes në besim. Dhe të braktisin praktikat e deritashme të ligjëratave të gjata, si përralla, të cilat audienca nuk ka durimin t’i dëgjojë deri në fund. Taktika “Merre ose lëre”, të cilën e aplikojnë shumica e hoxhallarëve tanë, është arrogante dhe e dëmshme. Ligjëratat në të ardhmen duhet të jenë të shkurtëra, mbresëlënëse, interaktive, me ironizime të lehta për historinë dhe mitologjinë, me citime strikte e pa shumë komente të citateve nga Kur’ani famëlartë, me shembuj mbresëlënës nga aktualiteti, për t’i afirmuar veprat e mira e për të denoncuar veprimet e dëmshme, etj.
Për fund: postmodernizmi me tërësinë e vlerave dhe kundërthënieve të veta filozofike, kulturore, etike, politike e shoqërore, realisht është shndërruar në një botëvështrim specifik mbi botën në të cilën jetojmë. Meqë në kontinentin tonë është bërë gjithëpërfshirës, duke u bërë simbiotik me globalizmin, pothuasje është e pamundur që besimet fetare, pra edhe besimi islam, të mbetet jashtë ndikimit të tij. Mënyra hedoniste dhe konsumeriste e jetesës, produktet specifike artistike e kulturore, ndikimi i hallakatur i medieve, qëndrimet nihiliste ndaj institucioneve politike e sociale, krizat e identiteteve fetare e nacionale, bëjnë presion direkt mbi psikën dhe besimin e njeriut që jeton në këtë realitet gjeopolitik, kulturor e shoqëror. Pandaj, këtij njeriu vetmitar e të tëhuajësuar bukur shumë, egoist e nihilist, duhet t’i ofrohet një prezentim dhe interpretim i besimit fetar islam, që do të jetë si ofertë e fuqishme ngushëlluese e shpëtimtare. Pra, ofertë e cila nuk e injoron gjendjen reale të tij, ofertë që është dashamirëse e atraktive, që ia tërheqë vëmendjen me butësi. Që i ndihmon të mos fundoset në batakun e zhgënjimit. Që i ofrohet si një varkë shpëtimi. Gjithsesi botëkuptimi postmodernist për botën tashmë është imponuar dhe po bëhet dominues edhe në mesin e gjeneratave të reja të shqiptarëve. Prandaj, duhet të njihet si botëveshtrim e si gjendje, në tërësinë e vlerave dhe të kundërthënieve të tij, nga hoxhallarët e dijetarët muslimanë, në mënyrë që të jenë efikas në komunikim me publikun (xhematin) që ka prejardhjen nga kjo sferë. Në të kundërt, edhe jeta e tyre fetare do të përfshihet gjithnjë e më shumë nga improvizimet, nga spontaniteti, nga cektësia dhe më vonë nga indiferenca. Ashtu do t’i hapej një mundësi e re deislamizimit të shqiptarëve, por kësaj radhe jo në rrethanat e terrorit totalitar, si në regjimin komunist, po në rrethanat e lirisë, ku elitat fetare e kanë huqur komunikimin me njerëzit, për shkak të paaftësisë së tyre që të orientohen si duhet në realitetet e reja gjeopolitike, kulturore e shoqërore.