Të Fundit
TOLERANCA DHE E DREJTA FETARE

TOLERANCA DHE E DREJTA FETARE

Që nga krijimi i njerëzimit, në sistemin e kësaj bote atij i është dhënë gjëja më e përsosur ndër gjithë krijesat tjera, e ajo është liria dhe vullneti i tij. Kështu që pasi që njeriu pranoi përgjegjësinë që të jetë udhëheqës dhe zëvendës/halife në sipërfaqen e tokës, Allahu, menjëherë i mundësoi atij që ti mësoj emrat e çdo gjëje të kësaj gjithësie.[1] Me fillimin e zhvillimit të jetës, njeriu nuk u detyrua dhe obligua që ti përmbahet vetëm një sistemi, mirëpo atij iu bë i ditur se sistem më i përsosur i fesë në të cilin ai mund të gjëje lumturinë është Islami. Kështu që Allahu në Kur’an thekson se: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur”.[2] Atëherë, pasi që Kur’ani e vulosi të gjithë sistemin e më hershëm, nuk bëri ndonjë dallim dhe ndarje në mes të njerëzve. I lejoi dhe u preferoi që të jetojnë në bashkësi dhe grupe në mënyrë që ta zbukurojnë edhe më mirë jetën e tyre.

Sado që ideologjitë dhe filozofit e ndryshme pretendojnë se islami ka bërë krim në kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, sistemi Kur’anor assesi nuk është i tillë. Ata hiç pa bërë asnjë hulumtim, analizë dhe pa gjetur ndonjë argument bindës, këto ideologji i kanë shpërndarë në të gjithë medjat dhe literaturën botërore. Përveç kësaj, përmes shumë rrugëve tentojnë që të spërkatin mendimet e pastra të risinë e cila është e ardhmja e popullit[3]. Mirëpo siç theksuam edhe më lartë, Kur’ni assesi nuk ka bërë një ndarje të tillë, por ai gjithmonë fton në vëllazërim bashkim, prosperitet dhe bashkëpunim me njëri tjetrin dhe toleron pjesëtarët e tij gjerë në atë mas sa që nuk është e mundur që njeriu të mos arrije lumturin më të përsosur që ekziston.
A mos ndoshta, njeriu nuk është në gjendje ta kuptoj apo ndoshta e ka kuptuar por e ka harruar ajetin ku Allahu thotë:
“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij…[4], apo hadithin e Pejgamberit a.s. se njerëzit janë të barabartë në aspektin sociologjik, por se ata dallojnë vetëm në devotshmëri dhe veprat që bëjnë[5], ose “Njerëzit janë të barabartë dhe të njëjtë sikurse dhëmbët e kranit”[6] etj. Nëse ndalemi dhe i bëjmë një analizë këtyre thënieve të arta – e që përveç këtyre ka edhe shumë tjera- do të shohim se njeriut i është dhëne çdo e drejtë personale, fetare dhe shoqërore. Nuk u detyrua që patjetër dhe me dhunë të pranoj Islamin, sepse; “Nuk ka dhunë në fe”[7], dhe “Po që se do të dëshironte Allahu, nuk do të kishte mbetur askush në këtë sipërfaqe pa besuar”[8] Duhet të jemi të bindur se çdo individ, kudo që të jete është i lirë. Njeriu si krijesë njerëzore, vetëm pse është njeri është i lirë dhe i ndershëm, sepse Allahu atë e nderoi me shumë gjëra: “Më të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit”.[9] Nga vetë krijimtaria e njeriut, ai është i nevojshëm për të besuar diçka, pra besimi është një ndjenjë natyrore. Nëse hulumtojmë historinë e më hershme njerëzore, do të shohim se asnjë popull nuk ka qenë pa besim.[10] Pas të gjitha këtyre, kur kthehemi tek Kur’ni menjëherë përballemi me ajetet të cilat tregojnë se përderisa një populli nuk i dërgohet ftesa dhe njohuria e Islamit, ai popull, nuk do të jetë përgjegjës për besimin apo mosbesimin e tij.
Nëse i kthehemi sistemit modern i cili pjesërisht praktikohet sot në botë, do të vërejmë se, çdo kushtetutë botërore ka hartuar dhe ka cekur në planin e sajë të drejtat dhe liritë e njeriut, çofshin ideologjike apo fetare. Mirëpo para se të paraqesim këto kushtetuta, menjëherë duhet të bëjmë se a janë duke u praktikuar ashtu siç janë përpiluar?. Një kushtetutë e tillë, për herë të parë – pas Kushtetutës Medines – është cekur në “Komunikatën e të Drejtave në Virgjinja” më 12 Qershor 1776, duke theksuar këto:
“Lidhur me besimin dhe fenë që i jemi borxh krijuesit tonë, duhet të bëjmë të ditur se këto duhet ti plotësojmë dhe pranojmë përmes vullnetit dhe mendjes, e jo përmes dhunës dhe përdorimit të forcës. Për këtë shkak, të gjithë njerëzit janë të barabartë në zgjedhjen dhe aplikimin e obligimeve të veta fetare”[11] Po të njëjtën gjë, më 26 Gusht 1789 e kanë cekur Francezet në nenin 10 dhe 11 se populli është i lirë në pranimin dhe aplikimin e fesë. Por pak më qartë se këto, më 10 Dhjetor 1984, në Kushtetutën Amerikane të të drejtave të njeriut, në nenin 18 thuhet: “Çdo përsosë është i lirë në mendimin, dhe fenë e tij…”[12] Sipas këtyre kushtetutave të këtyre vendeve të zhvilluara dhe demokratike, vërehet se të drejtat dhe liritë fetare të njeriut ndërtohen mbi katër themele:

1. Besimi; Çdo individ është i lirë të zgjedhe cilën fe të doje;
2. Vepra; Çdo individ është i lirë të praktikoje ritet e fesë që i takon;
3. Shkollimi – ; Çdo individ është i lirë të mësoje dhe shpjegoje fenë e vet;
4. Dhe që çdo kush ka të drejtë të formojë bashkësinë e tyre fetare e sociale.

Nëse këto katër pika aplikohen në çdo vend të botës, atëherë mund të themi se edhe myslimanët do të kenë të drejtat e tyre që të formojnë shkollat, ndërtojnë xhamitë, ligjërojnë islamin dhe të kenë qendrat e tyre për bashkësi dhe tolerancë ndërfetare. Në bazë, çdo bashkësi fetare pohon se jemi të gatshëm për një dialog të tillë, mirëpo kjo, asnjëherë nuk është bërë sinqerisht. Gjithmonë, çdonjëra nga këto kanë filluar që të diskutojnë për përparësinë dhe kriteret e veta, duke harruar se toleranca, bashkimi dhe dialogu ndërfetarë do të sillte rezultate shumë të freskëta dhe jetëgjate vetëm atëherë kur të gjitha këto grupe nuk do ti tregonin përparësitë e tyre ndajë feve tjera.

Ne si predikues të Islamit, jemi të obliguar që të ia sqarojmë liritë dhe të drejtat një individi në mënyrë sa më të mirë, duke pasur parasysh pozitën dhe shkallën e tij. Gjithmonë duke filluar nga pikat e përbashkëta që kemi me bashkëbiseduesin dhe gjithmonë duke i treguar atij shembujt e artë se si ka vepruar Pejgamberi (paqja dhe mëshira e All-llahut qoftë mbi të) me njerëzit.

Zymer Ramadani

[1] El-Bekare 2/ 30,31
[2] Ali İmran, 3/85
[3]Shih fjalimin nga Prof. Dr. Ali Bardakoğlu të mbajtur në Ankara gjatë vizitës që i bëri Papa Benediku XVI – Turqisë, Ankara, 28 Dhjetor 2006.
[4] Huxhurat, 49/13
[5] Ahmed ibni Hanbeli, vëll. V, no. 411.
[6] Axhluni, Keshfu’ı Hafa, no. 2847.
[7] El-Bekare, 2/ 256
[8] Junus, 10/99
[9] İsra, 17/70
[10] Günay Tümer, Abdurrahman Küçük, Dinler Tarihi, f. 27.
[11] Şeref Ünal, Avrupa İnsan Hakları Sözleşmesi, f. 206
[12] Saffet Köse, İslam Hukuku Açısından Din ve Vicdan Hürriyeti, f. 14.